Provimet e Lirimit, çelësi i zgjidhjes

Publikuar më: 14/06/2012 10:22

Zyrtare/ MASH-i publikon skemën e vlerësimit për provimin e Gjuhës dhe Letërsisë

Lista e plotë e përgjigjeve për çdo pyetje të testit. Rreth 60 mijë nxënës të sistemit nëntëvjeçar iu nënshtruan provimit. Rregullat për provimin e Matematikës

Ministria e Arsimit dhe Shkencës publikon skemën e vlerësimit për çdo pyetje të testit të Lirimit për lëndët Gjuhë dhe Letërsi Shqipe. Gazeta “Republika” nxjerr listën e plotë me çelësin e zgjidhjeve për çdo pyetje që ka rënë në test. Ditën e djeshme, rreth 60 mijë nxënës të arsimit 9-vjeçar nga i gjithë vendi, u testuan në provimin e parë të Lirimit, në Gjuhë dhe Letërsi Shqipe. Testimi përfshinte 25 pyetjeve, 13 prej të cilave ishin me alternativa dhe 12 me shtjellim. Për sa i takon vlerësimit të testeve, ai do të jetë me pikë, të cilat ekuivalentohen në notë. Vlerësimi i çdo përgjigjeje të dhënë nga nxënësi për kërkesën përkatëse do të mbështetet në skemën e vlerësimit të përgatitur nga Agjencia Kombëtare e Provimeve (AKP) prej hartuesve të testeve. Skema e vlerësimit është një standard vlerësues i njëjtë për çdo nxënës. Ndërkohë, provimi i dytë i Lirimit, ai i Matematikës, është caktuar nga MASH-i më 22 qershor.

Rregullat për testin e Matematikës

Specialistët e MASH-it kanë publikuar, gjithashtu, udhëzimin për provimet. Për lëndën Matematikë, testi përmban 25 pyetje, 13 prej të cilave janë me alternativa dhe 12 janë me shtjellim. Përgjigjet e të gjitha pyetjeve do të shkruhen në fletore. Pyetjet me alternativa do të shkruhen sipas shembullit të mëposhtëm: SHEMBULL. Pyetja 1 C Pyetja 2 B. Sipas udhëzuesit, për pyetjet me shtjellim do të shkruhet numri i pyetjes dhe në krah të saj të gjithë përgjigjen e nevojshme. Për lëndën e Matematikës, kandidatët duhet të punojnë vetëm në fletore me katrore. Në përfundim, thuhet se kandidatët nuk duhet të shkruajnë emrin e tyre në kapakun e fletores dhe në asnjë faqe të saj, pasi do të konsiderohet si shenjë.

Përgatitja e testit

Gjithashtu, udhëzimi i Ministrisë së Arsimit përcakton edhe mënyrën që ndiqet për hartimin e testeve. Kështu, në shkollat e pakicave kombëtare (greke dhe maqedonase), Provimi i Lirimit zhvillohet në gjuhën amtare. Për shkollat e pakicës kombëtare greke, teza do të përgatitet ngaDARGjirokastër, ndërkohë që ZA Delvinë dhe ZA Sarandë tërheqin në DAR Gjirokastër tezën në ditën e provimit. Për shkollat e pakicës kombëtare maqedonase, teza përgatitet nga DAR Korçë dhe tërhiqet ditën e provimit nga drejtori i shkollës, i shoqëruar nga përfaqësuesi i DAR Korçë. Për institutin e nxënësve që nuk shikojnë, testi do të tërhiqet në AKP, nga drejtoria e institutit një ditë para zhvillimit të provimit, që e kthen atë në sistemin e shkrimit BRAIL. Sipas këtij udhëzimi, nxënësit mbetës në Provimet e Lirimit kanë të drejtën e riprovimit në sesionin e dytë. Gjithashtu, thuhet se notat e provimeve të lirimit shënohen në Dëftesën e Lirimit. Ngarkohen për zbatimin e këtij Udhëzimi Zëvendësministri, Sekretari i Përgjithshëm, Drejtoria e Edukimit Parauniversitar, Drejtoria e Programeve te Zhvillimit, Drejtoria e Burimeve Njerëzore dhe Koordinimit, Drejtoria e Shërbimeve të Përgjithshme, Agjencia Kombëtare e Provimeve, inspektorati Kombëtar i Arsimit Parauniversitar, Drejtoritë Arsimore Rajonale dhe Zyrat Arsimore.

Udhëzuesi për lëndën e Matematikës

1. Testi i provimit të Matematikës përmban 25 pyetje.

2. 13 pyetje janë me alternativa.

3. 12 pyetje janë me shtjellim.

4. Përgjigjet e të gjitha pyetjeve do të shkruhen në fletore.

5. Për pyetjet me alternativa do të shkruani në fletore si në shembullin më poshtë: Pyetja 1 C Pyetja 2 B etj.

Edlira MEMA

 

 

 

Komentet janë të mbyllura

Foto Lajme

Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i përmbajtjes së këtij portali © 2013 Gazeta Republika | Designed by Keminet | Log in
Close
Ndiqni Gazeta Republika në Facebook
Informohuni mbi ngjarjet kryesore të ditës duke na ndjekur në Facebook.