“Zjarri i natës”, komplikacionet që sjell në organizëm

Publikuar më: 11/03/2012 9:50

INTERVISTË/ Flet Alma Hoxha, mjeke infeksioniste pranë Poliklinikës Qendrore

Si merret virusi Herpes Zoster, çfarë ndikimi ka në organizëm? Grupmoshat më të prirura për t’u prekur nga “zjarri i natës”. Mjekimi që rekomandohet për këtë sëmundje 

Herpes Zoster, e cila ndryshe në gjuhën e popullit njihet si “zjarri i natës” është sëmundje infektive virale e shkaktuar nga virusi Varicella Zoster. Kjo është një sëmundje virale, e cila, zakonisht, problemet më të mëdha i shfaq gjatë mbrëmjeve. Herpes Zoster është dhe për sëmundjen e Varicelës tek fëmijët. Pra, bëhet fjalë për të njëjtin virus përgjegjës. Por, si merret ky virus, çfarë ndikimi ka në organizëm, kur shpërthen dhe si mjekohet, këtyre pyetjeve u përgjigjet mjekja infeksioniste e Poliklinikës Qendrore, Alma Hoxha. “Zjarri i natës” është një gjendje akute në të cilën paraqitet virusi Herpes Zoster që një person ka marrë gjatë jetës së tij. Kjo sëmundje quhet ndryshe në gjuhën e popullit si zjarri i natës për shkak të dhimbjeve të forta, sidomos natën. Herpes Zoster është sëmundje infektive virale e shkaktuar nga virusi Varicella Zoster. Kjo sëmundje prek më shumë të rriturit dhe ata që në fëmijëri ose të rinj kanë kaluar linë e dhenve”,- kështu shprehet gjatë një interviste për Gazeta “Republika”, mjekja Alma Hoxha.

- Doktoreshë, ç’mund të na thoni në lidhje me sëmundjen e njohur ndryshe në gjuhën popullore si “zjarri i natës”. Çfarë është kjo sëmundje?

“Zjarri i natës” është një gjendje akute, në të cilën paraqitet virusi Herpes Zoster, që një person ka marrë gjatë jetës së tij. Kjo sëmundje quhet ndryshe, në gjuhën e popullit, si zjarri i natës, për shkak të dhimbjeve të forta, sidomos natën. Herpes Zoster është sëmundje infektive virale, e shkaktuar nga virusi Varicella Zoster. Kjo sëmundje prek më shumë të rriturit dhe ata që në fëmijëri ose në rini kanë kaluar linë e dhenve. Shkaqet e shfaqjes së sëmundjes, zakonisht lidhen me uljen e imunitetit, por mund të jetë pasojë edhe e temperaturave skajore (në dimër dhe verë). Raste të tilla kemi pasur gjithmonë, si në dimër, por dhe në verë. Madje, këto janë simptoma që mund të dallohen shumë lehtë nga mjeku, kur paraqitet një pacient me një rast të tillë. Më saktë, virusi qëndron në rrënjët nervore dhe në një moment të caktuar, kur bie sistemi imunitar ose edhe në pacientë që kanë patologji të tjera sekondare, si diabeti ose sëmundjet kardiake, sëmundjet pulmonare, etj., virusi aktivizohet. Pra, duhet të theksojmë se shpërthimi i tij ndodh gjithnjë në një sistem imunitar të kompromentuar. Mosha, stresi, janë faktorë ndikues.

- Cila është klinika e kësaj sëmundjeje?

Ka një sërë simptomash apo klinika, me të cilat identifikohet kjo sëmundje infektive virale. Kështu, kjo lloj sëmundjeje shpesh fillon me djegie në vendin ku do të shfaqet erupsioni që, zakonisht, është gjatë një rënieje nervi (metamere). Ndërkohë, ka dhe një sërë rastesh ku mund të jetë dhe me shumë metamere, sidomos tek të sëmurët më sëmundje që ulin imunitetin e trupit. Elementët, në fillim, janë eritematoze, të kuqe flakë, të cilët pas rreth 24 orëve, mbulohen me vezikula të grupuara ose të bashkuara në bula policiklike. Ndërkohë, gjatë ditës së shtatë, formohen krustet që bien nga dita e dhjetë, duke lënë cikatriçe që mund të jenë dhe të qëndrueshme. Erupsioni shoqërohet me parestezi, turbullime të ndjeshmërisë dhe adenopati regionale. Sëmundja fillon me dhimbje të forta, të padurueshme që ecin gjithmonë sipas inervimit të zonës ku do të shpërthejë. Nëse shpërthen në kurriz, atëherë dhimbja është me drejtim nga shtylla kurrizore dhe endet në formën e brinjëve, sepse në pjesën e traktit të mushkërive, i tillë është inervimi, domethënë dalin nervat nga shtylla kurrizore në gjatësinë e brinjëve. Dhimbja mund të dalë kudo; mund të dalë në pjesën e gjoksit, në fund të belit (regjionin lumbar), në pjesën e barkut etj. Janë dhimbje përpëlitëse, ndonjëherë edhe në kokë, me intensitet të lartë natën. Dhimbjet janë djegëse dhe prandaj quhet ndryshe ”zjarri i natës”.

