Ali Pashai ndërtoi ujësjellësin e Bënçës, një vepër e shkëlqyer inxhinierike

Publikuar më: 29/06/2012 10:54

Pas krahëve kemi lënë Ali Pashën dhe kalanë e tij, udha zbret ndërsa një copë tabelë shënon: Bënçë -komuna Kurvelesh, Progonat, Lekdush, Gusmar, Nivicë, Rexhin. Duhet të ecësh buzë lumit të Bënçës. Asfalti, sa pak të humbet nga sytë. Ke përpara udhën me çakëll të imët, në një terren të thyer malor. Është një hapësirë e pamatë. Rruga ngushtohet. Dale, po të shohësh më lart, më thonë. Dy qen stani i qepen “Mercedezit”. Janë të egërsuar. Ç’bëhet kështu, o Zoti im? Një javë më parë, këtej kishin kaluar një grup motoçiklistësh. Eksploruan Kurveleshin e sipërm, duke vrojtuar kanionet madhështore. Zbritën tek liqeni në Gusmar, u varën në Zarel. Nëpër mjegullën e kohës shquhej pjesa tjetër e Kurveleshit. Ai i poshtmi. Ka disa pikëpyetje. Përse qentë i lënë zgjidhur në Labëri në pikë të diellit? Ndër idetë mund të konceptohet për të ruajtur bagëtitë që diku kullosnin aty.Poç’kusur kanë këta motoçiklistë që të bëhen pre e këtyre ujqërve, mund të shqyrtojë se nga dhëmbët, dhe egërsia e tyre shfaqej sheshit. Kishim cenuar udhën që ishte e të gjithëve. Atë copë zallishte ku automobili mezi cen me marsh të dytë. Në strehë malesh e harruar me sytë gjithë trishtim, një ujësjellës i kohëve të largëta. Ujësjellësi ka rreth 20 këmbë, katër këmbët e para ku shtrihet ujësjellësi janë me harqe. Katër këmbët e para janë dëshmi e kohës së ndërtimit të tij. Pjesa tjetër duhet të jetë rikonstruktuar, madje jo shumë larg, por në kohën e kooperativave besohet se duhet të jetë kryer. Tepelena. com të sjell këto të dhëna interesante për ujërat e zonës: Ujërat nëntokësore përfaqësohen nga burimet masive karstike si Ujët e Ftohtë në Tepelenë, Hormovë, Lekel, Bënçë, Gurra në Progonat, Bambulli në Dukaj, ku shumica e tyre përdoret si ujë i pijshëm për fshatrat dhe dy qytetet.Pokështu, janë ndërtuar edhe 14 ujëmbledhës si në Krahës, Izvor, Komar, Gusmar etj., të cilët, me sistem pompash ose vetërrjedhje, vadisin sipërfaqe të madhe të tokave bujqësore. Ujësjellësi i fshatit Bënçë gjendet në listën e shpallur monumente kulture për rrethin e Tepelenës: Ja vendimi: “Rektorati i Universitetit Shtetëror të Tiranës, në mbështetje të nenit 3 të dekretit nr. 586, datë 17.3.1948, “Mbi mbrojtjen e monumenteve të kulturës dhe të sendeve natyrale të rralla”, si dhe të vendimit të Këshillit të Ministrave nr. 130, datë 9.4.1995, në bazë të të cilit Universiteti Shtetëror i Tiranës autorizohet që të aprovojë në lista të posaçme monumentet e kulturës që vihen në mbrojtjen e shtetit dhe duke marrë parasysh vlerën historike, shkencore dhe artistike të monumenteve që përmendën në listën e bashkëngjitur.

XI. Rrethi i Tepelenës

1. Kalaja e Tepelenës në qytetin e Tepelenës, e Leklit, në fshatin Lekël, e Matohasanajt, në fshatin Matohasanaj, e Qytezës, në fshatin Dukaj, e Kalivaçit, në fshatin Kalivaç, e Nivicës, në fshatin Nivicë, e Zharës, në fshatin Dukaj.

Ujësjellësi i Bençës, në fshatin Bençë

Një listim tjetër të monumenteve të kulturës që duhet të jetë kryer para viteve ‘90 është

Kalaja në qytetin e Tepelenës. Kalaja e Qytezës në fshatin Dukaj. Kalaja në fshatin Lekël. Kalaja në fshatin Matohasanaj. Kalaja në fshatin Kalivaç. Kalaja në fshatin Nivicë. Kalaja e Zharës në fshatin Dukaj. Kalaja në fshatin Horë. Vendbanimi antik në fshatin Qesarat. Ujësjellësi i Bënçës në fshatin Bënçë. Rrënojat e Urës antiko-mesjetare mbi lumin e Vjosës në Tepelenë. Rrënojat e Kishës së Dashajt në Lagjen, Dashaj në Stanajt. Banesa e Myfit Kaçubajt në fshatin Nivicë. Shtëpia e Selam Musait në fshatin Salari. Mulliri, në fshatin Nivicë.

