Dashamir Tahiri: PDIU-ja duhet organizuar dhe të zgjedhë drejtuesit e saj realë

Publikuar më: 17/03/2012 10:06

Intervista/ Flet deputeti i PDIU-së, Dashamir Tahiri

“Emërimet, një vendim personal i kryetarit, jo i forumeve”

Deputeti i Partisë për Drejtësi, Integrim dhe Unitetit, Dashamir Tahiri, rrëfen në një intervistë ekskluzive për gazetën “Republika”, marrëdhëniet brenda partisë. Cilat janë mosmarrëveshjet me kreun aktual të PDIU-së, Shpëtim Idrizi, dhe me Presidentin e Nderit, Tahir Muhedini? Si u emëruan dy zëvendësministrat e kësaj partie dhe pse ishte kjo mosmarrëveshje. Deputeti Tahiri shpjegon se në mungesë të zgjedhjeve të partisë dhe rrjedhimisht të strukturave të saj, ky nuk është një vendim forumesh, por një vendim personal i kryetarit. Tahiri kërkon me urgjencë një mbledhje të përfaqësuesve të të gjitha grupeve nismëtare për ta diskutuar publikisht dhe në prani të mediave këtë çështje, si dhe një prononcim publik nga kryetari aktual i PDIU-së. Ndërkohë, reagimin e Ministrisë së Jashtme greke për futjen në qeveri të PDIU-së, Tahiri e cilëson si ndërhyrje aspak serioze dhe të denja për vitet që jetojmë dhe për aspiratat europiane që kanë të dy shtetet. I pyetur rreth vizitës së tij në SHBA dhe takimet me kongresmenë amerikanë, Tahiri shprehet se në këto takime, ka lobuar për çështjen çame, duke bërë prezente vuajtjet e kësaj popullate dhe kërkesat për njohjen e të drejtave të tyre, forcërisht të dhunuara.

- Zoti Tahiri, cili është qëndrimi i PDIU-së lidhur me reformën zgjedhore? Nga partitë e vogla është kërkuar një korrektim në rang kombëtar të Kodit Zgjedhor, ju jeni në mbështetje të kësaj?

Patjetër që edhe qëndrimi ynë është për të respektuar votën e çdo shqiptari, kudo qoftë dhe banon ai. Besoj, ky është thelbi i këtij diskutimi, që asnjë votë të mos shkojë dëm dhe të mos ketë vlerë në një sistem numërimi rajonal. Ne të gjithë, edhe pse të vegjël, jemi parti kombëtare, kështu e trajtojmë elektoratin tonë dhe, rrjedhimisht, kështu do të donim edhe të numëronim votat tona.

- Partia juaj, së fundi, është futur në nivelin qeverisës me anë të dy zv/ministrave. Ky emërim ka shkaktuar dhe një replikë mes jush dhe Muhedinit. Ju keni deklaruar se emërimi i zv/ministrave të PDIU-së është kryer në kundërshtim me vullnetin vendimmarrës të partisë. Cili është komenti juaj?

 Siç e kam theksuar më parë publikisht, emërimi i zv/ministrave të PDIU-së është kryer në kundërshtim me vullnetin vendimmarrës të partisë. Kam bërë me dije që unë dhe pjesa më e madhe e anëtareve të partisë nuk kishim dhe nuk kemi asnjë dijeni, derisa pamë në titra emërimet e tyre. Në mungesë të zgjedhjeve të partisë dhe rrjedhimisht të strukturave të saj, deklaroj që ky nuk është një vendim forumesh, por një vendim personal i kryetarit. Jam tërësisht i indinjuar të marr vesh këtë lajm nga mediat, tërësisht i indinjuar që vendime të tilla kryen në kundërshtim të plotë me vullnetin vendimmarrës të PDIU-së. Sot, nuk është marrë parasysh Vlora, Saranda, si qytete të një qarku që nxori deputetin e parë të PDIU-së dhe pikërisht ky qark është hambari i votave dhe i mbështetjes së kësaj partie. Nuk u mor parasysh Fieri e Lushnja, në të cilat, veç për mangësi elektorale dhe për pak vota, PDI-ja humbi mandatin e dytë. Prisja një reagim zyrtar dhe publik nga vet kryetari i partisë dhe mora përgjigje nga figura honorifike e saj. Si Presidenti i fundit i Nderit, akoma në detyrë, i kërkova të ruajë dinjitetin. Është i lutur për të ndërhyrë në aktivitete festive dhe ngjarje të shënuara, por jo të ngatërrohet në punët dhe aktivitetin e përditshëm të partisë, sepse i ndalohet me statut. Ndoshta ngaqë ne çamët nuk kemi pasur më parë një President Nderi, i krijohet konfuzion edhe zotërisë në fjalë, duke mos pasur stabilitet brenda figurës që statuti krijon. Ne, fillimisht, duhet të organizojmë partinë, të organizojmë degët në çdo qytet, të organizojmë një asamble të përgjithshme, e cila, duke filluar nga kryetari (të votohet në një asamble të tillë të përzgjedhur nga strukturat tona) të votojë të gjithë komunitetin, mbështetësit dhe dashamirësit tanë. Shmangia e një organizimi të tillë, sjell veç përçarje në komunitetit dhe mungesë demokracie të theksuar në parti. E logjikisht, kur të ekzistonin këto struktura, mund të votonte kryesia e partisë për të gjithë ata që do të na përfaqësonin administrativisht. Për momentin, njerëz që nuk mbajnë ndonjë peshë specifike në fushata zgjedhore, punë partie, që kanë treguar ndonjë aftësi tjetër organizative apo figura të shfaqura, nuk e di se ku (asnjë çam nuk i njeh), na përfaqësojnë sot, pa të drejtë, në administratë. Luftuan dhe punuan shumë patriotët tanët të nxirrnin deputetë e të përfaqësoheshin në qeverisje lokale dhe tani, në mosdije të plotë, ata shohin nga ekrani se frytet e punës së tyre po i fitojnë lloj-lloj anonimësh. Me këtë mendësi, nuk shkohet më në zgjedhje e s’kemi fytyrë e kurajë për t’i dalë më komunitetit çam përpara. Ndaj, kërkoj me urgjencë një mbledhje të përfaqësuesve të të gjitha grupeve nismëtare tona, për ta diskutuar publikisht dhe në prani të mediave këtë çështje. Kërkoj një prononcim publik nga kryetari aktual i PDIU-së dhe kërkoj një transparencë totale në çdo gjë që do vendoset, si e vetmja mënyrë që të kemi kurajë të përballemi me votuesit tanë përsëri.

