Ari dhe argjendi, tregtimi në rrezik

Publikuar më: 03/05/2012 6:43

EKSKLUZIVE/ Floriri dhe metalet e çmuara, argjendarët tregtojnë pa certifikata dhe stampime

Sa e sigurt është tregtia e arit në vend. Tregtarët e dyqaneve të arit dhe ata ambulantë abuzojnë me konsumatorët shqiptarë. Rastet e mashtrimeve që konstaton Shoqata e Konsumatorit Shqiptar. Numri i dyqaneve që tregtojnë metale të çmuara dhe zonat më problematike

Biznesi i tregtimit të bizhuterive është shumë i përhapur në vendin tonë, aq sa është kthyer në një fenomen normal, ku distanca e dyqaneve që shesin produkte të tilla është mjaft e afërt me njëra-tjetrën. Bizhuteria është ari, argjendi dhe platini, por, në shumë raste, ajo përbëhet edhe nga përbërës kimikë të tjerë, siç është kallaj ose metale të tjera të përziera. Në mjaft raste, konsumatori është i pambrojtur, për sa i përket cilësisë së këtyre produkteve të arit. Kështu, natyrshëm, lind pyetja se sa i sigurt është konsumatori nga këto produkte të përpunuara dhe të stërpunuara? Ndërkohë, veç argjendarive që tregtojnë flori, problem mbeten edhe tregtarët ambulantë që shesin materiale të ndryshme floriri. Kështu, kudo nëpër kryeqytet të zë syri njerëz që shesin varëse, të cilat blihen sikur të jenë flori apo dhe argjend, gjë e cila lë për të dëshiruar. “Biznesi i bizhuterive është harruar nga organet përkatëse të kontrollit, ndonëse gjatë gjithë kohës flitet për vlerat valutore, të cilat ky lloj biznesi i ka të larta – paratë. Në të vërtetë, asgjë nuk është bërë për të rritur sigurinë e këtij biznesi”. Kështu është shprehur për “Republikën”, kreu i Shoqatës së Konsumatorit, Dr. Islam Cani. Këto bizhuteri, konsumatorit i ofrohen edhe nga prodhimet e përpunuesit të vendit tonë, përveç atyre që vijnë nga importi. Të dy palët, si prodhuesit, edhe tregtarët, mundohen që bronzit, kallajit, t’ia rrisin vlerën me makijazhet e arit, platinit e argjendit. “E themi me tërë forcën se nëse ka zhgënjim pa reklamim të shkruar, por me reflekse të forta vizuale, ky është tregtimi i arit dhe këtu konsumatori mbytet si miza në mjaltë. Nga çmimet e larta dhe krejtësisht zhgënjyese, Shoqata e Konsumatorit Shqiptar ka marrë me dhjetëra ankesa për këtë problem. Kjo, për shkak të çmimit të bizhuterive, po edhe për cilësinë e tyre, sepse pas disa ditëve, ato do të çngjyrosen”,- vijoi më tej Islam Cani. Lidhur me këtë problem, i cili tashmë është kthyer në një biznes të fuqishëm mashtrimi, gazeta “Republika” ka bërë disa vëzhgime në disa dyqane që tregtojnë metale të çmuara ari. Sipas konstatimeve në këtë treg, janë vërejtur çmime në stratosferë, ndonëse me më pak ulje. Por, nga ana tjetër, nuk jepet asnjë e dhënë në lidhje me cilësinë e arit. “Me ligj, thuhet se nuk mund të merret asgjë pa faturë, asgjë pa nipt. Kështu që asgjë nuk falet, edhe nëse konsumatori fal, organi shtetëror nuk e njeh faljen”,- shtoi më tej Cani. Kështu, sipas ligjit që mbron konsumatorët me nr. 9125, neni 25, i jep të drejtë konsumatorit të rikthejë mallin, por kjo, në vendin tonë gjen vështirësinë e kthimit, ndonëse bizhuteria ka një çmim shumë të lartë. Kështu që konsumatori detyrohet të hesht para këtyre vështirësive për moskthimin e mallit. Shoqata e Konsumatorit Shqiptar, në një evidentim që ka bërë vetëm në qytetin e Tiranës, ka mbi 100 pika treguese, riparuese të bizhuterive. “Ndonëse të gjithë pretendojnë se janë të liçensuar, shumica prej tyre nuk deklarojnë niptin, nuk lëshojnë fatura, të deklarojnë karatët, të adresojnë dhe të japin informacione në lidhje me përpunimin e këtij produkti. Shumica e tyre, madje, punojnë pasditeve”,- tha më tej Dr. Cani. Sipas specialistëve të SHKSH-së, përdorimi i këtyre produkteve dhe përpunimi kërkon kushte, si për mbrojtjen e shëndetit, sepse djegia dhe galvanizimi janë bazë për t’i dhënë formën këtyre produkteve, por këtu lëshohen edhe lëndë kimike të dëmshme. Ndërsa blerësi është në mëshirën e fatit, sepse nuk ka asnjë informacion se çfarë produktesh janë.

