Konsumatori shqiptar, sa zbatohen të drejtat e tij

Publikuar më: 15/03/2012 8:54

Sot, Dita Ndërkombëtare e të Drejtave të Konsumatorit, flet Islam Cani dhe Hajredin Toci, përfaqësues të SHKSH-së

Sa të kënaqur janë qytetarët për shërbimet që u ofrohen. Numri i ankesave që vijnë çdo vit, nga konsumatorët, pranë Shoqatës së Konsumatorit Shqiptar 

15 marsi njihet ndryshe si Dita Botërore e të Drejtave të Konsumatorit dhe përkujtohet në shumë vende të Europës, por dhe në Shqipëri. “Çdo vit, Organizata Botërore bën një përkujtim të themelimit të saj për shoqatat për mbrojtjet e konsumatorëve, që ndodhet në Londër, ndryshe Organizata Internacionale e Konsumatorëve. Kështu, edhe në Shqipëri, si pjesë anëtare e kësaj organizate, prej 19 vitesh, kujtojmë këtë ditë, madje dhe protestojmë”. Kështu shprehet për “Republikën”, Islam Cani, kreu i Shoqatës së Konsumatorit Shqiptar. Në shumë vende të botës, sidomos në Europë, që nga viti 1936 e deri më sot, Anglia, Franca, Kanadaja, Australia e përkujtojnë këtë ditë, madje dhe me protesta. “Duke nisur nga viti 1997, në vendin tonë, për herë të parë, me kërkesën e Shoqatës së Konsumatorit, e cila është krijuar në 15 mars të vitit 1990, në ‘91-shin u gjet një mundësi për të krijuar një kod civil. Në vitin 1991, shoqata jonë është miratuar me ligj dhe deri atëherë ekzistonin tetë të drejtat e konsumatorit shqiptar, që u përcaktuan me ligj”, – bën me dije më tej, kreu i SHKSH-së, Cani. Këtyre të drejtave, sot, iu janë shtuar dhe dy të tjera, kërkesa të shoqatave për mbrojtjen e konsumatorit. “Këto ndryshime erdhën si rrjedhojë e shumë probleme, siç ishin sektori i ndërtimeve apo dhe çështjeve komunale. Ndërkohë, një tjetër çështje ishte dhe ajo e turizmit. Ndonëse ekzistonin tre ligje, mungonin aktet nënligjore dhe në vitin 2008, u krijuar disa nga këto akte nënligjore, siç ishin paketat për turizmin apo ajo për mjedisin, siç është dhe çështja e pirjes së duhanit. Ne mund të themi me shumë mburrje se kemi institucione dhe ligje shumë të mira, sepse janë krijuar me anë të konsultimeve të vendeve evropiane, siç është dhe Belgjika”, – shton më tej Islam Cani.

Sa zbatohen ligjet për mbrojtjen e konsumatorit

Ndonëse ekzistojnë ligjet për mbrojtjen e konsumatorit shqiptar, ai ende ndihet i pambrojtur në shumë drejtime. Konsumatorët shqiptarë po vuajnë një sërë problemesh që mbeten ende të pazgjidhura. “Për sa i takon zbatimit të këtyre ligjeve, ne mund të jemi shumë mbrapa. Deri në vitin 2005, mund të them se në vendin tonë, gjërat për sa u takon të drejtave të konsumatorëve shqiptarë funksionin shumë mirë. Ndonëse tek ne ekzistojnë ligjet, duhet thënë se konsumatorët shqiptarë nuk janë të mbrojtur, pasi ende duhet të rregullohen shumë gjëra. Krijimi i këtyre strukturave (veprim që duhet përgëzuar), ende nuk i ka shuar shumë probleme që vazhdojnë të shqetësojnë konsumatorët shqiptarë”,- shton më tej Islam Cani. Sipas Canit, një ndër problemet, me të cilat përballet konsumatori shqiptar është dhe uji i pijshëm, të cilit, përveç se i mungon cilësia, edhe çmimi është rritur për shumë qytete (rasti i kryeqytetit). Ka dhe shumë ente të tjera që ende nuk funksionojnë. Ndërkohë, një tjetër problem është dhe çmimi i lartë i gazit dhe karburanteve, të cilat, duhet thënë, janë të papërballueshme për konsumatorët shqiptarë dhe për buxhetin e tyre. “Kështu, nafta është pa cilësi në shumë pika karburanti, pasi ajo përzihet me squfur, madje prish edhe motorin e makinës. Ka një mori kërkesash që vazhdojnë të ngelen të pazgjidhura”,- bëri me dije Islam Cani. 