Duke sjellë në kujtesë monumentet kulturore të këtij rrethi përmenden kalatë dhe vend-fortifikimet. Ajo e Mathohasanajt është një qytet fortifikues që kishte si kryeqendër Amantian në Plocë të Vlorës. Arkeologu S. Anamali, në vitin 1972, ka shkruar: “Prova e sjellë nga Ugolini se ne afërsi të Plocës, mungojnë rrënoja të tjera të lashta, sot nuk mund të përdoret si argument; në vitet e pas çlirimit rreth Plocës janë zbuluar tepricat e tre qyteteve te tjera te fortifikuara, bashkëkohës me atë të Plocës dhe pikërisht ne Matohasanaj ne lindje të Plocës, ne luginën e Vjosës, në Çerje (Brataj) në jug dhe në Mavrovë, në perëndim, të dyja në luginën e Shushicës.

Duke parë këtë mrekulli të krijuar nga dora e njeriut në kohët e Ali Pashait, vrojton se ky ndërtim në anën e djathtë të tij është i vendosur mbi një urë me hark me dy këmba ku poshtë tij nanuriset lumi i Bënçës që rrjedh nga kationet e thella të Lekdushi e Progonatit. Ujërat, ujësjellësi i merrte nga zona e kodrës. Këmbët e tij fillojnë me një lartësi më të vogël se të tjerat – ato vijnë duke u rritur për të arritur kuotën. Ka rreth 20 këmbë që mbajnë bazamentin e tij. 4 këmbët e fundit të tij që përfundojnë në anën e djathtë të lumit, janë me harqe dhe të vendosur përmbi një urë tjetër, e cila përbëhet nga një hark i madh dhe tre të vegjël në anët e saj. Si një vepër inxhinierike, ky ujësjellës mund të quhet i përsosur për kohën e ndërtimit të tij. Ujësjellësi është ndërtuar nga Ali Pasha në kohën sundimit të tij. Sillte ujët nga njëri breg në tjetrin.

Ujësjellësi është ndërtuar nga Ali Pashai në Bënçë, në vitet 1740-1822. Katherine Elizabeth Fleming shkruan: Sapo mori titullin “Pasha i Janinës” nisi një projekt ambicioz veprash publike, duke ndërtuar rrugë, lokale, duke përmirësuar rrugët e komunikacionit dhe inkurajuar tregtinë. Broughton shkruan: Ka ndërtuar ura mbi lumenj, diga në këneta, ka hapur shumë rrugë, zbukuruar fshatrat dhe qytetet me ndërtesa të reja. Me sa duket, Aliu synonte të prezantohej si një guvernant shpirtgjerë dhe mbrojtës i popullit të vet, duke përmirësuar nivelin e jetesës. Vepra të tilla shërbenin edhe si garanci, në rast të ndonjë revolte nga ana e popullit. Aliu i njihte mirë fatet e një regjimi të decentralizuar, i izoluar nga territoret e veta dhe nga popullsia e vet. Në fund të fundit, ai vet kishte marrë fuqinë edhe fal paaftësi së së qeverisë otomane për të kontrolluar edhe pikat më të largëta të Perandorisë. Përmirësimi i komunikacioneve ishte i leverdishëm si për Pashain si për popullsinë e pashallëkut. Gjatë viteve të rinisë, Aliu kishte mësuar t’i njihte jashtëzakonisht mirë tokat në të cilat më vonë ndërtoi pashallëkun e vet. Kjo njohuri, si dhe shumë të tjera të fituara në fitet e rinisë, ishte shumë e dobishme për pashain. Udhëtarë të shumtë si Leak e Broughton vunë re se pashai, shpeshherë nuk gjendej në Janinë dhe kalonte shumë kohë duke lëvizur në territoret e veta. Një udhëtar europian pohoi se kishte mësuar nga burime të sigurta se Aliu vizitonte, pa përjashtim, të paktën një herë në vit të gjitha fshatrat e veta. (Hobhouse 1813:121). Përveç se i vizitonte këto zona periferike, Aliu kishte ngritur një rrjet të gjerë informatorësh lokal. Kështu, Broughton dhe Byron, që më 1809, po projektonin një udhëtim drejt Peloponezit u habitën nga njohja perfekte e Aliut për rrugën që duhet të përshkruanin. Ali Tepelena kujdesej shumë për centralizimin e pashallëkut dhe ishte shumë i kujdesshëm dhe i kudogjendur ne tokat e tij, i kushtonte vëmendjen më të thelle dhe zonave më të largëta. Ndërtimi i rrjetit rrugor të zgjeruar, hanet dhe magazinat kishin si synim kryesor lehtësimin e udhëtimeve të pashait. Rezidenca dytësore dhe verore u ndërtuan në të gjitha qytetet kryesore, qoftë për arsye strategjike, qoftë për arsye dashurie. Ali ndërtoi një nga rezidencat dytësore më të pasur dhe madhështore në vendlindjen e vet, në Tepelenë. Këto ndërtime, më shumë se pashait, iu shërbyen popullsisë, tregtarëve, artizanëve dhe shtegtarëve të huaj. Punime të tjera të nisura me urdhër të Aliut ishin dhe bonifikimi i kënetave. Ato në veri të Artës u thanë me supervizim të inxhinierëve evropianë dhe rritën ndjeshëm prodhueshmërinë në këto zona. Këto vepra publike dhe siguria e padiskutueshme e territoreve ndihmuan në një zhvillim të paparë të tregtisë të brendshme dhe internacionale. Pirateria e përhershme e Egjeut dhe Adriatikut bënë që interesi i tregtarëve t’i drejtohej transportit tokësor. Territoret e Aliut ishin mjaft të përshtatshme. Të gjithë këta element e bënë ekonominë e pashallëkut të fortë dhe në rritje konstante.

