Etika e komunikimit në administratat publike

Publikuar më: 19/06/2012 7:30

Në jetën e përditshme, personi ndeshet me problematika nga më të ndryshmet, njëra prej të cilave është komunikimi dhe etika e komunikimit. Janë argumente që prekin personin në tërësinë e tij dhe në të gjitha aspektet e jetës ku jeton, si në familje, ashtu dhe në marrëdhëniet me punën.

Tema e etikës është trajtuar që në kohët e lashta dhe në mënyrë të veçantë është trajtuar për herë të parë nga Aristoteli (384-322 para Krishtit), në librin e tij “Etika e Nikomakut”, në të cilin lidh çështjen e etikës me temën e virtytit. Sigurisht, virtyti ka të bëjë jo vetëm me ligjet e brendshme që e drejtojnë njeriun, por është dhe fryt i zakoneve të kohës, në të cilën jetohet, për të cilën çështja e së mirës dhe e së keqes trajtohet në mënyra të ndryshme sipas traditave; çka ka qenë tabu në kohët e hershme, sot mund të jetë diçka fare e zakonshme.

    Etika e komunikimit ka të bëjë me mënyrën në të cilën secili prej nesh shprehet. Kur flitet për komunikim, flitet për marrëdhënie mes dy apo më shumë personash dhe komunikimi, për të qenë efikas, kërkon krijimin e një hapësire të përbashkët, pra ka të bëjë me bashkëndarjen e kësaj hapësire, e cila mund të jetë jo vetëm fizike, por dhe, mbi të gjitha, psikologjike që përmbledh në vete jo vetëm të folurit, por, mbi të gjitha, të qenit e një personi. Etika në këtë rast, nuk i përket vetëm një personi, por të gjithëve, në përgjithësi, ngaqë atë që e karakterizon njeriun është të jetuarit në shoqëri, që para lindjes së tij dhe deri në vdekje veprimet e tij lënë pasoja e tyre dhe mbi të tjerët. Sot, flitet shumë për fshat global, një botë e bërë e vogël, ngaqë distancat që na ndajnë nga njëri-tjetri po zvogëlohen gjithnjë e më shumë nga mjetet e komunikacionit si dhe të transportit. Mund të duket paradoksale fakti që pikërisht sot në një kohë kur largësia nuk është më një problem njeriu bën përvojën e të jetuarit larg nga të tjerët, pra mund të flitet për një egocentrizëm gjithnjë e më të theksuar. Kjo largësi mund të verifikohet jo vetëm mes personave që jetojnë fizikisht larg njëri-tjetrit, por edhe mes atyre që bashkëndajnë të njëjtën zyrë apo të njëjtën familje.

Mund të pyesim veten se ç’lidhje ka etika me këtë problem? Etika, në këtë rast, luan një rol të rëndësishëm, ngaqë bëhet motori shtytës i veprimeve, duke u nisur nga vlerat e bashkëndara në shoqëri që duhet të jenë të qëndrueshme për të mirën dhe interesin e të gjithëve. Nga kjo lind rëndësia e përgjegjësimit të njeriut për të tjerët jo vetëm për sa u përket administratave por edhe njeriut në përgjithësi në ambientin ku jeton. Etika nuk ndahet nga tema e ndjenjës së përgjegjësisë, por mbështetet kryesisht në të.

Komunikimi dhe etika e komunikimit janë elemente bazë të një administrate, e cila, për natyrë të saj, ka si mision themelor shërbimin ndaj të tjerëve. Shërbimi kalon në mënyrë të domosdoshme nëpërmjet komunikimit, qoftë verbal, por edhe në mënyrë jo të drejtpërdrejtë, siç është mënyra e paraqitjes si nga ana e jashtme, por edhe qëndrimi i brendshëm që secili mban në jetën e përditshme para personave dhe situatave të ndryshme. Administrata është jo vetëm një ent në shërbim të tjetrit, por ka kryesisht rolin e një edukatori dhe formatori. Nëpërmjet mënyrave të ndryshme të komunikimit, administrata bashkëndan dhe transmeton mendime, ndjenja dhe mbështetje, në bazë të problematikave dhe kërkesave të ndryshme të klientit, si edhe ndërmjet vetë personave që e përbëjnë vetë administratën. Komunikimi arrin efikasitetin e tij, nëse krijon atë hapësirë të përbashkët që lejon të depërtojnë mesazhet në një klimë marrëdhënieje që kontribuon në krijimin e një konteksti paqësor dhe bashkëpunues. Bashkëndarja e një hapësire të përbashkët arrihet nëse i dilet të kalohet pak në këndvështrimin e tjetrit, në mënyrë që të kuptojmë se si perceptohet realiteti nga të tjerët. Mundësia e të arsyetuarit dhe e të dialoguarit kërkon dëgjim, por edhe respekt ndaj pozicionit të tjetrit, i cili ushtron jo vetëm një rol, por që zotëron edhe aftësi personale dhe profesionale që, ndoshta, dhe shpeshherë i tejkalojnë edhe kriteret e përgjithshme që ai rol ka. Këtu hyjmë në një aspekt të krijimtarisë personale që personi ka për të ushtruar sa më mirë atë rol; kjo është arsyeja e vetme që e bën të domosdoshëm krijimin e një hapësire komunikimi dhe dialogu. Mënyra me të cilën e shohim realitetin përcakton dhe mënyrën e komunikimit dhe për këtë arsye bëhet e domosdoshme të komunikohet për të kuptuar perceptimin e tjetrit dhe, në të njëjtën kohë, kur arrihet të kuptohet këndvështrimi i tjetrit edhe komunikimi bëhet më efikas.

