Ekskluzive/ Flet Laura Kolaneci, Ricertifikimi i mjekëve, kriteret për aplikim.

Publikuar më: 02/02/2012 19:46

Laura Kolaneci, shefe e Sektorit të Ricertifikimit në Qendrën Kombëtare të Edukimit në Vazhdim.

Numri i krediteve që duhet të marrin punonjësit e shëndetësisë në ciklin e parë dhe të dytë. Procedura që duhet të ndjekin personat, të cilët ende nuk janë regjistruar në program. Veprimet që mund të kryejnë personat që nuk përmbushin kriteret. Nis ricertifikimi dhe për infermierët.

Cikli i parë i ricertifikimit të mjekëve, stomatologëve dhe farmacistëve do të mbyllet në dhjetor të vitit 2014. Në përmbyllje, të gjithë punonjësit e regjistruar në programin e ricertifikimit duhet të grumbullojnë rreth 150 kredite. Kështu është shprehur në një intervistë për gazetën “Republika”, shefja e Sektorit të Ricertifikimit në Qendrën Kombëtare të Edukimit në Vazhdim, Laura Kolaneci, e cila thotë se procesi i ricertifikimit të mjekëve po ecën normalisht dhe QKEV-ja po ndërmerr një fushatë kombëtare për informimin e profesionistëve mbi kriteret e programit, për mënyrën e përfitimit të krediteve në edukimin e vazhdueshëm, si dhe për t’iu përgjigjur paqartësive që mund të kenë buzat e bardha. Kolaneci shpjegon në këtë intervistë, edhe procedurën që do të ndjekin personat, të cilët ende nuk janë regjistruar në program, si dhe formularët që duhen plotësuar.

- Si po ecën procesi i Edukimit në Vazhdim dhe cili është numri i krediteve të grumbulluara.

Procesi i ricertifikimit ka filluar në janar të 2010-ës dhe cikli i parë 5-vjeçar mbyllet në dhjetor të 2014-ës. Duke pasur parasysh sfidat paraprake të këtij programi që përfshijnë numrin e madh të profesionistëve të përfshirë në të, numrin ende të pakët të aktiviteteve të edukimit, në vazhdim që ofrohen për profesionistët, si dhe eksperiencën e limituar të MSH-së dhe të aktorëve të tjerë të interesuar, kërkesat e ciklit të parë të ricertifikimit janë më të reduktuara. Deri tani, procesi po ecën me ritme normale. Është vënë re një interes i përgjithshëm nga ana e profesionistëve në lidhje me këtë program. Vazhdimisht QKEV-ja ka qenë e vëmendshme për të informuar të gjithë profesionistët në lidhje me kërkesat e programit të ricertifikimit. Aktualisht, QKEV po ndërmerr një fushatë informimi kombëtare që do të ketë për qëllim informimin e profesionistëve mbi kriteret e programit, mënyrat e ndryshme për të përfituar kredite të edukimit në vazhdim, si dhe për t’i përgjigjur ndonjë paqartësie që mund të kenë në lidhje me gjërat e sipërpërmendura. Numri total i krediteve të përfituara nga aktivitetet e Edukimit në Vazhdim është 207 101, që do të thotë, numri mesatar i krediteve për çdo profesionist është 26.2.

- Në fakt, doja t’ju pyesja se çfarë synon programi i ricertifikimit për punonjësit e shëndetësisë?

Programi i ricertifikimit është hartuar për të mbështetur, fuqizuar dhe promovuar zhvillimin e vazhdueshëm profesional të punonjësve të shëndetësisë. Ai ka dy objektiva kryesorë:

Së pari, të nxisë punonjësit e shëndetësisë që të ndjekin aktivitete të Edukimit në Vazhdim në përmbushje të nevojave të tyre individuale, në funksion të praktikave më të mira profesionale dhe cilësisë më të lartë të shërbimit ndaj pacientit.

