Historia e marrëdhënieve shqiptaro-sovjetike, në bazën detare të Vlorës në vitet ‘50-‘60

Publikuar më: 22/05/2012 10:32

Promovohet libri: “Marrëdhëniet shqiptaro-sovjetike, në bazën detare të Vlorës. Në sallën e konferencave të Universitetit “Pavarësia”, klubi i shkrimtarëve “Petro Marko” promovuan librin e autorit Fatosh Voshtinës. Referuan Gëzim Llojdia, drejtor i bibliotekës së universitetit, autori i librit, Fatosh Voshtina, Kasem Spahiu, Shezai Osmani dhe të tjerë. U shfaqën sekuenca nga ngjarjet e ndodhura në kohën e Luftës së Ftohtë, në bazën ushtarake të Pashalimanit Vlorë të viteve ‘60.

Pashalimani, bazë detare

Dhe këtu në Pashaliman, historia e tyre njihet më mirë dhe tregohet thjeshtë si për një gjë të zakonshme, jo si një histori e veçantë e gjitarëve të detit të veçantë. Historia e tyre, tashmë ka përfunduar dhe do të kujtohet si dikur koha e Cezarit, kur erdhi në këtë gji detar për të sulmuar Pompein, Cezari u nis nga Brindisi me 30000 vetë. Zbarkoi më 5 janar të vitit ‘48, në tokën e fisit Kaon Çezari për në Orik nisi një garnizon i përbërë nga ushtarë parthinë dhe banorë vendës, të komanduar nga oficeri i Pompeut, Luc Torkuati. Ishte bazë detare dhe mbeti e tillë. Nga kohërat më të lashta e antike. Banorët e saj kanë qenë detare, ushtarë, gjeneralë dhe anije prej druri, deri tek gjitarët e fundit, nëndetëset që zotëronin gjirin e Vlorës.

Larg çdo përfytyrimi, përbën armatimin ushtarak, për një vend të vogël në kohët e një lufte të madhe. Ato janë atraksioni më i madh i gjiritë Vlorës në vendin tonë dhe po shkruajnë fundin e fundmë të një epoke që ne e quajtëm Lufta e Ftohtë. Në strehën e Pashalimanit, gjirit detar të përmendur nga gjeografi grek, Skylaksi, që në shekujt 5 para Krishtit, në vitin ’43 ka qene një flotilje e vogël italiane dhe, më pas, nazistët. Nëndetëset shqiptare janë strehuar në këtë gji nga koha e ardhjes së tyre deri në vitin 1987. Nga baza e Pashalimanit janë zhvendosur më në jug. Kanë udhëtuar për një strehë tjetër. Në qershor të vitit 1987, nëndetëset u përqendruan në bazën e Porto Palermos.

Për bazën detare të Pashalimanit ka pak të dhëna dhe dokumente. E rrethuar nga mjegulla.

Si bazë detare përmendet për herë të parë nga gjeografi dhe historiani grek Skylaksi, shek. VI-V p. Krishtit në veprën “Lundrimi”, qyteti i Orikut, port detar në Jon dhe Adriatik. Në veprën e tij, “Lufta Civile”, Jul Çezari, përshkon mes të tjerash zbarkimin e trupave të tij “ndanë brigjeve. Lidhur me emërtimin gjejmë këto të dhëna: Oriku u shfrytëzua prej romakeve ne luftërat kundër ilireve dhe maqedonasve, luajti rol ne luftën civile midis Cezarit dhe Pompeut. Flota maqedonase e Aleksandrit të Madh të Maqedonisë e pushtoi me 214 p.e.s.

Në kohën bizantine dhe në mesjetë njihet si një port i vogël me emrin Jeriko. Në kohën e pushtimit osman Oriku u quajt Pashaliman. Për portin, pra, limanin detar, kemi këto të dhëna: Porti i brendshëm (portus introitus) i përmendur prej Çezarit është lokalizuar në lagunën 2.2 km të gjatë dhe 1.2 km të gjerë, e cila ka formën e një trekëndëshi me bazë të drejtuar nga deti. Prej tij, ajo ndahet nga një rrip ranor, në perëndim të të cilit gjendet kodra e qytetit. Në ekstremin perëndimor bankina përshkohet prej një kanali, i cili e lidhte lagunën me detin. Në brendësi të lagunës nen pasqyrën e ujit, shihen gjurmët e një muri 1. 80 m të gjere, i cili lidhet me dy brigjet e saj. Kemi të bëjmë me një bankine për akostimin e anijeve, e cila, duke u nisur nga gjerësia e lagunës ne këtë vend, arrinte rreth 200 m gjatësi.

