Fëmijët në nevojë, kriteret e strehimit në institucione rezidenciale

Publikuar më: 28/06/2012 8:02

Personat me aftësi të kufizuara, dokumentet e pranimit për në institucionet e përkujdesit shoqëror

Kategoritë që do të përfitojnë shërbime falas nga shteti. Veprimet që duhen kryer nga fëmijët jetimë dhe personat me aftësi të kufizuar, të moshuarit, viktimat e trafikimit dhe të dhunës në familje

Përcaktohen kriteret dhe dokumentacionet e nevojshme për pranimin e personave në institucione rezidenciale, publike dhe jopublike, të përkujdesit shoqëror. Bëhet fjalë për disa kategori që përfitojnë shërbime falas nga shteti, siç janë fëmijët jetimë, personat me aftësi të kufizuar, të moshuarit, viktimat e trafikimit dhe të dhunës në familje. Të gjitha këto grupe do të përfitojnë në bazë të disa procedurave që ata duhet të ndjekin shërbime sociale falas, siç është dhe akomodimi në institucionet publike dhe jopublike të përkujdesit shoqëror. Kështu, duke u mbështetur në ligjin nr. 9355, datë 10.3.2005, “Për ndihmën dhe shërbimet shoqërore”, të ndryshuar”, me propozimin e ministrit të Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta, Këshilli i Ministrave miratoi vendimin

Vendimi:

Kriteret që duhet të plotësojnë fëmijët për t’u pranuar në institucione publike dhe jopublike

Kriteret për vendosjen e fëmijëve në institucionet e përkujdesjes shoqërore janë, si më poshtë vijon. Në institucionet e përkujdesjes shoqërore pranohen fëmijët:

1) të cilëve u kanë vdekur prindërit dhe nuk kanë persona të tjerë të afërm, të cilët marrin përsipër kujdestarinë ose birësimin e tyre, si dhe të cilët, me vendim gjykate, nuk janë vendosur në kujdestari apo nuk janë birësuar;

2) e lindur jashtë martese dhe që, për rrethana te gjendjes ekonomiko-shoqërore, nuk mund t’i rrisë njëri nga prindërit;

3) prindërit e të cilëve, të dyve ose njërit, u është hequr e drejta prindërore me vendim gjykate të formës së prerë;

4) prindërit e të cilëve janë ndaluar/arrestuar ose dënuar me vendim të formës së prerë me heqje lirie, për të gjithë periudhën kohore të ndalimit/arrestimit apo vuajtjes së dënimit të prindërve, deklarojnë me vullnet të lirë sistemimin e fëmijëve në shërbimet e përkujdesjes shoqërore, kur gjykata është shprehur me vendim për vendosjen e tyre në institucionet e përkujdesjes shoqërore;

5) të deklaruar të braktisur nga gjykata e rrethit, në përputhje me legjislacionin përkatës në fuqi;

dh) për të cilët gjykata, me vendim të formës së prerë, vendos që të sistemohen në institucionet e përkujdesjes shoqërore, pavarësisht nga gjendja familjare;

6) prindërit e të cilëve nuk janë në gjendje ekonomike, të vërtetuar me dokumentet përkatëse, ta mbajnë fëmijën;

7) familjet e të cilëve deklarojnë se janë në krize të rëndë sociale, për shkak se prindërit janë të divorcuar ose janë rimartuar;

8) prindërit e të cilëve shtrohen në spital ose dërgohen për kurim jashtë shtetit dhe deklarojnë me vullnet të lirë sistemimin e fëmijëve në institucionet e përkujdesjes shoqërore deri sa njëri ose të dy prindërit janë fizikisht të aftë për t’u kujdesur për fëmijët;

9) që nuk mbikëqyren më ose janë larguar nga prindi apo kujdestari deri në momentin e identifikimit dhe gjetjes të prindit apo kujdestarit të tyre. Në këto kushte këta fëmijë duhet vendosen në institucionet e përkujdesjes shoqërore deri në identifikimin e prindërve apo kujdestarit të tyre.

10) fëmijët “të kequshqyer” ose me prapambetje të zhvillimit fizik dhe çrregullime të shëndetit mendor nuk mund të pranohen në shtëpitë e foshnjës dhe të fëmijës edhe kur ata i plotësojnë kriteret e përmendura më sipër.

 

Mosha e pranueshme për t’u vendosur në shtëpitë e foshnjës dhe të fëmijës është nga 0-16 vjeç. Fëmijët:

a) nga mosha 0 deri në 3 vjeç vendosen në shtëpinë e foshnjës;

b) nga mosha 3 deri në 6 vjeç vendosen në shtëpitë e fëmijës, të moshës parashkollore;

c) nga mosha 6 deri në 16 vjeç vendosen në shtëpitë e fëmijës, të moshës shkollore.

 

Fëmijët jetimë

Sa i takon rastit të fëmijëve të mbetur jetimë, këta fëmijë qëndrojnë në këto institucione deri në moshën 18 vjeç. Fëmijët të mbetur jetimë, të cilët kanë përfunduar arsimin e detyrueshëm 9-vjeçar dhe dëshirojnë të vazhdojnë arsimin e mesëm, duhet të vendosen në institucione, që kanë në sistemin e tyre konvikte.