A duhet të protestojnë konsumatorët shqiptarë

Duhet thënë se konsumatorët shqiptarë kanë shumë probleme, madje për kërkesat që mbeten të pazgjidhura, ata duhet të ngrihen në protesta. “Duhet thënë se ne, si popull, nuk e kemi në kulturë të ngrihemi në protesta. Por ajo që duhet thënë është fakti se konsumatorët shqiptarë ndihen të lodhur. Ndonëse të lodhur, konsumatorët shqiptarë janë më të ndërgjegjësuar. Kjo duket dhe në numrin e madh të ankesave që vijnë pranë shoqatës sonë. Duhet thënë se pranë shoqatës sonë vijnë rreth 15 mijë kërkesa dhe ankesa çdo vit, gjë që tregon se qytetari po ndërgjegjësohet dhe reagon në këtë formë”,- shprehet më tej Islam Cani. Sipas Canit, nuk ka mundësi që të shkohet në Europë, pa mbrojtur dhe forcuar ligjet për mbrojtjen e konsumatorit dhe forcuar shoqëritë civile. 

Dita Botërore e të Drejtave të Konsumatorit

Më 15 mars 1962, ish-Presidenti amerikan, John F. Kennedy, ka thënë: “Konsumatorët, nga përkufizimi, na përfshijnë të gjithë ne. Ata janë grupi më i madh ekonomik, duke ndikuar dhe ndikohen nga pothuajse çdo vendim publik dhe privat ekonomik. Megjithatë, ata janë grupi i vetëm i rëndësishëm, pikëpamjet e të cilit nuk janë dëgjuar shpesh”. Dhe John F. Kennedy formuloi katër të drejta për konsumatorët:

- të drejtën për siguri,

- të drejtën për t’u informuar,

- të drejtën për të zgjedhur,

- të drejtën për t’u dëgjuar.

“Në përkujtim të kësaj ngjarjeje, kjo ditë festohet si Dita Botërore e të Drejtave të Konsumatorit, qëllimi kryesor i së cilës është të nxjerrë në pah të drejtat e konsumatorëve dhe të dyja së bashku, atë në mes të konsumatorëve dhe bizneseve”, – shprehet për “Republikën”, Hajredin Toca, specialisti ekonomiko-financiar pranë SHKSH-së. Këtë vit, për herë të parë, Komisioni Evropian, filloi një nismë për të festuar 15 Marsin si “Dita e Konsumatorit Evropian”, si një mjet për të diskutuar dhe promovuar mundësitë e ofruara nga anëtarësimi në BE për konsumatorët. Me punën e saj 50-vjeçare organizata internacionale e Konsumatorëve, i çoi në tetë të drejtat themelore të konsumatorit, të cilat janë:

 1. E drejta e plotësimit të nevojave themelore – të kenë ushqim të mjaftueshëm, veshmbathje, strehim, kujdes shëndetësor, arsim, shërbime publike.

 2. E drejta për të qenë të sigurt – për t’u mbrojtur kundër produkteve, proceset e prodhimit dhe shërbimeve, të cilat janë të rrezikshme për shëndetin ose jetën.

 3. E drejta për t’u informuar – për të marrë faktet e nevojshme për të bërë një zgjedhje në bazë të informacionit dhe për t’u mbrojtur nga reklamat e pandershme ose mashtruese dhe etiketimin.

 4. E drejta për të bërë zgjedhje – të jetë në gjendje për të zgjedhur nga një gamë e produkteve dhe shërbimeve, të ofruara me çmime konkurruese me sigurimin e cilësisë të kënaqshme

 5. E drejta për t’u dëgjuar – në bërjen dhe zbatimin e politikave qeveritare, si dhe në zhvillimin e produkteve dhe shërbimeve.

 6. E drejta për t’u dëmshpërblyer – për të marrë një zgjidhje të drejtë jo vetëm të kërkesave apo për prezantimin e rrejshëm të mallrave dhe të cilësisë së ulët ose shërbime të pakënaqshme, por duke përfshirë edhe kompensimin, dëmin e shkaktuar.

 7. E drejta për t’u arsimuar – të fitojë njohuritë dhe aftësitë e nevojshme për të bërë të mundur marrjen e informacionit, për të bërë zgjedhje të sigurt për mallra dhe shërbime, duke qenë të vetëdijshëm për të drejtat themelore të konsumatorit dhe përgjegjësitë dhe se si të veprojnë me to.

 8. E drejta për të jetuar në një mjedis të shëndetshëm – pra të jetojnë dhe punojnë në një mjedis që është jo kërcënues për mirëqenien e brezave të sotëm dhe të ardhshëm.

