Kush e vrau Qamil Danin?!

Publikuar më: 25/04/2012 9:57

…. 18 janar 1975. Krisma armësh zbrazen në “Kullën e Kuqe”, në ish-Komitetin e Partisë së Punës të rrethit të Dibrës, në atë “kullë” ku luhej hapur me jetën e njerëzve, ku përpiloheshin pafund karakteristikat famëkeqe të “qëndrimit moralo-politik” të njerëzve, ku merreshin vendimet për internime, dëbime, burgosje, pushime nga puna; ku mohohej e drejta për shkollim, e drejta për t’u zgjedhur, ku bëheshin ndaj qytetarëve krimet më monstruoze e plot kufizime të tjera të pafundme të të Drejtave të Njeriut.

Dibra heshti. Malet qanë. Fshatrat s’bëzanë më. Kullat e Daneve hapën mortin. Anë e më anë u shpërndanë fjalëtorët. Kafexhinjtë u vunë në punë. Burrat e fisit u mblodhën, as flisnin e as komentonin. Nuk kishte muhabet. Cigaret ndizeshin njëra me tjetrën. Shamizezat e Arrasit e të Fushës nisën kujën. Njerëzit, kudo që ishin, gojë e më gojë e vesh me vesh, se s’guxonin të thoshin hapur çfarë kishte ngjarë, e thanë atë që kishte ndodhur, se në shkallët e katit të dytë të zyrës qendrore partiake të rrethit të Dibrës kishte ndodhur një vrasje e pazakontë.

     Është vrarë Qamil Dani, ore hej, hej.

    Atë ditë, Qamili ishte thirrur në analizë në Byronë e Partisë të Rrethit, ku e akuzonin për të bëra e të pabëra. Kur doli nga salla e mbledhjes, që ndodhej në katin e tretë, zbriti një kat më poshtë, dhe në katin e dytë. La jetimë Agronin 5 vjeç, Hekuranin, tre vjeç, Qamilin – barrë në bark të nënës, ndaj dhe i ngjitën emrin e babait të vet, Razien – më të madhen vajzë, që ishte në klasë të pestë dhe Shimen.

     E vranë këtë burrë apo e detyruan të vetëvritej?!

     Qamil Dani kishte lindur në Arras, më 5 prill 1936, në një familje të respektuar. U rrit me vështirësitë e problematikën e kohës së vet, por gjithnjë shquhej për zgjuarsi dhe intelekt të veçantë. Kishte një karakter të fortë, nuk dorëzohej lehtë, çfarë synonte e arrinte; ishte këmbëngulës dhe sedërli i madh. Ka pasur trup të gjatë e të hequr, flokët afërsisht i kishte si biond, qe i komunikueshëm, i qetë, fjalëmbël; një njeri i përsosur, që kishte ditur të ndërtonte marrëdhënie të shkëlqyera me të gjithë njerëzit që njihej, me të gjithë ata kishte marrëdhënie pune ose farefisnie. Kishte një dëshirë të madhe për të ndihmuar të gjithë njerëzit, edhe në dëm të detyrës e së mirës së vet. Të gjithëve donte t’u shërbente e t’u mbaronte punën e hallet që ata kishin, t’u gjendej afër në kohë të vështira.

     Këto cilësi të veçanta bënë që, shpejt, ai të pranohej në parti dhe të merrte poste të rëndësishme drejtuese në krahinën e Fushë-Alies, ku u bë ndër figurat më përfaqësuese të kësaj krahine emërmadhe. Ai ishte zë që dëgjohej, njeri që respektohej. Ndaj, për 12 vjet qe dhe kryetar i kooperativës bujqësore të Fushë-Alies. Gjatë kësaj kohe kishte arritur edhe rezultate në punë, sepse kjo kooperativë, megjithëse me rezultate inkurajuese, dallohej nga të tjerët që ishin në gjendje ekonomike e financiare shumë më të dobët se ajo që drejtonte Qamil Dani. Ishte kjo arsyeja që Qamili fitoi edhe simpatinë e respektin e drejtuesve kryesorë të rrethit, si të Partisë dhe të qeverisë. Gjithashtu, ai u njoh edhe me Kadri Hazbiun – ish-ministër i Brendshëm, i cili kishte ardhur dhe kishte ngrënë e kishte pirë në shtëpinë e Qamil Danit. Disa herë kishte ardhur në derë të tyre edhe Haxhi Lleshi -president i vendit për kohën. Kishin ardhur e kishin shkuar në shtëpi të tij edhe Sul Baholli, Jashar Menzelxhiu, funksionarë të lartë partiakë e shtetërorë për kohën etj. Ndërsa lista e drejtuesve të tjerë të rrethit, që kishin hyrë e dalë te Qamili ishte e gjatë, shumë e gjatë.

