Gjeopolitika e Pranverës Arabe

Publikuar më: 27/04/2012 10:32

1.1 Shtrirja territoriale

Pranvera Arabe,ky“revolucion” ende i pambyllur, lindi në hapësirën gjeopolitike të Botës Arabe e përfshiu pothuaj të gjitha shtetet anëtare të organizatës rajonale “Lidhja Arabe”, me shtrirje gjeofizike në Lindjen e Mesme e në Afrikën Veriore në një territor rreth 14 milionë km² dhe mbi 350 milionë banorë.

Afrika e Veriut, vendnisja e këtij revolucioni arab të shek. XXI, shtrihet në rreth 8 milionë km² dhe ka mbi 197 milionë banorë. Nga relievi, prej kordonit të shkretëtirës sahariane, ngjan si një nënkontinet më vete. I përfshin shtatë shtete arabe: Egjipti, Libia, Algjeria, Republika e Sudanit, Tunizia, Mauritania, Maroku (me territorin e Saharasë Perëndimore), ndërsa Sudani i Jugut, shteti më i ri i botës (9 korrik 2011) dhe disa territore si ishujt spanjoll Ceuta e Melillae dhe ata portugez Kanarie e Madeira, pavarësisht nga lidhjet e vjetra e të reja, nuk bëjnë pjesë në Botën Arabe.

Lindja e Mesme në gjeopolitikën e sotme, përfshin shtetet arabe: Arabia Saudite, Egjipti, Iraku, Emiratet e Bashkuara Arabe (EBA), Jemeni, Siria, Republika e Sudanit, Katari, Omani, Libani, Kuvajti, Jordania, Bahreini, Somalia (me territorin Somaliland), Xhibuti, Komoros, “Autoriteti i Palestinës”, si dhe shtete joarabe: Izraeli, Irani, Turqia, Qipro, etj.

Bota Arabe (Harta nr. 1) në këtë rajon ndërkontinental nga ana territoriale gjendet në disa nënndarje gjeofizike e politike si Gadishulli Arabik, Gjiri Persik, Gjiri Aden, etj.

Harta nr. 1

Shtetet Arabe

Gadishulli Arabik, më i madhi në botë (mbi 3 milionë km²), ngjason si një nënkontinent i Azisë, dhe është i populluar tërësisht nga tetë shtete arabe: Arabia Saudite, (me sipërfaqe e popullsinë më të madhe), Emiratet e Bashkuara Arabe (me potenciale ekonomike të forta), katër monarkitë e vogla e të qëndrueshme në politikat e zhvillimit të shumanshëm si Bahreini (një ishull komb), Kuvajti, Katari (gadishull i vogël), Omani (sulltanat), dhe Jemeni, i vetmi shtet republikan i gadishullit e i dyti për nga numri i popullsisë dhe me problematika politike e ekonomike të prejkohshme e të sotme.

Gjiri Persik, më i pasuri në botë në rezervat e prodhimin e naftës, me territor 251.000 km², ka në hartën e vetë rajonale shtatë shtete arabe: Arabia Saudite, Iraku, Iraku, Emiratet e Bashkuara Arabe, Bahraini, Katari, Kuvajti, Omani, si edhe Irani joarab (komb persian).

Gjiri Aden përbëhet nga tre shtete arabe: Jemeni,Xhibuti,Somalia(dhe territoriSomaliland- i vetëshpallur i pavarur më 18 Maj 1991, me misione diplomatike vetëm në 8 vende të botës).

Viti i tretë kalendarik i “Pranverës Arabe” dëshmon se ky revolucion me të papritura të ditës e pikëpyetje të kohës, me risi të suksesshme e problematika të hapura, ka sjellë “ndryshime të jashtëzakonshme”, “zgjim të ri arab”, demokratizim të ndjeshëm të shteteve arabe, pavarësi e lartësi të identitetit historik, politik e kulturor arab kundër diktaturave shtetërore, terrorizmit ndërplanetar e rajonal, proteksionizmit ekonomik e kulturor, mangësive të mirëqenies; ka ngjallur interes(im) nga fuqitë euroatlantike e aziatike, “ka frymëzuar lëvizje për ndryshim në të gjithë botën”.

