Një teori befasuese për tokën si objekt kozmik.

Publikuar më: 07/02/2012 10:15

Nga Prof. As. Thanas Gjata

Kjo teori e jashtëzakonshme ka për bosht këtë formulim: “Transformimi i materies në thelbin e stërngjeshur të bërthamës është shkaku i rritjes dhe zhvillimit të Tokës, qysh nga origjina.”

Edhe unë, konsulenti dhe recensenti i kësaj teorie, e konsideroj këtë formulim befasim dhe teorinë e shtjelluar në librin e inxhinier gjeologut, profesor Vedat Shehut të pazakontë. Këtë libër, me vlera të jashtëzakonshme teorike dhe praktike, na e ofron për herë të dytë, pas 22-vjetësh, shtëpia botuese “Dudaj”, jo më, me titullin e atëhershëm “Toka në Zhvillim“, por “Toka, në rritje dhe zhvillim”. Pavarësisht se teoria e shtjelluar në libër është po ajo e botimit të vitit 1988, në titull dhe në brendi autori ka pasqyruar një analizë më të thellë dhe një integrim të ri të diktuar prej të dhënave, zbulimeve dhe interpretimeve epokale, të përfshira edhe në publikimin anglisht në ShBA (2005). Esenca e teorisë është “Toka zhvillohet nëpërmjet procesit të rritjes”. Si-në dhe pse-në, le ta shohim në vijim.

 Një libër i tillë për Tokën, që ka integruar një mori analizash, të dhënash dhe interpretimesh të avancuara të praktikës dhe teorisë si gjeologjike, ashtu dhe kozmologjike, më duket se është tepër i rrallë dhe nuk besoj se ka ekzistuar në repertorin e bibliografisë shkencore në shqip. Kur njihesh me problemet që autori shtron, integron dhe nxjerr përfundime me vlerë praktike dhe teorike, të lindin ndijime sikur mendimet e autorit dalin nga trojet tona dhe interferojnë me rrezatimet e Tokës dhe të Diellit; sikur dëgjon gjëmimin dhe oshtimën e tyre të përplaset kontinent më kontinent, nga toka në planete dhe tretet në pafundësi. Për faktin se në këtë aspekt dëgjojmë zërin origjinal të një shkencëtari që na flet shqip, ribotimi i kësaj vepre përbën një eveniment të veçantë në historinë e kulturës kombëtare, sepse është një kontribut bashkëkohor në teorinë e njohjes, kuptimit dhe interpretimit shkencor të natyrës dhe mjedisit ku shtrihet veprimtaria njerëzore, jo vetëm në Shqipëri dhe jo vetëm në gjeologji, jo vetëm në shkencat e natyrës, por edhe në filozofi po ashtu.
Libri paraqet një sintezë të shkencave të tokës, ku vend parësor zë origjina e shkëmbinjve magmatikë të kores tokësore që në bashkëveprim me ujin dhe ajrin transformohen e zhvillohen duke formuar sedimentosferën, shtresën pedologjike dhe biosferën. Mbulesa pedologjike e kores shkëmbore përfaqëson rrënjët e evolucionit biologjik dhe del në pah kuptimi filozofik i formave të transformimit të materies në Tokën tonë, që autori e vështron si “një objekt të universit, që e kemi mostër në duart tona”.

