Qytetaria europiane dhe shqiptarët.

Publikuar më: 01/02/2012 10:26

Nga Florian Hoti

Në ambicien e shqiptarëve për integrim evropian, gjithë vëmendja është përqendruar tek zbatimi i reformave politike dhe ekonomike. Megjithëse parësinë e tyre, zhvendosja në plan të dytë e një hallkë të rëndësishme, siç është qytetaria evropiane, do të na linte të paktën “de fakto” jashtë nga bashkësia e popujve të Europës. Me qytetari evropiane, kuptojmë elemente të kulturës, sjellje qytetare, mentalitet botë-ndryshues, dëshirën për punë, humanizëm, altruizëm, pjesëmarrje aktive në jetën komunitare, por në të njëjtën kohë, ruajtjen e individualitetit dhe privatësisë së tjetrit. Transmetimi dhe përvetësimi i vlerave qytetare kërkon shumë kohë, breza të tërë dhe, sigurisht, që këtu ndikojnë faktorë të ndryshëm historike, politike, social-ekonomike etj. Po të shohësh me kujdes sot, shoqëria shqiptare ndahet në dy grupe të ndryshme. Në individë që kanë dhe duan të përftojnë vlera qytetare europiane oksidentale dhe ne individë që me vetëdije ose jo, i urrejnë këto vlera, madje, përkundrazi, shfaqin një orientalizëm të thekshëm në mendësinë dhe sjelljen e tyre. Që në vitet ’30 të shek. XX, profesor Kristi Maloki do ta vinte re këtë ndarje te shoqërisë shqiptare në oksidental dhe në oriental. Ne sprovën e tij, profesor Maloki jep karakteristikat e grupeve. Për të, orientalizmi shqiptar është një sistem mendimesh, ndjenjash dhe instinktesh, si çdo sistem tjetër, me një botëkuptim dhe filozofi te tijen. Sipas profesor Maloki, “orientali shqiptar i pret gjithë të mirat per vete. Bota për të është një burim i pashterur mjetesh, qejfesh, te cilat ai i shfrytëzon me çdo mënyrë e metodë, pa pyete se ku nget e vret. Detyrë të ndershme o pa sakrifica vetëmohuese s’njeh oriental shqiptar”. (Hylli i Dritës – 1937)