     Kur dukej se punët po ecnin mirë, për Qamil Danin ato morën një kthesë dramatike. Kjo ndodhi kur u ndërrua sekretari i Byrosë së Partisë Punës të kooperativës. Ai filloi të ankohej për të, se “nuk përfillte Partinë”, se “kuadrot e kooperativës që kishte në varësi nuk i linte të kryenin detyra partie, se “nuk shkonte në analizë në Byro të Partisë së kooperativës”, se “kishte frymë komandimi” – madje, se i thoshte Sekretarit të Byrosë “që mbledhjen mos e bëj sot, se unë kam punë”, se “kishte zbutur vigjilencën revolucionare”, se kishte ndihmuar njerëz me biografi të keqe” etj. Smira dhe intriga kundër njerëzve me perspektivë, ndaj atyre që shquheshin në kryerjen e detyrave dhe kishin krijuar autoritet e kishin fituar respekt, në atë kohë ishin në kulmin e vetë.

    Në vitin 1956, ai u martua me Hatixhen, vajzën e Osman Kovaçit, me të cilin e mbushi shtëpinë me djem e vajza. Por Hatixhja na kishte pasur dhe “cene” në biografinë politike të saj, kishte qenë me biografi “të keqe”. Daja i saj, Ramadan Tota kishte qenë i arratisur. Madje, në një rast, kur kishte ardhur ilegalisht në Fushë-Alie, qe strehuar te Osman Kovaçi dhe për këtë gjë, Osmani kishte bërë edhe disa vite burg. Kur organet drejtuese të Partisë së Punës e zbuluan këtë fakt, i kërkuan të ndante gruan me fëmijë e të prishte miqësinë, gjë që Qamili nuk e pranoi.

     Atëherë, Qamil Dani u ndodh ngushtë, mes dy zjarresh. Nga njëra anë, kundër tij qëllonte “Baza e Partisë”. Nga ana tjetër, ndaj tij sulmonte më tërë egërsinë e vet, vetë “Partia në qendër”. Burri ra në telashe. Hatixhja tregon se, në atë kohë, Qamili ishte krejt i heshtur dhe i mbyllur në hallet e telashet që ia kishin krijuar. Nuk i fliste kujt, nuk i shprehej kujt. Rrinte ditë e natë në punë. Kishte raste që e gdhinte në zyrën e vet. Kështu, ditë pas dite, situata po i bëhej kërcënuese.

    Dhe për të goditur dikë, kur buça vendoste të hante “këlyshët e saj”, kishte nj strategji të caktuar. “Shtriga” e kishte për zakon, që ndëshkimin apo goditjen e ndokujt e fillonte me diskreditime publike, si me artikuj në gazetën “ZP dhe “Ushtima e Maleve” dhe vazhdonte me “analiza” partie. Pra, fillimisht, partia përpunonte opinionin për çdo goditje kundër dikujt dhe pastaj vetë personin e provokonin, i shkatërronin nervat. Kështu bënë dhe me Qamil Danin. Një ish-sekretar i Komitetit të Partisë jabanxhi shkroi dhe botoi një shkrim në “ZP”, sikur Qamili nuk bënte autokritikë dhe nuk shkonte kur “Partia e thërriste në analizë”. Një i tillë artikull diskreditues u botua edhe në gazetën lokale “Ushtima e Maleve”. Pra, terreni u përgatit. Dhe, sapo ndodhi kjo, filluan analizat në “bazën e Partisë”, në organizatën bazë të Partisë të sektorit Blliçe, ku Qamili ishte dërguar të bënte “jetën e Partisë” dhe në Mbledhjen e Përgjithshme të komunistëve të Fushë-Alies.

