Uji i pijshëm i ndotur, konsumatorët në rrezik

Publikuar më: 08/06/2012 6:01

EKSKLUZIVE/ Reagon Shoqata e Konsumatorit Shqiptar: Konsumatorët, të pambrojtur

Uji i pijshëm i ndotur, konsumatorët në rrezik

Mungesa, ndërprerja, ndotja e ujit, shqetësimi i konsumatorëve kryeqytetas. Zonat problematike në vend, me ndërprerje të ujit dhe përzierje të tij me ujërat e zeza. Rreziqet që lindin nga konsumi i ujit të pijshëm

Me afrimin e stinës së verës, ata që gjenden përballë situatave të pakëndshme janë konsumatorët shqiptarë, të cilët, në të shumtën e rasteve, janë të pambrojtur. Ndër rreziqet që i prin konsumatorët është edhe konsumi i ujit të pijshëm, i cili, në të shumtën e rasteve, është jashtë normale të lejuara për konsum. Por nuk mjafton vetëm kaq, pasi konsumatorët po vuajnë për mungesën e ujit. Kjo, për shumë e shumë arsye, pasi nga institucionet përgjegjëse nuk merren masa për të siguruar ujë të rrjedhshëm në sasi dhe në cilësi dhe për të parandaluar këtë fenomen. Lidhur me këtë problem, ka reaguar Shoqata e Konsumatorit Shqiptar, pasi pranë zyrave të tyre kanë mbërritur edhe shumë ankesa nga qytetarët për këtë problem. “Pranë shoqatës sonë janë drejtuar rreth 976 ankesa për 5 muaj nga konsumatorët, me gjithë përpjekjet tona informuese në drejtim të UKT-së dhe të sektorëve të pushtetit lokal, deri më tani nuk është marrë asnjë masë përmirësimi”. Kështu shprehet Islam Cani, kreu i Shoqatës së Konsumatorit Shqiptar. Mungesa e ujit të pijshëm është një fenomen që ndodh çdo stinë të verës dhe deri më tani, asgjë s’ka ndryshuar. Ndonëse jemi para një refreni të vjetër, qytetarët çdo verë vuajnë mungesën e ujit të pijshëm. Por situata bëhet akoma më alarmante në rastet kur uji i pijshëm përzihet me ujërat e zeza, gjë që e tregon dhe era e rëndë që përmban uji i pijshëm.

Amortizimi i tubacioneve

Sipas Shoqatës së Konsumatorit Shqiptar, ky problem vjen pasi tubacionet e ujit janë tejet të amortizuara, të cilat janë disavjeçare. Duke qenë të tilla lind edhe një problem tepër i rëndësishëm, siç është kontaminimi i ujit të pijshëm me ujërat e zeza, si dhe me ujërat e shirave apo të lumenjve. “Realiteti flet të kundërtën. Në 90 për qind të qyteteve e zonave të vendit, shërbimi është jo në nivelin e kërkuar për cilësinë dhe sasinë e ujit të pijshëm për konsumatorët familjarë dhe jo familjare. Por janë mësuar të justifikohen përgjegjësit”. Kështu u shpreh Islam Cani, kreu i Shoqatës së Konsumatorit Shqiptar. Ndërkohë që përjashtim bëjnë disa zona të rretheve si Korça, Pogradeci, disa zona të Librazhdit, Elbasanit dhe Shkodrës si dhe një pjese në Tiranë. Sipas SHKSH-së, rreth 56-60 për qind e zonave të tjera janë plotësisht të amortizuara. Kjo ka bërë që në të gjitha këto zona me tubacione të amortizuara të ketë probleme, ankesa dhe shqetësime të konsumatoreve nga bashkimi i ujërave të bardha me ujërat e zeza. Si pasojë e këtij fenomeni janë shkaktuar epidemi në disa zona e rrethe të vendit si në Kuçovë, kolera në vitet 1993-1994 dhe më pas me epidemi në disa zona të tjera, në Memaliaj e Tiranë. “Shqetësimet e konsumatorëve janë bërë alarmante, sepse çdo ditë detyrohen të kalojnë mbi rrjedhjet e ujit të pijshëm në trotuare, tubacionet e ujit të pijshëm të dëmtuara ose të prera dhe të pambyllura nga DUK-ja. Kjo vihet re në shumë rrugë e rrugica, por dhe në rrugë dytësore, ku nga këto dëmtime të rrjetit të tubacionit mund të lindin hapësira për kontaminim nga shumë baktere”,- vijon më tej kreu i SHKSH-së.