Institucioni apo administrata, përveç normave ligjore etike të shkruara zotëron edhe një etikë të pa shkruar që secili person mbart me vete duke u nisur qoftë nga niveli kulturor, profesional por edhe nga konteksti familjar nga i cili vjen. Kjo, si pasojë e bën çështjen etike jo vetëm shumë të larmishme por edhe nganjëherë të pakuptueshme dhe ndoshta të parealizueshme në të gjitha përmasat e saj. Ndërhyjnë në këtë mes edhe mjetet e shumta të komunikimit që nganjëherë mund të ngadalësojnë procesin e vërtetë të një komunikimi efikas. Ndoshta kjo gjë duket paradoksale por fakti që sot ekziston një nivel komunikimi teknik më i përparuar ofron vazhdimisht një mori informacionesh që e pakësojnë kohën e duhur për të qenë në dispozicion për të dialoguar apo dëgjuar personat përreth. Rrezikohet të reduktohet marrëdhënia me të tjerët vetëm nëpërmjet shkresave, ligjeve të shkruara, normave të punës që, si rrjedhojë, jo vetëm nuk na lejon të njohim tjetrin dhe ta dëgjojmë, por edhe të bëhemi zbatues thjesht mekanik të një programi apo plani pune pa marrë parasysh që roli që mbulojmë është në shërbim të të tjerëve. Si mund të vihemi në shërbim të të tjerëve nëse nuk zbresim në terren apo nuk lejojmë të vihemi në dëgjim të të ashtuquajturit klientit tonë e cili, me shumë mundësi, do të kontribuojë të pasurojmë këndvështrimin tonë dhe të jemi sa më të kënaqshëm jo vetëm ne për rolin që kryejmë por edhe për klientin?

 Bota mes morisë së mjeteve të komunikimit vuan për mungesë marrëdhëniesh të vërteta mes njerëzve. Kjo mund të ndodhë dhe në vetë administratën ku gjendemi të punojmë. Administrata është një sistem i madh brenda të cilit ekzistojnë nënsisteme, të cilat komunikojnë mes tyre dhe një komunikim i mirë i lejon administratës të ketë arritje të pritshme si nga vetë administrata, ashtu edhe nga klienti, në rast të kundërt shfaqet elementi i konfliktit brenda administratës në vetë nënsistemet apo dhe mes nënsistemeve. Konflikti ndodh në rastin kur mendohet se administrata nuk arrin ato nivele të duhura që janë të pritshme, qoftë nga ana e vetë personave që punojnë brenda administratës, ashtu dhe jashtë saj. Secili prej nesh ndeshet me konfliktin që ndodh mes mendimit që kemi, qoftë edhe nga ana teorike, e funksionimit të një administrate si dhe fakteve reale me të cilat ndeshet. Konflikti bëhet i zgjidhshëm vetëm nëse bashkë me perspektivat që kemi mbi funksionimit e administratës, ne marrim parasysh dhe kontekstin apo kushtet, në të cilat administrata vepron si edhe kontributin personal për t’i realizuar ato. Nuk bëhet fjalë të kritikohet mosfunksionimi, por të gjenden shkaqet dhe së bashku mënyra të reja që rigjallërojnë jetën e brendshme në administratë dhe domethënien që ajo mbart para publikut. Komunikimi dhe metakomunikimi lejon që personat, të cilët banojnë ato hapësira fizike dhe psikologjike të përbashkëta të bëhen lehtësues të dhënies dhe marrjes së informacioneve, në mënyrë jo vetëm mekanike, por duke i pasuruar informacionet me nuanca personalizuese të karakteristikave të personit që i kalojnë apo i marrin informacionet. Metakomunikimi është po aq i rëndësishëm sa dhe komunikimi, duke pasur parasysh që na bën të kuptojmë edhe atë çfarë nuk shprehet, por që bëhet e dukshme me anë të paraqitjes dhe qëndrimit të personit. Metakomunikimi bëhet një element bazë e personit, i cili punon në një zyrë, dhe me anë të qëndrimit që merr, qoftë edhe mënyra se si qëndron në karrige apo përdor të folur verbal, shpreh më shumë nga sa mund ta imagjinojë dhe vetë personi. Roli që zë personi në zyrë të një administrate është themelor qoftë për të tjerët, me të cilët banon por veçanërisht edhe me publikun i cili e sheh atë si person në shërbim në linjën kufitare mes administratës dhe publikut. Mungesa e komunikimit apo të metakomunikimit etik bllokon në mënyrë shumë të dëmshëm kalimin dhe marrjen e mesazheve mes administratës dhe klientit. Një metakomunikim i mirë është dhe në rastin kur klienti hyn në administratë dhe vëren mungesë komunikimi mes nënsistemeve të administratës, gjë që dëmton dhe realizimin e vetë objektivave kryesorë që administrata publike duhet t’i vërë vetes. Administrata bëhet një pasqyrë ku klienti sheh modelin (e drejtë apo jo, të mirë apo jo) që do ta ndihmojë apo dhe bllokojë në fushat ku ai punon jashtë asaj administrate. Shembulli i mirë dhe një komunikim i mirë lehtëson veprimin e të gjitha strukturave të tjera vartëse të vetë administratës publike. Roli i administratës është që të përkujdeset për mbarëvajtjen jo vetëm të vetë administratës, por edhe të të gjitha strukturave vartëse.

