Shkolla 9-vjeçare “Qemal Mici”, koncert festiv në qendër të Durrësit

Publikuar më: 05/06/2012 6:54

Atmosferë festive në qytetin tonë të Durrësit në këtë fillim vere të ngrohtë e me diell. Mësues, prindër dhe nxënës të shkollës 9-vjeçare “Qemal Mici”, u mblodhën në sheshin para Pallatit të Kulturës “A. Moisiu”, për të festuar së bashku këtë prag fundviti, në kuadër të 100-vjetorit të Pavarësisë. Atmosfera e gëzueshme dhe plot gjallëri, të cilën mund ta krijojnë vetëm fëmijët me çiltërsinë dhe energjinë e tyre, tërhoqi për të festuar së bashku edhe plot qytetarë të rastësishëm. Mesazhi ishte i qartë dhe shumë i gjetur: “Nëse themi e ardhmja jemi ne. Nëse themi e djeshmja jeni ju. Pritshmëria! Jemi të gjithë bashkë”. Ndaj, në këtë përvjetor, thirrja “Jam Shqiptar”, na bën njëqindfish krenar. Koncerti, në vetvete, është një ngjarje mëse e zakonshme në jetën artistike të qytetit tonë, por jo për një shkollë 9-vjeçare, siç është “Qemal Mici”, pasi veprimtari me organizim dhe përmasa të tilla, i tejkalojnë mundësitë dhe fuqitë e një shkolle. Këtu qëndron guximi dhe besimi i organizatorëve, që vunë në lëvizje aftësitë e nxënësve, të cilët, në bashkëpunim edhe me mësuesit dhe prindërit e tyre, mundën të dalin para publikut durrsak e të tregojnë se janë të zot të bëjnë gjëra të mëdha. Programi ishte menduar e hartuar me shumë kujdes nga grupi organizator, Ermira Zhiti, koordinatore e senatit të shkollë, Merita Lila, mësuese historie, Tahir Zeneli, mësuesi i vizatimit, duke pasur edhe mbështetjen e drejtorisë dhe të trupës mësimore të shkollës. Këtu ka vend të themi se të gjitha pjesët që u interpretuan, ishin përgatitur cilësisht mjaft mirë. Recitimet, këngët e vjetra patriotike të kënduara nga kori i shkollës me një harmoni të përkryer zërash, merituan duartrokitjet e spektatorëve që mbushën sheshin. Veç t’i shikoje edhe fëmijët e vegjël në grupin e balerinave të kopshtit të shkollës, si pjesë e spektaklit, që vallëzuan si flutura të lira e plot ngjyra dhe ngazëllyen publikun që duartrokiste pa pushim. Në kulmin e festës pati një moment mjaft prekës, mbushur plot emocione. Në emër të trupës mësimore të shkollës, drejtori z. Nazmi Veliu i jep znj. Violeta Koçi, mësueses së porsadalë në pension, certifikatë mirënjohjeje, për punën e palodhur e plot përkushtim në shërbim të mësimit dhe edukimit të nxënësve. Nuk ka më bukur për mësuesen Violeta. Të rrallë janë ata që e kanë pasur fatin të përjetojnë këtë nder, ndaj lot lumturie e mallëngjimi mbushën sytë e saj. Është një çast i magjishëm që do të mbetet gjatë në kujtesën e të gjithëve. Të ndahesh nga puna, por të mbetesh përherë pjesë në jetën e kolegëve, të nxënësve dhe qytetarisë durrsake, nuk është pak. Është më tepër se ëndërr. Këtë nderim të merituar, para publikut durrsak, ia dhuron kolektivi i mësuesve dhe nxënësit që i deshi dhe do të vazhdojë t’i dojë për gjatë gjithë jetës. Në valën e këtyre emocioneve përshëndeti edhe znj. Merita Thartori (Kuçi), poete dhe ish-mësuese letërsie e kësaj shkolle, e transferuar para pak kohësh si n/drejtore në gjimnazin “Olsi Lasku”, në Shkozet. Program vazhdoi. Paraspektatorëve të shumtë doli Aleks Lukovi, nxënës i gjimnazit “Olsi Lasku”, i cili përshëndeti me poezinë “Gjuha Shqipe”, nga i madhi Gjergj Fishta. Recitim i vlerësuar me çmim në konkursin e fjalës artistike të shkollave të mesme të Durrësit. Duartrokitje dhe brohoritje të vazhdueshme, për interpretimin kaq të bukur e me kaq ndjenja atdhedashurie. Në vazhdim, brohoritjet arritën kulmin me këngën “Xhamadani vija – vija”, këngë tashmë të shndërruar në himn, e cila u këndua nga të gjithë nxënësit dhe të pranishmit. Sheshi gjëmonte nga kënga. Mësuese Mirës si mbetej tjetër veçse të drejtonte këtë kori gjigant me solistë të të gjitha moshave. Në fund, në mbyllje, një vizitë në hollin e Pallatit, ku nxënësit e shkollës kishin ekspozuar punimet më të mira në pikturë, me tematikë “Shqipëria në 100-vjetorin e Pavarësisë”. Bukur! Shumë bukur! Madhështia e festës në magjinë e përfytyrimeve dhe ngjyrave. I gjithë spektakli ishte një veprimtari mjaft e bukur, që transmetoi ndjesi e vlera të mëdha edukative, pse jo edhe artistike. ishte model nga përmbajtja, model për nga organizimi. Ia vlejti mundimi i të gjithëve. – Urime! Festa të tilla na dhuroni përherë. – Këto ishin fjalët që shprehnin pjesëmarrësit dhe spektatorët e shumtë, për nxënësit dhe mësuesit e shkollës “Q. Mici”. -Ju lumtë! Ju përgëzojmë e ju urojmë suksese!

Përgatiti: Kadri Tarelli  

Komentet janë të mbyllura

Foto Lajme

Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i përmbajtjes së këtij portali © 2013 Gazeta Republika | Designed by Keminet | Log in
Close
Ndiqni Gazeta Republika në Facebook
Informohuni mbi ngjarjet kryesore të ditës duke na ndjekur në Facebook.