Rrezikohet Provimi i Shtetit, mungon rregullorja për vlerësimin e praktikës

Publikuar më: 20/04/2012 8:48

Flet Arian Jaupllari, president i Urdhrit të Farmacistëve:

Sezoni i dytë i Provimit të Shtetit për farmacistët, mjekët, stomatologët si dhe profesionistët e Infermierisë do të filloje më datë 2 maj 2012. Urdhri i Farmacistëve, në një deklaratë për mediat, përcakton se në këtë sezon mund të marrin pjesë kandidatët farmacistë, që i nënshtrohen Provimit të Shtetit për herë të parë, kandidatët farmacistë që nuk e kanë kaluar me sukses Provimin e Shtetit në sezonin e janarit 2012, si dhe ata kandidatë që nuk janë paraqitur në provim ose që janë tërhequr përpara fillimit të tij. “Kandidatët profesionistë të shëndetit, që kanë kryer praktikën profesionale pas hyrjes në fuqi të ligjit Nr. 10470, datë 13.10.2011 “Për disa shtresa e ndryshime në ligjin nr. 10171, datë 22.10.2009, për profesionet e rregulluara në Republikën e Shqipërisë” të ndryshuar, në nenin 11, pikat 3 dhe 4, i cili shprehimisht thotë: Në përfundim të praktikës, kandidati i nënshtrohet “Vlerësimit të Aftësimit Praktik”, të organizuar dhe të zhvilluar nga autoriteti kompetent, nëpërmjet strukturave të veta, do t’i nënshtrohen Provimit të Shtetit vetëm pas vlerësimit pozitiv të aftësimit praktik. Modalitetet e organizimit dhe vlerësimit të aftësimit praktik përcaktohen me rregulloren e praktikës profesionale, që miratohet me urdhër të përbashkët të ministrit të Shëndetësisë dhe ministrit të Arsimit dhe të Shkencës”, thuhet në deklaratën e Urdhrit të Farmacistëve. Ndërkohë, nga ana e tij, Presidenti i këtij urdhri, Arian Jaupllari, thotë se data e fillimit të Provimit të Shtetit për sezonin e majit është shumë e afërt, ndërsa miratimi i rregullores së praktikës profesionale që do të përcaktojë se si do të procedohet me vlerësimin e aftësimit praktik nuk është miratuar ende. “Këta kandidatë që kanë përfunduar praktikën profesionale pas hyrjes në fuqi të ligjit të rrezikojnë të mos marrin pjesë në Provimin e Shtetit. Penalizimi i kësaj kategorie po vjen përsëri nga Ministria e Shëndetësisë, e cila në zbatim të ligjit, duhet ta kishte realizuar brenda afatit këtë proces. Kanë kaluar tetë muaj dhe Ministria e Shëndetësisë nuk e ka plotësuar detyrimin ligjor, duke i hequr të drejtën kësaj kategorie farmacistësh, për të marrë pjesë në Provimin e Shtetit për sezonin e muajit maj 2012. Këta kandidatë, të cilët kanë kryer praktikën konform rregullave dhe legjislacionit në fuqi po ndëshkohen pa të drejtë nga një individ i vetëm, edhe pse të gatshëm, për t’iu nënshtruar vlerësimit të aftësimit praktik. Kjo shkelje ligjore e Ministrisë së Shëndetësisë është shkelja e radhës dhe për më shumë po penalizon përsëri kandidatët që i nënshtrohen Provimit të Shtetit”,- thotë Presidenti i Urdhrit të Farmacistëve. Sipas Jaupllarit, Urdhri i Farmacistëve në zbatim të ligjit, i cili ka sanksionuar bashkëpunimin me MSH-në, ka dërguar në kohë propozimet për organizimin dhe vlerësimin e aftësimit praktik në mënyrë shkresore dhe elektronike madje ka hartuar dhe dërguar rreth një muaj e gjysmë më parë, një projekt rregullore për vlerësimin e aftësimit praktik, por nuk ka marrë asnjë përgjigje. Përgjegjësinë para të gjithë kësaj kategorie, thotë Jaupllari, duhet t’i mbajë vetëm Ministria e Shëndetësisë dhe kreu që drejton këtë institucion.

OSMAN DEDJA

Komentet janë të mbyllura

Foto Lajme

Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i përmbajtjes së këtij portali © 2013 Gazeta Republika | Designed by Keminet | Log in
Close
Ndiqni Gazeta Republika në Facebook
Informohuni mbi ngjarjet kryesore të ditës duke na ndjekur në Facebook.