Zyrtare/Invalidët, si përfitohet pensioni i plotë

Publikuar më: 04/05/2012 7:45

Instituti i Sigurimeve Shoqërore publikon kushtet e përfitimit për çdo grup

Dosja e plotë e dokumenteve që duhet të dorëzojnë të interesuarit pranë Agjencisë Lokale të Sigurimeve Shoqërore. Procedura që ndiqet për shqyrtimin e kërkesës dhe vlerësimi që bën Komisioni Mjekësor i Caktimit të Aftësisë për Punë (KMCAP-it). Masa e përfitimit dhe të ardhurat që jepen shtesë

Instituti i Sigurimeve Shoqërore publikon rregullat për përfitimin e pensionit të invaliditetit. Specialistët pranë ISSH-së pohojnë se personi që bëhet i paaftë për çdo veprimtari ekonomike dhe ka gjymtime të forta e dëmtime fizike (duke përfshirë verbimin) ka të drejtë të marrë pension. Kriteret dhe rregullat e përfitimit janë të përshkruara në Ligji Nr. 7703, datë 11.05.1993 “Për Sigurimet Shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar, Udhëzimin Nr. 2, i ISSH-së, datë 05.10.2005 “Për llogaritjen dhe indeksimin e bazës së vlerësuar dhe pagës neto për efekt pensioni”, rregulloren Nr. 1, të ISSH-së, datë 19.10.2009, “Mbi administrimin dhe llogaritjen e pensioneve” dhe rregulloren e përbashkët të ministrisë së Shëndetësisë dhe Institutit të Sigurimeve Shoqërore, datë 30.05.2003 “Për organizimin, të drejtat, detyrat dhe funksionimin e KMCAP –it të invalidëve”. Në varësi të shkallës së humbjes të aftësisë për punë, sipas ligjit nr. 7703, datë 11.05.1993 “Për Sigurimet Shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar, invaliditeti klasifikohet në tri grupe:

a) Invaliditet i pjesshëm, kur personi i siguruar humbet aftësinë për punë në profesionin apo punën e tij të fundit, por mund të kryejë punë të tjera, sipas përcaktimit të vendimit të KMCAP-it;

b) Invaliditet i plotë, kur personi i siguruar bëhet i paaftë për çdo punë;

c) Invaliditet i plotë në kushtet e nevojës për kujdestari.

Kushtet e përfitimit

Ekspertët e Institutit të Sigurimeve Shoqërore përcaktojnë kushtet e përfitimit të cilat janë:

a) Merr pension invaliditeti të plotë personi i siguruar që ka plotësuar periudhën minimale të sigurimit, e cila është e barabartë me gjysmën e diferencës së moshës së personit të siguruar, në kohën që bëhet i paaftë dhe moshës 20 vjeç. (P.sh: nëse personi që është bërë invalid është 38 vjeç, për të përfituar pension të plotë invaliditeti i duhen 38-20/2 = 9 vite sigurim);

b) Të ketë humbur plotësisht aftësinë për punë, jo për shkak të aksidentit në punë apo sëmundjes profesionale;

c) E drejta për të përfituar pension invaliditeti të plotë fillon pas mbarimit të periudhës 6 mujore të trajtimit me raport mjekësor për paaftësi të përkohshme në punë. Vlerësimi nga KMCAP duhet të bëhet në muajin e pestë ose të gjashtë, para përfundimit të kësaj periudhe.

Dokumentacioni

Për të përfituar pension të plotë të invaliditetit përfituesi ose i autorizuari me prokurë paraqitet në ALSSH të vendbanimit, sipas regjistrimit në gjendje civile, për të bërë kërkesën e përfitimit të pensionit të invaliditetit. Përfituesi për pension të plotë të invaliditetit ose i autorizuari me prokurë, së bashku me kërkesën duhet të paraqesë dhe dokumentet si më poshtë:

a) Dokumentet që vërtetojnë moshën dhe identitetin:

- Fotokopje e letërnjoftimit elektronik, ose certifikatë lindjeje me fotografi;

- Certifikatë e gjendjes familjare;

- Certifikatë martese (vetëm për aplikueset femra);

- Dy fotografi.

b) Dokumentet që vërtetojnë periudhat e sigurimit dhe llojin e punës janë:

- Libreza e punës;

- Vërtetim për vjetërsinë në punë dhe llojin e saj;

- Vërtetim për periudhën e sigurimit, e lëshuar nga zyra e arkivit pranë Drejtorisë Rajonale të Sigurimeve Shoqërore për punëdhënësit, të punësuarit, të vetëpunësuarit, të vetëpunësuarit në bujqësi dhe të siguruarit në mënyrë vullnetare, si dhe të siguruarit sipas VKM-së;

- Vendim gjykate për njohje të vjetërsisë në punë (nëse shikohet e arsyeshme);

- Vërtetim i vjetërsisë në punë për ish-anëtarët e kooperativave bujqësore, para vitit 1992;

- Vërtetim i Degës Ushtarake për periudhën e kryerjes së shërbimit të detyrueshëm ushtarak (për kërkuesit meshkuj);

- Vërtetim – tip i vjetërsisë në punë për ushtarakët;

- Fotokopje e noterizuar e diplomës së shkollës së lartë për kërkueset femra (kur kanë mbaruar studimet e larta, me shkëputje nga puna);

- Çdo dokument tjetër justifikues, që vërteton qenien në punë;

- Vërtetim nga punëdhënësi për profesionin dhe natyrën e punës;