 

Dokumentet e nevojshme

Në dokumentacionin e nevojshëm për pranimin e fëmijës në institucionet e përkujdesjes shoqërore përfshihen:

a) certifikata e lindjes;

b) fotografitë e fëmijës (2 copë);

c) certifikata familjare;

ç) certifikata e vdekjes së prindërve;

d) vendimi i gjykatës për heqjen e së drejtës prindërore ose kopje të noterizuar të tij;

dh) deklarata e noterizuar e nënës ose, në pamundësi, e drejtorit të institucionit shëndetësor, ku është braktisur fëmija;

e) epikriza shëndetësore, kartela mjekësore ose fotokopja e noterizuar, me të dhënat laboratorike dhe për vaksinimin;

ë) vërtetimi për gjendjen shëndetësore të prindërve, i cili lëshohet nga komisioni mjekësor i lagjes;

f) procesverbali i dorëzimit të fëmijës institucionit shëndetësor në shtëpinë e foshnjës;

g) procesverbali dhe urdhri i transferimit të fëmijës, në rastin e lëvizjes së tij nga një institucion në tjetrin, për shkak të moshës;

gj) fotokopje e kartës së identitetit të prindërve;

h) dokumenti i shkollës që ka ndjekur fëmija;

i) deklarata noteriale për dhënien e pëlqimit të prindit ose të kujdestarit, për vendosjen e tij në institucion;

j) vërtetimi për gjendjen social-ekonomike të familjes, të lëshuar nga administratori shoqëror;

k) dokumentet e noterizuara të pronësisë së banesës, si dhe dokumente të tjera për të drejtat pasurore, kur fëmija është trashëgimtar i drejtpërdrejtë, për rastet kur prindërit kanë vdekur ose kur, me vendim gjykate, iu është hequr e drejta prindërore;

l) të dhëna nga struktura policore të interesuara sipas rastit, komisariati i policisë, që mbulon territorin ku banon.

 

E drejta për të dërguar fëmijën në institucionet e

përkujdesjes shoqërore

Nismën për dërgimin e fëmijës në institucionet e përkujdesjes shoqërore e kanë:

a) secili prej prindërve;

b) kujdestari i fëmijës,

c) titullari i institucionit shëndetësor;

ç) Policia e Shtetit;

d) seksioni i ndihmës dhe përkujdesjes shoqërore, në nivel vendor;

dh) njësia e të drejtave të fëmijëve, në nivel qarku;

e) njësia e mbrojtjes së fëmijëve, në nivel bashkie/komune;

ë) institucioni i shërbimeve të përkujdesjes shoqërore, i mëparshëm, kur fëmija ka mbushur moshën përkatëse.

Personat me aftësi të kufizuar, kriteret e pranimit në rezidenca të përkujdesit shoqëror

Kriteret për pranimin e personave me aftësi të kufizuara në institucionet e përkujdesjes shoqërore janë, si më poshtë vijon: Në institucionet e përkujdesjes shoqërore pranohen persona me aftësi të kufizuara:

a) mendore;

b) fizike;

c) sensore.

Aftësia e kufizuar përcaktohet me vendim të Komisionit Mjekësor të Caktimit të Aftësisë për Punë (KMCAP). Sa i takon moshës së pranimit në këto institucione për personat me aftësi të kufizuara është nga 0-25 vjeç.

 

Dokumentacionet që duhen për të përfituar përkujdesje shoqërore

Në dokumentacionin që duhet plotësuar për pranimin e personave me aftësi të kufizuar në institucionet e përkujdesjes shoqërore, përfshihen:

a) certifikata e lindjes së personit;

b) certifikata e gjendjes civile;

c) vendimi i Komisionit Mjekësor për Përcaktimin e Aftësisë së kufizuar;

ç) epikriza shëndetësore;

d) fotografi të personit (2 copë);

dh) vërtetimi i gjendjes ekonomike të familjes, si dhe të të ardhurave personale të personit me aftësi të kufizuara, të lëshuar nga seksioni përkatës i ndihmës dhe përkujdesjes shoqërore;

e) kopja e vendimit të këshillit bashkiak apo komunal për pranimin e personit me aftësi të kufizuara në institucion;

ë) kërkesa për sistemimin e personit në institucion;

f) dokumenti i shkollës që ka ndjekur personi;

g) deklarata me shkrim, e noterizuar, për dhënien e pëlqimit të prindit ose të kujdestarit për pranimin e personit në institucion.

 

Kategoria e të moshuarve

Personat e moshuar, për t’u pranuar në institucionet e përkujdesjes shoqërore, duhet të përmbushin këto kritere:

a) Vijnë nga familje pa të ardhura ose me të ardhura të pamjaftueshme;

b) Vijnë nga familje në nevojë, të vlerësuara nga administratori shoqëror;

c) Janë të vetmuar, të braktisur dhe pa të ardhura;

ç) Kanë mbushur moshën për pension, sipas legjislacionit në fuqi.