 Nuk duket shume e ndryshme mënyra e të menduarit dhe të sjellit të shumë njerëzve sot. Orientalin e gjen ne te gjitha shtresat e shoqërisë shqiptare, por me shqetësuese është kur shumë intelektualë shfaqen si të tillë. Intelektuali duhet të jetë në krye të ndryshimeve, ai duhet të jetë me kulturë, sjelljen e jokonformizmin konstruktiv te tij, drejtues kulturor i te tjerëve. Sjellja e intelektualeve ka ndikim të madh tek njerëzit e tjerë. Me lejoni të tregoj një ngjarje qe e kam lexuar diku. – Pas një jave të lodhshme, një profesor i filozofisë se universitetit, i cili kishte mbajtur një numër të madh leksionesh, shkoi në aeroport dhe preu biletën për t’u kthyer në shtëpi. Me biletën në dorë ai vajti dhe u ul diku ne terminal. Duke kontrolluar faturën e kartës se kreditit, kuptoi se vajza qe i kishte shitur biletën kishte bërë një gabim dhe ai kishte paguar me pak se duhej; “kjo është diçka e mrekullueshme” – arsyetoi ai me vete, pasi shume fatura e presin ne shtëpi per t’u paguar. Per tridhjete minutat e ardhshme ai do te përleshej me veten, megjithëse thelle brenda vetes ai e dinte se çfarë duhej të bënte. Në fund, ai u ngrit dhe shkoi te sporteli dhe iu drejtua vajzës: “Mendoj se keni bere një gabim”. “Jo” – iu përgjigj ajo. “Unë isha dje ne një nga leksionet tuaja, kur ju po flisnit për ndershmërinë dhe mendova t’iu ve ne prove”. Përse të jesh i ndershëm, i drejtë, i kulturuar, me sjellje qytetare? Sepse njerëzit po të vështrojnë. Veprimet e tua, sjelljen tende, deri edhe ne detajet me te vogla, formojnë opinionin e atyre qe te dëgjojnë e shikojnë. Theksoj që duhet të jenë intelektualët ata që duhet t’i orientojnë të tjerët drejt qytetarisë dhe kulturës europiane perëndimore. Emanuel Kant thoshte: ”Vepro gjithmonë në një mënyrë të atille që sjellja jote te jete shembull dhe rregull mbarëvajtje për të gjithë”. Me këtë nuk duam të themi se njeriu duhet të jetë filozof apo të zotërojë një kulture te gjere akademike per te qene me të vërtetë i qytetëruar. Ftesa per qytetari është një ftesë për hapjen mendore, per gjykimin e shëndetshëm dhe për dashurinë ndaj vlerave dhe virtyteve, është një ftesë per njerëzit që të ngrihen mbi kënetën e vogëlsisë mendore dhe te paralizës së injorancës. Sipas profesor Malokit, “Oksidentali i vërtetë karakterizohet nga mënyra sesi ai i ngarkon vetes detyra të renda, jashtë detyrave ordinere e të domosdoshme. Lartësia morale e një oksidentali matet me gradën e vetëmohimit dhe të vetëflijimit rreth një ideje se naltë, qe s’ka pune me kolltukë e ryshfete”. Motoja e një perëndimori është: “Të arrish qëllime të larta, duke kaluar nëpër rrugë të ngushta. (Ad augusta per angusta). Në formimin e qytetarisë dhe kulturës oksidentale kanë ndikuar dy elemente të fuqishme, qytetërimi greko-romak dhe tradita hebraiko-kristiane. Këto i dhanë sharmin që ka sot. Ishin këto dy elemente që i dhanë njeriut dinjitetin dhe të drejtat e natyrshme, familjes kuptimin, shpëtuan lirinë e ndërgjegjes publike. Filozofia greke pati një ndikim të madh në mendimin perëndimor. Shoqëria perëndimore sot ecën me moton “Ejani te arsyetojmë së bashku”. Kohet moderne u çelën përmes ideve dhe mendimeve filozofike, të cilat vunë bazat e shteteve dhe shoqërisë moderne, duke formuar mendësinë e njeriut perëndimor. Po kështu, dhe kristianizmi ka luajtur një rol parësor ne formimin e kulturës perëndimore. Kristianizmi bashkoi oksidentin, ndërroi idetë, lartësoi ndjenjat dhe sistemoi tërë jetën vetjake. Kërkoi prej njërit pastërtinë e mendimit e të dëshirës, ne vend te egoizmit dashurinë për të tjerët, detyrën dhe ndërgjegjen me përgjegjësi. “Hiqni kontributin qe ka dhënë kultura greko-romake dhe kristianizmi ne boten e qytetëruar dhe kultura moderne nuk mbetet me ajo”.(At Anton Harapi-Kultura e Krishtere). Pjesa dërrmuese e shqiptarëve kanë orientim perëndimor ne mentalitetin dhe sjelljen e tyre, pavarësisht nga te menduarit ndryshe te disa njerëzve. Misioni i shqiptareve dhe fati i tyre është sigurisht mbrojtja e interesave te vendit te tyre politike dhe ekonomike, por këto të pandara nga historia, kultura, fati dhe miqësitë që na lidhin ne me Europën e kombeve.

Komentet janë të mbyllura

Foto Lajme

Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i përmbajtjes së këtij portali © 2013 Gazeta Republika | Designed by Keminet | Log in
Close
Ndiqni Gazeta Republika në Facebook
Informohuni mbi ngjarjet kryesore të ditës duke na ndjekur në Facebook.