“Mësuesi, pedagogu, personaliteti, etika e tyre” – një vepër madhore pedeutologjike

Publikuar më: 27/04/2012 10:27

Prof. Dr. Musa Kraja, pedagog shumëvjeçar i Universitetit të Tiranës, Kryetar e Akademisë Shqiptare të Shkencave të Edukimit, rektor i Akademisë Pedagogjike të Tiranës, autor i shumë veprave, kryesisht social-pedagogjike, këto ditë botoi veprën madhore, me titull “Mësuesi, pedagogu, personaliteti, etika e tyre”. Kjo vepër pedeutologjike (për mësuesin) është si kurorë e veprave të tjera të tij të kësaj natyre, si: “Migjeni mësues”, “Mati Logoreci për kombin shqiptar”, “Mësuesit për kombin shqiptar”, “Bij të Lunxhërisë për arsimin shqiptar” etj.

Këtë vepër madhore, prof. dr. Musa Kraja ia dedikoi: “Mësuesve dhe pedagogëve shqiptarë, në shenjë respekti dhe mirënjohjeje si kolegu kolegut, për atë që kanë bërë e vazhdojmë të bëjmë, si rrallë kush, me përkushtim e ndërgjegjeje kombëtare e profesionale për brezat që rriten.

Njëkohësisht, si urim paraprak për 100-vjetorin e Pavarësisë, në të cilin është shkrirë edhe puna vetëmohuese e tyre me breznitë e reja në të gjitha viset shqiptare.”

Vepra në fjalë e Prof. dr. Musa Krajës, është unike, si për nga tematika dhe struktura, ashtu edhe nga vëllimi i saj. Përmbajtja e saj shtrihet në afër 800 faqe. Ndahet në 14 krerë (kapituj) kryesorë. Secili prej tyre ngërthen shumë nënkapituj përkitazi me çështje të veçanta, të cilat kanë të bëjnë me mësuesin dhe me pedagogun, sidomos me dimensionin psikologjik dhe etik të tyre.

Në kreun e parë, autori shkruan për “personalitetin e mësuesit dhe të pedagogut”, duke përfshirë këtu përkufizimet përkatëse terminologjike, traditën në këtë fushë, detyrat e mësuesit dhe të pedagogut, pastaj dyzimet, tolerancën, vetëkontrollin e mësuesit etj. Pedagogu Musa Kraja kërkon që mësuesi të jetë i thelluar në lëndën e tij, të ketë përgatitje pedagogjike, dashuri dhe pasion për punën me fëmijë, të jetë krijues e jo dogmatik. Pedagogu i shkollës së lartë, nënvizon ai, duhet të jetë kërkues, hulumtues, dhe në fund, shton: “Është e domosdoshme që mësuesi, pedagogu të ketë një figurë shoqërore dhe morale të rregullt.”

Në kreun e dytë të veprës, bëhet fjalë për konceptin e etikës profesionale të mësuesit dhe të pedagogut, duke filluar me përkufizimin e nocionit “etikë”, në përgjithësi, dhe “etikë e mësuesit dhe e pedagogut”, në veçanti. Autori i veprës shkruan: “Profesioni i mësuesit dhe pedagogut nënkupton personalitetin njerëzor e të gjithanshëm që punon e jeton, i kupton fëmijët, adoleshentët, të rinjtë. Ai, me përvojën, kulturën dhe arsimin, me përgatitjen profesionale, taktikën dhe intuitën psiko-pedagogjike, i ndihmon ata, sidomos me përkushtimin human që mban ndaj tyre.” Ai, gjithashtu, shton se etika e mësuesit dhe e pedagogut është konkrete, duke vënë në dukje edhe faktin se janë bërë përpjekje për “formulimin e parimeve të etikës së mësuesit.”

Disa pikëpamje teorike përkitazi me etikën e mësuesit dhe të pedagogut trajtohen në kapitullin e tretë. Vëmendje e veçantë i kushtohet etikës së tyre në kohën tonë. Përkitazi me këtë, prof. Kraja shkruan: “Problemet e etikës, në fund të shekullit XX, dhe fillimet e këtij shekulli hyjnë në prioritetet e kohës, sidomos në veprimet e organizmave ndërkombëtare, nga qarqet akademike, nga media, opinioni shoqëror, në aspekte të tjera të jetës së vendit, luftës kundër korrupsionit, shfaqjeve të rrugaçërisë e vagabondazhit, etika përbën barrën, fillesën e punës së edukimit e të formimit të qytetarit, aq më shumë tani që insistohet për integrimin rajonal, europian e global.”