Pranvera Arabe me vlerat e risitë historike, politike, demokratike e sociale ka jehonë universale pikërisht për faktin se mori pikënisje, formë e forcë: a) Në hapësirën historiko-politike të civilizimeve të lashta si ai sumeran, asiro-babilon, persian, arab, që kontribuuan në themelet e zhvillimet ekonomiko-kulturore të njerëzimit. b) Në vendorigjinën historike të feve të mëdha si Judaizmi, Krishterimi e Islami. c) Në këtë tokë me etni të ndryshme që kanë ndikime të ndjeshme në politikat botërore të shek. XXI si arabët, hebrenjtë (izraelitët), persianët (iranianët), turqit, kurdët, etj. d) Në këtë rajon nga më strategjikët në prodhimin e eksportimin e naftës dhe me burime të shumta natyrore, tregtare, turistike, kulturore. e) Në këtë vendkryqëzim të rrugëkalimeve detare e tokësore me rëndësi botërore: si kanali i Suezit, (rrugë e shkurtër nga Evropa për në Indi, Azinë Juglindore, Australi), ngushticat detare të Bosforit e Dardaneleve për dalje në Detin e Zi, tri hekurudhat ndërkombëtare si e Bagdatit (lidh Evropën me Gjirin Persik), e Transiranit (zonën bregdetare Kaspike me Gjirin Persik) e ajo Levantike (Turqinë me Egjiptin); etj.

 Pranvera Arabe, në forma e mënyra dhe në nivele të ndryshme, përfshiu pothuaj krejt hapësirën e shteteve të botës arabe: Tunizi, Egjipt, Libi, Siri, Jemen, Bahrein, Algjeri, Irak, Jordani, Kuvajt, Oman, Liban, Mauritani, Arabi Saudite, Republikën e Sudanit, Marok – (dhe Saharanë Perëndimore), territorin e Palestinës, por pati shtrirje edhe në Sudanin e Jugut, në minoritetin arab në Khauzestan të Iranit, në disa rajone kufitare të Izraelit.

Popullsia

 

Bota Arabe (Tab. 1) me 22 shtetet e saj në Lidhjen Arabe numëron 350 milionë banorë, nga të cilët mbi 280 milionë janë të etnisë arabe.[9]

Tabela nr. 1

Bota Arabe: shtetet, kryeqytetet, sipërfaqja e popullsia

Nr.  Shtetet Arabe  Kryeqyteti  Sipërfaqja Popullsia
1 Algjeria Algjer

2,381,741

37,100,000

2 Arabia Saudite Riad

2,149,690

28,146,658

3 Sudani Khartoum

1,886,068

30,894,000

4 Libia Tripoli

1,759,541

6,420,000

5 Mauritania Nouakot

1,030,700

3,069,000

6 Egjipti Kajro

1,002,450

77,498,000

7 Somalia Mogadishu

637.661

10,112,453

8 Jemeni Sana

527.968

23.495.361

9 Maroku Rabat

446,550

31,627,428

10 Iraku Bagdad

438,317

29,671,605

11 Omani Muskat

309,550

2,967,717

12 Siria Damasku

185,180

22,198,110

13 Tunizia Tunisi

163,610

10,589,025

14 Jordania Aman

92,300

6,407,085

15 Emiratet e Bashk. Arabe Abu Dabi

83,600

4,975,593

16 Xhibuti Xhibut

23,200

740,528

17 Kuvajti Kuvajt

18,000

2,789,132

18 Katari Doha

11,437

840,926

19 Libani Bejrut

10,452

4,125,247

20 Palestina

6,040

4,260,636

21 Komoros Moroni

2,235

773,407

22 Bahreini Manama

750

738,004

Statistikat botërore flasin për një rritje gati të dyfishtë të popullsisë arabe nga mesi i shek. XIX deri në fillimet e shek. XXI.