     Mbledhja e Përgjithshme e komunistëve të Fushë-Alies u bë më 29 dhjetor 1974. Në këtë mbledhje morën pjesë edhe përfaqësuesit e organizatave të masave (Rinisë, Gruas, Frontit Demokratik), kryetarët e këshillave të fshatrave, anëtarët e kryesisë së kooperativës bujqësore. Qamili u akuzua se ka “nënvlerësuar Byronë e Partisë (të kooperativës). Qamili, nga ana e tij, u mbrojt fort. Ai tha se “e kam pritur I.P. – sekretarin e Byrosë së Partisë të kooperativës dhe se kam respekt të madh për Byronë e Partisë dhe sekretarin e saj. Akuza se jam mendjemadh është e ekzagjeruar, nuk jam munduar të prish unitetin, kemi pasur dhe fërkime, por këto gjëra janë ekzagjeruar.”

     Dikush nga servilët që diskutuan tha se Qamili ka shfaqje të arrogancës në marrëdhëniet me kuadrot e kooperativës. Një brigadier e sekretar i një organizate bazë të Partisë e akuzoi, se “u ofron favore të njohurve”, se “R.N. i ka dhënë bazë ushqimore për bagëtinë private (me para) dhe nuk e ka ruajtur bazën ushqimore për kooperativën”, se “u ka dhënë leje disa specialistëve të largohen nga kooperativa, për të punuar në shtet”. Njëri tha se “nuk ka pranuar të jepte llogari në Parti”.

     Pastaj, më 6 janar 1975, u bë edhe mbledhja e organizatës bazë të Partisë të sektorit Blliçe. Këtu u akuza për “qëndrim nënvleftësues ndaj Byrosë së Partisë” (se këtu sillej e mbështillej gjithë lëmshi), kryesisë dhe kuadrove, se “kooperativa kishte dobësi”, se ai “kishte frymën e komandimit”, se ai “kishte favorizuar elementë të deklasuar” (madje, për N.B. akuzohej se i kishte leje të punonte si kuadër në shtet, kur babanë e kishte të pushkatuar nga regjimit komunist), se “dikujt prej tyre i kishte dhënë edhe para paradhënie nga arka kooperativës” – sigurisht me dokumente (d.m.th. një sasi lekësh para kohe, gjë krejt normale dhe e zakontë për kohën, pasi kooperativistit ajo shumë që merrte paradhënie i mbahej nga llogaria e vonshme). Sipas logjikës komuniste, t’i bije “këmborës” kur ishe në poste drejtuese ishte krim, të ndihmoje dikë që të merrte më shumë para e të plotësonte nevojat e familjes ishte krim, të lejoje dikë të punonte në ndërmarrje shtetërore, kur ishte kooperativist, ishte krim; të jepje dikujt kundrejt pagesës bazë ushqimore-barë, kashtë e jonxhë të shpëtonte bagëtinë e tij, ishte krim; të ndihmoje dikë me “biografi të keqe” – të deklasuar, ishte krim; të kundërshtoje vetë Partinë ishte krim. Asokohe, gjer këtu kishte vajtur puna.

    Për Qamil Danin, të gjitha këto ishin akuza të rënda për kohën. Përjashtimi nga Partia ishte pushkatim politik. Pak gjë nëse nuk ishte komunist, shumë gjë nëse ishe dhe përjashtoheshe. Pas tij, vinte menjëherë pushimi nga puna, i cili pasohej me plot peripeci jo vetëm politike, por edhe ekonomike. Edhe në Byro të Partisë, më 18 janarin kobzi të vitit 1975, të gjitha këto ia ngritën dhe po për të gjitha këto i kërkuan llogari në formën më brutale. Në këtë mbledhje byroje, morën pjesë anëtarët e kandidatët e saj: Hekuran Isai, Tefta Cami, Skënder Dema, Halit Nura, Rrahim Nela, Isa Liksala, Adivije Lazri, Selman Lika, Kimete Goxhi, Shyqyrije Lleshi, Gani Isaku, Zija Mehmeti, si dhe: ish-sekretari i Komitetit të Partisë – Tosun Spahiu, Qerim Ribaj – sekretar i Komitetit të Partisë të Bulqizës, Niazi Agoli – kryetar i Frontit Demokratik të rrethit, Rakip Dançe – sekretar i Parë i Komitetit të Rinisë, Ismete Jashari – kryetare e Organizatës së Gruas, si dhe instruktorët e Komitetit të Partisë: Ramiz Leka, Rustem Deva, Rexhep Cara, Aqif Koçi, Isuf Poleshi – sekretar i Byrosë së Partisë së Fushë-Alies dhe ish-kryetarja e Këshillit të Bashkuar të Fushë-Alies. Të drejtë për të marrë vendime kishin vetëm anëtarët e Byrosë së Partisë.

