100-vjetori i shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë dhe objektivat madhorë të kombit

Publikuar më: 19/04/2012 8:27

Në fillim, do doja të theksoja se viti 2012 shënon 100-vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë, një ngjarje e rëndësishme historike që do të festohet gjerësisht nga kombi shqiptar. Ne u jemi mirënjohës popujve dhe kombeve, kuRumaniazë një vend të veçantë, që mbështetën dhe përkrahën përpjekjet dhe sakrificat e mëdha të shqiptarëve për liri dhe pavarësi. Për këtë qëllim, me rastin e 100-vjetorit, së bashku me institucionet rumune dhe shoqatat e shqiptarëve, do të organizojmë një sërë aktivitetesh të rëndësishme shkencore, kulturore, artistike etj. Ky përvjetor do të përkujtohet nga populli dhe kombi shqiptar, në një moment të rëndësishëm politik, ekonomik e social. Republika e Shqipërisë ka shënuar progres të dukshëm dhe është shumë afër realizimit të objektivave të saj strategjike dhe kombëtare. Shqipëria është sot një vend modern evropian me institucione demokratike dhe të zbatimit të ligjit, vend i fjalës së lirë, zgjedhjeve të lira, respektimit të plotë të të drejtave të minoritetit dhe tolerancës fetare të shkëlqyer. Shqipëria po dëshmon se për individin, shoqërinë dhe kombin, në tërësi, liria është një pasuri e pazëvendësueshme. Sot, Shqipëria është anëtar i NATO-s dhe kontribuon denjësisht për paqen e stabilitetin në rajon e më gjerë, si dhe punon me vendosmëri për integrimin europian. Shqiptarët lëvizin pa viza në mbarë Europën, duke respektuar plotësisht procedurat dhe raportet e deritanishme janë pozitive. Numri i qytetarëve të huaj që kanë vizituar Shqipërinë si turistë apo qëllime të tjera vitin e kaluar arriti në mbi 3.5 milionë. Shqipëria ka demonstruar një stabilitet makroekonomik dhe një rritje ekonomike të vazhdueshme pozitive, pavarësisht krizës financiare botërore. Shqipëria është vendi me barrën fiskale më të ulët në Europë, ku aplikohet taksa e sheshtë 10 për qind, si dhe ku është vendosur një sistem efikas dixhital, “One Stop Shop”, për regjistrimin e bizneseve, për lejet dhe licencat. Prokurimet publike bëhen 100 për qind në mënyrë elektronike. Potencialet turistike të zonave bregdetare dhe malore janë të jashtëzakonshme. Shqipëria, përveç pozitës së saj gjeografike, klimës dhe bukurive natyrore, dallohet dhe për trashëgiminë e pasur historike e kulturore. Shqipëria ofron një ambient miqësor dhe tërheqës për bizneset, investitorët e huaj dhe për turistët. Gjej rastin të ftoj investitorët e huaj që të konsiderojnë investimet në Shqipëri. Për vitin 2012, objektivi madhor kombëtar për Shqipërinë mbetet integrimi në Bashkimin Europian. Shndërrimi në realitet i ëndrrës së shqiptarëve – “Shqipëria, vend i zhvilluar”, – është një tjetër objektiv madhor. Shqipëria është, gjithashtu, e angazhuar të prodhojë 100 për qind energjinë e rinovueshme në vend në një të ardhme të afërt. Objektiva të rëndësishme mbeten vazhdimi i përpjekjeve për thellimin e dijes, si dhe kujdesi i vazhdueshëm për shëndetin e qytetarëve. Shqipëria në moshën dixhitale është objektivi tjetër më madhor dhe më ambicioz i qeverisë shqiptare. Shqipëria synon, gjithashtu, që brenda dy viteve të ardhshme, të arrijë të ketë rrjetin rrugor më të ri e më modern, i cili do t’u mundësojë qytetareve shqiptarë, vizitorëve e investitorëve të huaj të udhëtojnë lehtësisht në të gjithë territorin e Shqipërisë. Konstatojmë se të gjithë vendet e rajonit flasin me një gjuhë, atë të integrimit europian. Vendet e Ballkanit Perëndimor kanë bërë progres të dukshëm dhe të konsiderueshëm në rrugën drejt anëtarësimit në BE. Shqipëria është, gjithashtu, pjesë e rëndësishme e këtij progresi, e kësaj rrjedhe pozitive drejt Evropës. Në këtë kontekst, është me shumë rëndësi që perspektiva europiane e vendeve tona të vazhdojë të mbetet në krye të axhendës evropiane dhe që dyert e Bashkimit Evropian të mbeten të hapura.