Popullsia në shtetet islamike arabe në përqindjen më të lartë është e etnisë arabe. Mbi 90 për qind evidencohen në Jemen, Tunizi, Jordani, Libi, Egjipt, Arabi Saudite e Siri; mbi 80 për qind në Kuvajt, Mauritani e Algjeri; mbi 70 për qind në Irak e Sudan; mbi 60 për qind në Marok; mbi 50 për qind në Katar, Bahrein e Oman e ndonjë shtet tjetër (Liban, Somali) edhe me përqindje më të ulët si Emiratet e Bashkuara Arabe rreth 20 për qind.[11]

Arabët mbeten etni në pakicë në Izrael (me 20.5 për qind), pasi popullsia tjetër e këtij vendi e ndjen veten dhe njihet historikisht e politikisht si hebraike, kurse në Palestinë aktualisht ka mbi 90 për qind arabë.

Libani, nga pamundësia politike, nuk ka kryer regjistrim të plotë e të saktë të popullsisë së tij qysh prej vitit 1932, ndaj publikon vetëm vlerësime në shifra të përafërta për shkak të përbërjes së tij demografike që i përngjan një “fuqie në shpërthim”, ngaqë është i ndarë në përqindje pothuaj të barabartë në mes të sunitëve, të shiitëve, të krishterëve (shumica e të cilëve janë Marinotë). Republika Demokratike Arabe e Saharasë Perëndimore me një territor të madh, në përpjekje për t’u njohur si shtet më vete, nuk i ka aq të favorshme mundësitë gjeo-organizative për të kryer një regjistrim periodik tërësor të popullsisë së saj as për referendum, pasi fiset e saj në shumë rajone e oaze shkretëtire përgjithësisht janë shtegtarë me blegtorinë.

Në kohën e sotme rreth 100 milionë arabë gjenden në të gjitha kontinentet e botës, të cilët numerikisht përllogariten më tepër se gjysma e popullsisë arabe aktuale në Lindjen e Mesme e në Afrikën e Veriut.

Këto komunitete të diasporës arabe në botën e kohën e sotme, kryesisht rinia, i dhanë një shtysë të veçantë “Pranverës Arabe” sidomos nëpërmjet praktikimit të mjeteve dixhitale në internet (facebook, tëiter, e-mail), me telefoni celulare, etj.

Arabët në botën e jashtme ndodhen më të përqendruar në SHBA,Brazil, Argjentinë, Kili, Meksikë, Australi, Kanada, Francë, Turqi, Spanjë, etj. Miliona arabë kanë emigruar në shtete aziatike e afrikane, sidomos në Paksitan, Indonezi, Indi, Senegal, Kepin e Gjelbër, Sierra Leone, etj. dhe më larg si në Australi, Zelanda e Re e në Oqeani.

Palestinezët kanë emigruar masivisht edhe në shtetet arabe në këto dekadat e fundit, po në asnjërin prej tyre, sipas një vendimi kolegjial të Lidhjes Arabe, nuk mund të marrin shtetësinë, veçse mbeten “emigrantë të paligjshëm” si dhe mjaft të preferuar e të privilegjuar si “vëllezër arabë”.

1.3 Gjuha

Gjuha Arabe përbën një nga elementët më përcaktor të identitetit të botës arabe.

Në ligjshmërinë kushtetuese të 22 shteteve arabe (e në territorin e Saharasë Perëndimore) arabishtja sanksionohet si gjuhë zyrtare, po krahas kësaj, në disa prej tyre, njihen me këtë status ligjor edhe gjuhët autoktone si në Algjeri e në Marok ajo berbere, në Komoros ajo komoriane, në Somali ajo somaleze si dhe në Irak ajo kurde, [16] ndërsa disa vende ish-koloni të dikurshme kanë gjuhë zyrtare të sotme (të dytë apo të tretë) edhe frëngjishten si Tunizia, Xhibuti, Libani, Komoros; anglishten si Republika e Sudanit e spanjishtenRDAe Saharasë Perëndimore.

