Ekskluzive/ Intervistë me Arian Jaupllarin, president i Urdhrit të Farmacistëve

Publikuar më: 22/02/2012 9:34

Farmacistët, procedura e liçensimit 

Tarifat që duhet të paguajnë profesionistët për të marrë certifikatën e ushtrimit të profesionit dhe kartën e anëtarësimit. Kategoritë duhet të kryejnë sa më parë regjistrimin për liçensim, masat ndëshkuese për ata që punojnë kundër ligjit 

Të gjithë farmacistët, që ende nuk kanë kryer regjistrimin për liçensim, mund ta bëjnë atë duke dorëzuar dokumentet e kërkuara pranë Urdhrit të Farmacistit. Kështu, këta profesionistë, jo vetëm që marrin liçensën e ushtrimit profesional, por edhe anëtarësohen pranë Urdhrit Profesional. Kështu është shprehur në një intervistë për gazetën “Republika”, presidenti i Urdhrit të Farmacistit, Arian Jaupllari, i cili thotë se çdo aplikant u nënshtrohet disa tarifave, me qëllim marrjen e së drejtës së ushtrimit të profesionit. Kandidatët aplikantë duhet të dorëzojnë dokumentet e kërkuara sipas kritereve të përcaktuara nga Këshillit Kombëtar i këtij urdhri. “Ne i kemi thjeshtëzuar kriteret. Kemi bërë një formular vetëdeklarimi dhe në të farmacisti vetëdeklaron ato dokumente që janë të përshkruara në kriteret e Këshillit Kombëtar. Pas këtij veprimi, aplikanti paguan tarifën e regjistrimit për herë të parë, me një vlerë prej 50 mijë lekësh të vjetra, që është certifikata e ushtrimit të profesionit. Gjithashtu, paguan edhe 15 mijë lekë të vjetra për kartën e anëtarësisë. Në total, aplikanti paguan 65 mijë lekë të vjetra”,- thotë presidenti i Urdhrit të Farmacistëve. Më tej, në këtë intervistë, Jaupllari shprehet edhe në lidhje me kuotizacionet që paguajnë profesionistët: “Edhe në Urdhrin e Farmacistit, ashtu si edhe në urdhra të tjerë profesionalë, paguhet për kuotizacionet. Sipas vendimit të Këshillit Kombëtar, kuotizacionet janë ndarë për disa kategori. Kështu, farmacistët, që janë drejtues teknikë, paguajnë 10 mijë lekë të vjetra në muaj, pra 120 mijë lekë të vjetra në një vit. Nga ana tjetër, farmacistët e punësuar paguajnë 5 mijë lekë të vjetra në muaj ose gjithsej 60 mijë lekë të vjetra në vit”. Ndërsa për drejtuesin teknik në zonat rurale, kuotizacioni është 60 mijë lekë të vjetra në vit ose 5 mijë lekë në muaj, ndërsa për të punësuarit është 2 mijë lekë të vjetra në muaj ose 24 mijë lekë në vit. Njëkohësisht, në këtë intervistë, Jaupllari shpjegon se në shumicën e institucioneve shëndetësore dhe në spitale vazhdojnë punën profesionistë që ende nuk janë të anëtarësuar pranë Urdhrit të Farmacistit. “Në bazë të ligjit për Urdhrin e Farmacistëve në Republikën e Shqipërisë, në nenin 6 të statutit, thuhet që asnjë individ nuk mund të ushtrojë profesionin e farmacistit, pa qenë anëtar i këtij Urdhri. Kështu pra, institucionet shëndetësore dhe spitalet nuk kanë të drejtë t’i punësojnë ata, pasi bien në kundërshtim me këtë dispozitë. Në realitet, ndodh krejt e kundërta: ata janë të punësuar edhe pa qenë anëtarë të Urdhrit të Farmacistit. Madje, përtej këtij problemi, që për mendimin tim përbën një skandal, është fakti që në këto institucione, në rolin e farmacistit punësohen persona të tjerë. Konkretisht, ushtrojnë detyrën e farmacistit profesionistë të tjerë, të cilët janë: ndihmësmjekë, mjekë, infermierë, zooteknikë, pa asnjë lidhje me profesionin e farmacistit”,- shprehet Japullari, duke dhënë edhe shpjegimet për zgjidhjet e mundshme.

- Zoti Jaupllari, si në çdo urdhër profesional, edhe në Urdhrin e Farmacistit duhet kryer anëtarësimi për t’u liçensuar. Në fakt, cila është procedura që duhet të ndjekin profesionistët për regjistrim?

