Si të mbroni fëmijët nga temperaturat e larta, infeksionet apo virozat e kësaj stine të nxehtë

Publikuar më: 17/06/2012 19:14

Fëmijët reagojnë në mënyra të ndryshme ndaj temperaturave të larta, mbasi sistemi imunitar apo mbrojtës i tij nuk është zhvilluar tërësisht.

Temperaturat e larta apo vapa ka një ndikim shumë negativ në organizmin e fëmijës dhe kjo është e theksuar sidomos tek moshat e vogla 1-4 vjeç.

Çfarë shkakton vapa tek fëmijët e vegjël ose cilat janë çrregullimet që vihen re tek fëmijët.

Irritimi i lëkurës nga nxehtësia

Një mjedis i nxehtë, i paajrosur, mund të shkaktojë irritimin e lëkurës. Kjo vjen ngaqë trupi djersit shumë dhe gjëndrat e djersës rriten dhe skuqen. Irritimi i lëkurës nga nxehtësia është i zakonshëm te fëmijët, ngaqë gjëndrat e tyre të djersës nuk funksionojnë ende ashtu siç duhet.

Shenjat

Puçrra të vogla të kuqe shfaqen në pjesët ku trupi është më i nxehtë, veçanërisht në qafë, fytyrë, bërryla dhe poshtë gjunjëve.

Ç’duhet të bëni

Mos e vishni fëmijën shumë trashë,

Lajeni me ujë të ngrohtë dhe thajeni mirë.

Sigurohuni që temperatura e dhomës të mos jetë shumë e lartë dhe ajri të qarkullojë.

Flisni me mjekun, nëse puçrrat nuk janë zhdukur pas 12 orësh.

Puçrrat e vapës (vaporet)

Puçrrat e vapës janë një shpërthim puçrrash të vogla (prush) në lëkurë, të shkaktuara nga mbinxehja e tepërt e fëmijës. Kjo është e shpeshtë veçanërisht tek foshnjat e vitit të parë të jetës.

Në përgjithësi, shfaqet në lëkurën e fytyrës dhe në pjesët ku lëkura formon palosje, (kofshë, krahë).

Shenjat

Prush në ngjyrë rozë në fytyrë dhe në palat e lëkurës.

Çfarë mund të bëni për të parandaluar puçrrat e vapës

Në stinën e nxehtë visheni fëmijën lehtë, vetëm me veshje të lehta pambuku.

Zbulojeni fëmijën nga mbulesat e rënda e të trasha që e keni mbuluar në shtrat.

Vëreni të flejë me veshje të lehta e prej pambuku

Bëni banjë me ujë të vakët.

Nëse ka puçrra, mos e fshini, por shtypeni lehtësisht lëkurën me peshqir.

Kur të thahet lëkura, mund të vini një krem hidratues për fëmijë.

Mbajeni në hije, jo në rrezet direkte të diellit.

Këshillohuni me mjekun nëse prushi nuk zhduket brenda 12 orëve.

Herpes simpleksi

Infeksioni i lëkurës i shkaktuar nga virusi i quajtur herpes simpleks, shfaqet në formën e një plage. Ky virus qëndron i heshtur në pjesën e fundit të nervave. Ai kalon nga prindërit te fëmijët me anë të puthjes. Një rritje në temperaturën e lëkurës prej diellit të fortë, etj., mund ta gjallërojë virusin dhe të çojë në formimin e një plage. Këto plagë nuk janë të rrezikshme.

Shenjat

Lëkura skuqet dhe shfaqen puçrra të vogla gjatë buzës dhe poshtë hundës, që bashkohen dhe formojnë një plagë. Kjo zgjat 10-14 ditë. Në kohën që këto plagë janë duke u zhvilluar, fëmija mund të ankohet për dhimbje në fytyrë, në vesh dhe gjatë përtypjes, sepse nervat e fytyrës ndikohen nga virusi. Plagët janë shumë ngjitëse dhe fëmija mund t’i përhapë në pjesë të tjera të fytyrës me anë të prekjes.

Ç’duhet të bëni

Duhet çuar tek mjeku, ai ju rekomandon një krem kundër virusit.

Mos e lini fëmijën të prekë fytyrën, të puthë ndonjë fëmijë tjetër, të përdorë peshqirin e dikujt tjetër ose të lozë me dikë tjetër në kohën e shpërthimit të plagës.

Çrregullimet diarreike

Diarreja ose heqja e barkut karakterizohet nga të dala jashtë të ujshme e të shpeshta të fëmijës (më shumë se 6-7 herë në ditë për foshnjat). Diarreja është mjaft e shpeshtë tek fëmijët e moshave të vogla, veçanërisht nga 6 muaj deri në 2 vjeç.

Diarreja e shpeshtë mund të paraqitet tek foshnjat nën 6 muaj, që ushqehen me qumësht lope apo ushqim artificial. Diarreja nëse shoqërohet edhe me të vjella është shenjë e infeksioneve të shkaktuar nga viruset ose bakteret.

Infeksionet nga viruset ose bakteret shfaqen më shumë në muajt e verës dhe shkaktohen nga temperaturat e larta apo edhe nga ushqimet e infektuara.

Bakteret më të zakonshme janë Salmonelat ose Escherichia Coli.

Çfarë mund të bëni për të parandaluar çrregullimet diarreike

Respektimi i rregullave të pastërtisë e sidomos i larjes së duarve me ujë të bollshëm dhe sapun.

Jepini për të pirë lëngje sa më shumë fëmijës.

Ushqyerja me gji.

Përdorimi i ushqimeve të freskëta apo të sapo përgatitura.

Përdorimi i ujit higjienikisht të pastër.

Pastrimi i mirë i enëve.

Mbrojtja e enëve nga mizat.

Përpunimi i mirë i ushqimit, gatimi i plotë i tij.

Përdorimi i rrobave të lara.

Ushqeni foshnjën sa më shumë me gji.

Mos i jepni fëmijës ilaçe kundër diarresë pa këshillën e mjekut. Mos i jepni suposta (ilaçe që vendosen në vrimën e jashtëqitjes së fëmijës) kundër temperaturës: do të dilnin përmes diarresë, përpara se të përthitheshin nga stomaku. Në ndonjë rast diarreja është kaq e shpeshtë dhe e shumtë, sa shkakton shumë shpejt një dehidratim, edhe pse prania e të vjellave pengon rihidratimin me anë të gojës; atëherë bëhet e nevojshme të shtrohet fëmija në spital, për ta rihidratuar.

 

 

Komentet janë të mbyllura

Foto Lajme

Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i përmbajtjes së këtij portali © 2013 Gazeta Republika | Designed by Keminet | Log in
Close
Ndiqni Gazeta Republika në Facebook
Informohuni mbi ngjarjet kryesore të ditës duke na ndjekur në Facebook.