Arabishtja është një ndër gjashtë gjuhët zyrtare në OKB (prej vitit 1973); në BB e në FMN, si një ndër gjuhët kryesore gjatë mbajtjes së sesioneve plenare në Unionin Ndër-Parlamentar; mbetet gjuhë zyrtare e vetme në Lidhjen Arabe (LA), GAFTA, Këshillin e Bashkëpunimit të Shteteve Arabe të Gjirit; si një ndër tre gjuhët kryesore në Organizatën e Bashkëpunimit Islamik (OIC); një ndër gjashtë gjuhët zyrtare në Unionin Afrikan.

Pranvera Arabe pati objeksion reflektimi të vetin edhe gjuhën. Në Marok, në kuadrin e ndryshimeve kushtetuese me referendum (2011). u sanksionua edhe gjuha vendase berberë si gjuhë zyrtare e këtij shteti islamik.

1.4 Besimi fetar

Tradita historike e Ligjshmëria e Botës Arabe e njohin Islamin si fe zyrtare dhe Sheriatin Islamik si burim themeltar të legjislacionit të tyre, ndërsa në strukturën e qeverisjes kanë ministri të veçanta edhe për punët e fesë.

Në vitin 2012 Bota Arabe i numëron 90 për qind të popullsisë të besimit mysliman, 6 për qind të krishterë e 4 për qind të besimeve të tjera si baha’i, hindu, jeës, etj.

Ndër prurjet formuese të lumit të revolucionit “Pranvera Arabe” (2010-2012) janë edhe përplasjet deri të përgjakshme në mes dy degëve të besimit mysliman, sunitë e shiitë si në rastin ekstrem të Irakut; në mes të myslimanëve me besimtarët hebraikë në konfliktin mbi një gjysmë shekulli Izrael-Palestinë; në mes myslimanëve e të krishterëve e besimet e tjera fetare si në Egjipt.

Pothuaj në të gjitha shtetet arabe mbisundon politikisht e numerikisht besimi mysliman i degëzimit sunni si në Tunizi, Libi, Somali, Mauritani, Oman, Komoros, Algjeri deri në 98-99 për qind, në Jordani, Xhibut e Marok rreth 94 për qind, në Arabi Saudite e Palestinë rreth 90 për qind, në Jemen 65-70 për qind, etj.

Besimi mysliman i degëzimit shiitë në Irak përbën rreth 55 për qind, në Liban, Bahrein e Jemen mbi 30-35 për qind, në Arabinë Saudite mbi 10 për qind, etj.

Popullsia e krishterë arrin në 20 milionë banorë. Në disa shtete kap shifra të larta si Libani 34 për qind, Sudan 25 për qind, Egjipti 16 për qind, Siria 12 për qind, Katari 11 për qind, Kuvajti 10 për qind, Bahreini, Emiratet e Bashkuara Arabe 9 për qind, Palestina 8 për qind, Jordania 6 për qind, Xhibuti, Omani, Iraku e Sudani 3-5 për qind.

Papa Benedikti XVI e ka ngritur disa herë zërin në mbrojtje të të krishterëve në disa vende të botës arabe si në Egjipt, Siri, Irak, gjatë kulmimeve të valëzuara të Pranverës Arabe.[17]

Popullsi hebraike në botën arabe kanë veçanërisht Maroku, Algjeria, Jemeni, Tunizia, Siria, Egjipti e Iraku, por shumica e tyre u rikthyen në Izrael pas themelimit të shtetit të tyre në vitin 1948.

Banorë të besimeve fetare si hebrenj, baha’i, druzë, mandeanism, zoroastrianism, shabak, yarsan gjenden në Republikën e Sudanit 21 për qind, Emiratet e Bashkuara Arabe 15 për qind, Katar 11.4 për qind, Bahrein 8.81 për qind, Siri 6 për qind, Kuvajt 5 për qind, Libani e Libia nga 3 për qind.