Procedura që duhet të ndjekë një farmacist për t’u liçensuar pranë Urdhrit të Farmacist është: Së pari, ai duhet të jetë diplomuar që prej 5 majit 2010; dhe e dyta, që aplikanti të ketë marrë diplomën universitare. Me diplomën e universitetit, kandidati paraqitet tek Urdhri i Farmacistit dhe plotëson dokumentacionin e kërkuar nga zyra përkatëse, sipas kritereve të vendosura në Këshillin Kombëtar. Ne i kemi thjeshtëzuar kriteret. Kemi bërë një formular vetëdeklarimi dhe në të farmacisti vetëdeklaron ato dokumente që janë të përshkruara në kriteret e Këshillit Kombëtar. Pas këtij veprimi, aplikanti paguan tarifën e regjistrimit për herë të parë, me një vlerë prej 50 mijë lekësh të vjetra, që është certifikata e ushtrimit të profesionit. Gjithashtu, ai paguan edhe 15 mijë lekë të vjetra për kartën e anëtarësisë. Në total, aplikanti paguan 65 mijë lekë të vjetra.

Të gjithë farmacistët që janë regjistruar nga 2006-a kanë për detyrë të regjistrohen për anëtarësim. Meqë certifikata e anëtarësimit, sipas ligjit dhe statutit, ka qenë 5-vjeçare, vitin e kaluar, profesionistëve iu mbaroi afati i përdorimit, por ato, tashmë janë rinovuar. Të gjithë farmacistët nuk kanë paguar më asnjë lekë për certifikatën. Ato janë rinovuar pa pagesë. Certifikatat e reja përfundojnë më datë 31.12.2014. Ne kemi vendosur afatin katërvjeçar në korrelacion të plotë edhe me Qendrën Kombëtare të Edukimit në Vazhdim, sepse kjo periudhë koencidon edhe me përfundimin e fazës së parë të Edukimit në Vazhdim dhe të Ricertifikimi të Farmacistëve. Ashtu siç e përmenda edhe më sipër, në vitin 2014, do të përfundojë faza e parë e ricertifikimit dhe do të përcaktohet nëse profesionisti do të marrë ose jo lejen e ushtrimit të profesionit. Kjo procedurë do të ketë një varësi të madhe nga numri krediteve të marra në trajnime, seminare dhe konferenca.

- Në urdhrat e tjerë profesionalë, mësojmë se aplikantët paguajnë një lloj pagese për kuotizacionet, po në Urdhrin e Farmacistit bëhet kjo pagesë? Nëse po, sa duhet të paguajë një profesionist?

Edhe në Urdhrin e Farmacistit, ashtu si edhe në urdhra të tjerë profesionalë, paguhet edhe për kuotizacionet. Sipas vendimit të Këshillit Kombëtar, kuotizacionet janë ndarë për disa kategori. Kështu, farmacistët, që janë drejtues teknikë, paguajnë 10 mijë lekë të vjetra në muaj – pra 120 mijë lekë të vjetra në një vit. Nga ana tjetër, farmacistët e punësuar paguajnë 5 mijë lekë të vjetra në muaj ose gjithsej 60 mijë lekë të vjetra në vit.

Në një përcaktim të veçantë, në statut, thuhet se me qenë se ndihmës farmacistët e diplomuar para viteve ‘90, të cilët sistemi farmaceutik dhe krijimi i Urdhrit të Farmacistëve i gjeti duke ushtruar profesionin (që ishin regjistruar pranë Qendrës Kombëtare e Kontrollit të Barnave dhe kishin liçensë nga Ministria e Shëndetësisë për hapjen e Agjencive Farmaceutike), regjistrohen në një regjistër të veçantë. Kështu, gjatë ushtrimit të profesionit, u nënshtrohen të gjitha rregullave që iu nënshtrohet edhe farmacisti. Këta nuk janë anëtarë të Urdhrit të Farmacistit, por janë të regjistruar në një regjistër të veçantë, i cili quhet regjistri i ndihmës farmacistit.

Të gjithë ndihmës farmacistët që sot janë të liçensuar në zonat rurale (sipas ligjit të barnave, në nenin përkatës, thuhet se “në zonat rurale ku nuk ka farmaci, hapen Agjenci Farmaceutike me ndihmës farmacistë), janë gjithashtu të regjistruar tek ne. Pra, ekziston një regjistër i veçantë për ta dhe gjatë ushtrimit të profesionit, ata u nënshtrohen të gjitha rregullave njësoj si farmacistët. Ata, sigurisht, që paguajnë detyrimet tek Urdhri i Farmacistëve dhe detyrimi i tyre për drejtuesin teknik është 60 mijë lekë të vjetra në vit ose 5 mijë lekë në muaj, ndërsa për të punësuarit është 2 mijë lekë të vjetra në muaj ose 24 mijë lekë në vit.

