Si të mbrohemi nga myku i lëkurës?

Publikuar më: 09/03/2012 9:13

Myku i lëkurës është një sëmundje, e cila lind si pasojë e shtimit të djersës

Si rrjedhojë e këtij fenomeni, ulet pehashi i aciditetit të lëkurës, duke krijuar kështu kushte të favorshme të zhvillimit të mykut, që janë shkaktare të sëmundjes mykotike. Zakonisht, nga kjo sëmundje preken njerëz që bëjnë profesione të ndryshme dhe që janë të detyruar të mbajnë këpucë, siç janë ushtarakët, policët dhe disa profesione të tjera. Myku shfaqet kryesisht midis gishtave të këmbëve, por nuk mund të përjashtohen edhe vende në pjesë të ndryshme të trupit. Personat, të cilëve iu është krijuar myku, në fillim kanë skuqje në vendin e shfaqjes së tij, çarje të lëkurës dhe iu krijohen disa flluska që pas disa ditësh zverdhen, pra qelbëzohen dhe kështu shfaqen shenjat e infeksionit. Kjo mund të quhet dhe një myk i infektuar. Për të kuruar një pacient që ndodhet në këtë gjendje, fillimisht duhet trajtuar në dy pista që janë: shkaku i shfaqjes së kësaj sëmundjeje dhe e dyta infeksioni dytësor.

Kujdesi që duhet të tregoni

Sipas mjekëve, gjatë stinës së verës, një kujdes i veçantë duhet treguar gjatë ekspozimit në diell, i cili nuk duhet që t’i kalojë caqet e tij. Kujdes duhet të kenë gratë, pasi në këtë stinë rrezikon t’iu shfaqet lukusi i inflamatodës, diskozës ose i gjeneralizuar. Gjithashtu, rrezikohen të shfaqen edhe disa njolla të bardha në fytyrë dhe në duar. Këtu veçohen edhe disa sëmundje infektive, sidomos tek fëmijët e vegjël. Kjo ndodh për shkak të qëndrimit në zona të papastra, që janë lënë në mëshirë të fatit. Vendet ku ka mbeturina pa kriter, në plazhe apo zona turistike, janë tepër problematike dhe shkaktojnë sëmundje infektive. Të njëjtin efekt mund ta japin edhe ambientet e ujit të papastër në disa zona, ku sasia e mikrobeve e kalon dyfishin apo trefishin e mikrobeve. Në ambientin e ndotur me mbeturina, shkak për fillimin e infeksioneve mund të bëhen edhe mushkonjat dhe mizat e ndryshme. Tek fëmijët me lëkurë të dobët fizikisht dhe dermatologjikisht, sëmundjet janë më të predispozuara për t’u shfaqur. Kështu, shenjat shfaqen në fytyrë, në duar me flluska të vogla në fillim të ujshme, të cilat më vonë infektohen. Më vonë ato acarohen dhe këto sjellin një temperaturë të lartë. Këtu lind nevoja e paraqitjes tek mjeku më i afërt.

Klima, si ndikon në sëmundje

Klima e nxehtë dhe e lagësht përbën një faktor risku për marrjen e infeksionit. Përveç kësaj, plazhi dhe pishinat ndikojnë në shfaqjen e formave të caktuara të mykut të lëkurës. Në përgjithësi, sëmundjet mykotike prekin gati njëlloj të gjithë ata që ekspozohen ndaj faktorëve shpërthyes. Preken të dy sekset, por më tepër seksi mashkull sesa femër. Kjo shpjegohet me faktin se këto të fundit janë më pak të ekspozuara ndaj ambienteve që favorizojnë këto infeksione, si për shembull, aktivitetet sportive, higjiena jo e përsosur, mënyra e veshjes etj. Për sa i përket moshës, sëmundjet mykotike të lëkurës takohen më tepër tek të rriturit e më pak te fëmijët. Faktorët predispozues për shfaqjen e sëmundjes klasifikohen në të jashtëm dhe në të brendshëm. Ndër faktorët e jashtëm përmenden: përdorimi i rrobave të përbashkëta, si këpucë, pantofla, kapele, rroba sintetike të ngushta, këpucë plastike, të cilat krijojnë mikroklimë të disfavorshme dhe e bëjnë lëkurën më të ndjeshme ndaj infeksionit. Ndërsa si faktorë të brendshëm, më kryesori është mosha, pasi vihet re se shfaqja e këtyre sëmundjeve rritet me rritjen e moshës. Faktorë të tjerë të brendshëm janë dhe disa sëmundje: diabeti, mbipesha, pacientët që trajtohen me kortizonikë imunosupresore (për sëmundje të tjera).

Mjekimi që këshillohet në rastet e infeksionit

Këshilla e parë që jepet në këto raste është shmangia e vetëmjekimit. Kontaktimi me mjekun specialist që në momentin e parë që shfaqen problemet, ndihmon në trajtimin në kohë të sëmundjes. Skema e mjekimit varet nga shkalla e sëmundjes. Që do të thotë se, në rastet kur sëmundja shfaqet në formë të lehtë, mjekimi lokal me antimykotik, është mjaft i mirë dhe efikas. Mjekimi medikamentoz duhet të realizohet vetëm nga mjeku specialist dermatolog që në shfaqjen e shqetësimeve të para, në mënyrë që të parandalohen shfaqja dhe mbivendosja e infeksioneve dytësore. Në format e lehta mund të përdoren vetëm mjekimet lokale, ndërsa në format e avancuara është i këshillueshëm mjekimi sistematik për dy javë i shoqëruar me mjekime lokale. Është i këshillueshëm që mjekimi lokal të vazhdojë 1-2 muaj për të parandaluar përsëritjen. Gjithashtu, rekomandohet që dhe pas trajtimit, për larje të përdoren shampo dhe detergjent që përmbajnë antimykotikë.

Shkaktarët e mykut të lëkurës

- Klima e nxehtë dhe e lagësht

- Vendet me mbeturina

- Djersitja e tepërt

- Mungesa e higjienës personale

- Plazhi dhe pishinat

- Përdorimi i rrobave të përbashkëta

- Rrobat sintetike të ngushta, këpucë plastike

Moshat më të prekura

Disa sëmundje si: diabeti, mbipesha, pacientët që trajtohen me kortizonikë imunosupresore (për sëmundje të tjera)

Simptomat

- Skuqje në vendin e shfaqjes së mykut

- Çarje të lëkurës dhe krijohen disa flluska që pas disa ditësh zverdhen, pra qelbëzohen

- Shfaqja e njollave, kryesisht në zonën e ekstremiteteve të sipërme dhe pjesën e trungut

- Njollat kanë ngjyra të ndryshme: Kafe, të bardha, dhe rozë. Ato kanë forma të ndryshme dhe duken si harta nëpër trup, gjë që nuk është estetike

- Ndodh që të shfaqet dhe pruri i lehtë, por ky shfaqet kur djersit trupi

 

 

Komentet janë të mbyllura

Foto Lajme

Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i përmbajtjes së këtij portali © 2013 Gazeta Republika | Designed by Keminet | Log in
Close
Ndiqni Gazeta Republika në Facebook
Informohuni mbi ngjarjet kryesore të ditës duke na ndjekur në Facebook.