Brez pas brezi, njeriu është bërë kureshtar të dijë se si funksionon bota; në mënyrë të vetvetishme apo sipas ndonjë kurdisjeje të paracaktuar që drejton edhe ndodhitë historike? Një pjesë e madhe njerëzish ndikohen për të venë në dyshim bashkëveprimin dhe shndërrimin e materies që ka formuar dhe zhvilluar Diellin dhe Tokën; botën e gjallë dhe evolucionin që përsosi organizmat drejtë gjinive, grupeve dhe llojeve që shohim sot, prej të cilave gradualisht u zhvilluan dallimet anatomike dhe fiziologjike drejt paraardhësit të njeriut, i cili ruante gjendjen natyrore, gjersa rrethanat i imponuan të bëjë dhe të përdor vegla të thjeshta dhe të evoluojë drejt qytetërimit. Në këtë fushë, teoritë spekulative nuk kane munguar dhe hipotezat shkencore kanë zëvendësuar njëra-tjetrën, pa pretenduar se është thënë e vërteta e fundit. Stacionet orbitale dhe anijet kozmike të këtyre 50 viteve, kanë sqaruar shumë anë pro dhe kundër hipotezës mbi prejardhjen e Universit dhe kanë ndriçuar mire ndërtimin e kozmosit, që na rrethon. Shtetet e fuqishme kanë vënë në dispozicion të sateliteve artificialë dhe të pajisjeve për studimin e hapësirës kozmike, fonde marramendëse, çka nuk bëhet vetëm për dituri, por edhe si kërkesë e dalë nga fusha e zbatimit praktik të shkencës dhe teknologjisë që i shërben zhvillimit modern dhe shfrytëzimit tërësor të burimeve, që janë ende të fshehura thellë në tokë dhe në gjirin e planetëve. Mjetet e sofistikuara të ndërlidhjes, të transportit, të fushës mjekësore, të hartografisë, të fotografimit, të fushës ushtarake, që gëzojmë sot kanë lidhje të drejtpërdrejtë me satelitët artificiale dhe stacionet orbitale. Pa këto zbulime, nuk do të kishim as telefona celularë, as aviacion, as kompjuter dhe as mjete diagnostike të sëmundjeve; nuk do të kishim mjete të parashikimit të motit dhe perspektivën e afërt të parashikimit të tërmeteve e të vullkaneve. Zbulimet në këto fusha, që e kanë munduar me shekuj njerëzimin, kanë vënë në dispozicion të shkencëtarëve te tokës dhe të hapësirës, dëshmi bindëse për ta njohur tokën ashtu siç është objekt kozmik në një skutë të universit, siç e perceptojmë prej veprës që na e ka dhënë gjeologu ynë, Vedat Shehu. Kjo njohje na orienton për të formuar koncepte më të kthjellëta për ligjet universale që veprojnë në kushtet e veçorive të Tokës. Libri i Vedat Shehut u është drejtuar 98 referencave burimore të jashtme dhe të vendit dhe është vlerësuar me nota maksimale nga 13 shkencëtarë, të cilët jetojnë brenda dhe jashtë Shqipërisë; shumë prej tyre janë të njohur në shkencën e tokës si planet apo të objekteve kozmike të universit. Njeri prej tyre është Cliff Ollier, pedagog ne universitetin e Sydneit, ne Australi, i cili është njohur me vepren dhe me realitetin gjeologjik te Shqipërisë. Ky personalitet shkruan per veprën qe po analizojmë: ”Vedat Shehu ka përpiluar një libër te shquar që unë do t’ua rekomandoj gjithë shkencëtarëve të Tokës….. 50 vite me pare, shkenca kishte pikëpamje krejt të ndryshme nga këto të sotmet…. Shehu merr për bazë një truall, për të cilin njerëzit nuk janë familjarizuar”. Me këtë përcaktim na bëhet e ditur se vepra e profesor Shehut ka mbështetjen e zbulimeve me të fundit të shkencës dhe autori është bërë një zë origjinal në zhvillimet e sotme për studimin e Tokës si një objekt i universit.