(Pa)pajtueshmëria e Islamit me Demokracinë diskutohet në më shumë se tri dekada, sidomos nga fitorja e Revolucionit Islamik të Iranit (1979), por shfaqet si një nga çështjet kyçe në motivime e interpretime të Pranverës Arabe në tri këndvështrime kryesore. Mendimi i parë: Islami dhe Demokracia kanë supozime të ndryshme filozofike dhe historike dhe si të tillë janë të papajtueshëm. Mendimi i dytë: Islami, si një fe gjithëpërfshirëse, është tërësisht në përputhje me Demokracinë dhe nuk ka asnjë kontradiktë midis të dyjave. Mendimit i tretë: janë dy doktrina të ndryshme, por jo krejtësisht të papajtueshme.

Zhvillimet e fundit në Botën Arabe janë të ndryshme nga ajo që ka ndodhur në Perëndim, për shkak se masat janë zgjuar tani dhe ato janë duke u përpjekur për të krijuar ndryshime të mëdha në gjendjen sociale, ekonomike e politike të vendeve të tyre. Ky zgjim, i frymëzuar kryesisht nga vlerat islame, garanton vazhdimësinë e Pranverës Arabe dhe e parandalon atë për t’u kthyer në një “Dimër Arab”.

 1.5 Forma e qeverisjes

Shtetet e botës arabe i kanë të gjitha format e qeverisjes politiko-shtetërore, që i janë përcjellë njerëzimit nga antikiteti i hershëm e deri në shek. XXI.

Monarki Absolute:ArabiaSaudite (mbret), Emiratet e Bashkuara Arabe (emirat), Katari (emir), Omani (sulltan).

Monarki Kushtetuese: Jordania, Bahraini, Kuvajti, Maroku, të cilat janë të drejtuara nga mbret të kurorës trashëgimtare.

Republikë Presidenciale: Komoras. Republikë Gjysëm-Presidenciale: Algjeria, Xhibuti, Palestina.

Republikë Parlamentare Federale kanë Iraku (prej vitit 2005), Sudani (prej vitit 1996), Sudani i Jugut (prej 9 korrikut 2011). Republikë Parlamentare e Bashkuar: Jemeni prej 1 tetorit të vitit 1994 si dhe Tunizia. Republikë Parlamentare: Libani dhe Siria (të dyja të sistemit Parti-Shtet).

Republika Demokratike Arabe e Saharasë Perëndimore (territor me status të veçantë). Republikë Islamike: Mauritania. Republikë në Tranzicion: Libia (Këshilli Kombëtar i Përkohshëm i Tranzicionit). Juntë Ushtarake: Egjipti–prej 11 shkurtit 2011.

1.6 Fuqia ekonomike e politike e naftës

Interesi për naftën e Lindjes së Mesme e të Afrikës së Veriut fillimisht u përqendrua në Kirkur, (asokohe pjesë e vilajetit të Mosulit-Irak) e në Persinë e Jugut, nga Ëilliam Knox D`Arcy në vitin 1908.

Në kohën e sotme, rezervat e burimet më të mëdha të naftës gjenden në rajonin lindor të Arabisë Saudite, në rajonin e Abu Dhabit në Emiratet e Bashkuara Arabe, në shkretëtirën e Syrtes në Libi etj.

Në rend kronologjik e filluan eksportimin e naftës, ndonëse në një masë të kufizuar, të pakët: Irani (1913), Bahreini (1922), Iraku (1928), Arabia Saudite (1938) e Kuvajti (1946).

Në mesin e viteve ‘40 të shekullit të kaluar kompanitë amerikane të naftës kontrollonin deri 42 për qind të naftës të Lindjes së Mesme, duke pasur sigurisht edhe interesa madhore në kompanitë më afër vendit të tyre si në Meksikë, Venezuelë apo në SHBA.

