Mësuesit, pyetjet për Provimin e Shtetit
Ekskluzive/ Agjencia Kombëtare e Provimeve shpall programet orientuese për të diplomuarit në mësuesi
Lista e plotë me pyetjet që do të kenë në provim mësuesit në lëndën e Artit Figurativ. Mënyra se si do të hartohen programet për pjesën pedagogjike dhe atë profesionale
Të gjithë të diplomuarit në degët e mësuesisë do të japin në vjeshtë Provimin e Shtetit. Ky është provimi i parë që do të zhvillohet për këta profesionistë. Specialistë pranë Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës kanë publikuar së fundmi udhëzimin për hartimin e programit dhe të fondit të pyetjeve për provimin e shtetit. Kështu, sipas këtij udhëzimi, programi i Provimit të Shtetit për pjesën pedagogjike është një program orientues, i cili do të bazohet në kompetencat kryesore që duhet të zotërojë një kandidat për mësues në formimin e tij të përgjithshëm. Në program do të paraqiten sipas linjave përkatëse kompetencat, të cilat përfshijnë njohuritë, aftësitë dhe qëndrimet që kërkohen të arrihen nga mësuesit e rinj, në përfundim të provimit të shtetit në lidhje me:
- Zhvillimin e kurrikulës së arsimit parauniversitar
- Metodat e mësimdhënies dhe mendimi kritik
- Aftësitë ndërkurrikulare
- Vlerësimin e nxënësve
- Të nxënët dhe menaxhimin e klasës
- Psikologjinë e zhvillimit
- Komunikimin dhe etikën në shkollë
- Drejtshkrimin e gjuhës shqipe
Programi do të hartohet nga grupi i punës së Shkencave Sociale dhe Gjuhë Letërsisë.
Ky program do të përmbajë edhe literaturën që duhet të përdorë kandidati për realizimin e këtij programi.
Programi i pjesës profesionale
Ndërkohë, nga ana tjetër, MASH-i përcakton edhe programin e Provimit të Shtetit për pjesën profesionale që është një program orientues, i cili do të bazohet në kompetencat kryesore që duhet të zotërojë një kandidat për mësues në formimin e tij profesional, sipas profilit përkatës. Në program do të paraqiten sipas linjave përkatëse kompetencat, të cilat përfshijnë njohuritë, aftësitë dhe qëndrimet që kërkohen të arrihen nga mësuesit e rinj, në përfundim të Provimit të Shtetit:
- Konceptet kryesore me të cilat operon lënda (lëndët) përkatëse;
- Interpretimin e lidhjeve shkak-pasojë midis proceseve e dukurive që trajton kjo lëndë;
- Lidhjen midis njohurive të lëndës me njohuritë e disiplinave të tjera brenda fushës ose jashtë saj;
- Lidhjen e shembujve të njohurive të kësaj lënde me situata të jetës reale.
Ky program do të përmbajë edhe literaturën që duhet të përdorë kandidati për realizimin e këtij programi. Gazeta “Republika” boton sot pyetjet për të diplomuarit në mësuesi për Arte Figurative.
OSMAN DEDJA