 Aty nga viti 1964, s’kisha shumë kohë që punoja si inxhinier gjeolog në studim-kërkimin e strukturave naftë mbajtëse në brezin e rrudhosur adriatiko-jonik, kur më tërhoqi vëmendjen përmendja e emrit të Vedat Shehut si shkaktari që shpimet kërkimore të sapo filluara në depresionin e Korçës ishin ndalur, tërhequr dhe duhej t’u gjendej një tjetër front pune. Midis gjeologëve të vjetër, u zhvilluan diskutime spontane, pro dhe kundër ndërhyrjes së një gjeologu të largët, jashtë problemeve të kërkimit të naftës. Këto diskutime tërhoqën vëmendjen time dhe krijuan tek unë dëshirën për të kuptuar psenë e kësaj ndërhyrjeje. Profesori i sotëm, gjeologu i ri i atëhershëm, në një shërbim, kishte takuar në teren gjeologët e naftës dhe qe habitur, kur kishte marrë vesh se ata kishin filluar shpimet kërkimore të bazuar vetëm në një shprehje të një autoriteti që pat rekomanduar kërkimin e naftës edhe në Gropën e Korçës. Kjo ide e hershme qe përcjell tek të tjerët, pa u verifikuar, pa bërë një kartografim gjeologjik të orientuar. Pasi nuk i kishte bindur gjeologët fushor se po bënin punë boshe, duke iu nënshtruar një projekti burokratik, inxhinier Vedati u detyrua të njoftonte vetë dikasterin me anën e një njoftimi me titull: “A është naftëmbartës Depresioni i Korçës”, ku nënvizonte absurditetin e kërkimit të naftës në një zone me një histori të zhvillimit gjeologjik dhe paleogjeografik që dëshmonte se zona nuk kish pas kushte as për formimin e naftës, as shtresa apo struktura kolektore të naftës, por edhe në se do të ishin formuar shtresat dhe strukturat naftëmbartëse, ato do të ishin shkatërruar totalisht gjatë epokave pasardhëse. E solla këtë episode për të treguar esencën e individualitetit të gjeologut Vedat Shehu si gjeolog praktik, i palodhur, i vëmendshëm, me fantazi, logjik të fortë dhe me iniciativë. Imazhi që formova për këtë gjeolog u përforcua, kur u njoha me faktet e reja dhe interpretimet e tij origjinale në disa publikime dhe më vonë në bisedime të drejtpërdrejta. Nga interpretimet e tij, që kanë ndryshuar konformizmin e pabazuar në realitetin gjeologjik, më duhet të përmend: 1) interpretimi që mohon rolin e të së ashtuquajturës transvesale Shkodër Pejë për ndarjen artificiale të Albanideve në veriore dhe jugore, në mospërputhje me ndarjen funksionale në të brendshme dhe të jashtme; 2) Argumentimi se struktura e gëlqerorëve të Vaut të Dejës dhe e graniteve të Fierzës janë përkatësisht autoktone dhe jo aloktone, siç paraqiteshin nga autoritet shkencore të kohës; 3) kuptimi i stratigrafisë së Zonës së Cukali me përkufizimin hapësinor të Triasikut gëlqeror në 13 metra trashësi në prerjen e Komanit; 4) Argumentimi me fakte i mungesës së vullkanizmit jurasik me të cilët lidhet gjeneza e bakrit dhe e polimetaleve; 4) Kuptimi i relativitetit të mbihipjeve tektonike dhe i mbizhvendosjes së zonës tektonike të Mirëditës. Por abstraksioni i kolegut dhe shokut tim Vedat Shehu ka arritur kulmin e arsyetimit shkencor pikërisht me vështrimin e tij qe prej shkëmbinjve te sipërfaqes vështrimin e tij e ngul deri ne bërthamë te Tokës dhe e integron me transformimin universal te materies në hapësirat e pamasë kozmike.