Në kreun e katërt, studiuesi Musa Kraja përqendrohet në trajektoren historike të etikës profesionale të mësuesit dhe të pedagogut, duke filluar nga lashtësia (Sokrati, Platoni, Aristoteli). Në mënyrë të veçantë përqendrohet në shëmbëlltyrën etike-profesionale të Komenskit, si dhe në mendimin e tij për etikën e mësuesit qysh në shek. XVII, duke përfshirë këtu edhe idetë e tij ne Shqipëri. Hapësirë e veçantë është rezervuar për Pestalocin e madh, i cili tërë jetë, pasurinë dhe punën e tij e identifikoi me fëmijët, me nxënësit e tij. “Çdo gjë për të tjerët, asgjë për veti”,- kjo ishte esenca e jetës së tij. Në këtë kapitull janë paraqitur dhe analizuar edhe kodi i etikës së edukatorit dhe betimi i mësuesit.

Kreu i pestë titullohet “Disa aspekte të Rilindjes sonë Kombëtare dhe roli i shquar i mësuesve e pedagogëve”. Duke filluar me disa konsiderata dhe karakteristika të përgjithshme të Rilindjes Kombëtare dhe të mësuesve të kësaj periudhe të rëndësishme, Prof. dr. Musa Kraja, në mënyrë të veçantë, ndalet në personalitetin dhe në etikën profesionale të korifenjve të Rilindjes: Hasan Tahsini, Vëllezërit Frashëri, Jeronim De Rada dhe Petro Nini Luarasi. Shëmbëlltyra etike e tyre rrezaton dhe frymëzon edhe aktualisht.

Edhe nga periudha e Pavarësisë përfshihen një varg portretesh profesionale etike të mësuesve dhe të intelektualëve të shquar, si: Luigj Gurakuqi, Aleksandër Xhuvani, Gjergj Fishta, Sevasti e Parashqevi Qiriazi, Migjeni, Mati Logorcei, Jani Minga, Sterjo Spasse, Ahmet Gashi etj. Disa prej tyre shkruan me admirim dhe me kompetencë për personalitetin e mësuesit dhe rolin e tij, gjë të e trajton edhe autori i këtij libri.

Pason kreu i shtatë, “Kurrikula, kolona vertebrale e shkollës në të tria nivelet, mësuesi dhe pedagogu në zbatimin rigoroz dhe krijues të saj.” Vend të veçantë, në këtë kontekst, zë dimensioni etik i tërë kësaj veprimtarie aq komplekse dhe me përgjegjësi. Ndër të tjera, autori konsideron se edhe parimet didaktike janë njëkohësisht edhe kërkesa të etikës profesionale.

Disa nga tiparet themelore të etikës së mësuesit dhe të edukatorit janë trajtuar në kreun e tetë, me titull: “Probleme themelore aktuale të personalitetit dhe etikës profesionale të mësuesit dhe pedagogut.” Midis tipareve të tilla, Musa Kraja veçon: komunikimin, pasionin për punë, nivelin shkencor, autoritetin, marrëdhëniet mësues-nxënës, humanizmin dhe sakrificën e mësuesit, privatësinë etj. Përkitazi me këtë ai konkludon: “Mësuesi dhe pedagogu që me etikën e tyre profesionale kanë arritur të realizojnë objektiva e standarde cilësore me nxënësit e studentët e tyre kanë realizuar njëkohësisht edhe dëshirat e nxënësve dhe të prindërve të tyre.”

Në kuadër të kreut të nëntë: “Aftësitë dhe paaftësitë profesionale”, prof. Musa Kraja trajton mësuesin dhe pedagogun në kontekstin e reformës për demokratizimin e mëtejshëm të shkollës, pastaj rolin dhe rëndësinë e përvojës profesionale, etikën në shkolla dhe në fakultete profesionale, sjelljen etike në punë, veshjen e mësuesve etj. “Etika profesionale kërkon besnikëri ndaj kolegëve, drejtuesve, nxënësve e studentëve”, nënvizon autori, dhe njofton se në disa fakultete janë krijuar organizma të veçanta të emërtuara “Këshilla të etikës”.

