Matematika, pyetjet për Provimin e Lirimit
EKSKLUZIVE/ Agjencia Kombëtare e Provimeve: Nxënësit e 9-vjeçares, nesër në provim
Lista e plotë e pyetjeve që mund të bien në provim. Rregullat që duhet të ndjekin nxënësit. Si do të plotësohen pyetjet me zhvillim dhe me alternativa
Nesër, në të gjitha shkollat 9-vjeçare, do të zhvillohet Provimi i dytë i Lirimit, ai i Matematikës. Për t’u ardhur në ndihmë të gjithë kandidatëve pjesëmarrës në këtë provim, Agjencia Kombëtare e Provimeve publikon masat që janë marrë për provimin e parë. Kështu, udhëzimi për mënyrën e zhvillimit të provimeve, i publikuar së fundmi nga AKP-ja dhe i mbështetur në nenit 102 të Kushtetutës, ligjin Nr. 7592, datë 21.06.1995, “Për sistemin arsimor Parauniversitar”, të ndryshuar, përcakton rregullat që duhet të ndjekin kandidatët. Të gjithë nxënësit që marrin pjesë në këtë provim duhet të jenë në ambientin afër shkollës një orë para fillimit të provimit. Sipas AKP-së, Provimet e Lirimit 2012, do të fillojnë në orën 10.00 dhe do të zgjasin 2 orë e 30 minuta, ndërkohë që procedura e hartimit të testeve përcaktohen në “Rregulloren për zhvillimin e Provimeve te Lirimit në Republikën e Shqipërisë”, Nr. 1298, datë 24.02.2012”.
Rregullat për pyetjet
Specialistët e MASH-it kanë publikuar, gjithashtu, udhëzimin për provimet. Për lëndën e Matematikës, testi do të përmbajë 25 pyetje, 13 prej të cilave janë me alternativa, 12 pyetje janë me shtjellim. Përgjigjet e të gjitha pyetjeve do të shkruhen në fletore. Pyetjet me alternativa do të shkruhen sipas shembullit të mëposhtëm: SHEMBULL. Pyetja 1 C Pyetja 2 B. Sipas udhëzuesit, për pyetjet me shtjellim do të shkruhet numri i pyetjes dhe në krah të saj të gjithë përgjigjen e nevojshme. Në përfundim, thuhet se kandidatët nuk duhet të shkruajnë emrin e tyre në kapakun e fletores dhe në asnjë faqe të saj, pasi do të konsiderohet si shenjë. Gazeta “Republika” boton sot programin orientues për provimin e Matematikës.
OSMAN DEDJA