Pikat e shitjes

Në të gjitha qytetet e tjera, sipas informacioneve që ka SHKSH-ja, janë këto biznese që tregtojnë ar:

- Në Shkodër, ka 44 pika shitjeje;

- Në Lezhë, ka 18 pika shitjeje;

- Në Durrës, ka 28 pika shitjeje;

- Në Elbasan, ka 37 pika shitjeje;

- Në Fier, ka 46 pika shitjeje;

- Në Vlorë, ka 26 pika shitjeje;

- Në Berat, ka 28 pika shitjeje;

- Në Korçë, ka 32 pika shitjeje;

- Në Dibër, ka 7 pika shitjeje;

- Në Kukës, ka 8 pika shitjeje;

- Në Rrëshen, ka 6 pika shitjeje;

- Në Gjirokastër, ka 4 pika shitjeje;

- Në Sarandë, ka 6 pika shitjeje;

- Në Përmet, ka 4 pika shitjeje;

- Në Tepelenë, 2 pika shitjeje;

Pra, siç shihet, në vendin tonë ka një numër të madh prodhuesish tregtarë. Konsumatori është i detyruar në mënyrë të veçantë, kur ka martesa, festa të ndryshme, ditë të shënuara, të blejë.

Çmimi i arit

“Karatët, si për arin, gurin e çmuar, platinin, çmimi është thjesht një deklaratë nga goja e shitësve. Por, sikur t’i bënim një testim, në asnjë dyqan nuk do të gjenim faturë. Bizhuteria bën pjesë tek zbukurimet, si dhurata më e çmuar, por shpesh përdoret dhe si lëndë lidhëse arkitekturore tek dhëmbët. Kështu që është një produkt i rëndësishëm”,- vijoi më tej Cani. Sipas konstatimeve të gazetës “Republika”, në disa prej dyqaneve që tregtojnë produkte të arit, çmimi i floririt nëpër argjendaritë e kryeqytetit ka pësuar një ulje të lehtë dy muajt e fundit, krahasuar me 3-mujorin e katërt të 2011-ës. Nëse nga muaji shtator i vitit të kaluar një gram flori kushtonte 4 mijë deri në 4.5 mijë lekë, në periudhën nëntor dhjetor ari 14 karat shkoi në 5 mijë deri në 5.5 mijë lekë. Ndërsa floriri 18 karat u shit nga 6.5 deri në 7 mijë lekë. Ndërsa ky vit ka nisur me një ulje të lehtë të çmimit të arit. Flori 14 karat tregtohet 48 mijë deri në 55 mijë lekë, ndërsa ai 18 karat varion nga 6 mijë deri 6,5 mijë lekë. Duke se kjo rënie ka ardhur si shkak i krizës ekonomike, lëvizjes së tregjeve ndërkombëtare apo dhe mungesës së emigrantëve në vend. Tregtarët shprehen se përpos rënies së çmimeve, kërkesa për blerje nuk është rritur. Ata theksojnë se përgjithësisht klientët orientohen drejt metalit të çmuar të përdorur të cilin mund ta gjejnë me çmim më të lirë apo mundohen të blejnë sa më pak gram. “Na lind e drejta t’u tërheqim vëmendje sektorëve që mbrojnë konsumatorin, siç janë organet dhe inspektorët shtetërorë, ato bankarë. Kështu që SHKSH-ja dëshiron që të evidentohen edhe këta produkte të harruara, të cilat bien në dëm të konsumatorit”,- shtoi më tej Dr. Cani. Çmimi i lartë i këtyre produkteve nuk mund ta justifikojë kurrsesi cilësinë e tij, pasi ari, në shumë raste, është kombinim i kallajit, bronzit, që nuk është gjë tjetër, veçse mashtrim i matrapazëve që kanë dal për të përfituar nga konsumatorët.