    Një nga Sekretariati i Komitetit të Partisë, që i kishte drejtuar mbledhjet e partisë “në bazë në analizën e Byrosë së Partisë së Rrethit”, i tha: “Në të gjitha mbledhjet ti ke mbajtur qëndrim shumë provokues, duke i rënë, madje edhe tavolinës me grusht”.

    Në Byro i kërkuan edhe sqarime biografike për problemet që i ngriheshin për familjen e gruas së tij, Hatixhen. Në Byro e akuzuan se “Qazim Daci – kushëri i parë i nënës (në fakt, ishte vëllai i nënës së Qamilit, kishte qenë i burgosur politikë dhe se kishte vdekur në burg; se një kushëri i tretë i gruas së Qamilit, Ramadan Tota, ishte me qëndrim të keq politik, i arratisur në Jugosllavi, se xhaxhai i gruas së Qamilit (në fakt, ishte babai i saj), Osman Kovaçi, në vitin 1951, ishte dënuar politikisht si agjent i UDB-së. Pra, ia ngushtuan vallen aq keq, sa rrugëdalja “pa u lagur”, ashtu si i ishin kurdisur punët, në ato kushte, ishte gati e pamundur.

    Megjithatë, Qamili u mbrojt fort. Kishte logjikë dhe forcë argumentuese për t’i kundërshtuar çfarë ngriheshin kundër tij, për t’i hedhur të gjitha poshtë. Ja, si i kërkuan llogari “për zbutje të luftës së klasave dhe ulje të vigjilencës revolucionare”, pika b) e vendimit dhe e protokollit të mbledhjes së Byrosë së Partisë: “Ka oportunizëm lidhur me zhvillimin e luftës së klasave, sepse ka përkrahur njerëz me përbërje të keqe politike, që ka prej tyre që kanë borxhe (në kooperativë – F.D.) dhe nuk i paguajnë, ose u bënë hatere e favorizime, që edhe traktoristëve u është dhënë bukë pa lekë (nga mensa e kooperativës -F.D.), ose të një tekniku të pyjeve, Rexhep Nokës i është dhënë bazë ushqimore në një kohë kur kooperativa ishte keq për vete.”

    Ja, edhe kritikat e rënda në pikën c) të vendimit dhe të protokollit të mbledhjes së Byrosë: “Nuk ka përfillur rolin udhëheqës të Partisë, nuk ka dhënë llogari para saj, nuk duronte rolin udhëheqës të Partisë. ”Meqë unë kam punë sot, ju duhet të anuloni mbledhjen e Byrosë.”

    Si në vendimin e Byrosë, ashtu dhe në Protokollin e Mbledhjes së Byrosë së Partisë të rrethit, është bërë një shënim në fund të dokumenteve, ku shkruhet se “kur Qamili vrau veten, atij nuk i ishte komunikuar vendimi i përjashtimit, pasi ai, ende nuk ishte marrë.” Por, pas vetëvrasjes, Qamil Dani, edhe pse i vdekur, përjashtohet nga Partia dhe pushohet nga puna si kryetar i kooperativës. Pra, i vdekuri u përjashtua nga Partia, i vdekuri u pushua. Absurdi i kohës.