Në luginën e Bënçës shkruan Engjëll Shehu, kane jetuar disa fise Ilire si: BISHQEVI, BATHESI, BUKSHI DILQNI LUDOVA dhe TOLA. Këto emra janë të fiseve ilire dhe pikërisht banesat e tyre te hershme janë disa shpella që i mbajnë edhe sot e kësaj dite emrat e tyre siç janë: shpella e Bishqemit, shpella e Bathesit, shpella e Bukshit, shpella e Toles dhe gryka e Dilanit. Këto fise themeluan fshatin me emrin Bënçë. Në këto shpella kanë banuar fiset e lartpërmendura, ku ato kanë bërë një jetë primitive për vete kushtet e atëhershme të shkëputur nga njëri-tjetri duke jetuar në natyrë. Kjo periudhë që unë po përshkruaj këtu i parkete komunitetit primitiv.

Qendra e sotme e fshatit është një rrëpirë me gjithë bukurinë e saj. Fshati përbëhet nga ndërtesa ku ndihet dora e amvisave. Një kafene në qendër është punuar mjeshtërisht me gurë të gdhendur me grin dhe të bardhë. Mirëseardhja është dëshira e kahershme,mirëpo porta e kyçur. Kafja është mbyllur. Edhe këtu bën vapë. Shprehja ndizet guri, besoj këtu ka lindur. Një tufë dhi e dhënë na zënë udhën. Bariu përshëndet. Paro dhe Goliku më sjellin ndër mend këngën e tyre: bijë çobanësh neve jemi/dhen e dhi kullotur kemi. Sipas të dhënave ky fshat ka 2225 ha pyje mbarështron dhinë, që i përshtatet zonës malore. Bënça duhet të futet në hartat turistike. Klima, ujërat, largësia nga qyteti rreth 5-6 km. Turizmi malor këtu duhet të kishte filluar prej kohësh. Si problem kryesor është udha. Këto dreq udhë. Nuk shkohet në Labëri as me avion, as me det, as me hekurudhë, e vetmja për të shkuar atje është rruga automobilistike. Është në ndërtim e sipër autostrada e jugut. Një degë e saj fillon në Levan dhe gjarpëron anës Vjosës, tjetra ka filluar nga Memaliaj dhe shkon të takohet me pjesën tjetër. Çfarë do të zgjidhin këto arterie? Ardhjen e turistëve të huaj, pakësimin e kohës, kursimin në goma, karburant etj. Por për të shkuar në Bënçë dhe më tej në komunën Kurvelesh me se duhet të udhëtosh? Kurveleshi, si pjesë e Labërisë, ka një histori të pasur: Në lashtësi, Tepelena bënte pjesë në trevën e Kaonisë. Zona e Buzit lidhej me ilirët e Antipatresë (Beratit), Krahesi me Bylynet (Mallakastër) dhe Lopesi me Amantinet (Plloca e Vlores). Në fundin e shekullit të 9-të, Tepelena hyn në Themën e Nikopojës pastaj në Despotatin e Epirit. Nga fundi i shekullit të 14-të, filloi depërtimi i turqve në Shqipërinë e Jugut. Ky pushtim, përpjekjet për regjistrimin e popullsisë dhe për ndryshimet e fesë se krishtere iu kundërshtuan me armë në dorë. Ne vitin 1492 ndaloi ne Tepelene për 24 ditë, ekspedita ndëshkimore e sulltan Bajazitit II. Ne shekullin e XVI, Tepelena bënte pjesë në sanxhakun e Vlorës.

Duke udhëtuar për në Kurveleshin e sipërm ka monumente natyre, të cilat janë një atraksion i rrallë natyror si:

· Shpella Mema e Ujit

· Sterra e Çikës

· Shpella e Leke Petes

· Shpella e Ujit, Dhëmbel

· Vrima e Shkëmbit

· Ujëvara e Progonatit

· Shpella e Kasarit

· Kanionet e Nivicës

· Lugjet e Dhëmblanit

· Lisi i Levanit

· Buza e Bredhit, Luzat

· Rrapi i Slam Musait

· Shpella e Mezhgoranit

· Shpella e Leklit

· Burimet e Ujit të Ftohtë

GËZIM LLOJDIA

 

 

 

Komentet janë të mbyllura

Foto Lajme

Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i përmbajtjes së këtij portali © 2013 Gazeta Republika | Designed by Keminet | Log in
Close
Ndiqni Gazeta Republika në Facebook
Informohuni mbi ngjarjet kryesore të ditës duke na ndjekur në Facebook.