Drita Çomo, drita që vjen nga humnera

Publikuar më: 06/02/2012 19:11

Kujtimi i patretur i një vajze të talentuar

 

Unë e kam njohur Dritën, ajo ishte motra e shokut tim të klasës në gjimnaz, Petrit Çomos, dhe kur ne ishim në vitin e maturës në gjimnaz, ajo ishte në vitin e parë. Thjesht, ajo ishte motra e një shokut tonë të mirë, edhe pse me një cen të madh në biografi, që ia kishte ngjitur diktatura. Që në fillim, do të thosha se klasa jonë kishte edhe të tjerë që kishin cen në biografi, si Aleksej Çami që babanë e kishte inxhinier nga Korça dhe nëna e tij ishte ruse nga Moska dhe që të dy prindërit, që nga viti 1972, iu futën në burg si armiq. Po ashtu, kishim edhe Fiorentinën, bijën e profesor Dilaver Shkodrës, mësuesit të talentuar të letërsisë, sepse daja i Fiorentinës ishte Nazmi Fagu, i dënuar me pushkatim, por që më pas iu fal jeta dhe vuajti keqas në burgjet e komunizmit. Edhe unë vetë e kisha cenin në biografi, jo vetëm se isha biri i dy prindërve nga Filati i Çamërisë, por edhe sepse, në vitin 1964, babai im u arrestua e u dënua me 6 burg.

Kështu, klasa jonë i kishte të përziera biografitë, se kishte edhe fëmijë që i kishin prindërit komunistë e me detyra pushteti e partie. Por që në fillim, dua ta them se asnjëherë në shoqërinë tonë nuk u shfaq ndonjë ndarje biografie, ishim shokë e shoqe të mirë, që e donim njeri-tjetrin dhe bashkë luanim, bashkë mësonim, bashkë dilnim, bashkë fjaloseshim, bashkë pinim edhe cigare. Është një rast unik për këtë qytet si Cërriku, ku ishin mbledhur njerëzit një e nga një dhe që ishte kthyer në një qytet internimi për shumë e shumë njerëz që i dënonte diktatura dhe i sillte në qytetin e naftëtarëve, si me thënë, në kudhrën e klasës punëtore.

Ajo që është për t’u thënë sinqerisht dhe me një vërtetësi të paparë ishte fakti se prindërit tanë asnjëherë nuk na ushqyen ndjenjën e ndarjes apo të biografisë, të mosshoqërimit me ata që kishin cen në biografi. Por duhet thënë se bënte përjashtim Petriti dhe e motra e tij, Drita, jo vetëm se ishin dy njerëz që gëzonin respektin e të gjithëve, por në veçanti, e motra e Petritit që ishte edhe shumë simpatike, me një zgjuarsi të mahnitshme dhe me një sjellje mëse të admirueshme. Kështu e njohëm, edhe kemi vallëzuar me Dritën në një mbrëmje të ne maturantëve, se ishte motra e shokut dhe sjellja jonë ishte shumë e kujdesshme që ajo të mos prekej asnjëherë. Asnjëherë Petritit nuk i ra në sy ajo ndarja klasore mes shokëve e shoqeve te tij, sa miqësia jonë është e fiksuar në fotografitë e moshës sonë.

