Plani Urbanistik, Basha: Tirana, me 8 qendra zhvillimi

Publikuar më: 18/05/2012 11:40

Prezantohet drafti i Planit të Ri Rregullues për kryeqytetin

Hapja e vendeve të punës, prioritet i kreut të bashkisë. Bashkia e Tiranës bëhet pjesë e projektit të USAID-it “Për planifikimin dhe qeverisjen vendore në Shqipëri”

Bashkia e Tiranës ka prezantuar dje, planin e ri urbanistik të Tiranës. Në fjalën e tij, kryebashkiaku Lulzim Basha ka theksuar se plani urbanistik është një domosdoshmëri për kryeqytetin, duke e quajtur një moment historik prezantimin e tij. Sipas kryebashkiakut, prioritet është zhvillimi ekonomik, mirëqenia dhe krijimi i vendeve të punës. “Ky plan është domosdoshmëri për zhvillimin ekonomik dhe të gjithanshëm të këtij qyteti. Shpresojmë që një nga instrumentet tona për të katalizuar investimet të bazohen në këtë vizion që po ndërtojmë së bashku. Zhvillimi ekonomik, mirëqenia dhe krijimi i vendeve të punës, prioritet nr. 1 i bashkisë së Tiranës. Nuk e shohim thjesht si dokument formal, po model pune dhe bashkëpunimi, i cili sendërton problematikat dhe jep skemat e zhvillimit dhe partneritetit që duhet të ndërtojmë për të rritur cilësinë e banorëve”,- tha Basha. Kryebashkiaku u shpreh, gjithashtu, se plani urbanistik i Tiranës përmbyll edhe premtimin e bërë gjatë fushatës elektorale. “Prezantimi i planit urbanistik është përmbyllja e një premtimi të mbajtur. Në shtator, premtuam që do të realizohet në një kohë rekord prej 10 muajsh. Shumë kanë qenë skeptik apo mosbesues, por megjithatë, shumica mbështeti këtë projekt shumë të dëshiruar me një vizion të qartë të zhvillimit urban. Ka dhënë shenja të lodhjes në një bllokim prej disa vitesh si rezultat i një konfrontimi me biznesin dhe qytetarët”,- ka theksuar më tej Basha, ndërsa shtoi se mirëqenia dhe hapja e vendeve të punës mbeten prioritet i bashkisë së Tiranës. Sipas tij, plani nuk shihet si dokument formal, por model pune e bashkëpunimi, që rindërton problematikat dhe jep skenat e zhvillimit. Kryebashkiaku Basha vlerësoi se dy risitë e projektit të urbanizimit të kryeqytetit janë klima e bashkëpunimit me administratat kufitare, e munguar në qeverisjen e shkuar dhe puna voluminoze. Ndërkohë, sipas Bashës, plani synon që të adresojë qytetarët përkundrejt kaosit që Tirana la pas. “Plani synon që të adresojë qytetarët përkundrejt kaosit që lamë pas. Të zgjidhë problemin e interesit privat dhe publik. Qytetarët ankohen për çdo metër që zihet nga betoni, për shkollat dhe shumë probleme. Kjo ka ndodhur se nuk ka pasur plan që të vërë në vijë të drejtë, nevojën për ndërtim dhe hapësirë të gjelbër”,- vuri në dukje Basha. Kryebashkiaku Basha, në përfundim të fjalës së tij, theksoi se Tiranës nuk i duhen plane në letër, por investime reale për t’u hapur rrugë investitorëve të huaj dhe vendas, për mundësi të reja punësimi për të gjithë.

 