Në kreun e dhjetë, ”Etika në funksione mësuesi dhe drejtuesi në nivele të ndryshme pedagogjike”, trajtohet etika e mësuesit kujdestar, etika profesionale e drejtuesit dhe e inspektorit të arsimit, etika e propagandës pedagogjike, familjet arsimore etj. Familjet arsimore, shkruan Prof. Kraja “përbëhen nga disa pjesëtarë në një familje ose nga një trung familjar, fisnor mësuesish e pedagogësh, tek të cilët etika pedagogjike ose më gjerë profesionale bëhet objekt i bisedave, interesimeve, shkëmbimit të mendimeve, të përvojave në nivele familjare, të afërta, të lira, si një problem i mprehtë profesional, për kënaqësitë apo shqetësimet që krijon ushtrimi i kësaj veprimtarie.” Të tilla ishin familjet: Gazulli, Frashëri, Qiriazi, Sotiri, Osmani, Boriçi, Topalli etj.

Përkitazi me vlerësimin e vetëvlerësimin e personalitetit dhe etikës së mësuesit dhe pedagogut, autori shkruan në kreun e njëmbëdhjetë, duke theksuar kontributin e prof. Mark Vujit në këtë fushë.

Në kreun e trembëdhjetë të librit “Përvojë nga shoqëria civile për mësuesin e pedagogun”, autori në fjalë shkruan për Shoqatën e Mësuesve dhe Pedagogëve Shqiptarë, për botimet e shoqatës dhe aktivitete të tjera të shumta të saj. Kreu përfundon me paraqitjen e themelimit të Akademisë së Shkencave të Edukimit, përkatësisht me aktivitetet rreth themelimit të saj. “Akademia e Shqiptare e Shkencave të Edukimit, (siç shkruan kryetari i saj, prof. dr. Musa Kraja), është produkt i dëshirave të mësuesve e pedagogëve studiues, që punojnë në të gjitha nivelet e arsimit tonë, kryesisht universitar dhe pasuniversitar.”

 Vepra që kemi në shqyrtim, e Prof. dr. Musa Krajës, përmbyllet me kreun e katërmbëdhjetë: “Shembulli i mësuesit dhe i pedagogut, ndikimi i fuqishëm te nxënësit, studentët dhe kolegët”, ku autori paraqet shembuj konkretë të mësuesve dhe pedagogëve, si modele etike e profesionale që duhen respektuar dhe ndjekur. Disa nga titujt e portreteve të mësuesve e pedagogëve model, të paraqitur në këtë libër, janë: Fatbardha Gegës i kishte hije mësuesia; Vehbi Bala, simbol i etikës profesionale të pedagogut; Pjerin Boriçi, mësuesi dhe pedagogu principal, pasionant në detyrë; Akademiku Fehmi Agani, me gjakun e tij për Kosovën, frymëzoi rininë kosovare; Personaliteti dhe etika profesionale e prof. dr. Nuri Abdiut; Pedagoge, studiuese serioze prof. dr. Afërdita Deva (Zuna); Dy profesoresha, personalitete të larta dhe etika profesionale: prof. dr. Nioleta Mita, prof. dr. Erlehta Mato, etj. Këtu janë paraqitur edhe personalitete të tjera shqiptarë që shkruan për mësuesin, personalitetin dhe etikën e tij, si: akademik Jashar Rexhepagiqi, akademik Rexhep Qosja, prof. Viktor Terpo etj.

Kjo përmbyllet me bibliografinë kryesore, Indeksin e emrave, Përmbledhjen në gjuhën angleze dhe Dy fjalë për autorin.

Vepra e prof. dr. Musa Kraja, me titull “Mësuesi, pedagogu, personaliteti, etika e tyre” është një studim i veçantë dhe shumëplanësh. Vepra ka një strukturë shkencore-logjike. Ajo mbështetet në literaturë të gjerë, për të cilën gjë dëshmon bibliografia e pasur dhe referencat në fund të çdo kapitulli. Mbështetet, gjithashtu, edhe në përvojën shumë të pasur, në erudicionin shkencor dhe në kompetencën e lartë profesionale të vetë autorit, si dhe në opinionin e kolegëve, të studentëve dhe të nxënësve të tij. Prof. dr. Musa Kraja shkruan me pasion për mësuesin dhe për pedagogun, për personalitetin, etikën dhe mësimin e tyre. Vetë Profesor Musai ishte dhe është mësim i mësimit të tij, model i etikës profesionale të mësuesit dhe të pedagogut.

Prof. Dr. Hajrullah Koliqi

Prishtinë

 

 

 

 

Komentet janë të mbyllura

Foto Lajme

Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i përmbajtjes së këtij portali © 2013 Gazeta Republika | Designed by Keminet | Log in
Close
Ndiqni Gazeta Republika në Facebook
Informohuni mbi ngjarjet kryesore të ditës duke na ndjekur në Facebook.