Fëmijët me autizëm, Liri Berisha: Programe trajnimi për mjekët dhe profesionistët e tjerë

Publikuar më: 31/03/2012 8:22

Fondacioni “Fëmijët Shqiptarë” zhvillon seminarin: Autizmi, një sfidë për shëndetin publik dhe shoqërinë

Në kuadër të Ditës Botërore të Kombeve të Bashkuara mbi Autizmin dhe me rastin e botimit në shqip të librit “Fëmijët me Autizëm” të autorit Michael Power, Fondacioni “Fëmijët Shqiptarë” dhe Ministria e Shëndetësisë, zhvilluan dje, në Qendrën Rajonale seminarin me temë: “Fëmijët me Autizëm: një sfidë për shëndetin publik dhe shoqërinë”. Qëllimi i këtij seminari ishte ndikimi në aktoret kyç të sistemit shëndetësor për të fuqizuar kapacitetet e tij në identifikimin e hershëm, mbështetjen ndaj familjeve të fëmijëve me probleme të spektrit autik, fuqizimin dhe rolin e mjekëve pediatër dhe të konsultoreve në përballimin e kësaj sfide. Presidentja e Fondacionit “Fëmijët Shqiptarë”, Liri Berisha, tha se gjatë viteve të fundit janë bërë përpjekje serioze për sensibilizimin e opinionin publik, njëkohësisht janë rritur bashkëpunimet me aktorë kryesorë brenda dhe jashtë vendit me qëllimin e vetëm “të bashkohen forcat për të ndihmuar këtë kategori në nevojë”. “Zhvillimet tona kanë marrë vëmendje, inkurajim dhe vlerësime shumë të mira nga organizatat më prestigjioze në fushën e autizimit. Por, vazhdimisht, kam pasur një merak: si të arrijmë të ndikojmë në familjet më të largëta e më të varfra të vendit, sepse ndoshta aty është sfida më e madhe e suksesit të punës sonë. Më lejoni t’ju kërkoj me përulësi e dashuri të bëhemi aleatë e bashkëpunëtorë të ngushtë në këtë iniciativë, jo vetëm në pozicionet e detyrës tuaj, por si profesionistë që keni mundësi të dhuroni pjesë nga mirësia juaj ndaj njerëzve në nevojë e atyre që vuajnë. Sot, ju prezantojmë publikimin në shqip të një libri për prindërit. Gjykoj që nuk është  thjeshtë plotësimi i një mungese në bibliotekë: është një udhërrëfyes i mrekullueshëm për prindin në nevojën që të orientohet e kuptojë se si duhet t’i shërbejë fëmijës e familjes së tij, si të punojë pa humbur kohë për të ardhmen e fëmijës se tij. Libri “Fëmijët me Autizëm” është një libër shumë i mirë për çdo pediatër, edukator çerdheje a kopshti, e profesionistët e tjerë që punojnë me fëmijët me autizëm. Falë mbështetjes së Zyrës Zvicerane të Bashkëpunimit Ndërkombëtar, libri shpërndahet falas dhe ne do të donim që të shkonte në çdo cep të vendit”,- tha Znj. Berisha. Më tej, Presidentja e Fondacionit “Fëmijët Shqiptarë” tha se “së shpejti, ne do të nisim një program intensiv trajnimesh, për të cilin do të përdorim edhe pajisjet e telekonferencës që kemi instaluar në qendër. Ne do të kemi shumë nevojë për bashkëpunimin tuaj aktiv që të sigurojmë se të gjithë mjekët pediatër apo profesionistët e tjerë të kenë mundësi të bëhen pjesë e aktiviteteve tona pasi besojmë fort se fuqia e dijeve mund të shndërrohet në armen tonë kryesore”,- përfundoi fjalën e saj, znj. Berisha.

Ndërsa nga ana e tij, ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili, e vlerësoi me optimizëm hapjen e mundësive për bashkëpunim me Qendrën Rajonale të Autizimit, pasi modeli i punës së konsoliduar në drejtim të vlerësimit, diagnostikimit dhe trajtimit të fëmijëve me çrregullim të spektrit autik nga kjo qendër ecën paralelisht me qendrat e saj simotra më të zhvilluara në Europë. Ministri Vasili tha se: “Sot, punonjësit e shëndetit publik janë në një qendër e cila është promotore e metodave më të mira shkencore që ofrohen sot për sot në fushën e Autizmit. Takimi i sotëm i hap rrugë bashkëpunimit intensiv të Fondacionit “Fëmijët Shqiptarë”, me Ministrinë e Shëndetësisë për të përcaktuar modelin e ngritjes së Qendrave Rajonale të Autizmit në të gjithë vendin. Detyra nuk do të kenë vetëm qendrat rajonale por i gjithë sistemi, që nga specialistët, mjekët pediatër, ata të familjes etj. Në rast se vëmendja nuk është kapilare, ne nuk mund ta fitojmë betejën kundër Autizmit. Duke pasur të konsoliduar praktikën më të mirë me Fondacionin, ne ndërtojmë jo vetëm qendra, por edhe prodhojmë module të konsoliduara, literaturë të konsoliduar. Seti i punës nga Fondacioni është i plotë dhe profesional”. Fondacioni i Fëmijëve Shqiptarë dhe Ministria e Shëndetësisë synon që të shtrijnë ndikimin e aktiviteteve ndërgjegjësuese dhe zhvillimeve pozitive të derisotme në fushën e Autizmit në të gjithë vendin.

Komentet janë të mbyllura

Foto Lajme

Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i përmbajtjes së këtij portali © 2013 Gazeta Republika | Designed by Keminet | Log in
Close
Ndiqni Gazeta Republika në Facebook
Informohuni mbi ngjarjet kryesore të ditës duke na ndjekur në Facebook.