Bashkia e Tiranës, pjesë e projektit të USAID-it

Bashkia e Tiranës bëhet pjesë e projektit të USAID-it “Për planifikimin dhe qeverisjen vendore në Shqipëri”. Katër janë komponentët kryesore të këtij projekti: Mbështetje për qeverinë shqiptare, për të zbatuar politika efektive dhe legjislacionin e decentralizimit, duke nxitur dialogun gjithëpërfshirës, si dhe duke ndihmuar në arritjen e një mirëkuptimi dypalësh për çështje të rëndësisë strategjike, për njësitë e pushtetit vendor; përmirësimi i qeverisjes vendore, duke ofruar asistencë teknike dhe trajnim në vendin e punës, për personelin e rreth 15 bashkive të përzgjedhura për një sërë çështjesh; përmirësimi i menaxhimit të shërbimeve vendore, duke asistuar qeverinë shqiptare dhe njësitë e qeverisjes vendore, që të bëjnë të mundur që ligjet, politikat, procedurat dhe shërbimet, si uji i pijshëm, ujërat e zeza, menaxhimi i mbetjeve të ngurta, të jenë në përputhje me standardet e BE-së, veçanërisht standardet mjedisore; asistencë për qeverinë shqiptare dhe pushtetin vendor, për planifikimin dhe administrimin e rritjes urbane dhe rajonale. Kryetari i bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha, bëri të ditur se, në kuadër të transparencës dhe përmirësimit të shërbimit ndaj biznesit dhe qytetarëve, brenda viti do të nisë aplikimi online i lejeve dhe liçensave. Mund t’ju kujtoj këtu, se kemi reduktuar 60 tarifa dhe taksa vendore, kemi hapur sportelin unik për lejet dhe liçensat, por as këtë nuk e konsiderojmë si hap të mjaftueshëm. Brenda këtij viti, të gjithë lejet dhe liçensat, duke përfshirë edhe 90 për qind të komponentëve të lejeve të ndërtimit, do të mund të realizohen online. Plani i ri Urbanistik, projekti i të cilit është prezantuar dje, rreth mesditës, dhe më pas do t’i nënshtrohet një diskutimi dhe konsultimi me qytetarët dhe grupet e interesit, derisa të shkojë në fazën e miratimit ligjor, është një garanci transparence në vendimmarrje, garanci për t’i prerë rrugën çdo praktike abuzive dhe korruptive, në procedurat e ndërtimit dhe zhvillimit të pronës private apo ruajtjes dhe zgjerimit të hapësirave publike në Tiranë”, – tha z. Basha. Kryetari i bashkisë ka sjellë në vëmendje edhe vendimin për kalimin e Ndërmarrjes së Ujësjellës – Kanalizimeve të Tiranës, në varësi të bashkisë, si një përpjekje për t’u ofruar shërbimin e duhur qytetarëve të Tiranës, duke garantuar dhe cilësinë e shërbimit. “Arsyet që vendosën të përfundonim procesin për marrjen në përgjegjësi të Ndërmarrjes së Ujësjellës-Kanalizimeve, nëpërmjet kalimit të saj në varësi të bashkisë, ishte pikërisht për t’i thënë fund kohës kur lanim duart, në kuptimin figurativ të fjalës dhe për të marrë përgjegjësi të plotë për ujin e pijshëm në qytetin tonë dhe për shërbimet e tjera të kanalizimit e pastrimit që kjo ndërmarrje ofron”,- u shpreh kreu i bashkisë. Në këtë takim, ku ishte i pranishëm Kryeministri Sali Berisha, ministra, deputetë e drejtues të njësive vendore, Kryebashkiaku Basha ka kërkuar një rishikim të ndarjes administrative, çka do të sillte një shërbim më efiçent për qytetarët. “Dua t’ju shpreh edhe njëherë, besoj edhe në emër të shumë e shumë kryetarëve të njësive vendore që nuk ndodhen këtu, nevojën akute për të rishikuar ndarjen administrative të territorit të Republikës së Shqipërisë, i cili, për nga kilometrat katrorë që ka dhe njësitë në të cilat ndodhet, të lë përshtypjen e një shteti të madh të Kontinentit Europian, por nuk është kështu. E gjithë kjo, vjen në kurriz të efiçensës, në kurriz të planifikimit më të mirë dhe, në fund të fundit, në kurriz të një shërbimi më të reduktuar ndaj qytetarëve, i cili fare mirë mund të përmirësohet nëpërmjet një reforme administrative, ku shumë flitet, por asgjë nuk është bërë. Besoj, shpirti bipartizan i kryetarëve të njësive vendore mund të shërbejë këtu, si një “taban” për të nisur një diskutim në dobi të qytetarëve dhe jo axhendave politike në Parlamentin e Shqipërisë – deklaroi Kryebashkiaku Basha.

Komentet janë të mbyllura

Foto Lajme

Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i përmbajtjes së këtij portali © 2013 Gazeta Republika | Designed by Keminet | Log in
Close
Ndiqni Gazeta Republika në Facebook
Informohuni mbi ngjarjet kryesore të ditës duke na ndjekur në Facebook.