Së dyti, të dokumentojë dhe regjistrojë kreditet e përfituara nga aktivitetet e Edukimit në Vazhdim në funksion të ricertifikimit të punonjësve. Në të ardhmen, programi i ricertifikimit do të integrohet në procesin e riliçensimit të punonjësve të shëndetësisë. Për më shumë informacion rreth mënyrës se si këta profesionistë mund të kenë një rol sa më aktiv në programin e ricertifikimit mund të shikojnë botimet e tjera të QKEV-së, si: “Planifikimi individual i aktiviteteve të edukimit në vazhdim”,“Standardet e aktiviteteve të edukimit në vazhdim” dhe “Kuadri rregullator për analizën e nevojave për trajnim”.

- Si është i organizuar programi i ricertifikimit?

Programi i ricertifikimit do të organizohet në cikle 5-vjeçare. Cikli i parë fillon në janar 2010 dhe përfundon në dhjetor 2014. Kërkesat e ciklit të parë të programit të ricertifikimit janë të reduktuara në krahasim me ato të cikleve që vijojnë, për shkak të vështirësive që paraqet vënia në jetë e këtij programi në shkallë kombëtare. Profesionistët që do të përfshihen në këtë program janë mjekë, stomatologë dhe farmacistë, shtetas shqiptarë dhe të huaj, që ushtrojnë profesionin e tyre në Republikën e Shqipërisë, sipas legjislacionit në fuqi, në institucionet publike ose private të kujdesit shëndetësor parësor, dytësor dhe tretësor dhe ata të institucioneve akademike shëndetësore. Në ciklin e parë të programit të ricertifikimit profesionistët e përfshirë në këtë program duhet të mbledhin një numër jo më të vogël se 150 kredite në 5 vjet. Në ciklet që vijojnë numri i krediteve të detyrueshme për t’u mbledhur brenda ciklit pesëvjeçar do të jetë 250. Mjekët, stomatologët dhe farmacistët, të cilët kanë nisur të ushtrojnë profesionin e tyre, pas datës së fillimit të ciklit të parë (janar 2010), duhet të përmbushin kërkesat e programit të ricertifikimit, nga 1 janari i vitit kalendarik pasues, duke mbledhur kreditet e nevojshme të fazës, në të cilën ndodhet programi i ricertifikimit. Për shembull, profesionistët, të cilët do të fillojnë të ushtrojnë profesionin e tyre gjatë vitit 2012, duhet të mbledhin 40 kredite për vitin 2013 dhe 50 kredite për vitin 2014. Mjekët, stomatologët dhe farmacistët, të cilët gjatë një viti kalendarik të ciklit të programit, ndërpresin punën për një periudhë 4-mujore ose edhe më gjatë, përjashtohen nga kërkesat e programit për atë vit kalendarik. Po ashtu, mjekët, stomatologët dhe farmacistët, të cilët punojnë me kohë të pjesshme, duhet të plotësojnë të njëjtat kritere të programit, si edhe ata që ushtrojnë profesionin e tyre me kohë të plotë. Zbatimi i programit të ricertifikimit mbështetet në Dokumentin Rregullator për Ricertifikimin e profesionistëve të shëndetësisë, Dokumentin Rregullator për akreditimin e aktiviteteve të Edukimit në Vazhdim, në ofrimin e aktiviteteve të ndryshme të edukimit në vazhdim dhe në pjesëmarrjen aktive të profesionistëve, për të përfituar nga aktivitetet e ofruara. Gjithashtu, aktorë të tjerë të rëndësishëm janë Instituti i Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor, institucionet shëndetësore dhe Qendra Kombëtare e Cilësisë, Sigurimit dhe Akreditimit të Institucioneve Shëndetësore.

- Cilat janë kriteret që duhet të plotësojnë profesionistët e përfshirë në programin e ricertifikimit?

