Vëzhgim/ Ndotja akustike në kryeqytet, problemi që ende s’ka gjetur zgjidhje.

Publikuar më: 05/02/2012 17:49

Jeta e natës, zona e ish-Bllokut “zien” nga muzika e lartë

Fundjava në Tiranë, mes zhurmës së muzikës dhe të rinjve. Banorët e pallateve, të shqetësuar: Ritmi i natës nuk njeh kufi. Mungon sistemi i amortizimit të zhurmës nëpër lokale

Vazhdon të jetë ende problem zhurma dhe ndotja akustike në shumë pika të frekuentuara të kryeqytetit shqiptar. Pothuajse të gjitha lokalet e natës aplikojnë dhe madje abuzojnë me muzikën e lartë deri në orët e para të mëngjesit. Ndonëse për një pjesë ky ritual fal shumë kënaqësi, për banorët e lagjeve përreth nuk ka kurrë qetësi. Prej shumë vitesh, që kur pab-et dhe lokalet e natës kanë hedhur rrënjë në rrugët e bllokut, banorëve iu ka sosur durimi i të quajturit lagje luksoze. Ndër zonat më problematike janë rrugët “Ismail Qemali”, “Brigada VIII”, “Petër Bogdani”, “Nikolla Tupe”, në të cilat janë të përqendruar më së shumti lokalet e natës dhe që aplikojnë muzikën e lartë, klientela e të cilëve është në shumicën e rasteve, e moshës së re dhe rrallëherë të bie të shikosh moshë të madhe në këto lokale. Lidhur me këtë problem, gazeta “Republika”, ka bërë një vëzhgim për sa i takon nivelit të ndotjes akustike, dhe zhurmave të shkaktuara nga muzika e lokaleve të natës, e që për më tepër, sipas tyre, thuajse asnjë nuk praktikon adaptimin e sistemeve të amortizimit të zhurmës. “Kemi pesë vite që jetojmë në këtë pallat, në këtë apartament dhe nuk ka pasur natë që në këto rrugë të ketë pasur qetësi. Muzika nuk pushon dhe njerëzit në orën 3:00 apo deri në 5:00 të mëngjesit nuk pushojnë së ulërituri. Dalin nga lokalet, pasi janë dehur dhe nisin e ulërasin. Mbrëmë, një grup djemsh po debatonin me zë të lartë, pranë një pub-i tek rruga pas pallatit tim dhe nuk flija dot. Por kjo nuk është hera e parë dhe ne jemi mësuar. Edhe të rrihen na duket sikur janë gjëra normale”,- thotë një grua rreth të 40-ve. Zhurma për të gjithë banorët e lagjeve më problematike për sa i takon muzikës së lartë të lokaleve, është kthyer në një fenomen, i cili nuk po gjen asnjë zgjidhje. Ndonëse Ministria e Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujërave, ka nxjerrë një udhëzim, sipas të cilit lokalet e natës apo dhe të gjitha llojet e tjera që shkaktojnë ndotje akustike në mjediset e banuara duhet që më parë të marrin një autorizim, i cili kushtëzon ushtrimin e këtyre bizneseve, këto biznese nuk e kanë respektuar këtë vendim.

 Fundjava në kryeqytet

Fundjava në kryeqytet, aq më tepër në zonën e ish-bllokut, është e mbipopulluar kryesisht nga të rinjtë, të cilët mes pijes dhe euforisë, mes ritmeve të larta të volumit të muzikës së kohës më të fundit, festojnë, por pa marrë parasysh se pikërisht një kat sipër lokalit mund të ketë edhe njerëz që flenë. Nga ana tjetër, vetë pronarët e lokaleve, nuk kanë marrë asnjë masë për të bërë një izolim të dyfishtë të lokalit të tyre, për sa i takon mosdepërtimit të zhurmës akustike jashtë ambientit të tyre. Të vetmit që dalin të humbur në këtë mes, mes të rinjve që festojnë dhe pronarëve që nxjerrin fitime marramendëse, janë banorët e zonës. Për ta nuk mjafton që dritaret ti kenë pajisur me dopio xham, pasi volumi i muzikës depërton përsëri në shtëpitë e tyre. Atyre nuk u mbetet gjë tjetër, veçse të presin ndonjë urdhër të ri për pezullimin e të gjithë atyre lokaleve që nuk respektojnë rregullat e komunitetit për ruajtjen e qetësisë publike.

 

Ndotja akustike

Sipas shumë studimeve, niveli i ndotjes akustike në kryeqytet thyhen deri në trefish normat e parashikuara nga Komuniteti Europian. Normë të lartë të ndotjes së vërteton dhe një studim i kryer nga Instituti i Shëndetit Publik. Sipas këtij studimi, niveli i zhurmave duhet të jetë 45 decibel, por nga matjet e kryera në zonat më problematike, ajo arrin deri në 130 decibel, duke u bërë shkak për uljen e nivelit të dëgjimit te qytetarët. Por, problematike nuk është vetëm zona e ish-Bllokut, por edhe periferia, ku janë vendosur lokalet me muzike live. Sipas monitorimit më të fundit për zhurmat, ndotja akustike, në shumë pika të qyteteve rezulton mbi normat e lejuara nga Bashkimi Europian.

Policia bashkiake

Ndonëse policia bashkiake ka marrë një sërë masash për mbylljen e lokaleve me muzik live pas orës 12 të natës, ato ende vazhdojnë të kryejnë ritualin e tyre të përditshëm. Herë pas here, janë bërë ndërhyrje për ndalimin e veprimtarive të shumë lokaleve të natës, që frekuentojnë muzikë me nivel shumë të lartë, ende për qytetarët dhe banorët e zonës përreth zonës së ish-Bllokut, zhurma ngelet problem. Policia bashkiake është një ndër përgjegjësit për të mbikëqyrur ushtrimin e veprimtarive të lokaleve të natës është policia bashkiake, e cila, deri më tani, nuk bërë asgjë për të parandaluar këtë fenomen. Nga ana tjetër, pronarët e lokaleve vazhdojnë pa drojë aktivitetet e tyre fitimprurëse, duke mos marrë parasysh se biznesi i tyre sjell shqetësim për gjithë banorët e zonës.

Komentet janë të mbyllura

Foto Lajme

Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i përmbajtjes së këtij portali © 2013 Gazeta Republika | Designed by Keminet | Log in
Close
Ndiqni Gazeta Republika në Facebook
Informohuni mbi ngjarjet kryesore të ditës duke na ndjekur në Facebook.