Formulari A2, ja si bëhet zgjedhja e degëve për në universitete

Publikuar më: 04/07/2012 9:52

Ekskluzive/ Flet Ndriçim Mehmeti, përgjegjësi i Sektorit të Monitorimit dhe Vlerësimit në MASH

Matura Shtetërore, afati kur nis plotësimi i formularit dhe rregullat që ndjekin kandidatët për aplikimin e saktë. Veprimet që duhet të kryejnë mësuesit për t’iu ardhur në ndihmë maturantëve. Data kur shpallen rezultatet e provimeve me zgjedhje

 “Jemi përpjekur që në këtë Maturë Shtetërore të vendosim një standard të ri, që formulari A2 të plotësohet në version elektronik. Menjëherë pas publikimit të tij, mësuesit, për një periudhë të caktuar, do të këshillojnë dhe bashkëpunojnë me nxënësit e komunitetit, me qëllimin e vetëm që ky formular të plotësohet sa më saktë. Pra, ndonëse jo të gjithë do të kenë mundësinë të bëjnë një zgjedhje të drejtë, është detyrë kryesore e mësuesit që t’i ndihmojë kandidatët për në universitet, të bëjnë një zgjedhje të drejtë të programeve”. Kështu është shprehur në një intervistë për gazetën “Republika”, Ndriçim Mehmeti, përgjegjësi i Sektorit të Monitorimit dhe Vlerësimit në MASH, i cili, më tej, thotë se formulari do të plotësohet në afatin që është thënë, pra në datë 22-30 korrik 2012, datë kjo e përshtatur, pasi më 15 korrik përfundojnë korrigjimet e provimeve me zgjedhje. Sipas Mehmetit, MASH-i ka një projekt ambicioz për të shtrirë internetin Wireless për një shifër në më shumë se 500 banorë në të gjitha shkollat. Interneti Wireless krijon mundësi shumë më të mira. “Po sigurohen të gjitha pajisjet që duhen, ndërsa ne po sigurojmë ambientet e nevojshme. Është rënë dakord me të gjitha Drejtoritë Arsimore të mbarojnë sa më shpjet këtë situatë. Ata kanë përgatitur një hartë, që edhe mund të korrektohet, por që përcakton se si janë mundësitë që gjithkush, qoftë edhe me një laptop të vogël, ta plotësojë Formularin A2 sa më shpejt. Perimetri i shtrirjes së linjës do të jetë edhe më i gjatë, pra nuk do të jetë vetëm brenda për brenda shkollës, por do t’i shërbejë komunitetit, duke krijuar kështu një lidhje komunitet-shkollë, nëpërmjet asaj që ne kërkojmë të arrijmë në moshën dixhitale”,- tha Mehmeti. Përgjegjësi i Sektorit të Monitorimit dhe Vlerësimit në MASH thotë se meraku nuk është plotësimi me version elektronik, meraku është plotësimi i tij sa më mirë. “Cili mund të quhet plotësim sa më i mirë? Ndodh që ti e ke shumë të vështirë të marrësh Financën, por të duket i paarritshëm Juridiku dhe mendon se duke vendosur Juridikun të parin dhe Financën të dytën, ke mundësi të fitosh Financën dhe pastaj Juridikun. Dhe, në fakt, këtu bie në kundërshtim me dëshirat e tua. Çfarë do të thotë të plotësojmë siç duhet një formular? Do të thotë të mos e plotësojnë atë sipas dëshirave që mund të ketë shoqëria ose klasa, sepse tani secili duhet të masë aftësitë e veta intelektuale, sepse nga plotësimi i këtij formulari varet i gjithë suksesi i tyre. Nëse në formularin A1 dhe A1 Z maturanti kishte një mundësi për ta përsëritur dhe për të plotësuar një tjetër, në formularin A2 nuk e ka këtë mundësi, jo se ia ndalojmë ne, por duke e plotësuar në version elektronik dhe duke pasur kohë prej një jave, presupozohet që ai e di se ku do të shkojë”,- pohoi Mehmeti. Ja se si është shprehur ai më gjatë në këtë intervistë.

