Provimi i Gjuhës dhe Letërsisë, skema e vlerësimit për çdo pyetje

Publikuar më: 01/06/2012 14:07

Matura Shtetërore, rregullat që duhet të ndjekin kandidatët para provimit

Numri i pyetjeve me zhvillim dhe me alternativa, që do të kenë maturantët në testim

Nesër, maturantët në të gjithë vendit do të zhvillojnë provimin e parë të Maturës Shtetërore, atë të Letërsisë dhe Gjuhës Shqipe. Krahas përgatitjeve, Ministria e Arsimit u bën thirrje maturantëve që të jenë të kujdesshëm në përmbushjen e kritereve të përcaktuara në rregullore, në mënyrë që të mos rrezikojnë hyrjen në provim, pasi, në të kundërt, humbasin të drejtën e konkurrimit për pranimet në shkollat e larta publike gjatë vitit të ri akademik. Maturantit, për të hyrë në ambientet ku do të zhvillohet provimi, i duhet detyrimisht mjeti i identifikimit, si dhe paraqitja një ore e 30 minuta para kohës së përcaktuar për nisjen e testimit. Në rregullore, përcaktohet se ata duhet të tregojnë kujdes dhe të ulen në vendet që u janë caktuar, si dhe të shmangin çdo tentativë për të komunikuar apo kopjuar, sepse penalizohen me humbjen e një viti për garën e konkurrimeve në universitete. Kujdes të veçantë maturanti duhet të tregojë gjatë verifikimit, nëse testi i dhënë nga administratori i përket profilit shkollor që ai ka mbaruar. Në rastet kur testi i dhënë nuk është i profilit të tij, është i dëmtuar ose ka faqe të bardha, ai ka të drejtë të kërkojë menjëherë ndërrimin e tij, por jo më vonë se 30 minuta pas fillimit të provimit, veprim ky që pasqyrohet edhe në procesverbal. Rregullorja e provimeve përcakton që gjatë plotësimit të testit: Maturanti apo kandidati e plotëson testin me stilolaps me një ngjyrë (të zezë ose blu). Përdor vizore e kompas vetëm nëse i nevojitet. Maturantët/kandidatët që dorëzojnë testin, firmosin për dorëzimin e tij në listën që disponon administratori. Kandidati ka të drejtë të kërkojë fotokopjen e testit të tij, pas përfundimit të të gjitha provimeve, me një kërkesë drejtuar komisionit të Maturës Shkollore. Afatet e kërkesës do të përcaktohen me udhëzim të veçantë nga Ministria e Arsimit. Testi i letërsisë do të jetë i ndarë në dy pjesë, secila përmban fragmente veprash, rreth të cilave janë dhe pyetjet që kërkojnë shpjegime, zëvendësime, komente, krahasime, analiza, interpretime, perifrazime, pyetje që kërkojnë nxitjen e imagjinatës, si dhe pyetje që kërkojnë përgjigje krijuese. Gjithsej janë 25 pyetje, 13 me alternativa dhe 12 me zhvillim, ku përfshihet edhe eseja. Në lidhje me korrigjimin, testi i Letërsisë, pyetjet me alternativa do të vlerësohen me zero dhe një pikë. Maturanti merr një pikë, kur ka rrethuar përgjigjen e saktë. Për pyetjet me zhvillim, mësuesit do të korrigjojnë me kujdes çdo përgjigje të nxënësit, edhe në rastet kur ka ndjekur rrugë tjetër nga ajo e përcaktuar. Ndërsa për esenë vlerësimi bëhet në varësi të shtjellimit të idesë, organizimit dhe strukturës, stilit e origjinalitetit, si dhe saktësisë gjuhësore.

OSMAN DEDJA

 

 

Komentet janë të mbyllura

Foto Lajme

Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i përmbajtjes së këtij portali © 2013 Gazeta Republika | Designed by Keminet | Log in
Close
Ndiqni Gazeta Republika në Facebook
Informohuni mbi ngjarjet kryesore të ditës duke na ndjekur në Facebook.