Me këto argumentime, del në pah fare qartë se interpretimet teorike të Profesor Shehut janë të bazuara në njohjen e thellë të fenomeneve dhe proceseve gjeologjike prej punës kërkimore këmbëngulëse dhe të zgjatur në kohë. Këtej kuptohet se “Toka në rritje dhe zhvillim”, është produkt i një veprimtarie të gjatë dhe të mundimshme, që përmbledh një punë skrupuloze në studimin e punimeve shkencore dhe një punë të mirëfilltë fushore për studimin e vetive dhe përmbajtjen e shkëmbinjve të formuar në faza të njëpasnjëshme të zhvillimit të trojeve tona, të strukturave të Albanideve. Në këtë kuptim, kemi një autor sa botëror aq dhe kombëtar. Tezat, interpretimet dhe konkluzionet teorike, që shtrohen dhe argumentohen në libër, i shërbejnë njëherazi praktikës studimore gjeologjike, orientimit të kërkimeve planetare dhe zhvillimit të mëtejshëm të shkencës së yjeve. Libri, që kemi në dore, nuk është produkt i një frymëzimi sporadik, as adaptim përmbledhës studimesh të mëparshme, por vepër origjinale e pazakontë, për të cilën autorit i janë dashur me shumë se tre dekada, për të na e prurë në versionin e përsosur që e kemi tani në duart tona. Konceptet teknike dhe filozofike te gjeologut Vedat Shehu, për universin dhe tokën, u paraqitën për publikim në formë artikulli qysh në vitin 1978. Këto koncepte, pasi u shqyrtuara nga redaksia e kohës, e mbytur nga ngarkesat politike, u shmangën nga botimin me etiketën “ në to ka shtrembërime ideore dhe shkëputje nga praktika kërkimore”. Akulli i refuzuar u kthye dhjetë vjet me vonë në libër, kur u botua versioni i parë me titull “Toka në Zhvillim”. Opinioni tekniko-shkencor i kohës e vlerësoi pozitivisht këtë vepër, që ishte e vetmja e llojit të vet në gjuhen shqipe. Libri u përpi nga lexuesit dhe brenda javëve të para s’gjendej më nëpër librari. Autori nuk rreshti se kërkuari, ballafaquari, studiuari dhe analizuari, informacionet dhe publikimet e reja tekniko shkencore si në fushën e strukturës së brendshme të Tokës edhe të hapësirës së universit. Në të dy drejtimet të dhënat dhe interpretimet, këto 50 vjetët e fundit, janë rritur në mënyrë të pa krahasueshme me fazat historike që nisin qysh kur njihet evolucioni natyror si shkencë. Këtë informacion të saktë dhe të besueshëm, autori nuk mund ta linte pa ia servirur lexuesit të vet pa ia nënshtruar arsyetimit konsekuente shkencore. Ishte një sukses i madh fakti që progresivisht informacioni shkencor përputhej me hipotezat e parashtruara në botimin e vitit 1988. Ky fakt është sa inkurajues aq dhe kartë-krediti per botimin e veprës në gjuhën angleze (Tiranë 2004 dhe USA 2005). Ribotimet janë plotësuar deri sa teoria më e plotësuar paraqitet në versionit te sotëm, qe nxori shtëpia botuese “Dudaj”.
Baza teorike e librit qëndron në përkufizimin e trajtave bazë të materies kozmike në të zakonshme atomo-molekulare; në të superngjeshur të yjeve kuark-nutronik dhe vrimave të zeza dhe në të super-rrethuar të fushave fizike dhe rrezatimit. Këtë përkufizim autori e nxjerrë prej fizikës kuantike që i studjom grimcat elementare e ultra-elementare të përqendruara në strukturën e atomit, apo të stërpërqendruara në të yjet kompaktë dhe në lëvizje të shpërndarë si rrezatim, apo fushë fizike. Këtej del edhe nocioni i energjisë si materie në lëvizje, apo potencialisht në lëvizje. Me këtë koncept për materien, bije nocioni standard se materia është: e ngurtë, e lëngët dhe e gaztë, që i takon vetëm trajtës atomo-molekulare të materies, gjendjeve fazore të saj.