 

- Po farmacistët që ushtrojnë profesionin në spitale dhe institucionet shëndetësore, a duhet të kryejnë anëtarësimin pranë Urdhrit të Farmacistit?

Pranë Urdhrit të Farmacistit anëtarësohen edhe farmacistët që punojnë në spitale dhe në institucione të tjera shëndetësore. Që të ushtrojnë profesionin si farmacistë, profesionistët në spitale, detyrimisht, duhet të jenë anëtarë të Urdhrit të Farmacistit. Por, në shumicën e rasteve këta profesionistë krijojnë vështirësi në punën tonë, pasi shumë prej tyre janë të paregjistruar pranë Urdhrit Profesional. Ky është një problem i madh, pasi kjo kategori farmacistësh kryejnë shkelje të ligjit. Në bazë të ligjit për Urdhrin e Farmacistëve në Republikën e Shqipërisë, në nenin 6 të statutit, thuhet që asnjë individ nuk mund të ushtrojë profesionin e farmacistit, pa qenë anëtar i këtij Urdhri. Kështu pra, institucionet shëndetësore private nuk kanë të drejtë t’i punësojnë ata, pasi bien në kundërshtim me këtë dispozitë. Në realitet, ndodh krejt e kundërta, pasi ata janë të punësuar, edhe pa qenë anëtarë të Urdhrit të Farmacistit. Madje, përtej këtij problemi, që për mendimin tim përbën një skandal, është fakti që në këto institucione, në rolin e farmacistit punësohen persona të tjerë. Konkretisht, ushtrojnë detyrën e farmacistit profesionistë të tjerë, të cilët janë ndihmësmjekë, mjekë, infermierë, zooteknikë – pa asnjë lidhje me profesionin e farmacistit. Së pari, këto veprime përbëjnë një shkelje të hapur të dispozitave të ligjit; së dyti, përbën një dëm që u krijohet këtyre profesionistëve; së treti dhe më e rëndësishmja është dëmi që i krijohet shëndetit të popullatës, pasi i jep shërbimin një jo profesionist. Një pjesë tjetër për të cilën unë doja të flisja me ju lidhet me institucionet shëndetësore publike. Për profesionistët e punësuar në këto institucione, ligji ka lënë një klauzolë. Çdo veprim varet nga profesionisti, nëse ai dëshiron ose jo të regjistrohet pranë Urdhrit të Farmacistit. Veprimi që ata mund të kryejnë është fakultativ dhe mosregjistrimi është i justifikueshëm, me faktin se ata nuk e ushtrojnë direkt profesionin, por janë punonjës të administratës shtetërore. Në momentin që ata duan të ushtrojnë profesionin të veçuar, detyrimisht ata duhet të jenë anëtarë të Urdhrit të Farmacistit.

- Në rast se vërehen shkelje të ligjit, në rastet kur profesionistët nuk janë anëtarësuar dhe liçensuar, a keni ju në kompetencën tuaj të kontrolloni apo të vendosni gjoba në raste shkeljesh?