Shoku i bankës dhe një ish i përndjekur edhe ai, Ismail Çala dhe, veçanërisht, e shoqja e tij Gledis, mbesa e familjes Xhomaqi, të persekutuar keqas nga diktatura, kujtojnë me një hidhërim të madh ato vite kur ata ishin shokë të së njëjtës klasë, ku ishte edhe Rajmonda Bulku. Ismail dhe Gledis shprehen se “një Zot mund të ketë fuqinë të imagjinojë se çfarë survejimi i bëhej Dritës në çdo hap që hidhte. Edhe kur ishim në aksion në Fier, Drita, së bashku me Andrushën, niseshin së bashku e shkonin në Ballsh për të takuar prindërit e tyre të burgosur. Çfarë nuk u kanë punuar, kush guxonte të thoshte një fjalë. Jo kushdo mund t’i bëhej shoqe e shok Dritës, por ne e donim atë se ishte një vajzë e rrallë dhe ne e vuanim edhe vetë atë të keqe antinjerëzore. Në varrimin e Dritës ishin vetëm 4 vetë dhe unë, si shoqja e saj. Nuk mund ta lija vetëm shoqen time të dashur. Kujtoj se mësuesja e lëndës së Historisë së Partisë, kinse ajo ngriti Dritën në mësim, kur flitej për prishjen me sovjetikët dhe duke e cilësuar Lirinë armike. Pra, nënën e saj, por Drita, me një qetësi shembullore dhe një buzëqeshje të hidhur, iu përgjigj se “nëna ime ka luftuar për këto ditë që ne gëzojmë sot”. Kaq u desh që zysha të shpërthente “edhe ti armike je, si nëna jote, dukesh nga gjuha që përdor, por Partia është zemërgjerë”. Ja këto janë vetëm ca copëza, se për Dritën do desha të flisja shumë, se e kisha shoqen e bakës dhe shoqen time të mirë, që e desha shumë e më vjen keq për fatin e saj”.

Vitet shkuan dhe një ditë, lajmi i vdekjes së motrës së shokut tonë na pikëlloi, por vetëm kaq, se tashmë kishte nisur keqas në këtë qytet shikimi me precedencë i fëmijëve me biografi jo në favor të diktaturës. Shumë keqardhje patëm për motrën e një shoku të mirë, për një vajzë që nuk gëzoi rininë e vet dhe që asnjëherë engjëlli mbrojtës i saj nuk u shfaq në qiell, por veçse Zoti e bëri pjesë të hyjnisë së tij. Kur më ra në dorë libri i saj dhe kur shkrimtari ynë i nderuar, Ismail Kadare, shkroi ato fjalë të mrekullueshme, u ndjeva mirë dhe riktheva në kujtesë ato vite të shtrenjta dhe shumë të bukura, por fatkeqe për Petritin e Dritën, veçanërisht, po aq sa edhe për Fiorentinën e Aljoshën (Aleksejn) dhe vëllain, Andrushën, që nuk merituan shkollën e lartë, për shkak të biografisë. Edhe unë si ata, por me një favor se isha sportist i kategorisë së parë në ngritje peshash dhe kryetari i Komitetit të Sporteve në Komitetin Ekzekutiv të asaj kohe, Dhimitër Bardhi, gjeti rastin të më krijonte një të drejtë studimi për letërsi në ILP “A. Xhuvani” në Elbasan.

Ajo që më dha këtë ndjesi rikujtesë momentesh, ishte libri i Drita Çomos me ditar dhe poezi, me atë titull domethënës “Dritë që vjen nga humnera”, parathëna e të cilit është e shkruar nga shkrimtari ynë i shquar, Ismail Kadare, dhe botuar nga shtëpia botuese “Onufri”.

Shënimi i bërë në brendësi të kopertinës së librit më dha një trishtim të madh për atë çka transmeton ai si një mesazh i kobshëm që nuk mund ta durojë dot zemra e një nëne, si Liri Belishova, edhe pse në një moshë të madhe dhe me një shëndet të rënduar. Sa herë e takoj apo bisedoj me Petritin, e pyes për shëndetin dhe ai më thotë: “Ja ashtu, keq, e rënduar, me një shëndet të copëtuar”. Ka të drejtë dhe duket se i lutet Zotit për shpirtin e vajzës së saj që u bë engjëll i Zotit që sjell e risjell aq shumë kujtime si për nënën, ashtu edhe për vëllanë.

Shënimi i mesazhit në kopertinë

“Një natë shkurti të ftohtë, të vitit 1981, në një nga dhomat e spitalit onkologjik të spitalit, ndodhte një skenë dhembjeje, tepër e njohur në këto mjedise: përbri shtratit të një vajze të re 23-vjeçare, që ishte në grahmat e fundit të jetës, nëna e saj, e kërrusur nga brenga, bënte të vetmen gjë që shumica e të afërmve bëjnë në kësi rastesh – i lagte buzët.