Zonat që shfaqin probleme

- Në njësinë nr. 6, Kombinat, janë 7 rrugica që rrjedhin tubacionet ujë gjatë rrugës “F. Bardhi”, “H. Stërmilli”;

- Në njësinë nr. 10, ka ndërprerje të ujit të pijshëm dhe pikërisht në Rrugën e Kavajës, përballë Postës Shqiptare 2;

- Probleme me ujin e pijshëm shfaqen prapa Fakultetit të Inxhinierisë së Ndërtimit;

- Në njërën prej rrugëve në “Myslym Shyri” janë dy tubacione që rrjedhin rrugës pranë pallateve të reja që janë në përfundim;

- Në rrugën “21 Dhjetori” shfaqen përsëri rrjedhje  të tubacioneve, pranë ISSH-së, ku uji i rrjetit del hapur;

- Probleme shfaqen dhe në Laprakë, afër Hetuesisë;

- Në Bulevardin Zogu i parë, banorët e pallatit 51/1, përkatësisht janë 11 familje që ankohen për ujin e rrjetit, i cili është me erë të rëndë dhe të turbullt;

- Ankesa paraqiten dhe pranë ish-Uzinës Traktori, ku mungesa e ujit është me orë të tëra;

- Tek ish Dispanceria e vjetër uji është me erë dhe i turbullt;

“Qytetarët thonë se edhe pse është rritur çmimi, shërbimi i ofruar nuk e justifikon aspak këtë rritje. Vetë konsumatorët ankohen për cilësinë e ujit, pasi ai përmban erë të rëndë dhe me ngjyrë të errët. Ndaj në shumë raste është e frikshme që ky ujë të konsumohet për t’u pirë”,- bën me dije Islam Cani.

A pimë ujë të sigurt?

Sipas informacioneve që jep Islam Cani, për të pasur një ujë të sigurt, natyrshëm që duhet të mbrohet baseni, rrjeti shpërndarës, i cili nga impianti i pastrimit është më i sigurt, sepse është vetëm një ose dy tuba, por mbas impiantit, shpërndarja e ujit bëhet më e komplikuar, sepse rrjeti dëmtohet nga njerëz të pandërgjegjshëm.

Niveli i ndotjes së ujit

“Duhet thënë se kryqëzimet mes ujërave të bardha dhe atyre të zeza janë të shumta. Kur uji i pijshëm mungon, pjesa që janë dëmtuar thith nga ky pellg uji të ndotur dhe kur vjen i pijshëm ato përzihen dhe si pasojë sjellë edhe sëmundjet tek familjet. Për fat të keq, pothuaj në të gjitha qytetet mungon uji 24 orë. Kjo mangësi është shkaktare për të përcjell ujë të ndotur.  Por ana më e keqe është kur ujësjellësi e depoziton ujin në depozita, i cili, më pas, përcillet për në shtëpitë e konsumatorëve dh shkon nëpër depozitat, të cilat janë të vendosua nga administrata ose nga vetë familjarët. Në këto raste, ka mundësi që të kemi dy lloje ndotje”,- thekson më tej Cani. Kreu i SHKSH-së bën me dije se, në këtë rast, kemi të bëjmë me disa lloje ndotjesh, si më poshtë vijon;

- Së pari, kemi ndotje bakteriale që vjen si rrjedhojë e kontaminimit në tubacionet e rrjetit. Gjithashtu, edhe nga mbetjet që futen në depozita, të cilat janë të kontaminuara dhe këtu shumëfishohet informacioni.

