Pacientët, procedura e regjistrimit në qendrat shëndetësore

Publikuar më: 27/04/2012 8:27

Nisma e ISKSH-së/ Mjekët e familjes regjistrojnë shtëpi më shtëpi popullatën

Hana: Regjistri elektronik do të evidentojë numrin e personave që mbulohen me shërbim shëndetësor bazë. Mjekët e përgjithshëm, ja si do të përmirësohen pagesat

Në kuadër të projektit të qeverisë për dixhitalizimin e plotë të sistemit shëndetësor, ISKSH ka ndërmarrë disa hapa të rëndësishëm për evidentimin e saktë të numrit të banorëve të regjistruar pranë mjekut të familjes dhe tashmë është në fazën finale të këtij procesi. Tashmë, çdo mjek do të ketë online listën e pacientëve të tij. Kështu është shprehur dje, gjatë një konference për mediat, drejtoresha e ISKSH-së, Elvana Hana, e cila më tej tha se “ISKSH ka ndërmarrë nismën më të fundit, atë të regjistrimit shtëpi më shtëpi nga ana e mjekëve të familjes të të gjithë banorëve nëpërmjet ID (kartës së identitetit), si mënyra më e saktë e identifikimit të personave. Regjistri elektronik i pacienteve rrit transparencën dhe i mundëson ISKSH-së të lidhë në mënyrë të saktë buxhetin me numrin e banorëve të cilëve u shërben një qendër shëndetësore”.

Procesi

Procesi ka nisur në vitin 2008 dhe deri më tani janë realizuar: regjistrimi/depistimi i banorëve nga mjeku i familjeve; ndërtimi i një sistemi online për regjistrimin e skedave të depistimit; regjistrimi i 3,8 milion skedave në regjistrin elektronik të banorëve. Kështu, sipas drejtoreshës së ISKSH-së, “një ndër nismat e fundit të ndërmarrë nga ISKSH-ja, në bashkëpunim me qendrat shëndetësore në kujdesin parësor, është dhe saktësimi i të dhënave në këtë regjistër elektronik të banorëve nga shërbimi i mjekut të përgjithshëm dhe të familjes. Në këtë drejtim nga Qendrat Shëndetësore të kontraktuara me ISKSH-në do të kryhet procesi i saktësimit të banorëve të regjistruar që mbulojnë me shërbim shëndetësor sipas zonave përkatëse. Ky proces do të mbështetet fuqimisht nga ISKSH-ja dhe do të monitorohet me shumë përgjegjësi, për të bërë të mundur një evidentim të saktë të banorëve që mbulojnë me shërbim shëndetësor qendrat shëndetësore në kujdesin parësor”,- u shpreh Hana. Gjithashtu, Hana thotë se nëpërmjet këtij procesi, personeli i qendrave shëndetësore do të ketë mundësinë e kontaktimit me të gjithë banorët që mbulojnë me shërbim shëndetësor, duke u identifikuar nëpërmjet ID (kartë identiteti). “Në këtë drejtim, nga ana jonë, po punohet për njohjen e këtij procesi, rëndësinë dhe mënyrën e realizimit të tij. Kështu, nga grupe të specialistëve të ISKSH-së do të organizohen takime me të gjithë drejtuesit e Qendrave Shëndetësore për të qartësuar procesin, mënyrën e zhvillimit të tij dhe hapat që do të ndiqen”. Afati i përfundimit të këtij procesi është data 30.06.2012.

Objektivat e procesit

Objektivat kryesore të këtij procesi janë:

- Pastrimi i listave të banorëve të regjistruar në regjistrimin elektronik nga dublikimet e mundshme, evidentimin e saktë të të larguarve dhe të vdekurve; me qëllim evidentimin e saktë të numrit të personave që mbulohen me shërbim shëndetësor bazë, të regjistruar pranë çdo mjeku të përgjithshëm dhe të familjes sipas qendrave shëndetësore të kujdesit parësor;

- Krijimi i një fleksibiliteti më të madh në lëvizjen e popullatës dhe zbatimin e parimit të zgjedhjes së lirë të mjekut të familjes.

- Hedhjen në regjistrin elektronik të të paktën 50 për qind të personave të regjistruar të ID-ve të tyre deri në fund të këtij viti, për të bërë të mundur shkëmbimin e informacionit me sistemet e Institucioneve të tjera në funksion të skemës së sigurimeve shëndetësore;

- Një planifikim më i mirë nga ana e ISKSH-së të buxheteve të qendrave shëndetësore dhe përmirësim i pagesës aktuale të mjekëve të përgjithshëm dhe të familjes drejt pagesës për frymë.

 OSMAN DEDJA

Komentet janë të mbyllura

Foto Lajme

Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i përmbajtjes së këtij portali © 2013 Gazeta Republika | Designed by Keminet | Log in
Close
Ndiqni Gazeta Republika në Facebook
Informohuni mbi ngjarjet kryesore të ditës duke na ndjekur në Facebook.