Streha

Nëndetëset janë strehuar në këtë gji nga koha e ardhjes së tyre deri në vitin 1987. Nga baza e Pashalimanit janë zhvendosur më në jug. Kanë udhëtuar për një strehë tjetër. Në qershor të vitit 1987, nëndetëset u përqendruan në bazën e Porto Palermos. Baza e Palermos ishte tuneli për të cilin u punua për më shuam se 20 vjet nga forcat ushtarake shqiptare dhe kryesisht u shfrytëzua puna e ushtarëve dhe xhenierëve të cilët shkonin ushtarë në këtë zonë ushtarake. Baza e Palermos ishte projektuar nga Kryeministri i kohës Mehmet Shehu, për tu bërë baza e një mjeti tjetër detar. Këto quheshin katër-silurues.

Mjet sulmues i përmbi ujshëm i forte si roje e detit. Katër silurueset do të vinin nga Kina, aleati i vetëm i shtetit tonë deri në vitet ’80, kur u prishën marrëdhëniet me shtetin e largët aziatik dhe me vëllezërit e shkurtër të verdhë.

Marrëdhëniet shqiptaro-sovjetike në bazën detare të Vlorës.”

Botimet për këtë bazë detare që gjendet në gjirin e Vlorës, përmenden me numër të vogël. Romani i Kadaresë mbizotëroi deri në vitet ’90. Oficerë dhe drejtues që kanë punuar në atë kohë kanë publikuar pak detaje në botimet e tyre. Libër të plotë sjell ing. Fatosh Voshtina. Libri: ”Marrëdhëniet shqiptaro-sovjetike në bazën detare të Vlorës pasqyron historinë e marrëdhënieve shqiptaro-sovjetike në një periudhë kohore më shumë se 1 dekadë. Autori Ing. Fatosh Voshtina shkruan: E quaj detyrë dhe obligim të shkruaj për krijimin dhe funksionimin e Bazës Detare të Vlorës, si dhe për marrëdhëniet shqiptaro-sovjetike në këtë Bazë, nga viti 1954 deri në vitin 1961, duke qenë një ndër pjesëtarët okularë dhe aktivë në kryerjen e detyrave për ngritjen, ndërtimin dhe vënien në funksion të saj. Çfarë na sjell ky botim?1-Historinë e marrëdhënieve dypalëshe gjatë një dekade jete. 2- Analizën e fakteve dhe

dokumenteve lidhur me marrëdhëniet, ecurinë jetëgjatësinë e deri në shkatërrimin definitive të saj. 3- Të dhëna dokumentare të panjohura të nxjerra nga arkivat. 4- Kujtime të autorit nga ajo periudhë kohore. 5- Autori sjell personazhe që kanë vepruar në kontekstin e kohës. 6- Autori ka skanuar një periudhë kohe, e cila vjen e freskët si një film pa zë. 7- Autori sjell në kohë dhe hapësirë historinë e një periudhe të njohur si lufta e ftohtë. Nga ëebsiti i ambasadës ruse: Marrëdhëniet diplomatike midis BRSS dhe Shqipërisë u vendosen me 17 shtator 1924. Në prill 1939, ato u ndërprenë për shkak të pushtimit te Shqipërisë nga Italia fashiste. Pas mbarimit të Luftës së Dytë Botërore, marrëdhëniet diplomatike u rivendosen me 1945 në nivel misioni dhe me 1956 në nivel ambasadash. Në nëntor 1961, qeveria e BRSS tërhoqi nga Tirana te gjithë personelin e Ambasadës Sovjetike, çka shënoi prishjen e marrëdhënieve diplomatike. Ato u ndërprenë në dhjetor 1961, për shkak të mosmarrëveshjeve të liderëve të dy vendeve. Marrëdhëniet u normalizuan në korrik 1990.

Autori pasqyron shkurtazi historie e bazës detare të Pashalimanit. Gjiri i Vlorës, 19 km i gjatë dhe 16 km i gjerë, nis me Kepin e Triportit dhe përfundon me Kepin e Gjuhëzës, midis të cilëve gjendet ishulli i Sazanit.