- Nëse kemi të bëjmë më një virus të tillë, cili prej tyre është më i rrezikshëm, nëse prek një pjesë të organizmit?

Zonat më të prekura janë toraksi e abdomen, por nuk përjashtohen dhe zonat e tjera të kokës e ekstremitetet, por janë më të rralla. I rëndësishëm është Herpes Zoster i syrit që duhet diagnostikuar e mjekuar sa më herët, sepse dëmtimet e kornesë së syrit mund të jenë të pakthyeshme. Të shpeshta janë paralizat okulo motore keratiti e iridocikliti. Herpesi i ganglionit genikular shoqërohet me paralizë faciale, por dhe me turbullime kokleo vestibulare (veshit të mesëm). Në ndërlikimet e herpesit në zonën e kokës është dhe mieliti, encefaliti. Kur herpesi prek zonën e kokës dhe dhimbjet janë akoma më të forta.

- Si merret ky virus? Cilat janë rrugët e transmetimit? Dhe a kemi mundësi të mbrohemi prej tij?

Virusi që shkakton “zjarrin e natës” merret nëpërmjet ajrit, ashtu si virozat e gripit. Vetëm se kjo qëndron në organizëm. Në fëmijëri, mund të kesh kaluar variçelën, pra virusi të ketë dhënë gjendje klinike, por mund të ketë qenë edhe i heshtur dhe, në një moshë të thyer, ai zgjohet në mbaresat nervore, duke provokuar dhimbje djegëse. Por nuk përjashtohet mundësia e shpërthimit edhe në mosha të reja, kur imuniteti mund të jetë dobësuar nga sëmundje të tjera. Por, kur një person është në një moshë më të re, ai e suporton më mirë, sepse nuk krahasohet imuniteti i një të riu me një të moshuari.

- Është i shpeshtë “zjarri i natës”? Pra, a shfaqet tek të gjithë personat që kanë kaluar në fëmijëri variçelën?

Po, është e shpeshtë. Nuk është e thënë që duhet të kesh kaluar patjetër variçelën, mund të jetë mbartur nga një person tek tjetri, varet nga sistemi imunitar, por, siç ju thashë, ky virus depozitohet në organizëm, në mbaresat nervore dhe në një moshë apo gjendje më të brishtë shëndetësore, shpërthen.

- Çfarë i bën ky virus sistemit imunitar?

Ky virus vetë ndikohet nga sistemi imunitar, domethënë dobësia e sistemit imunitar i jep mundësi të shpërthejë, por nga ana tjetër, ai nuk i bën asgjë sistemit imunitar. Pra, ai shpërthen vetëm kur rezistenca e organizmit ka rënë. Përveç dhimbjes, që është e tipit djegës me intensitet të fortë, me intensitet më të madh natën, fillojnë edhe elementët në lëkurë që na orientojnë më tepër, krahas dhimbjes. Këto shenja në lëkurë janë si vezikula ose fluska të mbushura me likid (ujë). Nuk duhen ngatërruar me flluskat e djegies apo kallos. Këto dalin në trup në vendet e inervimit (sipas drejtimit të nervave). Flluskat, me kalimin e kohës, kanë tendencë edhe të kruhen. Ato kalojnë disa faza, derisa arrijnë të krijojnë koriçkat ose kruspat që i quajmë ne në gjuhën tonë, që bien vetvetiu.

- Cila është diagnoza për “zjarrin e natës”?

Diagnoza bazohet kryesisht në klinikën, por mund të përdoret dhe kultura qelizore nga vezikulat si dhe imunofluoreshenca e drejtpërdrejtë, e cila nuk ka vlerë në rastet e përsëritura. Ndërlikimi më i shpeshtë i herpesit është dhimbja post herpetike, e cila vazhdon me intensitet të madh, me muaj.

- Çfarë mjekimi rekomandohet për këtë sëmundje?

Si mjekim, zakonisht përdoret acikloviri, doza e të cilit varion në bazë të përhapjes (sa metamere janë kapur) dhe zonës, të cilën kanë prekur. Kështu, për zonën e kokës, mjekimi është me doza të larta dhe intravenoze si dhe për një kohë më të gjatë si dhe nga mosha e të sëmurit, përdoren neuroleptike antalgjike, antidepresorët, etj. Duhet theksuar me të madhe se mjekimi i duhur është ai brenda 48-72 orët e para të shfaqjes së eritematozës shkurton zgjatjen e dhimbjes, por dhe mund t’i pengojë ato pas sëmundjes.

 

 

 

 

Komentet janë të mbyllura

Foto Lajme

Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i përmbajtjes së këtij portali © 2013 Gazeta Republika | Designed by Keminet | Log in
Close
Ndiqni Gazeta Republika në Facebook
Informohuni mbi ngjarjet kryesore të ditës duke na ndjekur në Facebook.