Aksidentet në punë, përfitimet për paaftësinë. Dokumentet që duhet të dorëzojnë të interesuarit për t’u përfshirë në skemë

Publikuar më: 06/05/2012 18:46

Publikohet masa e trajtimit me pension për secilën kategori

Instituti i Sigurimeve Shoqërore ka publikuar dje, përfitimet nga dega e sigurimit për aksidentet në punë. Burime pranë këtij dikasteri bëjnë me dije se, kur i siguruari për shkak të aksidentit në punë ose sëmundjes profesionale, humbet aftësinë për punë, do të përfitojë të ardhura për paaftësi të përkohshme nga aksidenti apo sëmundja profesionale, të ardhura për invaliditet të përhershëm nga aksidenti në punë apo sëmundja profesionale, të ardhura për invaliditet të pjesshëm të përhershëm nga aksidenti dhe sëmundja profesionale dhe të ardhura për paaftësi të përhershme në masë të vogël, nga aksidenti dhe sëmundja profesionale.

Të ardhurat për paaftësi të përkohshme, nga aksidentet në punë apo sëmundjet profesionale

Specialistët e ISSH-së publikojnë mënyrën e përfitimit të të ardhurave për paaftësi të përkohshme. Konkretisht, kushtet që duhen përmbushur janë:

a) Pagesë për paaftësi të përkohshme nga aksidenti në punë ose sëmundjet profesionale i jepet vetëm të punësuarit;

b) Ky raport jepet nga Spitali ose KML, deri në 12 muaj.

Dokumentacioni

Dokumentet që të interesuarit duhet të dorëzojnë janë:

a) Raportet mjekësore për aksident në punë;

b) Procesverbali tip i aksidentit në punë, i cili plotësohet nga subjekti dhe konfirmohet nga Inspektorati Shtetëror i Punës;

c) Formulari i bazës së vlerësuar të tri viteve të fundit të punës. (Ky dokument plotësohet nga sektori i financës së subjektit);

d) Sektori i financës së subjektit, mbështetur në dokumentet e pikës “a”, plotëson formularin tip listë-pagesë të përfitimeve afatshkurtra dhe e dërgon atë në ALSSH, ku ka aktivitetin subjekti;

e) ALSSH, pasi kontrollon dhe verifikon dokumentet, i kalon pagesat në llogarinë personale bankare të përfituesit ose në atë të subjektit.

Masa e përfitimit është 100 për qind e mesatares ditore të bazës së vlerësuar, të tri viteve të fundit kalendarikë. Kjo masë përfitimi vazhdon deri në 12 muaj.

Të ardhurat për invaliditet të përhershëm nga aksidenti në punë dhe sëmundjet profesionale

Për të përfituar pension të përhershëm invaliditeti, përfituesi ose i autorizuari me prokurë paraqitet në Agjencinë Lokale të Sigurimeve Shoqërore (ALSSH) të vendbanimit, sipas regjistrimit në gjendje civile, për të bërë kërkesën e përfitimit të pensionit të përhershëm të invaliditetit dhe për të marrë udhëzimet e nevojshme. Sipas specialistëve të ISSH-së, kushtet që duhen përmbushur janë:

a) Pagesa për paaftësi të përhershme nga aksidenti në punë ose sëmundjet profesionale, t’i jepet vetëm të punësuarit;

b) Këtë të drejtë e përfitojnë pasi të kenë marrë pagesën deri në 12 muaj për paaftësi të përkohshme nga aksidenti në punë ose sëmundjet profesionale.

Dokumentacioni dhe procedurat

Për të marrë të ardhurat për invaliditet të përhershëm nga aksidentet në punë dhe sëmundjet profesionale (pension invaliditeti të plotë) personi duhet të dorëzojë:

a) Dokumentet që vërtetojnë moshën dhe identitetin janë:

- Fotokopje e letërnjoftimit elektronik ose certifikatë lindjeje me fotografi;

- Certifikatë e gjendjes familjare;

- Certifikatë martese (vetëm për aplikueset femra);

- Dy copë fotografi.

b) Dokumentet që vërtetojnë periudhat e sigurimit dhe llojin e punës janë:

- Libreza e punës;

- Vërtetim për vjetërsinë në punë dhe llojin e saj;

- Vërtetim për periudhën e sigurimit, të lëshuar nga zyra e arkivit pranë DRSSH-së për punëdhënësit, të punësuarit, të vetëpunësuarit, të vetëpunësuarit në bujqësi;

- Të gjitha këto dokumente për efekt përfitimi pensioni invaliditeti do të pranohen kur personi nuk ka mbushur moshën e pensionit të pleqërisë.

c) Dokumentet që vërtetojnë të ardhurat e realizuara:

- Vërtetim page për tri vitet e punës, deri në momentin e aksidentit në punë ose të sëmundjes profesionale, të vërtetuar nga DRSSH, për derdhjen e kontributit për periudha sigurimi;