Lufta e Dytë Botërore, konfliktet politiko-ushtarake të Gjirit Persik (në vitet ’90 të shek. XX) e deri tek revolucionin aktual i Pranverës Arabe si në rastin e Libisë, e kanë shndërruar këtë hapësirë gjeopolitike të “arit të zi” në një rajon tepër strategjik të interesave e kërkesave për naftë saqë për disa nga këto vende ekziston edhe termi politik e tregtar “shtete të naftës”.

Një mësim i qartë doli nga Lufta e Dytë Botërore: nevojat e ardhshme të Perëndimit për naftë do të plotësoheshin vetëm me rritjen e prodhimit të naftës nga rezervat e stërmëdha të botës arabe në Lindjen e Mesme e në Afrikën e Veriut e ato të kombit persian, Iranit.

Nafta ishte një faktor përcaktues për popujt e këtij rajoni, që pas shpërbërjes së Perandorisë Otomane e pas protektorateve kryesisht angleze e franceze, ndikoi në formësimin e kufijve politik të shteteve arabe dhe në ekzistencën e pavarur të tyre. Gjithashtu, ka rol përcaktues në politikën e brendshme e të jashtme të këtyre shteteve dhe në ekuilibrin e fuqisë politike e ekonomike të krejt rajonit, por dhe jep e merr ndikime në politikat e sotme globale.

Saktësisht, është e vështirë të flitet për rolin e vërtetë që luante nafta gjatë Luftës së Ftohtë, po sidoqoftë edhe ky “ar i zi”, si shumë tipare të tjera të kësaj periudhe, i ngjante një hendeku politik e ideologjik nga përplasjet e kohës të “Perdes së Hekurt”, një kryqëzim e përballje politiko-ekonomike të “interesave jetike” të botës perëndimore euroatlantike me ato të botës lindore euroaziatike-sovjetike etj., por shërbente edhe si justifikim për të mbështet këto shtete arabe njërin apo tjetrin regjim më pak apo më shumë (jo)demokratik.

 Në vitet ’50-’70 të shek. XX, Lindja e Mesme dhe Afrika e Veriut, duke marrë shkas edhe nga zbulimet e reja e eksportet e mëdha si nga Algjeria, Libia e Katari, u shndërruan në burimin kryesor të naftës për Europën Perëndimore dhe Japoninë, kurse Bashkimi Sovjetik importonte në sasi të pakët naftë të papërpunuar nga këto vende, ndonëse në një kontekst tjetër, asistenca sovjetike në aspektet teknike dhe garancitë në shitje ishin si parakushte vendimtare të shtetëzimit të pasurive të naftës si në Irak (1972) dhe embargoja ndaj tij (tetor 1973).

Në realitet, nafta nuk funksionoi kurrë si burim konflikti midis Lindjes dhe Perëndimit në ato përmasa që i jep propaganda politike e ditës. Akoma më tepër edhe shtetëzimi i naftës, një parullë ironike e vendeve të etura për të kontrolluar ekonomitë e tyre, degradoi në një flluskë propagandistike jo të efektshme duke pasur parasysh natyrën despotike të qeverive të Lindjes së Mesme. Së pari, në vitet ’70, Pavarësia ekonomike e shteteve individuale i përkiste të kaluarës. Së dyti, shumica e të ardhurave të fituara prej naftës nuk shkuan në masat e varfra popullore të vendeve të pasura me të, por në ato të klikave në pushtet, qofshin ato në Iran, Irak, Libi apo në Arabinë Saudite.

Në historinë bashkëkohore të Lindjes së Mesme e të Afrikës së Veriut, nafta përbën një pasuri jetike ekonomike e politike në progresin e tyre të shumanshëm dhe luan një rol të veçantë në industrinë ndërkombëtare të naftës.

Ky rajon arab kontrollon 68 për qind të të gjitha rezervave botërore dhe eksporton 35 për qind të totalit botëror.

