EKSKLUZIVE/ Publikohet procedura për kualifikimin e mësuesve që kanë vjetërsinë e duhur në punë

Publikuar më: 26/01/2012 22:50

Atestimi, pyetjet për mësuesit në gjimnaze

Lista e plotë me pyetjet për Gjuhën dhe Letërsinë, Matematikën, Sociologjinë, Filozofinë dhe Ekonominë e Zbatuar. Dokumentet që përmban portofoli profesional i mësuesit. Kandidatët që përfitojnë shtesë pikësh, për shkak të kualifikimeve

Të gjithë mësuesit që hyjnë në atestim, duhet të kenë një përgatitje të përgjithshme për mënyrën e zhvillimit të mësimit, përfshirë këtu njohuritë që ka ai mbi lëndën që zhvillon, si dhe përgatitjen që ka për programet dhe planet mësimore. Kështu, Instituti i Zhvillimit të Arsimit publikon modele testesh që përmbajnë pyetje për të gjithë mësuesit sipas lëndëve. Konkretisht, gazeta “Republika” boton të plotë sot pyetjet për mësuesit në shkollat e mesme, si dhe publikon detajet mbi rregulloren dhe portofolin që duhet të dorëzojnë mësuesit për t’u përfshirë në atestim. Sipas MASH-it, atestimi i mësuesve realizohet nga Komisioni i Kualifikimit, i cili, ndër të tjera, monitoron dhe vlerëson përgatitjet për provimin, si dhe përcakton mjediset dhe numrin e pjesëmarrësve në provim. Ndërkohë, sipas rregullores më të fundit, në hartimin dhe në procedurat administrative, pjesëmarrës janë edhe IZHA dhe Drejtoria Arsimore. Tashmë, provimet do të zhvillohen në qytetin e Tiranës dhe në një mjedis: do të vendosen vetëm kandidatët e një DAR-i, sipas rendit alfabetik.

Portofoli profesional i mësuesit

Portofoli i mësuesit përmban:

a) Curriculum Vitae (me fotografi),

b) Fotokopje të certifikatave me kredite,

c) Fotokopje të dëshmive të titujve shkencorë,

d) Fotokopje të dëshmive të mbrojtjes së gjuhëve të huaja.

e) Fotokopje të dëshmive për Teknologjinë e Informacionit dhe Komunikimit (TIK)

f) Produkte të tjera, të cilat përshkruhen në Udhëzimin Vjetor të ministrit.

Komisioni i Vlerësimit të Portofolit në DAR/ZA vlerëson me pikë përbërësit e portofolit, sipas Udhëzuesit IZHA-s. Në këtë rast, kandidati që nuk i merr pikët minimale për portofolin, nuk fiton shkallën e kualifikimit. Ndërkohë, mësuesi që nuk dorëzon të paktën një produkt, nuk fiton shkallën e kualifikimit.

- Mësuesi fiton pikë shtesë sipas këtyre kritereve:

a) Me titull (SHPU, MND, Master mbi 60 ECTS, Doktoraturë) për persona që janë diplomuar para vitit 2010 (5 pikë)

b) Gjuha e huaj, e mbrojtur në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja ose në teste të njohura ndërkombëtarisht (5 pikë)

c) Certifikatë me kredite për TIK-un (5 pikë)

Kandidatët për kualifikim

Kandidatët për kualifikim janë punonjësit në sistemin e arsimit publik dhe atij privat:

a) Me diplomë mësuesie;

b) Pa diplome mësuesie, por me arsim të lartë që japin lëndët profesionale në shkollat e mesme profesionale ose të përgjithshme dhe kanë kontratë individuale pune;

c) Pa diplomë mësuesie, që kanë kryer shkollën e mesme artistike ose Akademinë e Arteve dhe japin lëndët e edukimit muzikor ose të Edukimit Figurativ. Procedurave të kualifikimit u nënshtrohen vetëm mësuesit, të cilët deri më 31 dhjetor të këtij viti, plotësojnë vjetërsinë e mëposhtme të punës në arsim:

I) nga 5 deri në 9 vjet për shkallën e tretë të kualifikimit;

II) nga 10 deri në 19 vjet për shkallën e dytë të kualifikimit, por të paktën 5 vjet pas marrjes së shkallës së tretë;

III) nga 20 e më shumë vjet për shkallën e parë të kualifikimit, por të paktën 10 vjet pas marrjes së shkallës së dytë.

Tashmë, kanë të drejtë të aplikojnë për një shkallë kualifikimi, mësuesit që kanë grumbulluar një numër minimal kreditesh dhe ky numër kreditesh përcaktohet në një udhëzim vjetor të MASH-it për kualifikimin. Nëse një kandidat nuk merr pjesë në kualifikim për shkaqe rastësore ose nuk kualifikohet, ka të drejtë të marrë pjesë në provimin e vitit pasardhës.

Komentet janë të mbyllura

Foto Lajme

Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i përmbajtjes së këtij portali © 2013 Gazeta Republika | Designed by Keminet | Log in
Close
Ndiqni Gazeta Republika në Facebook
Informohuni mbi ngjarjet kryesore të ditës duke na ndjekur në Facebook.