 Kasëm Spahiu:

Disa mendime: “Mbi librin a z. Fatosh Voshtina “Mbi marrëdhëniet shqiptaro­sovjetike në bazën detare të Vlorës”. Dua të them që në fillim se ashtu si a thotë edhe vetë autori, e quaj detyrë dhe obligim të shkruaj për krijimin dhe funksionimin e bazës detare të Vlorës, si dhe për marrëdhëniet shqiptaro-sovjetike në këtë bazë. Në ketë libër historik, zoti Fatosh nuk shkruan vetëm ato që ka parë, bërë dhe jetuar, por ajo që është me e rëndësishme është se ai ka kërkuar shumë arkiva dhe me fakte të vërtetuara dhe që e bën lexuesin të besueshëm për çfarë zoti Fatosh shkruan në këtë libër, që ky libër nuk do të jetë bindës vetëm për në që kemi shërbyer në flotë, por edhe për brezat që vijnë dhe do të drejtojnë flotën tonë

detare, por ky libër do të jetë një libër historik edhe për shkollat tona të mesme ose të larta.

Puna a bërë nga zoti Fatosh është për të admiruar, sepse ai, edhe pse është në këtë moshe, nga vjeçët flas, se kështu fizikisht dhe mendërisht Fatoshi tregon sikur është 50 vjeç, jo kompliment, por realitet, a tregon libri, bisedat, marrëdhëniet me shokët. Merita e Fatoshit qëndron edhe ne atë që ai, në këtë studim historik, materiali na paraqet në mënyrë objektive, të paanshme ashtu si ka mbledhur me të mirat the të këqijat a veta nga të dyja palët. Fatoshi na përshkruan në këtë libër sesi është punuar për ndërtimin e infrastrukturën a Flotës, si ndërtim i bazave, përgatitja e kuadrove detare jashtë shtetit dhe furnizimi i këtyre bazave me anijet nga mëdha deri në nëndetëset. Libri i zotit Fatosh trajton një teme dhe histori shume interesante, unike për Shqipërinë ne periudhën e luftës se ftohte. Ajo ka qene një histori integruese shumëdimensionale të themi të drejtën se për flotën kanë shkruar mjaft nga shokët tanë të flotës, por për herë të parë (për mendimin tim) kemi një përpjekje për të trajtuar ketë heshtje në një formë të plotë, në një libër që a vendos atë në një kuadër të qartë historik. Zoti Fatosh në këtë libër nuk sjell thjeshtë a vetëm kujtimet, përshtypjet e refleksionet a tij si një nga pionierët e flotës ushtarake detare shqiptare dhe si një nga drejtuesit e saj më të rëndësishme. Ky libër dallon nga të tjerët që janë botuar, sepse qëndron mbi një bazë dokumentare, falë vullnetit, këmbënguljes së zotit Fatosh për të qëmtuar a studiuar në Arkivin Qendror të Shtetit dhe në Arkivin e Forcave të Armatosura të Republikës se Shqipërisë. Ky dokumentar e ka bërë librin dhe temën shumë tërheqëse, bindëse dhe realiste. Autori, duke qenë pjesëmarrës në ngjarje ose vëzhgues a ka pasuruar librin me emocione dhe dëshmi personale dhe autentike. Ai ka ditur të kombinojë ndjesitë, kujtimet dhe refleksionet vetjake me interpretimin e dokumenteve zyrtare. Botimi i këtij libri ka vlera shumë të veçanta edhe për të njohur një pjesë të tij realiteti Lindje-Perëndim për të kapur pikat strategjike të kontrollit të udhëkalimeve detare të ujerave të Mesdheut, ku kryqëzoheshin interesat a mëdha ushtarako-politike.

Poeti Luan Cipi në analizën e tij foli për librin duke sjellë këtë krijim për Fatosh Voshtimën:

Na u shfaq si në vitrina/ Vlorës, në Shesh të Flamurit,/ Kapiten Fatosh Voshtina. /Ecte dhe i ndriste nuri. /E kujtoj, djalë të harlisur, /Gati gjashtëdhjetë vjet më parë, /Trupi i madh, bukur stolisur/Me veshje si marinar./ Gjoksit dekoratat varur,/ Që nga lufta partizane/ Inxhinier detar shpallur,/ Krenari e kësaj ane./ Dekadat ikin si erë/Bazat detare zmadhohen/ Nëndetëse, torpedinier/ Me raketa kompletohen./ Po miqësitë shkallmohen, prishen/Vështirësitë nisin të shtohen,/ Marrëveshje, kontrata digjen, /“Bubullima” po dëgjohen. /Ishin çaste delikate/ Me rreziqe bërthamor/Demaskoheshin traktate,/ Përgatiteshin llogore. /Urtësisht, kur ti drejtoje/ Marinarët thanë: – prina, /Me Rusët të bisedojë/Kolonel Fatosh Voshtina. / Ikën shpejt ngjarje e vite/Mes rreziqeve kalove/ Historinë bëre si dite/Në të dy librat që shkrove. /Kush e sheh, mbetet çuditur/ Tetëdhjetë vjet, po ai/ Në mendime, është rritur./ Në pamje – si në të ri. Mos e thoni fjalën plak, /Vitet i hidhni në kosh./ Një i ri, troket në prag. /Para jush, prapë një djalosh.