Libri i autorit Shehu na jep analizën e proceseve shndërruese në univers. Gjejmë në vepër, se universi shtrihet tej rrezes së universit të vrojtuar. Ky univers nuk mund të jetë i mbyllur nga një kupë qiellore kozmike me Tokën në qendër, përkundrazi Toka ndodhet në një skutë të tij. Universi fillon kudo dhe nuk mbaron kurrkund. Këtë e kanë vërtetuar vrojtimet e sofistikuara astrofizike dhe astrokimike, sondazhet nëpërmjet anijeve kozmike përmbajtja e gurëve të analizuar, nga meteoritët dhe mostrat e prura nga ekspeditat kozmike.

Galaktikat, yjet sistemet diellore, planetët, materiali gazoro-pluhuror copëzore ne hapësirat kozmike, fushat fizike, rrezatimet, të gjitha janë pasoja të bashkëveprimit dhe transformimit të materies kozmike në kushte të veçanta të presionit, te temperaturës dhe te rëndesës. Toka jonë ashtu si ngjasorët e grupit të vet, përbën veçse një planet silkat me gjallëri të brendshme dhe me fushë magnetike shumë më aktive. E veçanta e teorisë qëndron në argumentimin e pranisë së një thelbi gjeosferik të stërngjeshur të transformueshëm në bërthamë që është burim i pashtershëm materieje atomo-molekulare dhe korpuskularo-energjetike, dhe në formë flurishente, njëkohësisht. Është ky proces transformimi i pashtershëm, që e ka bërë tokën planet të gjallë, jo vetëm me dinamikën e zhvillimit gjeologjik, por edhe me fillimin e jetës së mikroorganizmave të zhvilluara shkalle shkallë deri kur merr hov dukuria jetësore e fotosintezës. Kjo dukuri është e vetmja, që e bën të dallueshme Tokën nga planetët e grupit të vet. Evolucioni biologjik, nëpërmjet seleksionimit natyror dhe mutacioneve të natyrshme, ka ecur paralelisht me evolucionin e gjeosferave të Tokës. Sigurisht që, proceset e natyrshme të bashkëveprimeve, do kenë arritur në shfaqjen e formave të ulëta të jetës edhe në planetë të tjerë.
Një koncept thelbësor i ri që argumenton origjinalisht autori shqiptar, është ai i pranisë së rruazave apo bërthamave të superngjeshura të transformueshme në mjegullnajat yje-formuese. Në procesin e formimit dhe konsolidimit të sistemit tonë diellor, në një mjegullnaja të tillë, u arrit që bërthama e Tokës, me thelbin e saj gjeosferik të superngjeshur, të bëhet një diell në miniature. Ky mini-mini dell qëndron i izoluar brenda pështjelljes silikate të gjeneruar prej vetvetes, ndërsa Dielli u kushtëzua prej të qenit yll të mbetet bërthamë super gjigante me thelb heliosferik të superngjeshur, në pamundësi për t’u bllokuar nga materia atomo-molekulare që ai prodhon vetë. Proceset e transformimit të heliosferës së superngjeshur në diell nxjerrin, së bashku me fushat fizike dhe rrezatimet, edhe materie atomo-molekulare. Të njëjtat procese transformuese ndodhin edhe në gjeosferën e superngjeshur të thelbit të bërthamës së tokës, por të pakrahasueshme për nga përmasat.

Rritja dhe zhvillimi i Tokës është i nxitur nga vetitë e bërthamës më saktë thelbit të saj, që është analog në tërë objektet kozmike aktive që rrotullohen mbi bazën e ligjit universal të rëndesës apo gravitacionit. Vetë formula e kësaj force si formulë identike me atë të llogaritjes të forcës elektrostatike konfirmon se transmetues i kësaj force është gravitoni, analog me elektronin, por i një sistemi tjetër. Këtej argumentohet se gravitacioni është pasojë procesi dhe objektet kozmike aktive emetojnë gravitone dhe gravitizojnë objektet inaktive. Këta të fundit mbartin gravitacion të induktuar. Kjo tregon se rëndesa është forme specifike e shfaqjes së materies në trajtën e fushës si pasojë e transformimit të trajtës së tejngjeshur. Në bërthamën e Tokës dhe në bërthamat e trupave kozmikë dinamikë, proceset që japin fushë magnetike me energji fluoreshente, rrezatime, materie atomo-molekulare, janë të ngjashme me ato që ndodhin në transformimin e bërthamave të atomeve të disa elementeve kimike të mirënjohur. Kjo ngjashmëri nuk është rastësore. Ajo është bazë e mikro dhe makro kozmosit dhe lidhjes së tyre, jo vetëm logjike por edhe ekzistenciale. Analogjia e bërthamës se planetëve dhe të vetë sistemeve yjore, me bërthamën atomike, përbën nje dëshmi më shumë per vërtetësinë e teorisë se rritjes dhe zhvillimit të planetëve prej proceseve të njëjta që ndodhin në yje.

Bërthamat e trupave qiellore, do ta ruajnë me xhelozi fytyrën e tyre nga publiku, si pjesa më misterioze e ekzistencës dhe dinamizmit të universit. Këtë bërthamë kemi fatin ta njohim nëpërmjet abstragimit shkencor të dhënë në veprën e Vedat Shehut, i cili meriton falënderimet dhe mirënjohjen e lexuesve, jo vetëm shqiptarë.