- Pas emërimit të dy z/ministrave të PDIU-së në qeveri, ka pasur dhe një reagim nga Ministria e Jashtme greke, lidhur me këtë. Reagimi juaj zyrtar ka qenë i ashpër. Mendoni se shtetit grek duhet t’i tregohet vendi njëherë e përgjithmonë, për të mos ndërhyrë në gjëra kaq të brendshme të vendit tonë?

Edhe kjo histori vlen të përmendet. Deklarata ime për mediat, në lidhje me këtë rast, u censurua në mënyrë të çuditshme. Nuk e di nëse me ndërhyrje të jashtme apo shumë të brendshme, por emri im u përmend për pak minuta në disa media, gjë që përbënte një turp në vetvete, kushdo ka qenë iniciatori. Për të vijuar me pyetjen tuaj: PDIU-ja është më shumë se pala greke e interesuar për marrëdhënie të fqinjësisë së mirë, sepse kështu ne e shohim veten më pranë njëri-tjetrit, me pranë së drejtës sonë, me pranë pronave dhe shtëpive tona, te cilat Greqia, forcërisht dhe pa asnjë të drejtë, po na i mohon akoma dhe sot. Siç kam theksuar edhe më parë: “Leksionet e MPJ-së të Greqisë, shpresoj të vlejnë për të dy palët dhe të respektojnë marrëdhënien e reciprocitetit. Marrëdhënie e mirë është edhe të mos pengojnë një deputet të Parlamentit të Shqipërisë të vizitojë pronat e veta dhe shtëpinë ku kanë lindur të parët e vet, në Çamëri; marrëdhënie e mirë është të mos pengojnë të moshuarit tanë në kufi për të vizituar shtëpitë e tyre të lindjes; marrëdhënie e mirë është të mos mbajnë më në këmbë ligje lufte dhe pengesa të tjera ligjore dhe administrative kundër nesh; marrëdhënie e mirë është edhe njohja e genocidit dhe kërkimi i faljes për ata mijëra të vdekur, të përndjekur, të vrarë e të përdhunuar, pa asnjë motiv”. Ne nuk jemi parti ultranacionaliste, si ato që ata kanë në parlamentin e tyre. Ne i respektojmë minoritetet dhe i mbështesim ato të bëhen pjesë e jetës sonë politike. Por është përtej kompetencave të tyre dhe reciprocitetit të sipërpërmendur të japin leksione se cila parti shqiptare duhet të bëjë pjesë në kabinetin qeveritar shqiptar, kur ne mirëpresim të gjithë minoritetin e tyre të jetë i përfaqësuar në të. Marrëdhënie e mirë është të mos vesh kushte për integrimin e Shqipërisë për të shpikur varre inekzistente me ushtarë grekë, duke na grabitur kockat e gjyshërve tanë për t’i mbushur ato, marrëdhënie e mirë është të respektohen vendimet e Gjykatës sonë Kushtetuese për marrëveshjen e ujërave, marrëdhënie e mirë është t’i dorëzojnë drejtësisë shqiptare të kërkuarit për dhunim të varreve dhe shumë të tjera si këto. Besoj se në reflektimin e tyre, marrëdhënia e mirë përcaktohet nga standarde dhe parime ndërkombëtare dhe jo nga dëshirat dhe ëndrrat tuaja të hershme politike. Këto ndërhyrje nuk janë serioze dhe të denja për vitet që jetojmë dhe për aspiratat europiane që kanë të dy shtetet.