Administrata që i ka siguruar vetes një komunikim të mirë mes nënsistemeve të saj si edhe mes saj dhe klientit bëhet e aftë që ta vërë vazhdimisht veten në diskutim për sa u përket teknikave dhe metodave të ndryshme që duhet të përdorë për një përmirësim të vazhdueshëm. Ndryshimi është thellësisht i lidhur me etikën e komunikimit e cila i lejon të azhurnohet vazhdimisht në saj të kontaktit të vazhdueshëm me publikun dhe kërkesat e tij. Administrata arrin një sukses të vazhdueshëm vetëm nëse e sheh veten në shërbim të vazhdueshëm ndaj personit. Është themelore dhe vënia në diskutim e teknikave të komunikimit të përdorur nëse nuk ndihmojnë në shërbimin e duhur të personit. Administrata, e cila i vë qëllim vetes të bëjë të pamundurën që të ruajë ekzistencën e saj, dhe të personave që e banojnë në të e humb qëllimin kryesor dhe jeton vetëm për t’i siguruar vetes praninë e vet pa marrë parasysh qëllimin e ekzistencës së saj. Bëhet fjalë për besimin që administrata ka krijuar dhe besueshmërinë, domethënë, sa e aftë është administrata të lejojë që klientët të drejtohen tek ajo me bindjen se bëhet ndihmëse dhe mbështetëse në zhvillimin e mbarë veprimtarive të ndryshme të saj. Kërkohet në radhë të parë aftësia etike ndërvepruese e të gjithë personelit që e përbëjnë administratën dhe qartësia e duhur mbi rolin e secilit punonjës pa pasur nevojë të krijojë bunkerë brenda vetë strukturës.

Aftësia etike e komunikimit përfshin dhe qëndrimin që personi duhet të mbajë, i cili me besueshmërinë që ka krijuar, afron klientin pa pasur përgjigje të gatshme për t’u dhënë por dëgjim, komunikim veprues i cili në momentin që shprehet vë në dispozicion dhe realizimin praktik të elementeve që përmban komunikimi. Klienti, në këtë rast, bëhet jo vetëm një element që ka nevojë për ndihmë por veçanërisht protagonist në sistemin veprues dhe ndërveprues të vetë administratës.

Një aspekt tjetër i rëndësishëm është të qenit largpamës për sa u përket teknikave dhe metodave të komunikimit. Është e pamundur të përdorim një të folur modern, domethënë me kohën dhe faktikisht të veprojmë në kundërshtim me atë çka teorikisht mbështesim. Risitë që ndeshen në jetën e përditshme jashtë mureve të administratës duhet të nxisin pozitivisht dhe në ndryshimin edhe rrënjësor, nëse nevojitet, të një sistemi që nuk u përgjigjet më faktikisht dhe realisht nevojave të vazhdueshme që lindin, për shkak të ndryshimit të vazhdueshëm të kontekstit në të cilën jetohet. Përdorimi vetëm verbal i një komunikimi përparues dhe kohor kërkon në të njëjtën kohë dhe koherencë veprimi duke i krijuar kushtet për realizimin e atyre elementëve që në mënyrë verbale kemi komunikuar. Komunikimi etik i një administrate sjell dhe risi në planin veprues dhe realizues të asaj çfarë është komunikuar nga ana verbale. Të komunikosh nga ana etike me përgjegjësi kërkon jo vetëm taktin e komunikimit por dhe angazhimin e marrjes përsipër e të gjitha pasojave të komunikimit.

Etika e komunikimit, përveçse të bëhet efikase në shërbimin e saj, i dhuron personit dhe aspekt fisnik, apo siç e quanin të parët tanë e bën personin që të ketë burrni, aspekt i cili po zhduket duke lënë pas ato tradita të bukura mikpritëse dhe aspektin sakrifikues për tjetrin që e ka karakterizuar që në kohët e lashta figurën e një shqiptari të vërtetë.

Nga Fran Gjoka

D.A.R Lezhë

 

 

 

 

 

Komentet janë të mbyllura

Foto Lajme

Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i përmbajtjes së këtij portali © 2013 Gazeta Republika | Designed by Keminet | Log in
Close
Ndiqni Gazeta Republika në Facebook
Informohuni mbi ngjarjet kryesore të ditës duke na ndjekur në Facebook.