Mësuesit, si do të bëhen emërimet në arsim
Projektligji i ri: Diplomat që shërbejnë për punësimin e mësuesve në arsimin parauniversitar
Procedura e plotë e kualifikimit të mësuesve dhe drejtuesve të shkollave. Si mund të bëhet rritja në kategori kualifikimi. Rastet kur kërkohet largimi nga detyra
Në projektligjin e arsimit parauniversitar janë përcaktuar, gjithashtu, të drejtat dhe detyrat e mësuesve dhe drejtuesve në shkollat e arsimit parauniversitar. Konkretisht, mësuesi zhvillon mësimdhënien me synim zotërimin e kompetencave themelore, në bazë të standardeve të të nxënit dhe duke përzgjedhur ndërmjet praktikave bashkëkohore më të mira, vendase e të huaja. Kështu, mësuesi ka të drejtë:
- Të ketë, në përputhje me këtë ligj, liri profesionale në zbatimin dhe zhvillimin e kurrikulës;
- T’i sigurohen kushtet e mjaftueshme në institucion për mësimdhënie efektive;
- T’i krijohet mundësi për zhvillim profesional;
- Të zgjidhet dhe të zgjedhë në bordin e institucionit dhe në Komisionin e Etikës dhe Sjelljes.
Mësuesi ka detyrë:
- Të zbatojë këtë ligj dhe aktet nënligjore në zbatim të tij;
- Të përkujdeset për mbarëvajtjen e çdo nxënësi të tij;
- Të zbatojë dhe të zhvillojë kurrikulën;
- Të përditësojë kompetencat profesionale;
- Të zbatojë rregulloren e institucionit;
- Të japë ndihmesën e tij për mbarëvajtjen e institucionit ku punon.
Profesioni i mësuesit
Në projektligjin e ri të arsimit parauniversitar thuhet se, që një person të punojnë si mësues në arsimin parauniversitar, duhet të ketë plotësuar disa kritere. Konkretisht, mësuesi në institucionin arsimor duhet të ketë fituar diplomën e mëposhtme në fushën e edukimit ose diplomë të njëvlershme me të:
a) Mësuesi i arsimit parashkollor: diplomë universitare të ciklit të parë të studimeve universitare “Bachelor”;
b) Mësuesi i arsimit fillor, mësuesi i arsimit të mesëm të ulët dhe mësuesi i gjimnazit: diplomë e ciklit të dytë të studimeve universitare.
- Mësuesi i shkollave të arsimit profesional, që jep lëndë profesionale, ai i arsimit të orientuar dhe mësuesi, që punon me nxënësit me aftësi të kufizuara, duhet të ketë fituar diplomë të ciklit të dytë në fushën e edukimit.
Mësuesi i arsimit fillor dhe i arsimit të mesëm ka të drejtën e ushtrimit të profesionit të mësuesit, pasi të ketë kryer me sukses praktikën profesionale dhe të ketë kaluar në Provimin e Shtetit, siç parashikohet në ligjin nr. 10 171, datë 22.10.2009, “Për profesionet e rregulluara në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe aktet nënligjore të nxjerra në zbatim të tij. Institucionet arsimore, që shërbejnë për kryerjen e praktikave mësimore të studentëve të mësuesisë dhe të praktikave profesionale të atyre që janë të diplomuar për mësues, përzgjidhen në bazë të kritereve dhe procedurave të përcaktuara me udhëzim të ministrit. Mësuesi që ka të drejtën e ushtrimit të profesionit, regjistrohet në ministri”,- thuhet në projektligjin e arsimit parauniversitar.
Për më tepër lexoni gazetën “Republika”