Kriteri kryesor për profesionistët e regjistruar në programin e ricertifikimit është numri i krediteve që ata duhet të mbledhin brenda një cikli 5-vjeçar, si dhe në secilin vit të ciklit. Programi i ricertifikimit kërkon mbledhjen e 150 krediteve brenda një cikli 5-vjeçar. Ai parashikon një numër kreditesh të detyrueshëm dhe një numër kreditesh të rekomanduara për çdo vit. Për shembull, numri i krediteve të kërkuara nga programi për ciklin e parë 5-vjeçar është 150. Numri i rekomanduar për vitin 2010 është 10, ndërsa numri minimal i detyrueshëm është 5. Kjo gjë bëhet për të lehtësuar profesionistët e përfshirë në program, duke u dhënë atyre mundësi të kompensojnë kreditet e munguara gjatë një viti. Pra, në varësi të planeve të tyre individuale, profesionistët mund të mbledhin më pak se numri i rekomanduar, por jo më pak se gjysma e krediteve të rekomanduara për secilin vit kalendarik, me kusht që brenda ciklit të parë 5-vjeçar të programit të plotësohet numri i përgjithshëm prej 150 kreditesh. Profesionistët, të cilët zgjedhin të plotësojnë vetëm numrin minimal të detyrueshëm të krediteve, për një ose më shumë vite kalendarike të ciklit, duhet që brenda viteve të tjera të ciklit të plotësojnë 150 kreditet e kërkuara. Në të njëjtën mënyrë, profesionistët, të cilët e kalojnë numrin e rekomanduar të krediteve të një ose më shumë viteve kalendarike të ciklit, mund t’i transferojnë këto kredite në vitet pasardhëse të të njëjtit cikël. Në rastet kur profesionisti nuk plotëson numrin e krediteve për secilin vit kalendarik ose numrin e përgjithshëm prej 150 kreditesh në 5 vjet, atëherë vlerësohet se profesionisti nuk ka përmbushur kërkesat e programit të ricertifikimit bazuar në ndjekjen e aktiviteteve të edukimit në vazhdim dhe duhet t’u nënshtrohet sanksioneve të parashikuara në kuadrin ligjor. Në ciklin e dytë dhe në ciklet e tjera të programit të ricertifikimit numri total i krediteve të kërkuara është 250 kredite. Numri i krediteve të rekomanduara është 50 në vit dhe numri minimal i detyrueshëm është 30 kredite në vit. Profesionistët janë të lirë të transferojnë kredite nga njëri vit kalendarik në tjetrin, brenda secilit cikël, me kusht që të plotësojnë numrin minimal të detyrueshëm të tyre për secilin vit dhe numrin total 250 kredite në 5 vjet. Një kriter i dytë është numri i krediteve sipas kategorive të aktiviteteve. Numri i nevojshëm i krediteve të Edukimit në Vazhdim që një profesionist i përfshirë në programin e ricertifikimit duhet të mbledhë sipas kategorive të aktiviteteve, është si më poshtë:

- Kreditet e përfituara nga aktivitetet e Edukimit në Vazhdim, me temë të lidhur drejtpërdrejt me specialitetin e profesionistit duhet të përbëjnë të paktën 50 për qind të numrit të përgjithshëm të krediteve të raportuara nga profesionisti për secilin vit kalendarik dhe për secilin cikël të programit të ricertifikimit.

- Kreditet e përfituara nga aktivitetet e vetë-raportuara mund të përllogariten deri në 20 për qind të numrit të përgjithshëm të krediteve të raportuara nga profesionisti për secilin vit kalendarik dhe për secilin cikël të programit të ricertifikimit.

- Pjesa tjetër e krediteve të nevojshme përcaktohet nga zgjedhja e lirë e profesionistit, në bazë të nevojave individuale.

 

- Si duhet të veprojnë ata që ende nuk kanë aplikuar në proces, pra si kryhet regjistrimi në programin e ricertifikimit?

