Ndotja e ujit të pijshëm, ja ankesat nga konsumatorët

Publikuar më: 16/06/2012 10:50

EKSLUZIVE/ Lagjet problematike që vuajnë nga uji i ndotur 

Shtohet lista e lagjeve të Tiranës që kanë probleme me ujin e pijshëm. UKT, ende asnjë masë për përmirësimin e situatës

Vijon të ketë probleme me ujin e pijshëm në shumë zona të kryeqytetit dhe jo vetëm. Lidhur me këtë problem, pranë zyrave të Shoqatës së Konsumatorit Shqiptar kanë mbërritur një numër i madh ankesash për sa i takon ndotjes së ujit të pijshëm. Kështu, gazeta “Republika” vijon të trajtojë këtë problem, pasi për shumë qytetarë të kryeqytetit uji i pijshëm është kthyer në çështjen e tyre më shqetësuese. Sipas informacioneve që vijnë nga Shoqata e Konsumatorit Shqiptar, çdo ditë pranë zyrave të saj vijnë ankesa të reja nga shumë zona të Tiranës. Probleme të mëdha shfaqen në Njësinë nr. 6, në Kombinat, ku prej kohësh, shumë tubacione uji janë çarë dhe si pasojë uji nëpër shtëpitë e qytetarëve shkon i ndotur. Kështu, një ndër rrugët që shfaq të tilla probleme është dhe “Shaban Bardhoshi”, ku prej më shumë se një muaji qytetarët vuajnë këtë problem. Ndonëse para një situate të tillë, Ndërmarrja e Ujësjellës-Kanalizimeve Tiranë, nuk ka marrë asnjë masë për ndërhyrje dhe përmirësim të situatës.

Amortizimi i tubacioneve

Një tjetër problem që e bën në shumë raste ujin e pijshëm jo të konsumueshëm është dhe amortizimi i tubacioneve të rrjetit të ujësjellësit. Sipas informacioneve që vijnë në gazetën “Republika”, prej vitesh, shumë tubacione janë tejet të amortizuara dhe nuk janë zëvendësuar, ndaj në shumë raste ujërat e zeza bashkohen me ujërat e shirave apo të lumenjve dhe më pas me ujin e pijshëm. Realiteti flet se në 90 për qind të qyteteve e zonave të vendit, shërbimi është jo në nivelin e kërkuar për cilësinë dhe sasinë e ujit të pijshëm për konsumatorët familjarë dhe jo familjarë. Por janë mësuar të justifikohen përgjegjësit. Ndërkohë që përjashtim bëjnë disa zona të rretheve si Korça, Pogradeci, disa zona të Librazhdit, Elbasanit dhe Shkodrës, si dhe një pjese në Tiranë. Sipas SHKSH, rreth 56-60 për qind e zonave të tjera janë plotësisht të amortizuara. Kjo ka bërë që në të gjitha këto zona me tubacione të amortizuara të ketë probleme, ankesa dhe shqetësime të konsumatoreve nga bashkimi i ujërave të bardha me ujërat e zeza. Si pasojë e këtij fenomeni, janë shkaktuar epidemi në disa zona e rrethe të vendit si: Kuçovë, Kolerë, vitet 1993-1994 dhe më pas me epidemi në disa zona të tjera në Memaliaj e Tiranë. “Shqetësimet e konsumatorëve janë bërë alarmante, sepse çdo ditë detyrohen të kalojnë mbi rrjedhjet e ujit të pijshëm në trotuare, tubacionet e ujit të pijshëm të dëmtuara ose të prera dhe të pambyllura ngaDUK. Kjo vihet re në shumë rrugë e rrugica, por dhe në rrugë dytësore. Nga këto dëmtime të rrjetit të tubacionit mund të lindin hapësira për kontaminim nga shumë baktere”,- vijon më tej kreu i SHKSH-së.

Zonat që shfaqin probleme

- Në njësinë nr. 6, Kombinat, janë 7 rrugica që rrjedhin tubacionet ujë gjatë rrugës “F. Bardhi”, “H. Stërmilli”;

- Rruga e Qelqit, në njësinë nr. 6, shfaq probleme prej 3 ditësh, ku uji i pijshëm vjen i ndotur dhe me erë të rëndë;

- Rruga “Shaban Bardhoshi” shfaq po të njëjtat probleme si më lart, por për një periudhë për më shumë se një muaj;

- Në njësinë nr. 10 ka ndërprerje të ujit të pijshëm dhe pikërisht në Rrugën e Kavajës, përballë Postës Shqiptare 2;

- Probleme me ujin e pijshëm shfaqen prapa Fakultetit të Inxhinierisë së Ndërtimit;

- Në njërën prej rrugëve në “Myslym Shyri” janë dy tubacione që rrjedhin rrugës pranë pallateve të reja që janë në përfundim;

- Në rrugën “21 Dhjetori” shfaqen përsëri rrjedhje të tubacioneve, pranë ISSH-së, ku uji i rrjetit del hapur;

- Probleme shfaqen dhe në Laprakë, afër Hetuesisë;

- Në Bulevardin Zogu i Parë, banorët e pallatit 51/1, përkatësisht janë 11 familje që ankohen për ujin e rrjetit, i cili është me erë të rëndë dhe të turbullt;

- Ankesa paraqiten dhe pranë ish-Uzinës Traktori, ku mungesa e ujit është me orë të tëra;

- Tek ish-Dispanseria e vjetër uji është me erë dhe i turbullt;

“Probleme të mëdha shfaqen në njësinë Nr. 6, në atë të Kombinatit, ku konsumatorët ankohen se uji vjen i ndotur dhe me erë të keqe. Ne ia kemi përcjellë këto shqetësime dhe probleme SHKSH-së, e cila më pas do ua përcjellë pranë institucioneve që janë përgjegjëse për ujin e pijshëm”. Kështu shprehet për “Republikën” Fatbardha Gega, përfaqësuese e Shoqatës së Konsumatorit Shqiptar për zonën e Kombinatit.

 Edlira MEMA

Komentet janë të mbyllura

Foto Lajme

Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i përmbajtjes së këtij portali © 2013 Gazeta Republika | Designed by Keminet | Log in
Close
Ndiqni Gazeta Republika në Facebook
Informohuni mbi ngjarjet kryesore të ditës duke na ndjekur në Facebook.