Pak më shumë se rreth 4.6 miliardë vjet më parë ka nis formimi i sistemit tone planetar. Përpara kësaj ngjarjeje, në hapësirën e galaktikës tone, vazhdonin proceset transformuese dhe shpërthimet gjigante kozmike. Një nga këto shpërthime formoi nebulozën apo mjegullnajën me rruazat e superngjeshura në transformim. Nga rruazat e stërngjeshura të kësaj mjegullnaje gjigante, në kushte të caktuara, u ndanë ato të sistemit tonë diellor; ku rruaza gjigante formoi proto-diellin dhe përqark tij rruazat e vogla, duke u transformuar formuan, proto-planetët, të cilët u diferencuan sipas kushteve të brendshme dhe atyre orbitale dhe secili ndoqi rrugën e vet. Me këtë shpërthim u kalua në formë tjetër të ekzistencës dhe transformimit të materies, që në tokë shkakton rritjen e rruzullit dhe zhvillimin e kores shkëmbore, evolucionin e biosferës, botës tonë.
Një problem i diskutueshëm ne rrethet shkencore nëpër bote, ka qene shtjellimi i procesit të formimit të diferencuar të kores kontinentale më të vjetër dhe asaj oqeanike më të re. Që nga gjysma e dytë e shekullit të kaluar, teori me më shumë autoritet u bë dhe vazhdon të jetë, ajo e pllakave. Sipas saj, koria e tokës përbëhet prej pllakash masive të lëvizshme të ndara nga çarje gjigante. Lëvizja e tyre sjell pasoja; së pari, kur ato largohen nga njëra tjetra zhvendosen të mbartura prej rrymave vorbulluese të masës së rrjedhshme të nënkores, njëkohësisht me largimin bëhet futja e lëndës së gjeneruar rishtas që konsolidohet në kore të re oqeanike; së dyti kur pllakat ndeshen me njëra-tjetrën, në vendin e shtrëngimit njëra pllakë deformohet duke formuar vargmale, kurse tjetra zhytet drejtë thellësisë duke u bërë pjesë e rrymave vorbulluese. Për teorinë e gjenerimit të materies prej proceseve në bërthamë, është e papranueshme kjo hipotezë, sepse teoria e pllakave, me mënyrën e vet të interpretimit, bije në kundërthënie sepse mohon atë që dëshmon vetë, që koria oqeanike shtohet progresivisht me mas shkëmbore magmatike; mohon argumentin që demonstron se rritja e kores oqeanike, është dëshmi për rritjen e tërë rruzullit. Sikur teoricienët e Tektonikës së Pllakave të kuptonin se fundi oqeanik nuk nderet, por zgjerohet sepse tërë rruzulli zmadhohet do të konkludonin se shkaku i këtij fenomeni do të gjendej në bërthamë mbase duke supozuar ndonjë mekanizëm tjetër gjenerimi. Përballë varianteve të Tektonikës së Pllakave qëndrojnë faktet e integruara me logjikë të forte shkencore që demonstrojnë se korja tokësore shtohet progresivisht. Kjo kore e formuar rishtas është derivat final i kombinimeve të elementeve kimikë që i emeton bërthama, prej shndërrimit të thelbit të saj të tejngjeshur. Autori Shehu dhe shumë përkrahës nuk e zhvleresojne teresisht teorinë e pllakave. Ata njohin bazën fakteve që vërtetojnë largimin e kontinenteve si dhe vet dukurinë e mbështetjes së saj në një veprim dinamik të prekshëm, që në rastin konkret janë pllakat e lëvizshme. Te dy teoritë pranojnë përbërjen strukturore të planetëve, diellit dhe të yjeve, por ndahen në pjesën funksionale të mekanizmit gjenerues të magmës shkëmb-formuese. Teoria Shehu, ndryshe nga ajo e pllakave; arsyeton zhvillimin dhe ndërtimin sfero-centrik të krejt tokës, duke përfshirë edhe bërthamën e brendshme me strukturë dhe sjellje krejt të ndryshme nga bërthama e jashtme. Këto interpretime janë të bazuara në rezultatet e fizikës së grimcave dhe atë kuantike, në arritjet e fundit gjeokimike e gjeofizike, kozmokimike e astrofizike. Teoria është përllogaritur matematikisht dhe është shume afër parafytyrimit real të lexuesit.