Kolonel ing. Fatosh Voshtina sqaroi mjaftë nga momentet të cilat nuk i ka përfshirë në librin e tij: Mbajtja e nëndetëseve për ne ishte një kockë e fortë, që nuk e përballonim dot. Madje, ajo ishte e vështirë edhe për dhëmballët sovjetike, sepse shpenzimet për mbajtjen e nëndetëseve janë kolosale. Deri në atë kohë, ne ishin furnizuar nga sovjetikët sipas marrëveshjeve, qoftë për pjesë ndërrimi, karburant, por edhe materiale të tjera të mirëmbajtjes. Kështu, me ardhjen e nëndetëseve, veç rezervës 1-vjeçare që e mbanin në nëndetëse, erdhën edhe rezerva 3-vjeçare për të katër nëndetëset tona që i mbanim në një depo të veçantë në breg. Sovjetikët, rezervat e tetë nëndetëseve (tre vjeçare), i mbajtën në bazën e tyre lundruese “Kotelnikov”. Por, meqë kjo qëndronte në det të hapur, uji i kripur i rrezikonte këto materiale. Kështu që ata kërkuan që ne të ndërtonim një depo tjetër në bazë, që të sillnin këto materiale në breg. Kështu u bë. E rrëfej këtë moment për të treguar edhe një tjetër dredhi tonën. Sepse kur sovjetikët do të iknin, kryeinxhinieri i tyre, që ishte miku im, që kishin ngrënë e pirë bashkë, m’u drejtua për të marrë 8 kompletet e nëndetëseve të tyre. Ndërsa unë luajta rolin e budallait: “I dashur, ne nuk kemi asgjë, veç pjesëve rezervë të nëndetëseve tona”. Mirë, thotë marrim dokumentacionin dhe nëse janë më shumë se për 4, do na i jepni. I them: “Nuk keni përse vini në depot tona”. Më shau: “Bukëshkalë! S’e kisha menduar kurrë se qenke edhe ti i tillë”. “Faleminderit, nuk po të përgjigjem me të njëjtën monedhë, se nuk ma lejon edukata”, iu përgjigja me kujdes edhe pse në thellësi, ndërgjegjja më vriste për këtë sjellje. Po ja që e donte puna që ne t’i kishim ato materiale. Pasi sovjetët ikën, në gusht 1961, në bazë erdhi udhëheqja më e lartë e Partisë dhe Shtetit, Enver Hoxha, Mehmet Shehu, Hysni Kapo, Beqir Balluku, etj. Më këtë rast, u bë një demonstrim i forcave detare shqiptare, ku morën pjesë nëndetëset, të katërta, dragaminat e bazës, gjuajtësit detarë, etj., duke demonstruar edhe lëshime silurësh, hedhje e plasje minash detare, etj. Udhëheqja ngeli jashtëzakonisht e kënaqur për këtë demonstrim. Pra, ne e treguam se u kishim marrë sovjetëve jo vetëm anijet e nëndetëset, por edhe zanatin. Dokimin e nëndetëseve e bënim në Pashaliman, sepse para se të vinin nëndetëset kishte ardhur edhe një dok lundrues kryesisht për këtë qëllim. Ndërsa për bazën lundruese, në shkurt 1963 u nisëm për në Trieste të Italisë, duke i bërë dokumentacionin si anije mallrash. Megjithatë, ne kishim marrë edhe armatim me vete, kallashnikovë e mitraloza të lehtë, se mos na dilnin rrugës sovjetikët dhe na merrnin anijen. Kaluam mirë e bukur. Dokimin e kryem në Muxhia, kantier i ndërtuar që në kohën e austriakëve. Më pas, rreth vitit 1965, anija i kaloi Flotës Tregtare Shqiptare, duke marrë emrin “Dajti”. Në vitin 1964, pasi një delegacion i madh i Forcave tona të Armatosura, që e drejtonte Gjeneral-Kolonel Beqir Balluku, në të cilin unë përfaqësoja Flotën, shkoi për vizitë në Kinë. Aty u ra dakord, që në Pasha Liman të ndërtohet kantieri i riparimit të anijeve dhe në të njëjtën kohë pala kineze të bënte, bashkërisht me ne, riparimin e 4 nëndetëseve. Për të dy këto probleme, drejtor i ardhshëm dhe drejtues i riparimit u caktova unë. Admirali Abdi Mati më ndihmoi, duke sjellë kuadro të përgatitur nga Flota. Kinezët sollën 127 specialistë riparues për të gjithë teknikën dhe armatimin që ka nëndetësja. Këta u akomoduan në ndërtesat dykatëshe, që dikur shërbenin për ekuipazhet tona të nëndetëseve. U bë plani dhe nisi puna për riparimin. Nga viti 1965 deri më 1969, kur u çmontuan nëndetëset, në dy prej tyre ne diktuam, në trupin kryesor, në pjesën e poshtme, dy vrima me diametër afërsisht 20 mm dhe thellësi rreth 10 mm. Pra, vrimat kishin depërtuar në gjysmën e trashësisë së çelikut special të nëndetëseve. Vrimat ishin afërsisht në të njëjtin vend në të dyja nëndetëset. U bënë diskutime, pati mendime se mos këto ishin bërë nga sovjetikët, pra u hipotezua një sabotim. Shumë nga ne, përfshirë edhe mua, nuk besonim në këtë version, por besonim se gërryerjet ishin nga veprimi i acideve, që me kalimin e viteve mund të bënin dëmtonin metalit në këto përmasa që konstatuam. Gjatë riparimit të parë të nëndetëseve, në të fundit prej tyre, kur pas provave në gjirin e Vlorës, mjeti u kthye në bazë. Punë e parë, që bëhet pas kthimit në bazë, bëhet karikimi i baterive. Karikimi shoqërohet me nxjerrjen e hidrogjenit të lirë nga elektroliti me të cilin janë të mbushura bateritë. Këto kanë qenë shumë të mëdha, një metër të larta dhe peshonin 600 kg secila. Hidrogjeni, duke qenë i lirë, hyn nëpër skuta. Për fat të keq, nga pakujdesia e personelit të shërbimit, kaloi kjo përqindje dhe menjëherë ndodhi një shpërthim. Tre marinarë që pushonin, vdiqën, ndërsa tre të tjerë u dogjën rëndë, por fatmirësisht mbijetuan. Nga shpërthimi i shkrumbuan plotësisht edhe dy lokale të mjetit. Ky ka qenë incidenti më i rëndë që na ka ndodhur. Me kalimin e viteve nëndetëset vazhdonin punën.