- Çdo dokument tjetër justifikues që vërteton pagën ose derdhjen e periudhave kontributive.

d) Dokumentet që vërtetojnë gjendjen shëndetësore:

- Fletë-drejtimi për në KMCAP, lëshuar nga institucione shëndetësore me shtretër, (spital), shoqëruar me fletë-dalje nga spitali, ekzaminime e dokumente të tjera plotësuese, të kërkuara kurdelpër herë të parë në KMCAP;

- Fletë-drejtimi nga KML për ato gjendje shëndetësore, që nuk janë objekt trajtimi në spital, sipas përcaktimit në Rregullore;

- Epikrizë përcjellëse, lëshuar nga mjekë specialistë, apo konsulta e shoqëruar me ekzaminimet e nevojshme. Kur del për rikontroll duhet shoqëruar me ekzaminimet përkatëse zyrtare;

- Kartela personale dhe libri i shëndetit për të vërtetuar ecurinë e sëmundjes, ndjekjen dhe trajtimin mjekësor me ilaçe;

- Fletë-drejtimi për KMCAP, që vërteton rëndimin e gjendjes shëndetësore, e vlefshme për KMCAP, para afatit të rikontrollit;

- Raport mjekësor lëshuar nga Komisioni Mjekësor, që përcakton gjendjen shëndetësore dhe aftësinë për punë (para fillimit të punësimit ose të përfshirjes në çdo skemë sigurimi);

- Raport mjekësor i lirimit nga ushtria, lëshuar nga KMU pranë SQU, për ushtarët që bëhen invalidë gjatë shërbimit ushtarak;

- Vërtetim për pagesën e paaftësisë së përkohshme në punë nga aksidenti në punë, ose sëmundje profesionale;

- Kopje e proces-verbalit për aksident në punë, ose sëmundje profesionale, që është mbajtur në momentin e aksidentit, e legalizuar nga Drejtoria Rajonale e Sigurimeve Shoqërore.

Shqyrtimi i kërkesës dhe vlerësimi i KMCAP-it

Dokumentacioni i mësipërm i dorëzohet mjekut të ekspertizës, i cili pas verifikimit të nevojshëm njofton datën për të kaluar në KMCAP, ose i kthen mbrapsht dokumentet për pasaktësi. KMCAP në mbledhjen e tij shqyrton paraprakisht dokumentet, njofton dhe ekzaminon të sëmurin, merr vendimin përkatës jo në prani të tij dhe kryetari i KMCAP-it ia komunikon zyrtarisht të sëmurit gojarisht dhe nëpërmjet vërtetimit tip. Kundër këtij vendimi i sëmuri ose invalidi mund të ankohet tek KMCAP-i epror. Ankesa bëhet me shkrim dhe dorëzohet në DRSSH përkatëse.

Masa e përfitimit

E ardhura për invaliditet të përhershëm në punë ose sëmundje profesionale, që ka shkaktuar të paktën humbjen e 67 për qind të aftësisë për punë, e vërtetuar nga KMCAP, është e barabartë me 80 për qind të pagës mesatare të 3 viteve të fundit të punës, por jo më pak se niveli minimal i standardit të jetesës që vendoset nga KM. Personit që përfiton të ardhura për invaliditet të përhershëm në punë ose sëmundje profesionale dhe ka nevojë për një kujdes të vazhdueshëm nga një person tjetër, sipas vendimit të KMCAP-it, i jepet një pagesë shtesë prej 15 për qind të bazës së vlerësueshme. Në qoftë se ka në ngarkim fëmijë deri në moshën 18 vjeç ose deri në moshën 25 vjeç, kur vazhdon studimet e larta, i jepet një e ardhur shtesë familjare për çdo fëmijë në masën 5 për qind të pensionit bazë, por jo më shumë se 30 për qind e tij. Pensioni bazë përcaktohet me VKM.

Të ardhurat për invaliditet të pjesshëm të përhershëm nga aksidenti në punë apo sëmundjet profesionale

Për të përfituar pension të pjesshëm të përhershëm invaliditeti, përfituesi ose i autorizuari me prokurë paraqitet në Agjencinë Lokale të Sigurimeve Shoqërore (ALSSH) të vendbanimit, sipas regjistrimit në gjendje civile, për të bërë kërkesën e përfitimit të pensionit të pjesshëm të përhershëm të invaliditetit dhe për të marrë udhëzimet e nevojshme. Sipas specialistëve, kushtet për të përfituar pagesën për paaftësinë e pjesshme të përhershme nga aksidenti në punë ose sëmundjet profesionale e përfitojnë vetëm të punësuarit. Këtë të drejtë e përfitojnë, pasi të kenë marrë pagesën deri në 12 muaj për paaftësi të përkohshme nga aksidenti në punë, ose sëmundjet profesionale.