Certifikim dhe stampimi i produkteve të arit dhe të metaleve të çmuara

1- Në bizhuteritë me 14 karat shihet qartë një numër 585 që blerësi (konsumatori duhet ta shikojë) nëse dyshon ai duhet që ta kontrollojë, megjithëse çështja e kontrollit mbetet enigmë.

2- Ndërsa floriri 18 karat në brendësi ka një numër 750, standarde ndërkombëtare që duhen respektuar.

Një shembull tjetër në shitjet e bizhuve masive e jo ato të porositura apo individuale, ka standarde të veçanta si:

- SHBA – nuk tregton arin masiv me më shumë se 10 karat (tregtia masive) ku për krah apo në brendësi ka një numër të caktuar.

- Anglia ka standarde të veçanta dhe nuk tregton arin me më shumë se 9 karat (tregtia masive) ku për krah apo në brendësi ka një numër të caktuar

- Italia tregton arin 8 karat, por ndryshon kur bizhutë bëhen me porosi të veçantë.

“Meqenëse tek ne standardet shkruhen sipas dëshirës, apo kuturu, SHKSH mbështetur në të dhënat, ankesat, testimet, sondazhet, pyetësor e sheh te domosdoshme që tashmë ka ardhur koha që vendi ynë të ketë standardet e veta për tregtimin e produkteve të arit metaleve dhe gurëve të çmuara, që të kenë standarde të përcaktuara është e domosdoshme që të deklarohet vendi ku prodhohet (adresimi punishtja apo fabrika), tregu dhe e domosdoshme është kërkesa për certifikimin. Kështu ky përshin jo vetëm adresimin por dhe cilësinë, garancinë, sigurisë. Njëkohësisht është e rëndësishme dhe adresa e certifikuesit, por deri më sot gjerat vendosen dhe bëhen në tym”,- vijon më tej Islam Cani.

Ankesat në SHKSH – kanë këto përmbajte:

1- Për 2011-ën, 14 ankesa janë bërë në drejtim të blerjes së varëseve, të cilat për një kohë shumë të shkurtër janë nxirë. Ndërkohë që kur e kanë blerë, iu është thënë se është prodhim italian, ndonëse nuk u është dhënë as faturë as garanci.

2- 56 blerje në rrugë nga shitës të ndryshëm

3- 22 ankesa të tjerë për unaza që sipas tyre e kishin blerë si produkt rus, duke e marrë nga 14 karat në 8 karat. Tregtia është në nivelin e dhënë si në Tiranë dhe në rrethe.

Rastet e abuzimit

Në disa zona të Tiranës, sipas informacioneve të Shoqatës së Konsumatorit Shqiptar, janë evidentuar disa dyqane që tregtojnë në mënyrë të paligjshme produkte të metaleve të çmuara. Ja disa prej rrugëve, në të cilat ndodhen këto dyqane;

- Në Rrugën e Durrësit tregtohen produkte jashtë cilësisë dhe standardeve.

- Në Rrugën e Dibrës, në “Myslym Shyri”, “Komuna e Parisit”, Rruga e Elbasanit, Tirana e Re, etj. Ndonëse ky treg mbetet si një ndër tregjet më të pakontrolluara, aktualisht, është edhe ndër bizneset me fitime më të majme, nga ku shumica e tregtarëve nxjerrin përfitime të jashtëzakonshme. Ata që humbin në këtë mes janë konsumatorët shqiptarë, të cilët hedhin të hollat e tyre për të blerë diçka që nuk e dinë se çfarë cilësie ka.

 Edlira Mema

Komentet janë të mbyllura

Foto Lajme

Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i përmbajtjes së këtij portali © 2013 Gazeta Republika | Designed by Keminet | Log in
Close
Ndiqni Gazeta Republika në Facebook
Informohuni mbi ngjarjet kryesore të ditës duke na ndjekur në Facebook.