Pas krismave në katin e dytë të kësaj kulle të zezë, që asokohe quhej “Kulla e Kuqe”, lajmi mori dhenë. E përhapën retë, era, zogjtë, njerëzit: Hej, Qamil Dani u vra. Edhe për në Fushë-Arras u rrahën telat. U lajmërua familja. U lajmërua dhe Partia në bazë e në qendër dhe u porosit se si duhej të vepronte për situatën, që kishte krijuar nga ajo vrasje. Në Arras plasi kuja e vaji për burrin Qamil Dani, që u vra në moshën më të mirë, kur ishte vetëm 39 vjeç. U lajmëruan dhe anëtarët e Partisë e të strukturave drejtuese në Fushë-Alie. Të gjithëve iu tha: “Mos i shkoni në varrim, se vetëvrasja është tradhti, është krim” dhe shumë komunistë servilë nuk i shkuan as në varrim.

    Ja si e kujton, atë situatë të vështirë, Mane Dani, vëllai i madh i sotëm i Qamilit: “Kur Qamili qe shtruar në spital, në Fushë, duke shfrytëzuar mungesën fizike të Qamilit, u ngritën kurthet kundër tij. Atëherë, unë shkova në spital dhe i tregova se ç’po kurdisej kundër tij. Ai doli nga spitali pa u shëruar dhe erdhi në vend e ndoqi situatën, por, ndofta ishte vonë. Atë natë, që nesër do të shkonte në analizën në Byro, ka qëndruar 24 orë në zyrë dhe është përgatitur. Kur është analizuar në Byro më kanë thënë se ka qëndruar si trim i vërtetë. Një e shtruar në spital të Peshkopisë, më vonë, më pyeti nëse e njihja Qamil Danin, me që kisha me të njëjtën mbiemër. Kur i thashë se çfarë e kisha, ajo më tha: Trim si Qamil Danin, nuk kam parë. Ai i hodhi poshtë me zgjuarsi e burrëri të gjithë akuzat, që iu bënë në atë mbledhje. Kur i thanë të dorëzonte teserën e Partisë dhe pistoletën, ai u përgjigj: “I gjallë nuk i dorëzoj këto, që i kam mbajtur prej 20 vitesh.

    “Atë natë,- kujton Hatixhja, e shoqja,- kur të nesërmen do të shkonte në analizë në Byro, ka qenë te Maneja, bashkë me Shemsi Hoxhën, që asokohe ishte shef i llogarisë në kooperativë. Kur ka dalë të vinte tek shtëpia, revolen e kishte harruar nën jastëkun, ku qe mbështetur, gjë që nuk i kishte ndodhur ndonjëherë tjetër. Si duket, ka qenë shumë i shqetësuar për ditën e nesërme, kur do të analizohej. Revolen, që harroi, ka dalë e ia ka dhënë nusja e Manes, pasi Qamili qe larguar prej shtëpisë së vëllait. Ndërsa, vëllai tjetër, Aqifi, kujton: “Sa na erdhi haberi se Qamili ishte vrarë, unë me Manen u nisëm për në Peshkopi të merrnim kufomën e tij. Rrugës nuk na merrnin edhe makinat që takonim. Tanimë, Qamili dhe ne ishim armiq! Madje, njërës nga makinat, në Kastriot, i dolëm para drejtpërdrejt në rrugë, por ajo iku si reja, si të ikte prej murtajës. Kur shkuam në Peshkopi, në Degë të Punëve të Brendshme nuk na e dhanë kufomën. Atëherë, shkuam e takuam Hekuran Isain, sekretarin e parë. Vetëm ndërhyrja e tij, bëri që të merrnim kufomën e të vinim për t’i bërë nderimet, që meritonte, ai burrë i nderuar i gjithë krahinës sonë.

    U vra e shkoi Qamil Dani, ky burrë me emër të veçantë në krahinën e vet e jashtë saj. La në vuajtje e mjerim fëmijët e të gjithë të afërmit, por la pas edhe atë emër të mirë që kishte krijuar me sjelljen e punën e tij, emër, që edhe sot, pas 37 vjetësh, nuk është venitur në kujtesën e të gjithë të njohurve të tij. Qamil Dani qe viktimë e regjimit komunist, pararendës i demokracisë.

Nga Fatos DACI

Publicist

 

Komentet janë të mbyllura

Foto Lajme

Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i përmbajtjes së këtij portali © 2013 Gazeta Republika | Designed by Keminet | Log in
Close
Ndiqni Gazeta Republika në Facebook
Informohuni mbi ngjarjet kryesore të ditës duke na ndjekur në Facebook.