Dokumentacioni

Personat duhet të dorëzojnë dokumentet e poshtëshënuara:

a) Dokumentet që vërtetojnë moshën dhe identitetin:

- Fotokopje e letërnjoftimit elektronik, ose certifikatë lindjeje me fotografi;

- Certifikatë e gjendjes familjare;

- Certifikatë martese (vetëm për aplikueset femra);

- Dy copë fotografi.

b) Dokumentet që vërtetojnë periudhat e sigurimit dhe llojin e punës janë:

- Libreza e punës;

- Vërtetim për vjetërsinë në punë dhe llojin e saj;

- Vërtetim për periudhën e sigurimit, të lëshuar nga zyra e arkivit pranë Drejtorisë DRSSH-së për punëdhënësit, të punësuarit, të vetëpunësuarit, të vetëpunësuarit në bujqësi;

- Të gjitha këto dokumente për efekt përfitimi pensioni invaliditeti do të pranohen kur personi nuk ka mbushur moshën e pensionit të pleqërisë.

Dokumentet që vërtetojnë të ardhurat e realizuara:

- Vërtetim page për tri vitet e punës, deri në momentin e aksidentit në punë, ose të sëmundjes profesionale, të vërtetuar nga DRSSH, për derdhjen e kontributit për periudha sigurimi;

- Çdo dokument tjetër justifikues që vërteton pagën ose derdhjen e periudhave kontributive.

Dokumentet që vërtetojnë gjendjen shëndetësore:

- Fletë-drejtimi për në KMCAP, lëshuar nga institucione shëndetësore me shtretër, (Spital), shoqëruar me fletë-dalje nga spitali, ekzaminime e dokumente të tjera plotësuese, të kërkuara kurdelpër herë të parë në KMCAP;

- Fletë-drejtimi nga KML për ato gjendje shëndetësore, që nuk janë objekt trajtimi në spital, sipas përcaktimit në Rregullore;

- Epikrizë përcjellëse, lëshuar nga mjekë specialistë, apo konsulta e shoqëruar me ekzaminimet e nevojshme. Kur del për rikontroll duhet shoqëruar me ekzaminimet përkatëse zyrtare;

- Kartela personale dhe libri i shëndetit për të vërtetuar ecurinë e sëmundjes, ndjekjen dhe trajtimin mjekësor me ilaçe;

- Fletë-drejtimi për KMCAP, që vërteton rëndimin e gjendjes shëndetësore, e vlefshme për KMCAP, para afatit të rikontrollit;

- Raport mjekësor lëshuar nga Komisioni Mjekësor, që përcakton gjendjen shëndetësore dhe aftësinë për punë (para fillimit të punësimit ose të përfshirjes në çdo skemë sigurimi);

- Raport mjekësor i lirimit nga ushtria, lëshuar nga KMU pranë SQU, për ushtarët që bëhen invalidë gjatë shërbimit ushtarak;

- Vërtetim për pagesën e paaftësisë së përkohshme në punë nga aksidenti në punë, ose sëmundje profesionale;

- Kopje e proces-verbalit për aksident në punë, ose sëmundje profesionale, që është mbajtur në momentin e aksidentit, e legalizuar nga Drejtoria Rajonale e Sigurimeve Shoqërore.

Shqyrtimi i kërkesës

Dokumentacioni i mësipërm i dorëzohet mjekut të ekspertizës, i cili, pas verifikimit të nevojshëm njofton datën për të kaluar në KMCAP, ose i kthen mbrapsht dokumentet per pasaktësi. KMCAP në mbledhjen e tij shqyrton paraprakisht dokumentet, njofton dhe ekzaminon të sëmurin, merr vendimin përkatës jo në prani të tij, dhe kryetari i KMCAP-it ia komunikon zyrtarisht të sëmurit gojarisht dhe nëpërmjet vërtetimit tip. Kundër këtij vendimi, i sëmuri ose invalidi mund të ankohet tek KMCAP-i epror. Ankesa bëhet me shkrim dhe dorëzohet në DRSSH përkatëse.

Masa

E ardhura për invaliditet të pjesshëm të përhershëm në punë, që ka shkaktuar të paktën humbjen e 33 për qind të aftësisë për punë, e vërtetuar nga KMCAP, është e barabartë me një pjesë të 80 për qind të pagës mesatare të 3 viteve të fundit, në vartësi nga shkalla e humbjes së aftësisë për punë, por jo më pak se 50 për qind të saj dhe përcaktohet në Rregulloren e Institutit të Sigurimeve Shoqërore.

 

 

 

Komentet janë të mbyllura

Foto Lajme

Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i përmbajtjes së këtij portali © 2013 Gazeta Republika | Designed by Keminet | Log in
Close
Ndiqni Gazeta Republika në Facebook
Informohuni mbi ngjarjet kryesore të ditës duke na ndjekur në Facebook.