Diabeti dhe hipertensioni, pse janë rrezik për veshkat

Publikuar më: 15/06/2012 7:06

Azotemia është një sëmundje shumë e rëndë, që karakterizohet nga humbja e rolit filtrues të veshkave. Ndryshe thuhet se sjell degradimin e veshkave. Kjo vjen si pasojë e akumulimit të lëndëve toksike në organizëm. Faza fillestare e sëmundjes nuk shfaq simptoma dhe kjo është arsyeja që diagnostikimi ndonjëherë bëhet në një fazë kur sëmundja ka avancuar dhe veshka është dëmtuar shumë. Azotemia është një parametër që flet për praninë e azotit në gjak dhe tregon për shkallën e dëmtimit të veshkave. Në jetën e përditshme me termin azotemi kuptohet stadi më i avancuar i insufiçencës renale kronike, ndërkohë që ajo bashkë me kreatinineminë janë thjesht tregues të pranisë së azotit dhe kreatininës në gjak. Kjo ka të bëjë me dëmtimin e funksionit filtrues të veshkave dhe me rritje graduale dhe persistente të kreatininës dhe azotemisë në veshka. Prandaj rekomandohet kryerja e analizave periodike të këtyre dy elementeve, në mënyrë që të bëhet i mundur parandalimi ose kapja e insufiçensës renale kronike në fazat fillestare, kur mjekimi është më i lehtë dhe më efikas.

 

Ekzaminimi

Përveç azotemisë rekomandohet matja e albuminës në urinë, matja e tensionit arterial dhe kreatininës në gjak.

Përhapja

Kjo është një sëmundje shumë e shpeshtë dhe numri i rasteve është në rritje. Mendohet se ky është shkaku kryesor i vdekjeve që vijnë nga veshkat. Nëse do t’iu referoheshim statistikave, mbi 500 milionë njerëz në botë vuajnë nga sëmundjet kronike të veshkave.

Sipas OBSH-së, mendohet se vetëm në vitin 2015 do të vdesin rreth 35 milionë persona nga veshkat. Duke iu referuar këtyre të dhënave, insufiçenca renale kronike është mjaft e shpeshtë. Në Amerikë mendohet të jenë 20 milionë njerëz, që vuajnë nga ky problem dhe nëse do të bëjmë një lidhje në Shqipëri, do vërehet se janë mbi 200 mijë veta që vuajnë nga sëmundjet kronike të veshkave, shifër kjo mjaft domethënëse.

 

Shenjat

Sëmundja në fazën fillestare është asimptomatike (pa shenja të qarta). Prandaj gati 50 për qind e njerëzve nuk e dinë që janë të sëmurë. Megjithatë, në fazat e hershme duhet treguar kujdes në tre aspekte: niveli i albuminës në urinë, kreatininemisë në gjak dhe hipertensionit. Ndërkohë, në fazat më të avancuara, shenjat shfaqen në varësi të stadit të sëmundjes.

 

Moshat

Më tepër prek moshat e rritura, për vetë natyrën e shkaktarëve, të cilët zakonisht shfaqen në moshë adulte, por nuk përjashtohen edhe fëmijët. Ndërsa për sa i përket sekseve, prek gati njëlloj si femrat, ashtu edhe meshkujt.

 

Pse të përhapura

E para lidhet me shkaktarët që çojnë në shfaqjen e kësaj sëmundjeje, të cilët janë mjaft të përhapur dhe, së dyti, është fakti që shumica e pacientëve neglizhojnë, madje 50 për qind e pacientëve nuk e di se vuan nga veshkat, gjë që bën që sëmundja të kapet vonë, kur tashmë ajo ka avancuar.

 

Ecuria e sëmundjes

Fatkeqësisht, kjo sëmundje në shumicën rasteve diagnostikohet vonë, kur sëmundja ka avancuar dhe veshka nuk është në gjendje të kryejë funksionin normal të saj. Duke qenë një organ jetik, duhet që pacienti të kalojë në dy procese për të vazhduar jetën normale: të hyjë në hemodializë, ose të bëjë transplant veshkash.

Komentet janë të mbyllura

Foto Lajme

Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i përmbajtjes së këtij portali © 2013 Gazeta Republika | Designed by Keminet | Log in
Close
Ndiqni Gazeta Republika në Facebook
Informohuni mbi ngjarjet kryesore të ditës duke na ndjekur në Facebook.