- Ndërkohë, nga ju është kërkuar nisja e trajtimit ligjor ndërkombëtar për çështjen çame. Çfarë mund të na thoni më tepër për këtë?

 Ka qenë një premtim i madh i yni, si parti, kjo çështje. Erdhi në Shqipëri një studio angleze dhe u premtuam prindërve dhe gjyshërve tanë se do të nisnim një betejë ligjore në çdo institucion ligjor europian që do të ishte i nevojshëm. Unë, madje, kam bërë edhe kontributin tim financiar pranë partisë për këtë çështje. Me dhimbje dhe i përulur përpara komunitetit, theksoj se akoma, në dijeninë time gjithmonë, nuk ka nisur një përpjekje e tillë serioze. Ndaj kërkoj me urgjencë ngritjen e strukturave të partisë që të ngarkojmë njerëz me këto detyra dhe përgjegjësi dhe, realisht, të shohim dhe të prekim hapat e para pozitive dhe mos të mbajnë më shpresa të kota të moshuarit tanë, në ditët e fundit të jetës së tyre. Edhe për këtë çështje kërkohet prononcim publik, me fakte e jo me fjalë boshe.

- Zoti Tahiri, para pak kohësh, ju keni zhvilluar një vizitë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku jeni takuar me kongresmenë, zyrtarë të lartë dhe përfaqësues të Kongresit dhe Senatit Amerikan. Ishte një lobim dhe sensibilizim për çështjen çame? Cila është mbështetja që ju morët?

Pak kohë më parë, zhvillova një vizitë pune në Uashington të SHBA-ve, ku pata rastin dhe mundësinë të takohem me zyrtarë të lartë dhe përfaqësues të Kongresit dhe Senatit Amerikan. Midis takimeve të shumta vlen të përmendet takimi me Anëtarin e Komitetit të Jashtëm dhe Kryetarin e N/Komitetit të Hapësirës dhe Aeronautikës, Kongresmenin Dana Rohrabacher. Në këtë takim, u fol edhe për çështjen çame dhe iu bë me dije Kongresmenit Rohrabacher përpjekja e deritanishme e PDIU-së, për të arritur një pasqyrim të qartë të problemit çam dhe për të gjetur hapësirat e nevojshme për sensibilizimin e faktorit ndërkombëtar dhe atë amerikan në këtë çështje. Gjatë takimeve në Kongresin Amerikan u prita edhe nga Kongresmeni Frank Wolf, me të cilin është folur për zhvillimet në Shqipëri dhe përpjekjet e mazhorancës për marrjen e statusit kandidat në Bashkimin Europian. Edhe Kongresmenit Wolf i është bërë me dije problemi i Çamërisë dhe, gjithashtu, rruga paqësore dhe institucionale që po ndiqet për sensibilizimin e vendeve perëndimore për zgjidhjen e kësaj çështjeje. Takime të tjera janë kryer edhe me anëtarët e Komitetit të Ligjeve Kongresmenin Louie Gohmert dhe Kongresmenin Steve King. Edhe në këto takime, kam lobuar për çështjen çame, duke bërë prezente vuajtjet e kësaj popullate dhe kërkesat për njohjen e të drejtave të tyre forcërisht të dhunuara. U ra dakord për të vijuar kontaktet dhe intensifikuar takimet për të qenë sa më të suksesshëm në promovimin dhe zgjidhjen përfundimtare të kësaj çështjeje me rëndësi jetike për ne.

- Para dy ditësh, deputeti socialist, Artan Gaci, u ka kërkuar deputetëve të qarqeve bregdetare të votojnë shfuqizimin e moratoriumit të mjeteve lundruese. Sot, ne jemi një vend i NATO-s, mendoni se pas kaq vitesh duhet të shfuqizohet ky moratorium, pasi ka efekte dëmtuese për turizmin?

Ne jemi të mendimit që të përshpejtohet për të zhvilluar turizmin ndërmjet zhvillimit të porteve të jahteve dhe barkave me vela. Shumë punë duhet bërë në këtë fushë dhe këtu të gjithë duhet të kërkojmë të mos vonohemi më asnjë ditë. Kjo është pikërisht ajo që na mungon më shumë, krahasuar me fqinjët tanë dhe këto porte do ta ngrinin turizmin tonë në një nivel elitar, të kontrolluar dhe në respekt të plotë me rregullat e sigurisë detare dhe ambientale.


Komentet janë të mbyllura

Foto Lajme

Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i përmbajtjes së këtij portali © 2013 Gazeta Republika | Designed by Keminet | Log in
Close
Ndiqni Gazeta Republika në Facebook
Informohuni mbi ngjarjet kryesore të ditës duke na ndjekur në Facebook.