Gjakmarrja, një plagë drejt shuarjes. Problemet që ndeshen në kullat e familjeve të ngujuara

Publikuar më: 06/04/2012 8:58

Ekskluzive/ Flet Agim Loci, drejtor i Institutit “Shtëpia e Drejtësisë dhe e Pajtimit Kombëtar”

Raportohen më pak se 700 familje të prekura nga fenomeni i gjakmarrjes. Familjet e ndërmjetësuara për zgjidhjen e konfliktit dhe ato që janë në prag pajtimi.

Gjakmarrja, një nga problemet që ka ekzistuar prej shekujsh në vendin tonë, duket se po gjen zgjidhje. Plagët e lëna nga Kanuni i Lekë Dukagjinit po shuhen dhe familjet po shtrijnë dorën e pajtimit. Janë më pak se 700 familje në gjak sot dhe ky numër tregon se niveli i gjakmarrjes, krahasuar me vite më parë, është ulur ndjeshëm. Kështu është shprehur në një intervistë për gazetën “Republika”, Agim Loci, drejtor i Institutit “Shtëpia e Drejtësisë dhe e Pajtimit Kombëtar”, i cili thotë se: “Ky institut ka vite që punon në terren me misionarët dhe me koordinatorët nëpër rrethe për eliminimin e këtij fenomeni. Kohët e fundit, falë punës së bërë shohim një minimizim ose një rënie të nivelit të gjakmarrjes në vend. Afërsisht, janë më pak se 700 familje të prekura nga fenomeni i gjakmarrjes. Vitin që kaloi, kemi pasur rezultate shumë të mira në minimizimin e këtij problemi; 22 familje arritën të shtrinin dorën e pajtimit. Siç e kemi quajtur edhe në analizën vjetore të bërë më 18 janar, ky është një vit i paqes dhe një vit që ka filluar mbarë për pajtimet në shumë zona të vendit”. Më tej, Loci bën një përshkrim të situatës së mëparshme të gjakmarrjes, gjithashtu shprehet edhe për familjet që janë në proces pajtimi: “Vitet nga 1997 deri në 1999, ishin vite që e shtuan së tepërmi gjakmarrjen në vendin tonë. Veçanërisht, viti ‘97 ishte një vit i zi për Shqipërinë, një vit që hapi probleme në shumë familje shqiptare, u kryen shumë vrasje, “ra pushka aty ku s’duhet të kishte rënë”, u hapën plagë të reja, por u zgjuan edhe plagët e vjetra. Në fakt, sot situata është ndryshe. Dua të them se 5 vitet e fundit është bërë një punë shumë e madhe, si nga shteti, ashtu edhe nga drejtësia dhe Policia e Shtetit. Ka funksionuar siç duhet ligji. Megjithatë, duhet thënë se instituti që unë drejtoj ka pasur një mision të vështirë në zvogëlimin e këtij fenomeni, ku rëndësi ka pasur puna në terren, e kryer nga koordinatorët lokalë dhe misionarët. Unë kam qenë vetë në shumë procese pajtimi në Lezhë, në Shkodër, në Burrel, në Kamëz, në Tiranë, Fushë-Krujë, në Mirditë dhe Tropojë. Ditët e fundit, për t’iu ardhur në ndihmë familjeve të ngujuara dhe në gjakmarrje, kam qenë në Malësi të Shkodrës, në disa fshatra të thella të quajtur Franth dhe Kudari, në Burrel. Më pas, kemi ardhur në Kamëz, ku kemi 3 procese pajtimi. Një lajm i mirë është se në total kemi 4 familje në proces pajtimi”. Puna e përkushtuar e drejtuesit ekzekutiv të këtij institucioni dhe misionarëve në terren është pasqyruar jo vetëm në mediat shqiptare, por edhe në ato ndërkombëtare, duke përcaktuar kështu vështirësitë, fisnikërinë dhe përkushtimin e dhënë në proceset e pajtimit. Gjithashtu, procesi i pajtimit është shtrirë edhe në diasporë, ku përveç Europës, degë të Institutit “Shtëpia e Drejtësisë dhe e Pajtimit Kombëtar” po funksionojnë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Kanada, me qëllimin e vetëm që pajtimi i shqiptarëve të bëhet kudo. Në një takim të zhvilluar së fundmi në SHBA, z. Loci ka gjetur mbështetjen e shqiptarëve në diasporë për të zgjeruar më tej procesin e pajtimit dhe zhdukjen e fenomenit të gjakmarrjes. Ja se si është shprehur gjatë kësaj interviste, drejtori i Institutit “Shtëpia e Drejtësisë dhe e Pajtimit Kombëtar”.

