Gratë, si përfitohet shpërblimi i lindjes

Publikuar më: 25/03/2012 18:44

Speciale/ Instituti i Sigurimeve Shoqërore publikon kriteret për të përfituar pagesat për leje lindje

Gratë, si përfitohet shpërblimi i lindjes

Periudha e sigurimit që kërkohet për t’u përfshirë në skemë dhe masa e plotë e përfitimit. Dosja e plotë e dokumenteve që duhen dorëzuar dhe të ardhurat për kompensim

Instituti i Sigurimeve Shoqërore publikon rregullat e reja që gratë shtatzëna të përfitojnë të ardhura për barrëlindje. Kështu, specialistë të ISSH-së thonë se “mbështetur në ligjin Nr. 7703, datë 11.05.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, e ardhura për barrëlindje i paguhet gruas së siguruar për barrën dhe lindjen e fëmijës, kur ajo ka 12 muaj periudhë sigurimi, për çdo rast përfitimi. Nga ky rregull përjashtohen rastet kur gjatë periudhës së përfitimit të barrëlindjes, gruaja ka kushte për një përfitim të ri barrëlindje. Periudha e përfitimit do të jetë 365 ditë kalendarike, duke përfshirë një minimum prej 35 ditësh para dhe 42 ditësh pas lindjes së fëmijës. Për gruan që do të ketë në barrë më shumë se një fëmijë, periudha e përfitimit do te jetë 390 ditë kalendarike, duke përfshirë një minimum prej 60 ditë para dhe 42 ditë pas lindjes së fëmijëve”,- thonë përfaqësues të Sigurimeve Shoqërore. E ardhura për barrëlindje për gruan e siguruar është:

- 80 për qind e mesatares ditore të bazës së vlerësueshme të vitit të fundit kalendarik për periudhën e paralindjes dhe për 150 ditë kalendarike pas lindjes;

- 50 për qind e mesatares ditore të bazës së vlerësueshme të vitit të fundit kalendarik për periudhën tjetër në vazhdim.

Më tej, specialistët e ISSH-së thonë se “E ardhura për barrëlindje për gratë ekonomikisht aktive është e barabarte me nivelin bazë të pensionit të pleqërisë. Nëna që birëson fëmijën e moshës deri në 1 vjeç dhe që ka qenë e siguruar jo më pak se 12 muaj, ka të drejte për leje pas lindjes, e cila fillon ditën e birësimit, por jo më parë se pas ditës së 42 të lindjes së fëmijës, dhe vazhdon jo me shumë se 330 ditë nga dita e lindjes së fëmijës. Minimumi i lejes për birësuesen është 28 ditë. Kur një fëmijë është birësuar gjatë lejes së lindjes, nëna që ka lindur, do të ketë një periudhë përfitimi deri në ditën e birësimit, por jo me pak se 42 ditë pas lindjes”, – thonë përfaqësues të Sigurimeve Shoqërore.

E ardhura për kompensimin për shtatzëni

Gruaja e siguruar, që me vendim të komisionit mjekësor kompetent ndryshon vendin e punës për arsye shtatzënie, ka të drejtë të përfitojë kompensim të ardhurash nga ndryshimi i vendit të punës. Ky kompensim jepet në rast se është derdhur kontribut për një kohë jo më pak se 12 muaj. Shuma e të ardhurave që do të përfitohen për kompensim është e barabartë me diferencën ndërmjet pagesës së vendit të punës së mëparshme dhe pagës së vendit të punës së re. Ky kompensim nuk mund të jetë më shumë se 50 për qind e mesatares ditore të bazës së vlerësueshme të vitit të fundit kalendarik.

Shpërblim për lindje

- Shpërblimi për lindje fëmije i paguhet një personi të siguruar, i cili është nëna ose babai i fëmijës që lind, me kusht që njëri prej tyre të ketë kontribuar për një vit para lindjes së fëmijës;

- Shpërblimi bëhet i pagueshëm vetëm një herë dhe nëna do të ketë parësi në përfitimin e pagesës, në rast se ajo është e siguruar.

- Shpërblimi për çdo fëmijë të lindur do të jetë një shumë e barabartë me 50 për qind të pagës minimale mujore, të miratuar me VKM, në momentin e lindjes së të drejtës.

 1. Baza ligjore:

a) Neni 29, i ligjit nr. 7703, datë 11.05.1993, “Për Sigurimet Shoqërore në Republikën e Shqipërisë“, i ndryshuar.

2. Dokumentacioni:

a) Certifikata e lindjes së fëmijës;

b) Libreza e periudhës kontributive;

c) Vërtetimi i vjetërsisë në punë dhe derdhjet kontributive

Komentet janë të mbyllura

Foto Lajme

Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i përmbajtjes së këtij portali © 2013 Gazeta Republika | Designed by Keminet | Log in
Close
Ndiqni Gazeta Republika në Facebook
Informohuni mbi ngjarjet kryesore të ditës duke na ndjekur në Facebook.