Muzetë e Vlorës kanë në fondin e tyre rreth 200 objekte arkeologjie

Publikuar më: 24/03/2012 13:13

Intervistë me historianin Skënder Spahiu, drejtor i Muzeut Historik Vlorë

Parathënie

Pasuria arkeologjike e Vlorës dhe rrethit të saj, aktualisht përbëhet nga ajo pjesë, e cila është e konservuar nëpër site arkeologjike, ndërkohë që pjesa tjetër gjendet në muzetë e qytetit të flamurit, në Tiranë dhe Apoloni. Kjo, e parë në një rrafsh tjetër, mund të përbëjë vetëm 3 për qind të pasurisë arkeologjike, pjesa kryesore gjendet nën tokë prej qindra vjetësh, është e panjohur në sasi, si dhe nuk dihet saktësisht se çfarë përmbajtje ka. Vetëm në qytetin antik Amantia janë të kartelizuara në këtë sit arkeologjik shumë objekte ku mund të përmenden: harku dhe porta e hyrjes juglindore, stadium, tempulli i Afroditës, muri i akropolit, kolone, muret e mbështetëse, Monedha e Amantias, pllakë me mbishkrim, godinë në qafë të Pazarit, bust mermeri, shkëmb të gdhendur, pus në shkëmb, pus uji, ndërtesa, nekropol, bazilika. Siti i Orikumit, rreth 20 nga të cilat përmenden muri rrethues, teatër, shkalla qendrore, rruga në ujërat e lagunës, kompleksi i godinave, Pusi Nr. 1, Pusi Nr. 2, Pusi Nr. 3, altari, antablent kolone, nekropol, monedhë, bazament me mbishkrim, vazo me kanylyra, gjysmë kolone, kolonë, varre në lagunë. Një listë me inventarin e pasurisë tjetër arkeologjike të shpërndarë nëpër objektet në rrethin e Vlorës gjendet në DRMK, Vlorë. Një pjesë e pasurisë arkeologjike të Vlorës është dërguar në muzetë arkeologjike, në Tiranë dhe Apoloni, gjatë viteve kur ushtronin veprimtarinë e tyre kërkimore ekspeditat arkeologjike në rrethin e Vlorës. E gjithë kjo pjesë është identifikuar. Tehu që cek thelbin. Pjesa e paidentifikuar, sa mund të jetë?

Sa objekte arkeologjike janë të këtij rrethi në Muzeun Historik Kombëtar, në Muzeun Arkeologjik, Apoloni dhe Tiranë?

E copëzuar është më lehtë të shkatërrohet. Për këto pikëpyetje dhe të tjera, një informacion mjaft të rëndësishëm na jep edhe drejtori i Muzeut Historik, Vlorë, Skënder Spahiu.

- Z. Spahiu, sa mundet të jetë numri i objekteve arkeologjike të grumbulluara nga ju në Muzeun Historik Arkeologjik të Vlorës dhe cilat ju përkasin prej siteve arkeologjike?

Muzetë e Vlorës kanë në fondin e tyre rreth 200 objekte arkeologjie si thika stralli, çekan guri, stela, etj., që fillojnë në periudhën e objekteve me vlera të qytetërimeve të krahinës, si Amantias, Orikut, Olimpias etj., objekte me vlera historike si veshje prej metali të periudhës (lirë, armë dhe vegla pune, enë qeramike, por dhe veshje karakteristike të krahinave të ndryshme, që bëjnë pjesë në Vlorë, të prodhuara në mënyra të ndryshme artizanale etj., por dhe vetë godinat karakteristike me vlera arkitekturore dhe historike, në të cilat janë ekspozuar objektet.

- Në Vlorë ka mjaft prej koleksionistë privatë. A i kanë të kartelizuara objektet që disponojnë në banesat e tyre, keni ndonjë informacion për këtë?

Kemi identifikuar dhe kemi kartelizuar një koleksion privat me objekte, kryesisht të etnografisë, të cilat specialistët e muzeut i dokumentuan dhe regjistruan në Qendrën Kombëtare te Regjistrimit dhe Inventarizimit. Janë 48 objekte të ekspozuara në ambiente private.