- Gjakmarrja është një nga problemet që ekziston prej vitesh në vendin tonë. A mund të na thoni se në çfarë nivelesh është ky problem sot?

Institutit “Shtëpia e Drejtësisë dhe e Pajtimit Kombëtar ka vite që punon në terren me misionarët dhe me koordinatorët nëpër rrethe për eliminimin e këtij fenomeni. Kohët e fundit, falë punës së bërë shohim një minimizim ose një rënie të nivelit të gjakmarrjes në vend. Afërsisht, janë më pak se 700 familje të prekura nga fenomeni i gjakmarrjes. Vitin që kaloi, kemi pasur rezultate shumë të mira në minimizimin e këtij problemi, ku 22 familje arritën të shtrinin dorën e pajtimit. Siç e kemi quajtur edhe në analizën vjetore të bërë më 18 janar, ky është një vit i paqes dhe një vit që ka filluar mbarë për pajtimet në shumë zona të vendit. Ky institut që unë drejtoj, po punon në terren dhe po bën aktmarrëveshje me institucionet qeveritare, si me Ministrinë e Drejtësisë, Ministrinë e Brendshme, me Policinë e Shtetit, me bashkinë e Tiranës dhe me institucionet e pushtetit vendor në të gjitha krahinat ku fenomeni i gjakmarrjes është më i theksuar. Pra, të gjitha institucionet shtetërore janë bashkuar për ta minimizuar këtë fenomen. Gjithashtu, ne kemi një strategji 5-vjeçare për të minimizuar këtë problem, me qëllimin e vetëm që fjala gjakmarrje të mos dëgjohet më në Shqipëri.

- Çfarë ka bërë institucioni juaj në zbutjen e fenomenit të gjakmarrjes dhe në arritjen e pajtimeve?

Vitet nga 1997 deri në 1999, ishin vite që e shtuan së tepërmi gjakmarrjen në vendin tonë. Veçanërisht, viti ‘97 ishte një vit i zi për Shqipërinë, një vit që hapi probleme në shumë familje shqiptare, u kryen shumë vrasje, “ra pushka aty ku s’duhet të kishte rënë”, u hapën plagë të reja, por u zgjuan edhe plagët e vjetra. Në fakt, sot situata është ndryshe. Dua të them se 5 vitet e fundit është bërë një punë shumë e madhe, si nga shteti, ashtu edhe nga drejtësia dhe Policia e Shtetit. Ka funksionuar siç duhet ligji. Megjithatë, duhet thënë se instituti që unë drejtoj ka pasur një mision të vështirë në zvogëlimin e këtij fenomeni, ku rëndësi ka pasur puna në terren e kryer nga koordinatorët lokalë dhe misionarët. Unë kam qenë vetë në shumë procese pajtimi në Lezhë, në Shkodër, në Burrel, në Kamëz, në Tiranë, Fushë-Krujë, në Mirditë dhe Tropojë. Ditët e fundit, për t’iu ardhur në ndihmë familjeve të ngujuara dhe në gjakmarrje, kam qenë në Malësi të Shkodrës, në disa fshatra të thella të quajtur Franth dhe Kudari, në Burrel. Më pas kemi ardhur në Kamëz, ku kemi 3 procese pajtimi. Një lajm i mirë është se në total kemi 4 familje në proces pajtimi. Edhe pse e vështirë, ne jemi shumë krenarë për punën që bëjmë.

- A mund të na thoni se cili ka qenë numri i familjeve në gjak vite më parë dhe sa është reduktuar ky fenomen sot?

