Mësuesit, kur shpallen rezultatet e atestimit

Publikuar më: 23/05/2012 9:20

EKSKLUZIVE/ Flet Dorina Rapti, shefja e Arsimit Profesional në Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës

Rritet numri i kërkesave të mësuesve për pjesëmarrjen në testim. Kategoritë që i nënshtrohen provimit dhe etapat e procesit të kualifikimit. Si kanë ndryshuar vlerësimet për çdo arsimtar

“Rezultatet e mësuesve që iu nënshtruan kualifikimit më datë 21 prill, mund të publikohen këtë fundjavë”. Kështu është shprehur në një prononcim për gazetën “Republika”, Dorina Rapti, shefe e Arsimit Profesional në MASH, e cila thotë se rezultatet e kandidatëve që marrin pjesë në kualifikim kanë ndryshuar dhe se vlerësimet e tyre janë shumë më mirë se vite më parë. “Shpresojmë që rezultatet të dalin në fund të kësaj jave dhe po në këtë kohë do të kemi më të detajuar të dhënat e këtij viti, krahasuar me një vit më parë. Në qoftë se do t’i referoheshim vitit të kaluar, ne kemi pasur vazhdimisht një rritje të numrit të mësuesve që kanë marrë vlerësimin “mirë” dhe “shumë mirë” – thotë Rapti. Në këtë prononcim, më tej, shefja e Arsimit Profesional thotë se janë rritur kërkesat e mësuesve që marrin pjesë në kualifikim. “Kemi pak kohë që këtë lloj kualifikimi e zhvillojmë në këtë formë. Ndonëse më parë ishte perceptuar ndryshme, për disa vite kualifikimi bëhet në këtë formë, pra me testime. Po të bëjmë një krahasim me vite më parë, shihet se kemi një shtim të kërkesave për të lexuar materiale, për të lexuar literaturën përkatëse dhe për të rifreskuar njohuritë. Kemi një rritje të kërkesave të kandidatëve për të dalë me rezultate të larta, por, mbi të gjitha, kemi një rritje të interesit të mësuesve për këtë interes. Në testimin për kualifikim, i cili u zhvillua më 21 prill morën pjesë rreth 200-300 pjesëmarrës më tepër, krahasuar me vitin e kaluar. Pra, të dhënat vërtetojnë se kemi një lloj rritje të numrit të personave që janë futur në testim”,- pohon përfaqësuesja e MASH-it.

Testimi për kualifikim

Shefja e Arsimit Profesional më tej shpjegon edhe kategoritë që marrin pjesë në kualifikim. “Testimi për kualifikimin e mësuesve është një proces që ndodh çdo vit. Në këtë testim, futen të gjithë ata që kanë plotësuar disa kritere, kryesisht është kriteri i viteve të punës. Pra, futen ata që kanë mbushur 5 vite, 10 ose 20 vite punë. Në momentin kur futet në sistemin arsimor, mësuesit kalojnë tri etapa të tjera, vlerësimin ose kualifikimin, që bëhet pas 5 viteve të para, pas 10 viteve të para dhe pas 20 viteve punë. Pas këtij vlerësimi, kandidatët marrin kategoritë përkatëse. Për të realizuar dhe për të marrë këtë lloj shkalle kualifikimi, mësuesit hyjnë në testime sipas lëndëve përkatëse”,- thotë Rapti. Gjithashtu, përfaqësuesja e MASH-it thotë se procesi i kualifikimit kalon në dy etapa. “Etapa e parë lidhet me portofolin që punonjësit në arsimin parauniversitar dorëzojnë pranë drejtorive arsimore. Në këtë portofol ata dorëzojnë të gjithë produktet e punës së tyre. Le të themi projektet, planet ditore, testet e ndryshme që ata zhvillojnë. Pra, siç shikohet, është një portofol me punët që kanë zhvilluar gjatë gjithë vitit. Pas këtij veprimi, ky portofol i nënshtrohet vlerësimit dhe pikët për secilin kandidat vijnë në ministrinë e Arsimit dhe në Institutin e Zhvillimit të Arsimit që merret drejtpërdrejt me kualifikimin e mësuesve. Ndërkohë faza e dytë është testimi. Kandidatët marrin pikët përkatëse për testimin. Testimi ka dy pjesë kryesore, ku është pjesa e pare që lidhet me formimin e përgjithshëm të mësuesve dhe kjo ka të bëjë me komunikimin, me etikën, me drejtshkrimin, me legjislacionin dhe me programet lëndore. Ndërsa pjesa e dytë ka të bëjë me anën profesionale të tyre. Gjithashtu, kjo e dyta ka të bëjë me njohuritë e mësuesit për lëndën që zhvillojnë”,- përfundon Dorina Rapti, shefja e Arsimit Profesional në MASH.

 OSMAN DEDJA

Komentet janë të mbyllura

Foto Lajme

Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i përmbajtjes së këtij portali © 2013 Gazeta Republika | Designed by Keminet | Log in
Close
Ndiqni Gazeta Republika në Facebook
Informohuni mbi ngjarjet kryesore të ditës duke na ndjekur në Facebook.