- Si do të veprohet këtë vit me plotësimin e formularit A2, ndërkohë që është folur për plotësimin e tij në version elektronik?

Jemi përpjekur që në këtë Maturë Shtetërore të vendosim një standard të ri, që formulari A2 të plotësohet në versionin elektronik. Menjëherë pas publikimit të tij, mësuesit për një periudhë të caktuar do të këshillojnë dhe bashkëpunojnë me nxënësit e komunitetit, me qëllimin e vetëm që ky formular të plotësohet sa më saktë. Pra, ndonëse jo të gjithë do të kenë mundësinë të bëjnë një zgjedhje të drejtë, është detyrë kryesore e mësuesit që t’i ndihmojë kandidatët për në universitet, të bëjnë një zgjedhje të drejtë të programeve. Në një takim të zhvilluar në Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës, u propozua një projekt ambicioz për të shtrirë internetin Wireless për një shifër në më shumë se 500 banorë në të gjitha shkollat. Interneti Wireless krijon mundësi shumë më të mira. Po sigurohen të gjitha pajisjet që duhen, ndërsa ne po sigurojmë ambientet e nevojshme. Është rënë dakord me të gjitha Drejtoritë Arsimore të mbarojnë sa më shpjet këtë situatë. Ata kanë përgatitur një hartë, që edhe mund të korrektohet, por që përcakton se si janë mundësitë që gjithkush qoftë edhe me një laptop të vogël ta plotësojë sa më shpejt atë. Perimetri i shtrirjes së linjës do të jetë edhe më i gjatë, pra nuk do të jetë vetëm brenda për brenda shkollës, por do t’i shërbejë komunitetit, duke krijuar kështu një lidhje komunitet-shkollë, nëpërmjet asaj që ne kërkojmë të arrijmë në moshën dixhitale. Nëpërmjet këtij projekti, arrijmë që edhe nga shtëpia më e afërt që ka shkolla, maturanti të plotësojë formularin A2 në prani edhe të prindërve të tij. Me të drejtë, është përcaktuar se është më mirë që instaluesit të vendosen në shkolla se sa në një qendër kulturore apo komune, pasi mësuesit tanë e njohin teknologjinë e informacionit dhe komunikimit dhe janë trajnuar që të jenë në shërbim të nxënësit.

- Si veprohet në rast se bëhen pasaktësi gjatë plotësimit? Si mund të bëhet përzgjedhja e programeve të studimit?

Në rast të çdo pasaktësie, ju e dini që ka një proces që quhet procesi i pasaktësive. Ne kemi mundësinë ta provojmë një herë plotësimin në version elektronik, pasi do të jetë më komod. Meraku ynë nuk është plotësimi në versionin elektronik, meraku ynë është plotësimi i tij sa më mirë. Në fakt, cili mund të quhet plotësim sa më i mirë? Ndodh që ti e ke shumë të vështirë të marrësh Financën, por të duket i paarritshëm Juridiku dhe mendon se duke vendosur Juridikun të parin dhe Financën të dytën, ke mundësi të fitosh Financën dhe pastaj Juridikun. Dhe, në fakt, këtu bie në kundërshtim me dëshirat e tua. Kështu, dua të them se ne do të bashkojmë të gjitha të dhënat që ata kanë vënë në formularin A1 dhe në bazë të atyre lëndëve, mund themi që ky ose ai kandidat ka mundësitë më të mira këtu. Për më tepër, mund të themi se kur plotësojmë Formularin A2, ne kemi pikët dhe kur kemi pikët, hesapet bëhen shumë më mirë. Ne kemi bindjen se 42 mijë maturantë e kanë mundësinë ta plotësojnë këtë formular online. Ne jemi në një proces të tillë që do të mund ta bëjë drejtpërdrejt AKP-ja apo do të ishte më mirë që këtë ta bënim nëpër Drejtoritë Arsimore. Formulat mund t’i gjejmë, e rëndësishme është që këtë proces të mos e bëjnë të frikshëm, pasi maturantët kanë një mundësi ideale për ta plotësuar siç duhet këtë formular. Ata mund ta plotësojnë edhe manualisht formularin, që do të thotë se e marrin atë të shkarkuar dhe vazhdojnë ta plotësojnë. Në të njëjtën kohë, stërviten me veten për të dhënat e këtij formulari, duke e bërë më të lehtë plotësimin e mëtejshëm në versionin elektronik.