Afërsisht 3 mijë familje në vend u përfshinë nga fenomeni i gjakmarrjes. Shkaktarë për këtë numër të lartë mund të kenë qenë plagët e reja që u hapën në vitin 1997 dhe zgjimi i plagëve të vjetra. Në fakt, sot numri i familjeve në gjak është afërsisht 700. Pra, kemi një minimizim të ndjeshëm të numrit të familjeve të përfshira në plagët e gjakmarrjes. Megjithatë, edhe pse në ulje, më shqetëson shpeshherë diçka. Shumë herë, kam dëgjuar të abuzohet me fjalën gjakmarrje, abuzohet me fjalën Kanun, pasi shumë herë ndodh një vrasje dhe thonë u vra për gjakmarrje. Në shumë raste, nuk ka qenë kështu. Unë jam shprehur edhe në konferenca për shtyp, ku një e drejtë ligjore dhe morale më ka nxitur të pohoj se shumë vrasje nuk ndodhin për shkak të gjakmarrjes. Ky keqpërdorim i fenomenit gjakmarrje ka ardhur nga disa përfaqësues të politikës sonë, të cilët luajnë me këtë problematikë dhe e përdorin atë për avantazhe personale. Në një konferencë për shtyp i jam drejtuar politikës që ta lërë Policinë e Shtetit të bëjë punën e saj, në shërbim të qytetarit. Në funksion të eliminimit të këtij fenomeni, politika duhet të tregohet mbështetëse, ashtu siç janë treguar shumë përfaqësues të pushtetit vendor dhe lokal.Paradisa ditësh, kam qenë në një fshat të Burrelit dhe kam kërkuar ndihmën e deputetit të qytetit të Burrelit. Ai më ka ofruar menjëherë ndihmën e tij, duke më takuar me kryetarin e komunës dhe me kryeplakun e fshatit. Falë ndihmës së tyre dhe me insistimin tonë të madh, ne kemi arritur të hyjmë në familjet në gjak. Aktualisht, jemi në dy-tre procese pajtimi dhe ky është një lajm shumë i mirë. Edhe në zonat e tjera, në Kamëz p.sh. kemi pasur gjithashtu mbështetjen e kryetarit të bashkisë. Në përfundim të kësaj pike, dua të them që instituti që unë drejtoj nuk ka një flamur politike, por ka flamurin e bardhë – “flamurin e paqes”.

- A mund të na thoni se cili ka qenë numri i pajtimeve që keni kryer kohët e fundit?

Në analizën e vitit 2011, duke përfshirë parandalimet, pajtimet ishin 22. Kemi bërë pajtime në zonën e Fushë-Krujës, në zonën e Shkodrës, në zonën e Burrelit, në Kamëz, në Tiranë. Nuk është një punë e lehtë dhe nuk i kemi bërë publike këto raste, pasi kemi menduar se nëse do të tregojmë diçka, mund të shkatërrojmë, në vend se të ndërtojmë. Unë falënderoj katër familjet që janë në prag pajtimi dhe u kam kërkuar që rastet e tyre t’i bëj publike, me qëllim që të sensibilizojmë opinionin publik dhe t’i tregojmë atij që po bëhet diçka dhe se dora e pajtimit po shtrihet në shumë zona. Ne, si institut, do mundohemi t’u qëndrojmë më pranë këtyre familjeve, sa herë që ato të kenë nevojë. Ajo çfarë dua të them është se mëritë e krahëve politikë të lihen mënjanë. Ata duhet të bashkëpunojnë dhe t’i shtrijnë dorën njëri-tjetrit kur bëhet fjalë për probleme dhe fenomene brenda shoqërisë tonë. Instituti “Shtëpia e Drejtësisë dhe e Pajtimit Kombëtar” është i gatshëm për të bashkëpunuar me politikën për të zgjidhur problemet shqetësuese në shoqërinë tonë. Ky institut po kontribuon edhe për 12 pikat e rekomandimeve të BE-së, në tri pika kryesore, si: për pronat, për gjykatat dhe për inspektimin e burgjeve, si dhe në pikën 11 të Ministrisë së Brendshme, për shkeljet e drejtave të njeriut, kur personat arrestohen në komisariate. Pra, mbi të gjitha, ne duhet të jemi të bashkuar dhe ky është një nga kushtet kryesore të marrjes së statusit të vendit kandidat për anëtarësimin në BE.

- Cilat janë zonat më të prekura nga fenomeni i gjakmarrjes dhe cilat janë problemet që ju ndeshni në punën tuaj në terren?