Pesë prodhuesit e Gjirit Persik kanë 65 për qind të rezervave botërore të naftës dhe afërsisht 75 për qind e të ardhurave të ekonomive të tyre vijnë prej saj.

Nafta është pjesë e çdo debati rreth Lindjes së Mesme e të Afrikës së Veriut dhe ka ndikuar dukshëm në marrëdhëniet e Botës Arabe me vendet e tjera, sidomos me Fuqitë e Mëdha. Njëkohësisht, ka pasur ndikim bazë brenda rajonit arab, duke çuar kështu në një polarizim mes atyre vendeve që nuk janë të pasur me naftë e atyre që nuk kanë rezerva të tilla. Prania e naftës ka përforcuar sistemin ekonomiko-politik të shteteve arabe, se përndryshe, në mungesë të saj, do të ishin në përballje e pikëpyetje ekzistenca e progresi i tyre si të tilla.

Përfundime:

- Pranvera Arabe, në Lindjen e Mesme dhe në Afrikën Veriore mbart problematika historike e politike të së kaluarës të dhunshme koloniale, që kanë ndikuar në politikat e brendshme nacionale të secilit prej shteteve arabe, çka ka krijuar kushte për fenomenin e diktaturave të natyrave të ndryshme në kohërat postkoloniale, duke mos qeverisur shoqëria demokratike po klanet, tributë e familjet e njohura, disa prej të cilëve, në sisteme monarkiste apo republikane, kanë me dekada në pushtet.

- Lufta kundër terrorizmit islamik pas 11 shtatorit 2001 dhe Lufta për Demokraci në Irak në vitin 2003 ishin nga faktorët përcaktues të gjallërimit të Pranverës Arabe, pasi mori goditje ndërkombëtare ekstremizmi islamik “Osama bin Laden” e diktatura “Sadam Husein”, duke çliruar e kultivuar vlera nacionale e demokratike në shtetet arabe.

Vërtet Osama bin Laden u vra fizikisht në Pakistan, po realisht, u vra politikisht në revolucionet, demonstratat e protestat e Pranverës Arabe.

Në fundvitin 2011, në 1-vjetorin e Pranverës Arabe, Iraku e kishte plotësisht në kontroll vetveten, pasi u largua edhe kontigjenti i fundit i Aleancës 10-vjeçare “Liri për Irakun”

- Dimensionet e Pranverës Arabe përfshijnë të gjitha fushat si ato politike, ekonomike

sociale, kulturore e fetare dhe në secilën prej tyre e në çdo shtet islamik pati reforma të pjesshme e në proces, zgjidhje të menjëhershme kushtetuese, sociale, etj.

- Pranvera Arabe u shfaq në forma, mënyra e nivele të ndryshme në secilin prej shteteve islamike arabe, kryesisht si revolucion i mirëfilltë e luftë civile në Libi (që solli përmbysjen e regjimit e vrasjen e diktatorit Gadaf), si kryengritje e pambaruar e me elementë të një lufte civile në Egjipt (që rrëzoi një diktaturë e solli një juntë ushtarake), kryengritje e luftë gjysmëcivile të hapur si në Siri, si lëvizje revolucionare komplekse si në Tunizi e në Jemen, (që rrëzoi diktatorët), protesta të përqendruara e rajonale (në rrugë e me greva) si në Bahrein, Marok, Algjeri, Oman, Kuvajt, Jordani, etj., demonstrata si në Liban, Izrael, Palestinë etj.

- Në fakt, Pranvera Arabe nisi në Tunizi, më 17 dhjetor 2010, po realisht protesta

social-ekonomike ka pas edhe më përpara në vendet arabe, si grevat në Mahallën në Egjipt, e minatorët në Gafsa në Tunizi, fushata nga të diplomuarit e papunë si dhe lëvizja kundër papunësisë e rritja e kostos së jetesës në Marok etj.

