PS mbledh kryesinë, do diskutohet për Nanon dhe Presidentin

Publikuar më: 02/05/2012 6:17

Partia Socialiste pritet të mbledhë sot kryesinë e partisë, ku pjesa më e madhe e diskutimeve pritet të fokusohet tek zgjedhja e Presidentit të Republikës. Kryetari i PS-së, Edi Rama, pritet të konsultohet me anëtarët e kryesisë për procesin e zgjedhjes së kreut të ri të shtetit, por veçanërisht për qëndrimin që do të shprehë vetë Rama në takimet që do të ketë me krerët e partive parlamentare, pas letrës që u adresoi atyre një ditë më parë, ku kërkonte nisjen e një dialogu konstruktiv për të zgjedhur një President, që do të jetë garant i Kushtetutës. Kryesia pritet të diskutojë edhe për kandidatin e vetëshpallur për President, Fatos Nano, dhe mundësinë për një mbështetje ose jo të emrit të tij për postin e kreut të shtetit, në kushtet kur pas takimit me Nanon, vetë Rama evitoi një përgjigje të drejtpërdrejtë për këtë çështje. Kryesia e socialistëve do të ketë në rend edhe miratimin e datës së mbajtës së Kongresit të FRESH-it, nga ku do të dalë edhe kryetari i ri. Gjatë periudhës 5 maj deri më 5 qershor do të zhvillohet fushata e zgjedhjeve të FRESH-it në gjithë qarqet e vendit. Kandidatët për krerët eFRESH-it do të ballafaqojnë platformat e tyre, sa i përket drejtimit të një prej forumeve më të rëndësishme të kësaj force politike. Në mbledhje, të deleguarit e kryesisë së PS-së në rrethe, do të raportojnë edhe për punën e tyre me strukturat e partisë, si dhe për shpalosjen e programit e socialistëve për një Rilindje Shqiptare. Megjithatë, veç vendimeve për çështjet organizative, vendimet për qëndrimet politike të PS-së pritet të marrin peshën kryesore të mbledhjes, nisur edhe nga situata aktuale politike, ku krahas konsultave të paralajmëruara nga kryesocialisti Rama edhe ish-kreu i PS-së, Fatos Nano, ka nisur një tur takimesh për të njëjtin qëllim, procesin e zgjedhjes së Presidentit të Republikës. Burime brenda selisë rozë thanë se në pritje të një takimi me Kryeministrin Berisha, takimi më i afërt i tij di të jetë me kreun e PDIU-së, Shpëtim Idrizi.

Komentet janë të mbyllura

Foto Lajme

Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i përmbajtjes së këtij portali © 2013 Gazeta Republika | Designed by Keminet | Log in
Close
Ndiqni Gazeta Republika në Facebook
Informohuni mbi ngjarjet kryesore të ditës duke na ndjekur në Facebook.