- Çfarë do të thotë ta plotësosh siç duhet Formularin A2?

Maturantët do të kenë një derë të hapur si me përfaqësuesit e Ministrisë së Arsimit dhe me ata të Drejtorisë Arsimore për çdo paqartësi që mund të kenë. Ata, si fillim, duhet ta shkarkojnë formularin, ta plotësojnë dhe ta shikojnë, ta konsultojnë me të gjithë aktorët e mundshëm që ata besojnë. Në mungesë të besimit nga ana e prindërit dhe duke i besuar një mësuesi kujdestar që e njeh maturantin, do ta plotësonin siç duhet atë. Çfarë do të thotë të plotësojmë siç duhet një formular? Do të thotë të mos e plotësojnë atë sipas dëshirave që mund të ketë shoqëria ose klasa, sepse tani secili duhet të masë aftësitë e veta intelektuale, sepse nga plotësimi i këtij formulari varet i gjithë suksesi i tyre. Nëse formulari A1 dhe A1 Z kishte një mundësi për ta përsëritur dhe për të plotësuar një tjetër, formulari A2 nuk e ka këtë mundësi, jo se ia ndalojmë ne, por duke e plotësuar në version elektronik dhe duke pasur kohë prej një jave, presupozohet që ai e di se ku do të shkojë.

 

 

Vendimi për transferim, pedagogët e Anglishtes, apel ambasadave

Pedagogët e Fakultetit të Gjuhëve të Huaja i janë drejtuar Ambasadës Amerikane dhe asaj Britanike, për ndihmë, për anulimin e vendimit të Këshillit të Administrimit të Universitetit të Tiranës, i cili me kërkesë të dekanëve dhe me propozim të rektorit Dhori Kule, ka vendosur transferimin e 28 pedagogëve të këtij fakulteti drejt fakulteteve të tjera. Pedagogët e Anglishtes e konsiderojnë shokues një vendim të tillë, me pasoja për karrierën e tyre akademike. “Për ne është një ulje, për sa i përket anës profesionale, ndërkohë që pjesa më e madhe e jona ka Doktoratura në fusha specifike, siç është gjuhësia apo letërsia. Ne do të kthehemi në një fushë akoma edhe më specifike, siç është dhënia e gjuhës angleze për qëllime specifike. Për këtë arsye, ndihemi edhe më shumë të indinjuar, pasi kemi vite të tëra përkushtimi dhe pune dhe nuk po na merren parasysh”,- deklaroi pedagogia Daniela Hasa. Drejtuesit e Fakultetit të Gjuhëve të Huaja i kanë kërkuar Ministrisë së Arsimit anulimin e vendimit të marrë me propozimin e rektorit Dhori Kule, i cili rrezikon vitin akademik qënisnë tetor në këtë fakultet.

  OSMAN DEDJA

 

 

 

 

 

Komentet janë të mbyllura

Foto Lajme

Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i përmbajtjes së këtij portali © 2013 Gazeta Republika | Designed by Keminet | Log in
Close
Ndiqni Gazeta Republika në Facebook
Informohuni mbi ngjarjet kryesore të ditës duke na ndjekur në Facebook.