Matura Shtetërore, ja shpjeguesi i detajuar i testit

Publikuar më: 05/06/2012 6:53

Ministria e Arsimit dhe Shkencës shpall treguesin e provimit të Gjuhës dhe Letërsisë

Disa mënyra korrigjimi për pyetjet me zhvillim dhe me alternativa. Rregullat për përzgjedhjen e vlerësuesve

Ministria e Arsimit dhe Shkencës publikon shpjeguesin e vlerësimit të testit për provimin e Gjuhës Shqipe dhe Letërsisë. Gazeta “Republika” publikon disa mënyra korrigjimi për pyetjet me zhvillim dhe me alternativa, që kanë rënë për lëndën e Gjuhës dhe Letërsisë. Siç është bërë publike dhe më parë, testi i Gjuhës Shqipe dhe Letërsisë, për Maturën Shtetërore 2012, është bazuar tërësisht në programin orientues, të publikuar nga MASH-i, në janar 2012. Në të janë sqaruar qartë se fragmentet e tekstit letrar, që do të bëhen pjesë e testit të Gjuhës Shqipe dhe Letërsisë do të merreshin nga veprat, lista e të cilave u publikua në të. Testi i Maturës Shtetërore 2012 përmbante poezinë “Albatros” të Sharl Bodlerit nga vëllimi poetik “Lulet e së keqes”, një fragment nga romani “Kështjella” i Ismail Kadaresë, të rekomanduara në programet orientuese, si dhe një tekst jo letrar. Sipas një deklarate drejtuar mediave, MASH-i sqaron se: “Qëllimi i lëndës së Gjuhës Shqipe dhe Letërsisë nuk është që nxënësit të mësojnë komente dhe analiza fragmentesh të gatshme, për t’i riprodhuar mekanikisht në teste, aq më tepër në ato të Maturës Shtetërore”. Qysh në vitin 2008, për shkak të trajtimeve të ndryshme të fragmenteve të veprave të autorëve letrarë, programi orientues i Gjuhës Shqipe dhe Letërsisë është hartuar mbi bazën e veprave të plota të autorëve. Testi shoqërohet me skemën orientuese të vlerësimit. Megjithatë, kjo skemë nuk është fikse. Në qoftë se përgjigjja vlerësohet se përkon me logjikën e kërkesës së pyetjes, ajo vlerësohet pozitivisht. Kjo shprehet qartazi edhe pas çdo modeli përgjigjeje të pyetjeve të hapura në skemën e vlerësimit: “Nxënësi do të marrë pikë edhe kur në përgjigjen e dhënë, jep një shpjegim që nuk e përmban modeli i përgjigjes, por që komisioni i vlerësimit e gjykon të saktë”.

Shembujt e zgjidhjeve për disa pyetje të testit

1- Për pyetjen 15, Varianti A: “Çfarë simbolizon albatrosi në këtë poezi? Në cilin varg shfaqet thelbi i këtij simboli?”

Në skemën e vlerësimit është dhënë modeli i mëposhtëm:

Albatrosi si simbol:

  • Ø Albatrosi simbolizon natyrën e dyfishtë të çdo qenieje njerëzore, që është: çdo njeri mbart në vetvete si cilësitë pozitive, ashtu edhe ato negative (si mbartës i mëkatit fillestar).

Vargu:

  • Ø Të shëmtuar, po dikur aq të bukur në k’të bot’!

Do të merret në konsideratë edhe nëse nxënësi shkruan:

  1. A.  
  • Ø Albatrosi simbolizon natyrën e dyfishtë të çdo qenieje njerëzore, që është: çdo njeri mbart në vetvete si cilësitë pozitive, ashtu edhe ato negative.

Vargu:

  • Ø Të shëmtuar, po dikur aq të bukur në k’të bot’!

  1. B.  
  • Ø Albatrosi është simbol i poetit, me kuptimin dhe moskuptimin që i bëhet në shoqëri.

  Vargu:

  • Ø Po i mërguar në tokë, me thumbimin i rënë ndesh,

1- Për pyetjen 16 /a, Varianti A: “Cilat janë dy motivet qendrore të kësaj poezie”?