Autori strukturën e tokës e krahason me atë të një kokrre pjeshke, kurse procesin e rritjes me atë të një kokrre portokalli në proces rritjeje, ku gjurmët e padukshme të të prerave me një teh brisku të lëna në lëvozhgë, hapen dhe bëhen brazda kur kokrra rritet dhe arrin të piqet. Kjo të kujton çarjen e stërkontinentit, largimin e blloqeve kontinental dhe formimin e oqeaneve midis tyre. Në rastin e pjeshkës, lidhja e rritjes me bërthamën është më pak e dallueshme, por më funksionale. Ashtu si bërthama, më saktë thelbi i saj e bënë pjeshkën pjeshkë, edhe tokën e ka bërë tokë bërthama, më saktë thelbi i saj.

Në pajtim me ekuilibrin gravitativ të trajtës sferoidale të tokës, koria oqeanike, si më e rëndë krijon depresionet dhe honet globale midis copave kontinentale më të lehta të larguara dhe në pozicione të ngritura. Kjo strukturë globale ka kushtëzuar mbushjen me ujë të ultësirave oqeanike. Ka një shkencë që quhet oqeanografi dhe një të dytë, që studion fundin shkëmbor të oqeaneve. Kjo është e justifikueshme deri sa oqeanet përbëjnë 2/3 e rruzullit. Shkencat oqeanike janë në një linje me konkluzionet gjeologjike të platformës Shehu.
Për të bërë të njohur teorinë e vet të rritjes planetare, të rolit aktiv te bërthamave dhe atë të shkakut të formimit të diferencuar të kores të oqeaneve nga e kontinenteve, shkencëtari Shehu ka zhvilluar një korrespodencë të gjerë me studiues të interesuar, në të tërë botën. Nuk ka qenë e lehtë as të pranohej dhe as të injorohej teoria Shehu. Një pjesë të debateve, që janë zhvilluar në internet, për këtë problem, autori na i ka dhenë të shkruara në fund të librit në fjalë. Në këtë kuptim, nuk kemi të bëjmë vetëm me zhvillimin e Tokës, por dhe të vete teorisë së zhvillimit të saj, që aktualisht, nuk është teori e vetme në shkencën konteporane te yjeve. Vet lexuesi duhet te krijojë bindjen, ne vërtetësinë e secilës nga teoritë, që autori na i ka sqaruar pa paragjykim ne librin e vet. Nuk mund të lë pa përmendur kuptimin matematik dhe filozofik të numrit zero. Matematikisht, thotë autori, zero ekziston, si kufi ndarës i numrave pozitivë me ata negativë. Shkenca e fizikës ka përcaktuar zeron absolute të ngrirjes të bashkëveprimeve të materies atomo-molekulare, por nuk ka mundur të vendos një cak të sipërm të temperaturës, cak që nuk mund të tejkalohej nga asnjë rrezatim nga bashkëveprimet kozmike shpërthyese. Në kuptimin fizik zero-ja nuk ekziston dhe kemi të bëjmë me një përcaktim filozofik të ekzistencës së materies në lëvizje. Në analogji me zeron analizohet koha dhe hapësira, që janë parametra për të përcaktuar ngjarjet e bashkëveprimit të materies në lëvizje, janë plotësim i njëra tjetrës. Parametrat janë tregues për të përcaktuar gjendjen apo cilësitë e materies. Në këtë kuptim teoria Shehu e konsideron të pakuptimtë termin përkulje e hapësirë-kohës. Shtjellimi i këtyre nocioneve filozofike na është dhënë në libër, për të krijuar bindjen e vërtetësisë së teorisë së rritjes dhe zhvillimit të tokës, ku ne jetojmë dhe kryejmë veprimtari transformuese me të gjitha format e materies atomo-molekulare dhe rrezatuese. Kurse trajta e materies së superngjeshur është jashtë mundësive për të qenë në fushën e veprimtarisë tone, sepse u takon objekteve astrale të kozmosit dhe bërthamës së Tokës.
Libri i profesor Vedat Shehut përbën një ndihmesë të veçantë në serinë e botimeve shkencore në shqip. Nëpërmjet studimit të të dhënave të fundit mbi gjithësinë, autori ka vërtetuar se Toka është ndër objektet e gjallë të gjithësisë me energjinë e vetë të brendshme që buron nga një materie në trajtë të stërngjeshur e pozicionuar si një gjeosferë e stërhollë në zonën qendrore të rruzullit.