Shumica e profesionistëve aktualë të shëndetësisë janë tashmë të regjistruar në regjistrin kombëtar të ricertifikimit. Të gjithë punonjësit që mendojnë se nuk janë të regjistruar, kryesisht bëhet fjalë për sektorin privat, mund të aplikojnë, duke vizituar faqen tonë të internetit www.qkev.gov.al. Mjekët, stomatologët dhe farmacistët, shtetas shqiptarë dhe të huaj, që ushtrojnë profesionin e tyre në Republikën e Shqipërisë, sipas legjislacionit në fuqi, në institucione publike ose private të kujdesit shëndetësor parësor, dytësor dhe tretësor dhe ata të institucioneve akademike shëndetësore, duhet të regjistrohen në programin e ricertifikimit në mënyrë elektronike ose pranë QKEV-së, në adresën e mëposhtme: Qendra Kombëtare e Edukimit në Vazhdim, rr. “Aleksandër Moisiu”, nr. 84, Tiranë, Shqipëri. Në faqen e internetit të QKEV-së, këta profesionistë mund të gjejnë Formularin e Regjistrimit. Profesionistët e punësuar në më shumë se një institucion shëndetësor, publik ose privat, duhet të japin informacionin përkatës për secilin institucion gjatë plotësimit të formularit. QKEV-ja do të administrojë një regjistër kombëtar elektronik, i cili do të mbajë të dhëna për të gjithë profesionistët e shëndetësisë që ushtrojnë profesionin e tyre në Republikën e Shqipërisë, në institucione publike ose private. Për të gjithë profesionistët që bëjnë pjesë në kategorinë që mbulon programi i ricertifikimit në fazën fillestare (mjekë, stomatologë, farmacistë), regjistri do të përmbajë një dosje individuale, në të cilën QKEV-ja do të hedhë kreditet individuale të përllogaritura për secilin vit dhe secilin cikël. Mbi bazën e këtyre të dhënave do të kryhet ricertifikimi i profesionistit. QKEV-ja do të synojë ta bëjë regjistrin e programit të ricertifikimit të aksesueshëm nga çdo profesionist në distancë. Të gjithë mjekët, stomatologët dhe farmacistët janë të nxitur të kontrollojnë për emrin e tyre dhe të dhënat përkatëse në regjistrin kombëtar. Në rast se vërejnë mungesa ose pasaktësi, ata duhet t’i drejtohen institucionit përgjegjës dhe/ose QKEV-së. Po kështu, tërheqim vëmendjen e të gjithë atyre profesionistëve që ushtrojnë profesionin e tyre pas fillimit të vënies në punë të regjistrit kombëtar të ricertifikimit, që të interesohen për regjistrimin e tyre në Regjistrin Kombëtar të Ricertifikimit, pranë institucionit përgjegjës dhe/ose QKEV-së, në mënyrë që të përfshihen në këtë program.

- Si regjistrohen kreditet?

Njohja dhe regjistrimi i krediteve kryhet nga QKEV-ja, nëpërmjet regjistrimit në dosjen individuale elektronike të profesionistit të krediteve të përfituara prej tij në aktivitetet e edukimit në vazhdim. Procedurat e njohjes dhe regjistrimit të krediteve ndryshojnë bazuar në llojin e aktivitetit të edukimit në vazhdim, nga i cili këto kredite janë përfituar.

- Çfarë ndodh nëse profesionisti nuk i përmbush kriteret e programit?

Profesionistët që nuk arrijnë të mbledhin numrin e përgjithshëm prej 150 kreditesh për ciklin e parë të programit të ricertifikimit, deri më 31 dhjetor 2014, ose numrin e përgjithshëm prej 250 kreditesh për ciklet pasuese, do t’i nënshtrohen një provimi njohurish dhe kompetencash.