Në skemën e vlerësimit është dhënë modeli i mëposhtëm:

  • Ø shëmtia dhe bukuria e jetës;
  • Ø mizoria.

Do të merret në konsideratë edhe nëse nxënësi shkruan:

  • Ø moskuptimi
  • Ø dhuna
  • Ø mizoria
  • Ø përbuzja
  • Ø etj.

Rregullat që duhet të përmbush vlerësuesi i testit

Vlerësuesit, si detyrim që rrjedh nga “Rregullorja e Maturës Shtetërore”, përpara se të fillojnë vlerësimin, i nënshtrohen një procesi trajnimi të detajuar për përgjigjet e çdo pyetjeje të testit, ku synohet në sqarimin e tyre, veçanërisht përgjigjet e pyetjeve me interpretim të hapur, si në shembujt e mësipërm. Ky proces drejtohet nga autorët e testit. Në “Rregulloren e Maturës Shtetërore”, procesi i vlerësimit trajtohet si më poshtë: Në rastet kur ka mospërputhje të vlerësimit, midis dy vlerësuesve të pavarur, përgjegjësi i vlerësimit, së bashku me një vlerësues tjetër, kryejnë vlerësimin përfundimtar. Pas këtij vlerësimi, pikët për çdo kërkesë të testit pasqyrohen në tabelën përmbledhëse në faqen e parë të test-broshurës dhe firmosen nga të katër vlerësuesit e testit. Qëllimi i këtij sistemi korrigjimi është që të vlerësohet sa më saktë çdo përgjigje që ka dhënë maturanti/ja, edhe pse si formulim mund të mos jetë e njëjtë me atë të dhënë në çelësin e përgjigjeve të testit, të përgatitur nga autorët e tij.

Maturantët protestojnë: Hiqni Bodlerin nga vlerësimi, nuk ishte pjesë e kurrikulës

Ndonëse tri ditë më parë u zhvillua provimi i parë i Maturës Shtetërore, ai nuk kaloi pa incidente. Lidhur me këtë fakt, maturantët ditën e djeshme, kanë zhvilluar një protestë pranë ambienteve të Ministrisë së Arsimit, duke theksuar se niveli i pyetjeve nuk ishte ai që kishte deklaruar më herët kjo ministri. Sipas maturantëve, niveli ishte jo vetëm mbi mesataren, por pati dhe pyetje nga autorë, veprat e të cilëve nuk kanë qenë në kurrikulën e tre viteve të gjimnazit. Ata kërkojnë që pyetja për një nga veprat e Bodlerit të mos llogaritet në vlerësim. Maturantët patën dhe një takim me zyrtarë të këtij institucioni, të cilët u thanë se do të gjendet një mënyrë për të zgjidhur këtë problematikë. Sipas drejtorit të Arsimit Parauniversitar, Fatmir Vejsiu, vlerësimi për pyetjen që ata e konsiderojnë si të pavend, do ta korrigjojnë në mënyrë logjike. Po kështu, dhe 200 maturantë të shkollës së mesme të përgjithshme “Themistokli Gërmenji”, në Korçë, kanë organizuar për të njëjtën arsye një protestë, duke kërkuar rishikimin nga Ministria e Arsimit të skemës së vlerësimit. Shumë nxënës, nga paniku që krijoi ndryshimi tri herë i tezës së provimit dhe, së fundi, dhënia e një pyetjeje jashtë programit mësimor të zhvilluar, shprehen se po rriskojnë të privohen dhe nga e drejta për të studiuar në degën e dëshiruar.

Edlira MEMA

 

Komentet janë të mbyllura

Foto Lajme

Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i përmbajtjes së këtij portali © 2013 Gazeta Republika | Designed by Keminet | Log in
Close
Ndiqni Gazeta Republika në Facebook
Informohuni mbi ngjarjet kryesore të ditës duke na ndjekur në Facebook.