Shkodra është një nga vendet më të prekura nga fenomeni i gjakmarrjes. Megjithatë, dua të them se ky fenomen është zvogëluar dhe se shifrat nuk janë ato që japin organizata apo shoqëri të tjera, që nuk kanë asnjë kompetencë për të raportuar në lidhje me këtë fenomen. Situata ka ndryshuar dhe sot, shqiptarët janë më të gatshëm se kurrë të falin dhe të jenë të bashkuar. Por, të mbetemi në temë. Pas Shkodrës, zona të tjera që kanë problem me gjakmarrjen janë: Lezha, Mirdita, Tropoja dhe Fushë-Kruja. Në këto zona plagët janë hapur gjatë vitit 1997, por ka edhe plagë më të hershme të hapura në vitet 1956 apo edhe 1976. Mbi të gjitha, dua të them se problemin e gjakmarrjes e kanë pasur edhe shumë shtete të tjera dhe që sot nuk e kanë më. Edhe në vendin tonë plagët e gjakmarrjes, së shpejti, do të zhduken, ndaj kërkohet mbështetja dhe kontributi i të gjithë aktorëve për eliminimin e tyre. Por, po flasim për gjakmarrjen dhe ajo duhet kapur në kohë. Në këtë rast, e përsëris, nuk duhet abuzuar me fjalën gjakmarrje dhe kanun. Shqiptarët po besojnë tek shteti i së drejtës dhe tek ligji. Kanuni ka qenë rregullatori dhe Kushtetuta për një kohë të caktuar, ndërsa sot kemi institucione të rëndësishme ligjore. Një problem tjetër dhe një fakt tjetër i rëndë që unë e ndesh në kullat e familjeve shqiptare është se ata nuk e njohin Kanunin. Fjalët “që duhet ngujuar deri në 7 breza”, ata i marrin të mirëqena, pa ditur se po të zbatohej Kanuni këto ditë, nuk do kishte vrasje në masë.Pota njihnin ashtu siç duhet, familjet në gjak nuk do të vritnin 9 gra, pasi kanuni nuk e ka të përcaktuar vrasjen e grave. Mbi të gjitha, dua të them se Kanuni është një relikë që i përket historisë, përpara ekzistencës së mirëfilltë ligjore. Instituti “Shtëpia e Drejtësisë dhe e Pajtimit Kombëtar” po studion problematikën e këtij fenomeni. Në analizën e fundit iu është lënë një detyrë specifike koordinatorëve dhe stafit të këshilltarëve ligjorë që të punojmë për të arritur sa më shumë ndërmjetësime dhe që ky fenomen të zhduket sa më parë. Të gjithë ne po punojmë për një qëllim të vetëm për zbutjen e këtij fenomeni, i cili po merr jetë pa faj. Mbi të gjitha, dua të falënderoj të gjithë misionarët që punojnë pa u lodhur vullnetarisht në këtë institut.

- Çfarë ka bërë dhe çfarë duhet të bëjë pushteti qendror dhe ai lokal për zhdukjen e gjakmarrjes?

Në vitin 2012, çdo thirrje e bërë në drejtim të përfaqësuesve të pushteti vendor, ka marrë përgjigje, çdo thirrje drejtuar deputetëve, ka marrë përgjigje. Çdo thirrje drejtuar Ministrisë së Drejtësisë, Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, ka pasur si rezultat kthimin e menjëhershëm të një përgjigjeje. Nuk ka munguar në terren mbështetja e shtetit shqiptar. Dua të falënderoj, gjithashtu, median. Megjithatë, në këtë rast, dua të them se do një trajtim të kujdesshëm evidentimi i këtij fenomeni, i cili hap shumë plagë dhe shkakton shumë dhimbje. Ne, si institut, në momentin që ndërhyjmë të zgjidhim një çështje, bëjmë të pamundurën ta zgjidhim atë në mënyrën e duhur, me qëllim që nesër çështjet të mos hapen më, që pajtimi të jetë i saktë dhe çështja të mos rizgjohet më. Në rastet që ne kemi çuar në pajtim, nuk ka pasur më rikthim në gjakmarrje, pasi ne i marrim të gjithë kushërinjtë e parë, pjesëtarët kryesor të familjes që të firmosin aktpajtimin, i cili është i rëndësishëm për të dy palët, duke lënë gjithashtu dy dorëzanë, si për palën e dëmtuar, edhe palën e ngujuar, me qëllim që të arrihet rezultati përfundimtar që është mirëkuptimi. Ne kërkojmë edhe një herë nga media që të trajtojë me shumë kujdes këtë fenomen. Edhe në kronikat ku ka vrasje të vëzhgohet më tej, nëse vrasja ka ndodhur ose jo për gjakmarrje. Në fund, dua të përsëris dhe të kërkoj që e gjithë politika, pavarësisht krahut, të japë kontributin e saj për zhdukjen e këtij fenomeni, me qëllim që gjakmarrja të bëhet një fjalë e harruar.

 OSMAN DEDJA

Komentet janë të mbyllura

Foto Lajme

Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i përmbajtjes së këtij portali © 2013 Gazeta Republika | Designed by Keminet | Log in
Close
Ndiqni Gazeta Republika në Facebook
Informohuni mbi ngjarjet kryesore të ditës duke na ndjekur në Facebook.