Mjekët dhe stomatologët, rregullat e reja për Provimin e Shtetit

Publikuar më: 13/03/2012 10:09

Urdhri Kombëtar i Mjekëve: Kandidatët mund të regjistrohen për provim, nga data 23 mars deri më 3 prill 2012 

Lista e plotë e dokumenteve që duhet të dorëzojnë kandidatët që hyjnë për herë të parë dhe mbetësit e provimit të kaluar. Formulari i ri për aplikim 

Nis, zyrtarisht, regjistrimi i mjekëve të rinj për Provimin e Shtetit. Kështu, në mbështetje të ligjit 10171, datë 22.10.2009, “Për profesionet e rregulluara në Republikën e Shqipërisë dhe të Rregullores së Provimit të Shtetit, të diplomuarit për Mjekësi dhe Stomatologji, nga data 23 mars 2012 deri më 03 prill 2012, mund të kryejnë regjistrimin zyrtar pranë zyrave të Këshillit Kombëtar të Urdhrit të Mjekëve për Provimin e Shtetit. Përveç kërkesës për regjistrim, aplikantët duhet të dorëzojnë disa dokumente të tjera që vërtetojnë saktësisht pjesëmarrjen e kandidatëve në provim. Kështu dosja e do të përmbajë dokumente si: Kërkesë me shkrim për regjistrim ( kjo kërkesë behet nga kandidati, në Format A4 me kompjuter); Formulari i Aplikimit (shkarkohet në faqen e internetit www.urdhrimjekeve.org.al), fotokopje e letërnjoftimit; fotokopje e noterizuar e diplomës së studimeve universitare; fotokopje e noterizuar e suplementit të diplomës e lëshuar nga Institucioni i Arsimit të Lartë, në mungesë të tij, lista e notave e noterizuar, Librezën e Praktikës Profesionale (e plotësuar) lëshuar nga Këshilli Kombëtar i Urdhrit të Mjekëve të Shqipërisë; raporti mjeko-ligjor; dëshmi penaliteti; vërtetim nga prokuroria që nuk është në ndjekje penale dhe 2 fotografi të formatit të pasaportës.

Kandidatët që nuk kaluan provimin e mëparshëm

 Burime pranë Urdhrit Kombëtar të Mjekëve thonë se të gjithë kandidatët që u regjistruan zyrtarisht për Provimin e Shtetit, i cili u zhvillua në janar 2012 dhe nuk mundën ta merrnin mund të futen në Provimin e ardhshëm. Kandidatët për të qenë pjesëmarrës mund të rinovojnë vetëm këto dokumente:

1. Dëshmi Penaliteti;

2. Raportin mjeko-ligjor;

3. Vërtetimin nga prokuroria që nuk është në ndjekje penale.

Ndërkohë, më tej, specialist pranë Urdhrit të mjekëve konfirmojnë se nëse suplementi i diplomës nuk do të dorëzohet në momentin e regjistrimit zyrtar për Provimin e Shtetit, do të dorëzohet në momentin e marrjes së liçensës nga Urdhri i Mjekëve.

 

Urdhri për praktikën profesionale

Njëkohësisht, Urdhri i Mjekëve publikon edhe urdhrin mbi zhvillimin e praktikës profesionale për kandidatët që do të hyjnë pas disa muajsh në provimin e shtetit. Konkretisht në të thuhet se “Në mbështetje të pikës 4 të nenit 102 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë dhe ligjit nr. 10171, datë 22.10.2009, për “Profesionet e rregulluara në Republikën e Shqipërisë”, Ministria e Shëndetësisë udhëzon:

- Zhvillimin e praktikës profesionale të profesionistëve të shëndetit në përputhje të plotë me detyrimet që rrjedhin nga ligji Nr. 101171, datë 22.10.2009”, për profesionet e rregulluara në Republikën e Shqipërisë”

- Praktika profesionale e profesionistit të shëndetit është aftësimi në ushtrimin e profesionit përkatës nga ana e studentit që ka mbaruar ciklin e plotë universitar në Universitetet e akredituara nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës.

- Kohëzgjatja për praktikën profesionale është 9 (nëntë) muaj për praktikantin mjek e stomatolog, 6 (gjashtë) muaj për praktikantin farmacist dhe 3 (tre ) muaj për praktikantin infermier, mami dhe fizeoterapist.

- Praktika profesionale të zhvillohet në institucionet shëndetësor përkatës, nën drejtimin dhe përgjegjësinë e profesionistit të shëndetit me përvojë profesionale 3 vjet.

- Praktikanti zgjedh në listat e shpallura për këtë qëllim institucionin shëndetësor përkatës dhe profesionistin e shëndetit që do ta drejtojë.

- Ministria e Shëndetësisë miraton listën e institucioneve shëndetësore që kanë të drejtë të pranojnë praktikantë. Kjo listë shpallet pranë urdhrave profesionalë përkatës.

- Urdhri profesional përkatës miraton dhe shpall listën e profesionistëve të shëndetit që kanë të drejtë të udhëheqin praktikantë

- Urdhrat profesionalë përkatës duhet të miratojnë programet e praktikës që duhet të ndjekë praktikanti për përvetësimin e dijeve të nevojshme.

Praktikanti gjatë kryerjes së praktikës mban dukshëm kartën e praktikantit të lëshuar nga urdhri përkatës

- Drejtuesi i praktikës lëshon një vërtetim të kryerjes së praktikës sipas programit të miratuar

- Ngarkohet Drejtoria Spitalore, Drejtoria e Shëndetit Publik, Drejtoria Farmaceutike pranë ministrisë së Shëndetësisë dhe Urdhrat Profesionalë përkatës për zbatimin e tij.

 Box

Dokumentet për regjistrim pranë Urdhrit të Mjekëve:

1. Kërkesë me shkrim për regjistrim (kjo kërkesë behet nga kandidati, në Format A4 me kompjuter);

2. Formulari i Aplikimit (shkarkohet ne faqen e internetit www.urdhrimjekeve.org.al )

3. Fotokopje e letërnjoftimit;

4. Fotokopje e noterizuar e diplomës së studimeve universitare;

5. Fotokopje e noterizuar e suplementit të diplomës e lëshuar nga Institucioni i Arsimit të Lartë, në mungesë të tij lista e notave e noterizuar.

6. Dorëzimi i librezës së Praktikës Profesionale (e plotësuar), lëshuar nga Këshilli Kombëtar i Urdhrit të Mjekëve të Shqipërisë;

7. Raporti mjeko-ligjor;

8. Dëshmi penaliteti;

9. Vërtetim nga prokuroria që nuk është në ndjekje penale;

10. 2 fotografi të formatit të pasaportës.

Dokumentet për jo kaluesit

 Për të gjithë ata që janë regjistruar zyrtarisht për Provimin e Shtetit (janar 2012) dhe nuk kanë mundur ta marrin atë dhe dëshirojnë të futen në Provimin e ardhshëm, do të rinovojnë vetëm këto dokumente:

1. Dëshmi penaliteti;

2. Raportin mjeko-ligjor;

3. Vërtetimin nga prokuroria që nuk është në ndjekje penale.

Komentet janë të mbyllura

Foto Lajme

Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i përmbajtjes së këtij portali © 2013 Gazeta Republika | Designed by Keminet | Log in
Close
Ndiqni Gazeta Republika në Facebook
Informohuni mbi ngjarjet kryesore të ditës duke na ndjekur në Facebook.