Skena ishte diçka e përsëritur qindra herë në këtë ndërtesë të trishtë. E veçanta ishte se tek dera e vajzës që po jepte shpirt, nënën e mjeruar e prisnin në këmbë dy njerëz të policisë së fshehtë shqiptare. Ata nuk e fshihnin padurimin, madje, njeri prej tyre, i tha gruas të shpejtonte dhe kjo nuk ishte e rrallë në Shqipërinë komuniste. Shpeshherë, ata që vinin për të parë të afërmit që jepnin shpirt nëpër spitale, ishin të internuar. Kështu që vinin të shoqëruar me rojë dhe kohën e kishin tepër të kufizuar, madje duhet të falënderonin shtetin për zemërgjerësinë e treguar për dhënien e lejes. Shumë të tjerë, as që arrinin ta merrnin dot lejen ose e merrnin tepër vonë, kur i sëmuri ndodhej nën dhe.

Gruaja kërkoi të rrinte edhe pak, por shoqëruesit, fare shpërfillës, e urdhëruan haptas të ngrihej. Te dera ajo bëri përpjekjen e fundit “unë njoh Nexhmije Hoxhën, më lejoni t’i telefonoj. Ajo është nënë dhe do të më kuptojë”.

Rojet qeshën me zë të lartë: “Si shumë lart e vrake. Dashke të shqetësosh edhe shoqen Nexhmije. Nuk thua faleminderit që të lamë edhe kaq”.

Gruaja uli kryet dhe doli.

Vajza që jepte shpirt në Spitalin Onkologjik, ishte Drita Çomo, një nga letraret më interesante të brezit të vet, por në atë kohë e panjohur krejtësisht, për arsyen e thjeshtë se të atin e kishte në burg”.

Tronditëse, sa herë ta lexosh, sepse në këto rreshta gjendet tragjedia e një vajze të re, bija e një nëne që kishte merita për luftën më shumë se çdo grua tjetër, por që një ditë të zezë atë e syrgjynosën në internim në Cërrik, pasi burrin ia kishin futur në burg. Liri Belishova nuk do të shqisë deri në vdekje ato skena antinjerëzore të një regjimi që hiqej se ishte human.

Për këtë vajzë te re, për këtë letrare të sapoçelur si gonxhe, jeta u këput pa nisur ende. Por, gjithsesi, kujtimi rron, se për nënën, vëllanë, por edhe të afërmit, edhe shokët e shoqet rron kujtimi i shtrenjtë. Ndoshta një ditë, një shkollë do të ketë emrin e kësaj vajze që nuk kreu heroizma lufte, por “u vra” nga një regjim që luftoi aq shumë për diktaturë dhe vrau njerëzit e racës së vet.

Kush është Drita Çomo

Lindi më 19 mars 1958. Më 1960, nëna, Liri Belishova, një nga udhëheqëset e rinisë gjatë Luftës Antifashiste dhe për disa vjet anëtare e Byrosë Politike dhe babai, Maqo Çomo, udhëheqës partizan e më vonë ministër i Bujqërisë, u dënua si “revizionist”, “armiq të partisë e të popullit” dhe për 30 vjet, u persekutua egërsisht në burgje e internime nga diktatura komuniste. Kur u dënuan prindërit, Drita ishte 2 vjeç. Jetoi në ankthin e diktaturës dhe të kancerit. Vdiq më 19 shkurt 1981.

Ditarin dhe vjershat, Drita i shkroi për vete, pa menduar se një ditë do të botoheshin, pra, pa kujdesin e autorit që i përgatit shkrimet e tij për publikim.

Drita nuk mund të shkruante hapur për të vërtetat e hidhura. Me anë të shënimeve në fund të faqeve është bërë i mundur nga shtëpia botuese “Onufri” të plotësojmë kuadrin tragjik. Këto shënime janë të nënës së Dritës – zonjës Liri Belishova.

Ditari dhe poezitë botohen jo të plota.

Përgatiti: Hyqmet Zane

Komentet janë të mbyllura

Foto Lajme

Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i përmbajtjes së këtij portali © 2013 Gazeta Republika | Designed by Keminet | Log in
Close
Ndiqni Gazeta Republika në Facebook
Informohuni mbi ngjarjet kryesore të ditës duke na ndjekur në Facebook.