Pranimi i Shqipërisë dhe Kroacisë në Aleancë do të pasohet, së shpejti, nga anëtarësimi i gjithë vendeve të tjera të rajonit, përfshirë dhe shtetin e ri të Kosovës. Shqipëria beson fuqimisht se shtrirja e NATO-s, në Ballkan, në thelb, është shtrirje, zgjerim i hapësirave të lirisë, stabilitetit e sigurisë. Politika e dyerve të hapura të NATO-s është e vetmja politikë e drejtë dhe realiste, me përfitim të ndërsjellë, gjeostrategjik dhe gjeopolitik, si për NATO-n, ashtu edhe për vetë vendet që aspirojnë për t’u integruar në të. Shqipëria ka marrëdhënie të shkëlqyera me fqinjët e saj të drejtpërdrejtë dhe në tërësi me vendet e rajonit dhe ka vullnet të plotë për konsolidimin më tej të këtyre marrëdhënieve. Shqipëria ka, aktualisht, një vend të rëndësishëm për sigurinë, paqen dhe prosperitetin e Ballkanit, Mesdheut dhe Evropës, si dhe është e vendosur të rrisë këtë rol dhe kontribut, për të garantuar stabilitet politik dhe ekonomik rajonal. Ajo, kurrë nuk ka reshtur së promovuari integrimin rajonal përmes krijimit të infrastrukturës së përbashkët rajonale dhe heqjes e të gjitha barrierave kufitare për të siguruar lëvizjen e lirë të personave, mallrave dhe kapitalit. Për këtë qëllim, Shqipëria jo vetëm që ka hequr vizat me të gjitha vendet e rajonit, por me një pjesë të tyre qarkullimi i qytetarëve bëhet vetëm me karta identiteti, si dhe po punon intensivisht që kjo mënyrë lëvizjeje të bëhet me të gjitha vendet. Progres të konsiderueshëm për integrimin europian po bën dhe shteti më i ri i Europës, Republika e Kosovës që, më 17 shkurt 2012, kremtoi 4 vjetorin e pavarësisë. Ky përvjetor e gjeti Republikën e Kosovës në fazën e përmbylljes së pavarësisë së mbikëqyrur dhe të funksionimit si shtet i pavarur e sovran. Jam i bindur se kjo do të shërbejë si një motivim i shtuar për njohje të reja dhe përshpejtimin e proceseve integruese të Kosovës, që tashmë kanë nisur me hapjen zyrtare të procesit të dialogut për liberalizimin e vizave në hapësirën Schengen. Kosovës i janë shtuar miqtë dhe partnerët kudo në botë, është njohur nga rreth90 shtete dhe po ecën e sigurt në rrugën për t’u bërë pjesë e familjes së madhe të Kombeve të Bashkuara. Shqipëria mbështet njohjen e mëtejshme të shtetit të pavarur të Kosovës, pasi është e bindur se çdo njohje e re është kontribut në forcimin e paqes, sigurisë e stabilitetit në rajon e më gjerë. Marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe Rumanisë janë shumë të mira, me lidhje historike e miqësore midis dy popujve tanë dhe me bashkëpunim aktual të shtrirë në të gjitha fushat.Rumaniaështë aleate e Shqipërisë në kuadër të NATO-s dhe një partner i rëndësishëm në rrugën e saj drejt integrimit në Bashkimin Europian. Marrëdhëniet miqësore fillojnë që nga fundi i shekullit të 19-të, kurRumaniau bë shtëpia e rilindësve tanë, duke dhënë një kontribut të rëndësishëm në përgatitjen dhe shpalljen e pavarësisë. Këto marrëdhëniet vazhduan traditën dhe rrugën e tyre të konsolidimit, duke arritur pikën kulmore me nënshkrimin e Traktatit të Miqësisë midis dy vendeve tona, në vitin 1994. Në memorien e të dy popujve tanë janë skalitur emrat e personaliteteve të shquara si Elena Gjika (Dora D’Istria), Viktor Eftimiu, Nicolae Iorga, e shumë të tjerë. Shqiptarët kujtojnë dhe ngjarje të tjera të rëndësishme që, po ashtu, lidhen me Bukureshtin, shtatorin e vitit 2006, ku në Bukuresht, Shqipëria bëhet anëtare e Organizatës Botërore të Frankofonisë dhe Samitin e Bukureshtit, prill 2008, ku Shqipëria mori ftesën për anëtarësim në NATO.Rumaniaka mbështetur anëtarësimin e Shqipërisë në NATO dhe procesin e liberalizimit të vizave për shqiptarët në zonën Schengen. Për më tepër, mjaft personalitete të larta rumune që kam takuar më kanë konfirmuar se Rumania do ta mbështesë Shqipërinë gjatë procesit të integrimit në BE dhe për këtë shprehim mirënjohjen tonë të veçantë. Në kontekstin e këtyre marrëdhënieve, synojmë thellimin më tej të gjithë spektrit dypalësh të bashkëpunimit, si dhe mbajtjen hapur të dialogut politik, tashmë shumë të mire. Midis dy vendeve tona janë nënshkruar të gjitha dokumentet që rregullojnë bashkëpunimin dypalësh, duke përfshirë edhe Traktatin e Miqësisë. Në këtë drejtim, luan një rol të rëndësishëm dhe komuniteti shqiptar në Rumani, i cili, sigurisht, është shndërruar në një urë në mes të dy vendeve tona. Shqipëria është e angazhuar për zgjerimin e këtyre marrëdhënieve, sidomos ekonomike, por edhe të kontakteve institucionale midis strukturave tregtare dhe ekonomike, në mes të Dhomave të Tregtisë, forumeve të biznesit, agjencive turistike etj.

Nga Sami SHIBA

Ambasador i Shqipërisë në Rumani

(Material i botuar në “Diplomat Club” Newspaper)

Komentet janë të mbyllura

Foto Lajme

Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i përmbajtjes së këtij portali © 2013 Gazeta Republika | Designed by Keminet | Log in
Close
Ndiqni Gazeta Republika në Facebook
Informohuni mbi ngjarjet kryesore të ditës duke na ndjekur në Facebook.