Kjo është historia e ardhjes dhe përfundimit të nëndetëseve sovjetike. Që prej 40 vjet, oficerët, nënoficerët dhe detarët tanë i mbajtën gjallë dhe të paprekura. Fotografinë ku unë kam dalë me dy shokët para nëndetëseve, Petrit Myftiu, Kapiteni i Rangut të Parë, më 1999 ia dërgoi në Moskë ish-komandantit sovjetik në nëndetësen tonë, Komarov. Rusi, në bisedën telefonike i thotë: “Petrit, ato janë nëndetëset që kemi lundruar bashkë?” “Po”, i përgjigjet Petriti. “Ju lumtë, paskeni qenë heronj”, i përgjigjet ish-kolegu sovjetik. Pra, rusët nuk e kishin bërë asnjëherë llogari që ne do i vinim në punë dhe do i mirëmbanim nëndetëset pas largimit të tyre më 1961. Veç katër nëndetëseve dhe bazës lundruese “Tomorri”, sovjetikët sollën në Vlorë një numër të konsiderueshëm anijesh të tjera ndihmëse. Ata sollën një anije që karikonte bateritë, një anije çmagnetizuese, (që nëndetësja të mos tërhiqte mina të magnetizuara), një anije silur kapëse, (që kapte silurët që lëshoheshin në qitje stërvitore, se ishin të shtrenjtë), një anije polumbare, një katër rade, një anije frigorifer (për ushqimet), një anije cisternë për ujë (në Pashaliman s’kishte ujë). Ndërsa gjashtë anije të tjera, dy rimorkiatorë, një cisternë karburanti 600 tonësh, të emërtuar “Patosi”, një cisternë uji për furnizimin e Sazanit, një anije transporti të vogël, për njerëz e mallra dhe një katër rade, ishin në përbërje të Flotës, të destinuara kryesisht për Sazanin. Pra, në kuadër të marrëveshjes erdhën gjithsej 13 anije, dy të fundit të mbërritura më 20 maj 1958.

GËZIM LLOJDIA

 

 

Komentet janë të mbyllura

Foto Lajme

Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i përmbajtjes së këtij portali © 2013 Gazeta Republika | Designed by Keminet | Log in
Close
Ndiqni Gazeta Republika në Facebook
Informohuni mbi ngjarjet kryesore të ditës duke na ndjekur në Facebook.