 “Tema për Ditën e të Drejtave të Konsumatorit Botëror (WCRD) në vitin 2012 është:

 “Paratë tona, të drejtat tona: fushatë për marrëveshjen më të mirë në shërbimet financiare”,-shton më tej Hajredin Toca.

 

“Të kërkojë të zgjedhë” – një e drejtë themelore e konsumatorit

Sipas specialistit të SHKSH-së, konsumatorët në mbarë botën janë duke u përballur dhe janë duke marrë marrëveshje të këqija nga shërbimet financiare. Për shembull, konsumatorët shpesh kanë vështirësi të kuptojnë produktet e ndryshme financiare, qoftë për shkak të mungesës së informacionit apo dhe për shkak se vetë produktet janë shumë komplekse ose të dyja së bashku. “Kjo është e vërtetë edhe për vendin tonë për të gjitha llojet e shërbimeve financiare – nga llogaritë bankare, kreditë si dhe për transfertat e parave”,-shton më tej Hajredin Toca. Një ndër problemet e shumta, me të cilat haset konsumatori ynë është dhe ai që lidhet me llogaritë bankare. Kështu, në shumë raste, konsumatori konstaton se paguan shumë komisione në një kohë që sot duhet të veprojnë të gjithë me bankë dhe jo me para të thata në dorë. “Bankat vendosin në ambientet e tyre lloj-lloj fletëpalosjesh ku u bëjnë thirrje klientëve që të marrin këtë shërbim apo atë shërbim. Por kur janë pyetur konsumatorët se nëse i kuptojnë këto fletëpalosje, pjesa më e madhe janë përgjigjur jo. Në to shkruhet vetëm reklamë, kurse pjesa e komisioneve të llogarive në disa banka ose institucione financiare vendoset në stenda dhe me shkronja të vogla që mezi lexohen, në disa të tjera duhet të shkosh të pyesësh një specialist të bankës. Ne konstatojmë se jo të gjithë klientët kanë formimin e duhur arsimor për të kuptuar se si veprohet me një llogari bankare rrjedhëse apo depozite”,- bën me dije më tej specialisti Hajredin Toci. Sipas zotit Toci, në rastin kur konsumatori merr një kredi, pak informohet, si për komisionet, edhe për ndëshkimet që e presin, në rast mosplotësimi të pikave të marrëveshjes së kredisë. “Interesi i kredisë është më i lartë se kudo, krahasuar dhe me vendet e tjera të rajonit. Kushti i monedhës në të cilën jepet kredia është një element tjetër që rëndon konsumatorin, sepse të ardhurat i ka në lekë dhe kredia i ofrohet në euro, kështu që garancia për kredinë është shumë e madhe”. Ndërkohë, sipas specialistit Hajredin Toci, një tjetër problem që shqetëson konsumatorët shqiptarë është ai i transfertave të parave, të cilat, në shumë raste, kanë shumë komision. “Vetëm kaq mjafton për të kuptuar se sa dëmtohet konsumatori shqiptar nga mungesa e konkurrencës si dhe nga mungesa e mbikëqyrjes së tregut transfertave. Për këto e shërbime të tjera, SHKSH ka marrë rreth 60 ankesa nga konsumatorët, si për mbajtjen jo mirë të llogarisë, llogaritje jo të saktë të interesave dhe ndryshim interesi pa njoftim, shkelje të kontratave, mosdhënie kredie, komisione të larta etj. Për pjesën më të madhe kemi kërkuar sqarimin dhe zgjidhjen e ankesës tek operatorët e tregut financiar, të cilët jo gjithmonë japin zgjidhje siç duhet”, – shton më tej Hajredin Toci. Më tej, specialisti shton se: “Shoqata e Konsumatorit Shqiptar do të ngrejë zërin pranë qeverisë, Bankës së Shqipërisë, institucioneve mbikëqyrëse, për ankesat e konsumatorëve ndaj operatorëve në tregun e shërbimeve financiare. Si dhe do të kërkojmë përmirësimin e paketës së shërbimeve në të gjithë territorin e vendit, pasi zonat larg qendrave të qyteteve nuk marrin shërbim financiar”, – përfundon Hajredin Toci, specialisti ekonomiko-financiar pranë Shoqatës së Konsumatorit Shqiptar.

Komentet janë të mbyllura

Foto Lajme

Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i përmbajtjes së këtij portali © 2013 Gazeta Republika | Designed by Keminet | Log in
Close
Ndiqni Gazeta Republika në Facebook
Informohuni mbi ngjarjet kryesore të ditës duke na ndjekur në Facebook.