Ligji për Urdhrin e Farmacistëve, në nenin 2, thotë: “Urdhri i Farmacistëve mbikëqyr ushtrimin e profesionit”. Me këtë, kuptojmë që ne nuk jemi organ kontrolli, po jemi organ mbikëqyrjeje për profesionin. Ne ushtrojmë mbikëqyrjen e profesionit për anëtarët tanë, të cilët janë të regjistruar tek ne dhe vazhdojnë ushtrimin e profesionit. Nëse duhet të shkojmë në farmaci, gjatë mbikëqyrjes së ushtrimit të profesionit, ne nuk mund të marrim masa për ata që ushtrojnë profesionin, por në këtë rast, i drejtohemi drejtuesit teknik, i cili mban përgjegjësi për ushtrimin e profesionit në një farmaci, si dhe mban përgjegjësi për ata që ushtrojnë profesionin brenda një farmacie. Pavarësisht se ushtrimi i profesionit është një e drejtë individuale, përgjegjësia e drejtuesit teknik nuk përjashtohet në këtë rast. Ajo që është si të zësh veshin me dorën e kundërt, lidhet me pamundësinë e veprimeve të mëtejshme. Ne, si Urdhër, në këtë moment nuk kemi të drejtë që drejtuesit teknikë t’i heqim të drejtën e ushtrimit të profesionit. Drejtuesi teknik bëhet objekt i Komisionit të Gjykimit Disiplinor Profesional. Urdhri i Farmacistit është duke menduar të krijojë një inspektorat mbikëqyrjeje që të vëzhgojë problematikat në radhët e farmacistëve. Kjo, për të vetmin shkak se Qendra Kombëtare e Kontrollit të Barnave merret pak me kontrollin e ushtrimit të profesionit, edhe pse është një nga detyrat kryesore të tij. Njëkohësisht, veprimet abuzive që përmendëm më sipër, po na detyrojnë që të kërkojmë dhe të fillojmë të mendojmë, ndoshta në bashkëpunim edhe me QKKB-në të realizojmë kontrolle që ushtrimi i profesionit, në farmacitë e rrjetit të hapur, në farmacitë private dhe ato spitalore, të ushtrohet nga profesionistët. Detyrimi i Qendrës Kombëtare të Kontrollit të Barnave, në Ligjin e Barnave, është shumë i prerë dhe i saktë. Ky institucion shkon e kontrollon nëse nuk është duke ushtruar profesionin një profesionist, anëtar i Urdhrit Profesional përkatës. Ka të drejtë të marrë masë sipas sanksioneve të nenit 57 në ligj, deri në heqjen e liçensës. Nëse do të kishte një bashkëpunim mes Ministrisë së Shëndetësisë dhe urdhrave të profesionistëve, çdo gjë do të shkonte mirë. Por, për fat të keq, ky bashkëpunim, prej vitesh, mungon, megjithatë ne kemi prezantuar disa herë problemet tona në lidhje me liçensimin e farmacive me mënyrën e ushtrimit të profesionit, me çmimet e barnave me marzhet e tregtimit të barnave etj. Ne i kemi bërë publike këto probleme sepse Urdhri i Farmacistëve ka për mision edhe mbrojtjen e interesave të pacientëve, jo vetëm nga kequshtrimet profesionale, por edhe në interesa që lidhen drejtpërdrejt me shëndetin e tyre.

- Zoti Jaupllari, çfarë është bërë në shërbimin farmaceutik, deri në momentet që ne flasim?

Në një konferencë të zhvilluar, para pak kohësh, unë kam thënë se, si pasojë e ndërhyrjes në ligjin e barnave dhe në shërbimin farmaceutik, sistemi farmaceutik ka njohur hapa mbrapa, si pasojë e një politike personale të Ministrisë së Shëndetësisë. Gjatë analizës vjetore të Ministrisë së Shëndetësisë, u shpalosën arritjet që janë bërë nga ky dikaster në sistemin farmaceutik. Sigurisht, më ka ardhur keq që përsëri një ministër gënjen qeverinë e tij, sepse nuk është e vërtetë që sistemi farmaceutik në politikat e këtij ministri të ketë bërë hapa përpara, përkundrazi, janë hapa mbrapa dhe ne i kemi përcaktuar në konferencën tonë, mbajtur pak kohë më parë. Janë hequr kriteret teknike për hapjen e farmacive. Sot, kemi një amulli totale në sistemin farmaceutik. Në nenin 30 të ligjit përshkruhet që farmacitë hapen 100-150 m larg njëra-tjetrës, në varësi të dendësisë së popullsisë 1 për 3000 banorë. Në relacionin shokues të ministrit Vasili, që unë kam lexuar, farmacia nuk është trajtuar si institucion shëndetësor dhe si shërbim shëndetësor, por është trajtuar si një tregti e lirë, në një konkurrencë të lirë, në kurriz të pacientëve. Ajo që vlen të theksohet është edhe problemi i ndryshimit të çmimeve të barnave, sidomos për vitin 2011 dhe kjo lidhet me pazotësinë e Ministrisë së Shëndetësisë dhe mosargumentimin e saj pse çmimi i barnave do të rritej me vendosjen e TVSH-së. Mbi të gjitha, dua të them se sistemi farmaceutik kërkon ndërhyrje të fuqishme dhe bashkëpunim me aktorët dhe faktorët në sistem.

Komentet janë të mbyllura

Foto Lajme

Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i përmbajtjes së këtij portali © 2013 Gazeta Republika | Designed by Keminet | Log in
Close
Ndiqni Gazeta Republika në Facebook
Informohuni mbi ngjarjet kryesore të ditës duke na ndjekur në Facebook.