- Profesionistët, të cilët dështojnë në provimin e parë ose, për arsye të ndryshme, nuk i nënshtrohen atij, kanë mundësinë që brenda 6 muajve nga përfundimi i ciklit të programit të ricertifikimit t’i nënshtrohen një provimi të dytë.

- Në rastet kur profesionisti dështon edhe në provimin e dytë ose nuk i nënshtrohet atij, atëherë profesionistit mund t’i pezullohet kontrata me institucionin ku është punësuar deri në momentin e kalimit me sukses të provimit. Institucionet përgjegjëse për hartimin dhe kryerjen e provimit janë urdhrat e profesionistëve, në bashkëpunim me departamentet përkatëse të Fakultetit të Mjekësisë

- Në rast se institucionet punësojnë ose nuk ndërpresin kontratën me profesionistë të cilët nuk plotësojnë kriteret e programit të ricertifikimit, siç parashikohet në ligjin “Për Kujdesin Shëndetësor në Republikën e Shqipërisë”, BKRA-ja, në bashkëpunim me QKCSAISH-në dhe ISKSH-në, vendos sanksione ndaj këtyre institucioneve.

- Nga Urdhri i Infermierit është thënë që vitin e ardhshëm do të nisë edukimi në vazhdim për infermierët?

Duke konsideruar rolin e madh dhe të pazëvendësueshëm të infermierit në kujdesin shëndetësor, si dhe mangësitë e vërejtura në njohuritë dhe praktikën e tyre, është menduar për përfshirjen edhe të infermierëve në programin e ricertifikimit. Në këtë kuadër, një program-pilot për ricertifikimin e infermierëve është implementuar këtë vit.

Cikli i parë i Programit të Ricertifikimit, Numri i rekomanduar i kreditive, Numri i detyrueshëm

 

Viti 2010 10 5

Viti 2011 20 10

Viti 2012 30 15

Viti 2013 40 20

Viti 2014 50 25

Numri i krediteve të rekomanduara, Numri minimal i detyrueshëm

Cikli i dytë dhe në vijim 250 250

Secili vit i cikleve në vijim 50 30

Nëse nuk përmbushen kriteret e programit

- Profesionistët, që nuk arrijnë të mbledhin numrin e përgjithshëm prej 150 kreditesh për ciklin e parë të programit të ricertifikimit deri më 31 dhjetor 2014 ose numrin e përgjithshëm prej 250 kreditesh për ciklet pasuese, do t’i nënshtrohen një provimi njohurish dhe kompetencash.

- Profesionistët, të cilët dështojnë në provimin e parë ose, për arsye të ndryshme, nuk i nënshtrohen atij, kanë mundësinë që brenda 6 muajve nga përfundimi i ciklit të programit të ricertifikimit t’i nënshtrohen një provimi të dytë.

- Në rastet kur profesionisti dështon edhe në provimin e dytë ose nuk i nënshtrohet atij, atëherë profesionistit mund t’i pezullohet kontrata me institucionin ku është punësuar deri në momentin e kalimit me sukses të provimit. Institucionet përgjegjëse për hartimin dhe kryerjen e provimit janë urdhrat e profesionistëve, në bashkëpunim me departamentet përkatëse të Fakultetit të Mjekësisë

- Në rast se institucionet punësojnë ose nuk ndërpresin kontratën me profesionistë të cilët nuk plotësojnë kriteret e programit të ricertifikimit, siç parashikohet në ligjin “Për Kujdesin Shëndetësor në Republikën e Shqipërisë”, BKRA-ja, në bashkëpunim me QKCSAISH-në dhe ISKSH-në, vendos sanksione ndaj këtyre institucioneve.

Komentet janë të mbyllura

Foto Lajme

Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i përmbajtjes së këtij portali © 2013 Gazeta Republika | Designed by Keminet | Log in
Close
Ndiqni Gazeta Republika në Facebook
Informohuni mbi ngjarjet kryesore të ditës duke na ndjekur në Facebook.