- Ekspeditat arkeologjike italo-shqiptare, që veprojnë në stinën e verës në gjirin e Vlorës, kanë bërë disa zbulime të rëndësishme në këtë pjesë detare. A janë dorëzuar objektet e tyre pranë muzeut tuaj?

Në Vlorë, falë një ekspedite italo-shqiptare nënujore, janë zbuluar objekte arkeologjike, të cilat i përkasin periudhës ilire dhe janë ekspozuar për qytetarët në Muzeun Historik të këtij qyteti. Objektet e fundit janë disa gjetje nënujore, kryesisht qeramike dhe bronzi, të ekspeditës italo-shqiptare që u eksploruan në gjirin e Vlorës para disa muajve.

- Në 100-vjetorin e Pavarësisë, çfarë duhet bërë për t’u njohur më mirë me dokumentet dhe dëshmitë historike që disponohen në muzeumin e Vlorës. A mendoni se Mozaiku i Mesaplikut që gjendet në DRMK Vlorë, mund të ekspozohet në muzeun tuaj?

Ne të dy muzeumet, kemi një numër të konsiderueshëm vizitorësh, por edhe specialistësh, të fushave arkeologji dhe etnografi, nxënës, student, të cilët organizojnë orë mësimi, praktikante të degës së turizmit, etj., pra edhe vizitorë ditore dhe pushues. Muzetë bashkëpunojnë me agjencitë në Vlorë, por edhe në Tiranë dhe këto agjenci i kanë përfshirë Muzetë e Qytetit në gulden e tyre dhe vazhdimisht kemi vizita të kësaj natyre në muzeun e Relikëve Arkeologjike dhe Historike dhe në Muzeun Etnografik të Vlorës.

 Projekti ynë konkret është:

1- Arredimi i brendshëm i ambienteve të muzeut, sepse është restauruar e gjithë godina.

2- Ndërtimi dhe ngritja e godinës ku u mbajtën mbledhjet e Kuvendit të Vlorës dhe ngritjes së flamurit.

3- Krijimi i një kompleksi muzeal në Vlorën e vjetër.

Të vendoset mozaiku në këtë muze, sepse ai do të jetë i ekspozueshëm për turistët e shumtë që mbërrijnë në këtë qytet në çdo sezon veror. Është i mbrojtur dhe do ta shtojë më shumë interesin.

Pasthënie

Para viteve ’90, ekspedita arkeologjike kanë gërmuar në sitet e Vlorës. Gërmimet e para u realizuan në Amantia, Orikum, Olympie, Cerje etj. Materiali arkeologjik i tyre u sistemua në Tiranë dhe, më vonë, në muzeumet e rrethit apo edhe në ato të fshatrave. Koleksioni i muzeve arkeologjike, historike të fshatrave nuk u dorëzua kurrë, pasi sistemi ndërroi në muzeumet kombëtare apo ato rajonale. Muzeu i Plocës u dogj dhe u vodh. Muzuemet e tjera që disponojnë objekte materiale, deri edhe monedha, përfunduan si pronë e tjetërsuar apo pasuri e fituar nga vendi i punës i atyre personave që ishin ngarkuar të bënin ciceronin, rojën e tij ose mbanin çelësat. Fshatra të njohur nga historia e rrethit të Vlorës kanë pasur muzueme historike, brenda të cilave ishin sistemuar edhe materiali arkeologjik që dëshmonte periudhën ilire. Për këtë pasuri bie kambana, pra kjo pjesë ku shkoi, pasi sistemi u rrëzua në vitet ’90?

Inventari i disponuar, aktualisht, në QIIPK, në Tiranë, rezulton një pakicë, duke i shtuar kësaj edhe ata që kanë sitet apo muzuet e Vlorës. Si do ta gjejmë këtë pjesë që ka ikur pa nishane. A mos duhet ta shpallim në kërkim, ashtu si thuhet, edhe në bazë të ligjit të trashëgimisë kulturore? Mirëpo, befasisht, ngrihet pyetja që të vë në mendim të thellë: Kë të shpallin në kërkim? Ajo pjesë nuk u identifikua kurrë.

Komentet janë të mbyllura

Foto Lajme

Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i përmbajtjes së këtij portali © 2013 Gazeta Republika | Designed by Keminet | Log in
Close
Ndiqni Gazeta Republika në Facebook
Informohuni mbi ngjarjet kryesore të ditës duke na ndjekur në Facebook.