- Në disa shtete arabe pati shpërdorim të sistemit qeverisës, pasi ka disa monarki absolute, po edhe presidentët republikanë sillen sikur të ishin monark absolut, të cilët qëndrojnë në pushtet duke përdorur forcën, korrupsionin, shantazhin dhe turpin. Bashar al Assad ka zëvendësuar babanë e tij Hafez al Assad; Seif al Islam ishte projektuar si zëvendësuesi natyror i Gedafit; Mubarak kishte menduar për zëvendësues djalin e tij. Të gjithë këto plane tipike despotike dhe aspak demokratike u prishën nga ngjarjet e Pranverës Arabe.

- Dy nga rrënjët e prurjet e Pranverës Arabe janë edhe konflikti i pambyllur, mbi

gjysmëshekullor, Izrael-Palestinë dhe konflikti i hapur i Iranit për prodhimin e armëve bërthamore, të cilët mbajnë të ndezur tensionet ndëretnike, cenojnë sigurinë nacionale të shteteve arabe etj.

- Pranvera Arabe tregoi se Perëndimi “dështoi” në botën arabe për ta formësuar këtë

rajon sipas modelit të tyre, sikurse shtetet islamike arabe dështuan në politikat e mbajtjes të “status-quos” të tyre të shumanshme e të prejkohshme.

- Pranvera Arabe dëshmoi se arabët janë po aq demokratë sa edhe pjesa tjetër e botës

demokratike, duke i hedhur poshtë gjithë ato supozime se: “Lindja e Mesme është ndryshe”, “feja islame është ndryshe”, “arabët nuk janë demokratë si ne” etj.

- Vetë Pranvera Arabe me zhvillimet e saj nga 17 dhjetori 2010 e deri sivjet dëshmon

botërisht se ka dalë përfundimisht nga “Dimri Arab” i politikave botërore të shek. XXI të

pas 11 shtatorit 2001, asaj “Liri për Irakun” më 2003, etj.

o Pranvera Arabe e ka dhënë rezultatin e saj, sepse ndryshoi përfundimisht gjeodinamikën e rajonit, vrau frikën nga diktaturat arabe dhe i vuri ato para përgjegjësisë historike për të lënë pushtetin apo për të ndërmarrë reforma të thella e të shumanshme. Brezi i ri i botës arabe tashmë do lirinë dhe përparimin që e sheh në pjesën tjetër të botës.

- Pas përballjeve politike të dyanshme në mes Perëndimit e Botës Arabe në evolucionin e

mendimit e veprimit të tyre politik forcat demokratike progresiste në këto shtete islamike arabe mirëpanë se “armiku” nuk ishte Perëndimi, po vetë “tirania” antidemokratike që ndodhej në epiqendër të tyre, në krye të pushtetit, afër popullit arab.

- Pranvera Arabe e meriton përcaktimin si një “Lëvizje e pavarur”, sepse nuk ka një

lider të vetëm që drejton, nuk ka një parti që organizon e çon përpara revoltat. Miliona njerëz zbresin në rrugë në emër të Kombit, të Islamit e të Demokracisë. Kemi të bëjmë me një revolucion të një lloji të ri: spontan e i paparashikuar.

- Pranvera Arabe na dëshmon se sa po ndryshon jo vetëm Bota Arabe, po njëherësh, njëtrajtësisht e në vijimësi ritregon se po ndryshon edhe Bota e sotme globale në fillimet e shek. XXI.

- Pranvera Arabe është një faqe historie e shkruar ditë për ditë me dinjitet, me drejtësi,

me vetëmohim dhe me të nesërme progresi të përditshëm e të gjithanshëm.

Nga ARDITA LUSHAJ

Albanian University

TIRANE

Komentet janë të mbyllura

Foto Lajme

Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i përmbajtjes së këtij portali © 2013 Gazeta Republika | Designed by Keminet | Log in
Close
Ndiqni Gazeta Republika në Facebook
Informohuni mbi ngjarjet kryesore të ditës duke na ndjekur në Facebook.