Mbi bazën e kësaj teoreme, shtjellohen terë proceset e pajetë dhe jetësore që zhvillohen në gjithësi dhe në Tokë. Zëri i shkencëtarit Shehu është origjinal dhe ka siguruar përkrahjen e shume autoriteteve shkencore botërore. Vepra e tij, krahas rëndësisë astronomike, na njeh me analiza të thella në fushën e shkencave ekzakte, si edhe në fushën e filozofisë, biologjisë, mjedisit dhe të shkencave të zbatueshme në sferën e veprimtarive në mjedisin tokësor. Nuk mund të quhesh njeri i plotësuar në fushën arsimore, në se nuk njeh mjedisin ku jeton dhe punon. Mund të jesh inxhinier që harton e zbërthen projekte, mund të jesh gjeolog apo pedolog, mund të jesh gjuhëtar që vepron me shumë gjuhë, mund të jesh jurist klasi a specialist bujqësie, ashtu siç mund të jesh ushtarak apo filozof; në se nuk ke përvetësuar teorinë e mjedisit,vlerat intelektuale janë të kufizuara.

Profesor Shehu vjen nga një e kaluar profesionale shumë vepruese. Ka punuar në ekspeditat gjeologjike dhe shumicën e jetës e ka kaluar në mes të shkëmbinjve dhe analizave të mostrave të shkëmbinjve, të Alpeve. Korabit, Malit të Thatë dhe të tërë Atdheut. Përbën shembull frymëzimi për gjeologët e rinj, në shërbim të zbulimeve të tjera gjeologjike. Si komb, jetojmë në një pjesë rruzulli, ku nëntoka vazhdon të ruaj thesare të njohura dhe të pa njohura. Del detyrë që këto pasuri, të zbuluara, të rivlerësohen dhe të zgjerohen në bazë të arritjeve shkencore botërore, integrimin më të lartë të të cilave e gjejmë tek teoria e bujshme e Tokës në Rritje dhe Zhvillim. Dhe mbi këtë bazë teorike të vështrohen kërkimet dhe zbulimet e ardhshme në gjeo-mjedisin tonë. Prapambetja në prodhimin e mjeteve të sofistikuara të teknologjisë së lartë tek ne, nuk ndikon fare në kapacitet dhe arritjet e njerëzve tanë në progresin shkencor dhe zotërimin e manipulimin e teknologjisë së sofistikuar që gjendet në tregun global.

Shkencëtarët tanë kanë rastin dhe mundësitë të japin ndihmesë krejt të veçantë për kombin. Bashkërendimi i forcave shkencore të tëra trevave shqiptare përbënte një ëndërr të rilindësit tonë të madh, Samiut.
Me këtë rast, më ka lindë dëshira që të gjithë bashkëkombësve të mi qe arsyetojnë ne mënyrë të pavarur dhe që janë të prirur për të mos lejuar mangësi në formimin e plotë ideor, t’u rekomandoj: “Mos rrini pa lexuar këtë libër shumëvlerësh që revolucionarizon mënyrën e të arsyetuarit objektiv”.

Tiranë, tetor 2010

Komentet janë të mbyllura

Foto Lajme

Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i përmbajtjes së këtij portali © 2013 Gazeta Republika | Designed by Keminet | Log in
Close
Ndiqni Gazeta Republika në Facebook
Informohuni mbi ngjarjet kryesore të ditës duke na ndjekur në Facebook.