- Së dyti, kemi ndotje kimikate. Nga kimikatet, siç mund të jenë nga depozitat, të cilat janë nga përbërje metalike. Gjithashtu, tubat bëjnë ngjitje me kallaj e plumb, gjë kjo që është e dëmshme për të dy raste nga prania e mikroorganizma. Pra, janë të dëmshëm për njeriun e sidomos për fëmijët.

- Së treti, jo më pak e dëmshme është dhe klori, i cili sedimenton në këto depozita natyrshëm që dhe është gërryes, por edhe ngurtësohet gjatë kohës nga vetë përbërja që ka uji, e sidomos nga ndërprerja e ujit që sjell mbetje të ndryshme.

- Së katërti; mungon njohja, krejtësisht edukata, e vetë qytetarëve për të marrë ujë sa më të sigurt, duke i rënë shkurt me blerjen e ujit të ambalazhuar.

- Së pesti; për fat të keq, nuk është e plotë paketa ligjore për i përket furnizimit me ujë dhe mbrojtjes së konsumatorëve. Në vendet e tjera në Europë, ku për këtë problem përveç paketës ligjore, punës së vazhdueshme edukative si në informacion ashtu dhe për strukturën administrative, janë të kompletuar. “Në botë ka kompani që merren me pastrimin e tubacioneve, të depozitave,  ka kompani që merren me pastrimin e depove, të puseve, të burimeve dhe kudo që merret uji. Kjo mangësi  është publikuar shpesh nga ne, ku i jemi drejtuar si organeve shtetërore dhe UKT-ja, por ky zë nuk është dëgjuar. Konsumimi i ujit të pijshëm jo në cilësinë e duhur, shfaq disa pasoja negative tek konsumatorët. “Pirja e ujit me cilësi jo të mirë ka një kosto të madhe për konsumatorin shqiptar. Kosto në shëndet, kosto nga mungesa në punë”,- bën me dije Cani.

Shqetësimet dhe problemet aktuale të konsumatorëve:

Ankesat e shumta janë për heqjen e matësve, pa i pyetur qytetarët, pavarësisht, nëse i kanë të rinj apo të kualiduar që funksionojnë mirë dhe më e bukura nga metalike në mënyrë urdhërore i zëvendësojnë me plastike. Kështu konsumatorët mendojnë se këta matësit plastikë janë të ndjeshëm dhe nuk tregojnë realitetin në matjen e sasisë së ujit. Matësit na detyrojnë, thonë konsumatorët, që t’i paguajmë vetë ata pra kur bëhet zëvendësimi, kur ne i kemi paguar ato kur i kemi vendosur. Atëherë sektori i Ujësjellësit do t’i duhet të vendosë matës të rinj, ndonëse pa pagesë, gjë e cila nuk ndodh.

Sugjerimet që jep SHKSH-ja

Për sa u takon problemeve që lidhen me ujin e pijshëm, Shoqata e Konsumatorit Shqiptar jep disa sugjerime të cilat duhet të gjejnë një zgjidhje nga ana e institucioneve përgjegjëse. Kështu, ndër to citojmë si më poshtë;

- Të krijohet baza ligjore (ligji i ujit);

- Të sigurohet kontrata për të gjithë konsumatorët;

- Të ketë më shumë kontroll mbi ujin e rrjetit të pijshëm, me qëllim që të sigurohet besim tej konsumatorët;

- Të sigurohen basenet e ujit të pijshëm si ai i Bovillës, sepse derdhen mbeturinat e kanalizimeve të fshatit;

- Të krijohen kompani për pastrimin e skorieve

 Edlira MEMA

Komentet janë të mbyllura

Foto Lajme

Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i përmbajtjes së këtij portali © 2013 Gazeta Republika | Designed by Keminet | Log in
Close
Ndiqni Gazeta Republika në Facebook
Informohuni mbi ngjarjet kryesore të ditës duke na ndjekur në Facebook.