Dokumentet e pranimit në institucione të përkujdesit shoqëror

Në dokumentacionin e nevojshëm për pranimin e personave të moshuar në institucionet e përkujdesjes shoqërore përfshihen:

a) kërkesa me shkrim nga vetë personi ose familja, nga të afërmit e tij apo administratori shoqëror i njësisë ku banon, me miratimin e personit të moshuar;

b) certifikata e gjendjes civile;

c) certifikata e gjendjes familjare;

ç) fotografi të personit (2 copë);

d) raporti mjekësor, që përcakton gjendjen shëndetësore të personit;

dh) vërtetimi nga sigurimet shoqërore, nëse përfiton ose jo pension pleqërie apo ndonjë lloj tjetër pensioni;

e) vërtetimi i lëshuar nga administratori i njësisë së ndihmës dhe përkujdesjes shoqërore për gjendjen ekonomike të familjes së personit të moshuar.

Kategoria e viktimave të trafikimit

 

Kriteret për vendosjen e viktimave të trafikimit dhe të viktimave të mundshme trafikimit në institucionet e përkujdesjes shoqërore janë: Në institucionet e përkujdesjes shoqërore pranohen:

a) fëmijët e trafikuar ose në rrezik trafikimi;

b) personat mbi 18 vjeç, të identifikuar si viktima trafikimi ose viktima të mundshme trafikimi;

c) personat e huaj, të identifikuar si viktima trafikimi ose viktima të mundshëm trafikimi.

 

Dokumentet e pranimit në qendra rezidenciale

Në dokumentacionin që duhet plotësuar për vendosjen e viktimave të trafikimit dhe të viktimave të mundshme të trafikimit në institucionet e përkujdesjes shoqërore, përfshihen:

a) deklarata e pranimit e firmosur nga përfituesi;

b) deklaratë e konfidencialitetit për përkthyesit (kur viktima/viktima e mundshme e trafikimi është shtetas i huaj);

c) leje e informuar për intervistën formale;

ç) formati i konkludimit të intervistës formale;

d) formati i konkludimit pa intervistë formale (për viktimat e mundshme të trafikimit);

dh) deklarata e vendimit të informuar për ndihmë;

e) kërkesa për vlerësim social-ekonomik dhe të sigurisë së parakthimit vullnetar (për viktimat/viktimat e mundshme të riatdhesuara);

ë) raporti për vlerësimin e situatës familjare para kthimit vullnetar të asistuar.

f) procesverbalet e referimit nga punonjësi social i zyrave rajonale dhe nga punonjësi antitrafik;

g) autorizimi i prindërve/kujdestarit për kthim të asistuar të të miturit/miturës.

gj) autorizimi i prindërve/kujdestarit për udhëtimin e të miturit/miturës.

 

Kategoria e viktimave të dhunës në familje

 

Kriteret për vendosjen e viktimave të dhunës në familje në institucionet e përkujdesjes shoqërore janë: Në institucionet e përkujdesjes shoqërore pranohen:

a) fëmijët 0-16 vjeç, të dhunuar në familje;

b) Vajza dhe gra, viktima të dhunës në familje.

 

Dokumentet e pranimit të viktimave të dhunës në familje në institucione të përkujdesit social

Në dokumentacionin që duhet plotësuar për vendosjen e viktimave të dhunës në familje në institucionet e përkujdesjes shoqërore përfshihen:

a) urdhri i mbrojtjes (kopje e njësuar e vendimit të Gjykatës);

b) procesverbalet e referimit nga punonjësi i Policisë së Shtetit;

c) procesverbalet nga punonjësit socialë të sektorit të dhunës në njësitë e qeverisjes vendore;

ç) raporti mjeko-ligjor.

 

Procedura për sistemimin e personave në institucione rezidenciale

Personat kanë të drejtë të sistemohen në institucionet e përkujdesjes shoqërore për një periudhë 6-mujore, e cila mund të zgjatet deri në një vit nga data e bërjes së kërkesës së tyre. Periudha e sistemimit të fëmijëve nga materniteti në shtëpinë e foshnjës është 15 (pesëmbëdhjetë) ditë nga data e lindjes së fëmijës, por mund të zgjatet në varësi të gjendjes shëndetësore të fëmijës. Për sa u takon fëmijëve, që sistemohen në institucionet rezidenciale, të cilët u përkasin familjeve me probleme sociale, pas një periudhe 5-vjeçare të qëndrimit të tyre në këto institucione, bëhet rivlerësimi i gjendjes shoqërore dhe ekonomike të familjeve të tyre nga administratorët e njësive të qeverisjes vendore. Gjendja e re shoqërore dhe ekonomike i njoftohet këshillit të njësisë së qeverisjes vendore, i cili rishikon vendimin për qëndrimin e mëtejshëm ose jo të fëmijëve në institucion.

Edlira MEMA

 

Komentet janë të mbyllura

Foto Lajme

Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i përmbajtjes së këtij portali © 2013 Gazeta Republika | Designed by Keminet | Log in
Close
Ndiqni Gazeta Republika në Facebook
Informohuni mbi ngjarjet kryesore të ditës duke na ndjekur në Facebook.