Pensionet e ushtarakëve, llogaritja e re

Publikuar më: 18/03/2012 18:13

ISSH: Masa e përfitimit është 1.5 për qind e pagës mesatare referuese, për çdo vit shërbimi

Pensionet e parakohshme për vjetërsi shërbimi, specialistët e ISSH-së: Arsyet pse ka ndryshuar masa e përfitimit për ish-ushtarakët që kanë dalë në pension prej vitit 2001. Kriteret e reja për përfitim 

Instituti i Sigurimeve Shoqërore publikon formulën e re të llogaritjes së pensioneve të ushtarakëve. Bëhet fjalë për pensionet e parakohshme për vjetërsi shërbimi që janë dhënë prej vitit 2001. Kështu, të interesuarit shfaqin pretendimet e tyre se, për shkak të mënyrës së re të llogaritjes, shuma e pensionit që ata marrin ka pësuar ulje. Në rubrikën pyetje-përgjigje, në faqen zyrtare të ISSH-së, një ish-ushtarak, pasi shpjegon se përfiton pension të parakohshëm për vjetërsi shërbimi, që prej vitit 2001, kërkon të dijë se përse masa e pensionit të parakohshëm për vjetërsi shërbimi më është zvogëluar. Ndërkohë, specialistët e Institutit të Sigurimeve Shoqërore i kanë shpjeguar pensionistit se “Pensioni i parakohshëm për vjetërsi shërbimi, ish-ushtarakëve që prej vitit 2001, iu është llogaritur sipas ligjit nr. 8087, datë 13.03.1996, “Për sigurimin shoqëror suplementar të ushtarakëve të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë”. Sipas këtij ligji, llogaritja e përfitimit bëhej: për 15 vite shërbimi – 50 për qind e pagës referuese dhe për çdo vit tjetër, shtesë 2 për qind e pagës referuese. Por, përfitimi nuk mund të ishte më shumë se pensioni maksimal i pleqërisë në shkallë vendi”,- thonë specialistët e ISSH-së. Më tej, ata shpjegojnë se: “Duke filluar nga 01.07.2009, hyri në fuqi ligji Nr. 10142, datë 15.05.2009, “Për sigurimin shoqëror suplementar të ushtarakëve të Forcave të Armatosura, të punonjësve të Policisë së Shtetit, të Gardës së Republikës, të Shërbimit Informativ të Shtetit, të Policisë së Burgjeve, të Policisë së Mbrojtjes nga Zjarri dhe të Shpëtimit e të punonjësve të Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar. Bazuar tek ky ligj, ka ndryshuar edhe mënyra e llogaritjes së përfitimit. Tashmë, masa e përfitimit është 1.5 për qind e pagës mesatare referuese për çdo vit shërbimi. Në nenin 29 të këtij ligji është përcaktuar se pensionet e parakohshme për vjetërsi shërbimi dhe pensionet suplementare, të caktuara në përputhje me ligjin nr. 8087, datë 13.03.1996, “Për sigurimin shoqëror suplementar të ushtarakëve të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, ligjin nr. 8661, datë 18.09.2000, “Për sigurimin suplementar të punonjësve të Policisë së Shtetit”, si dhe ato të caktuara me vendime të gjykatave, pavarësisht nga mosha e vjetërsia në punë, në çastin e fillimit të së drejtës, do të rillogariten”,- thonë përfaqësuesit e ISSH-së.

 

Komentet janë të mbyllura

Foto Lajme

Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i përmbajtjes së këtij portali © 2013 Gazeta Republika | Designed by Keminet | Log in
Close
Ndiqni Gazeta Republika në Facebook
Informohuni mbi ngjarjet kryesore të ditës duke na ndjekur në Facebook.