- Këto dokumente, për efekt përfitimi pensioni invaliditeti, do të pranohen kur personi nuk ka mbushur moshën e pensionit të pleqërisë.

c) Dokumentet që vërtetojnë të ardhurat e realizuara:

- Vërtetim page, sipas së cilës është derdhur kontribut për periudhat e sigurimit që nga 01.01.1994 deri në momentin e shkëputjes nga puna, sipas formularit tip (nëse ka punuar dhe ka derdhur kontribute për periudhat pas datës 01.01.1994);

- Vërtetim i pagës mesatare neto, për vitin e fundit të punës;

- Çdo dokument tjetër justifikues, që vërteton pagën ose derdhjen e periudhave kontributive.

d) Dokumentet që vërtetojnë gjendjen shëndetësore:

- Fletë-drejtimi për në KMCAP, lëshuar nga institucione shëndetësore me shtretër, (Spital), shoqëruar me fletë-dalje nga spitali, ekzaminime e dokumente të tjera plotësuese, të kërkuara kur del për herë të parë në KMCAP;

- Fletë-drejtimi nga KML (Komanda e Mbështetjes Logjistike) për ato gjendje shëndetësore, që nuk janë objekt trajtimi në spital, sipas përcaktimit në Rregullore;

- Epikrizë përcjellëse, lëshuar nga mjekë specialistë, apo konsulta e shoqëruar me ekzaminimet e nevojshme. Kur del për rikontroll duhet shoqëruar me ekzaminimet përkatëse zyrtare;

- Kartela personale dhe libri i shëndetit për të vërtetuar ecurinë e sëmundjes, ndjekjen dhe trajtimin mjekësor me ilaçe;

- Fletë-drejtimi për KMCAP, që vërteton rëndimin e gjendjes shëndetësore, e vlefshme për KMCAP, para afatit të rikontrollit;

- Raport mjekësor lëshuar nga Komisioni Mjekësor, që përcakton gjendjen shëndetësore dhe aftësinë për punë (para fillimit të punësimit ose të përfshirjes në çdo skemë sigurimi);

- Raport mjekësor i lirimit nga ushtria, lëshuar nga KMU pranë SQU( Spitalit Ushtarak), për ushtarët që bëhen invalidë gjatë shërbimit ushtarak;

- Vërtetim për pagesën e paaftësisë për punë, shkaktuar nga një sëmundje e përgjithshme (për punëmarrësin).

 Shqyrtimi i kërkesës dhe vlerësimi i KMCAP-it

Sipas Institutit të Sigurimeve Shoqërore:

- Dokumentacioni i mësipërm i dorëzohet mjekut të ekspertizës, i cili pas verifikimit të nevojshëm njofton datën për të kaluar në KMCAP (Komisioni Mjekësor i Caktimit të Aftësisë për Punë), ose i kthen mbrapsht dokumentet per pasaktësi;

- KMCAP, në mbledhjen e tij shqyrton paraprakisht dokumentet, njofton dhe ekzaminon të sëmurin, merr vendimin përkatës jo në prani të tij, dhe kryetari i KMCAP-it ia komunikon zyrtarisht të sëmurit gojarisht dhe nëpërmjet vërtetimit tip;

- Kundër këtij vendimi, i sëmuri ose invalidi mund të ankohet tek KMCAP-i epror. Ankesa bëhet me shkrim dhe dorëzohet në DRSSH përkatëse.

Masa e përfitimit

Specialistët e Institutit të Sigurimeve Shoqërore konfirmojnë se “Masa mujore e pensionit të plotë të invaliditetit përbëhet nga pensioni bazë dhe nga një shtesë pensioni që llogaritet si pensioni i pleqërisë. Shuma bazë e pensionit iu jepet gjithë personave të siguruar. Shtesa që iu jepet personave të punësuar, është 1 për qind për vit sigurimi shumëzuar me bazën mesatare të vlerësueshme, që i siguruari ka arritur nëpërmjet kontributeve gjatë gjithë historisë së tij kontributive. Shuma e përgjithshme e këtij pensioni do të jetë jo më e madhe se dy herë pensioni bazë, ose 80 për qind e pagës mesatare neto të vitit të fundit, cila të jetë më e vogël. Pensioni bazë përcaktohet me VKM”. Ndërkohë më tej ata thonë se e ardhura shtesë për kujdes, sipas nenit 38, të ligjit nr. 7703, datë 11.05.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar. Kur përfituesi i një pensioni të plotë të invaliditetit bëhet i paaftë dhe ka nevojë për një kujdes të vazhdueshme nga një person tjetër, sipas përcaktimit të KMCAP-it, atij i jepet një pagesë shtesë prej 15 për qind të bazës së vlerësueshme.

E ardhura shtesë për fëmijët në ngarkim

Një person i siguruar i paaftë, që merr pension invaliditeti të plotë, sipas nenit 35, të Ligjit nr. 7703, datë 11.05.1993 “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe ka fëmijë në ngarkim deri në moshën 18 vjeç, ose deri në moshën 25 vjeç, kur vazhdon studimet e larta me shkëputje nga puna, do të marrë një të ardhur shtesë familjare për çdo fëmijë në masën 5 për qind të pensionit bazë, por jo më shumë së 30 për qind e tij.

OSMAN DEDJA

Komentet janë të mbyllura

Foto Lajme

Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i përmbajtjes së këtij portali © 2013 Gazeta Republika | Designed by Keminet | Log in
Close
Ndiqni Gazeta Republika në Facebook
Informohuni mbi ngjarjet kryesore të ditës duke na ndjekur në Facebook.