Ish-ushtarakët, si kryhet llogaritja e pensioneve

Publikuar më: 17/07/2012 8:34

EKSKLUZIVE/ISSH: Fondet për pensione janë në dispozicion, aplikantët të sjellin dokumentet e përfitimit

Kategoritë që përfitojnë pensionin e parakohshëm dhe kriteret për t’u përfshirë në skemë. Afati kur nis shpërndarja e pensionit dhe rregullat për t’u trajtuar me pension suplementar

Instituti i Sigurimeve Shoqërore publikon procedurën e përfitimit të pensioneve të parakohshme dhe suplementare për kategorinë e ish-ushtarakëve. Kështu, specialistët konfirmojnë se Instituti i Sigurimeve Shoqërore (ISSH) i disponon fondet për t’u lidhur pension ish-ushtarakëve dhe ish-policëve, që rillogarisin pagesën mujore. Nga ana e tyre, kërkohet vetëm paraqitja e dokumentacionit të kërkuar për lidhjen e pensionit. Sipas ekspertëve të Sigurimeve Shoqërore,  mbështetur në nenin 13 të ligjit nr. 10142, datë 15.05.2009, “Për sigurimin shoqëror suplementar të ushtarakëve të Forcave të Armatosura, të punonjësve të Policisë së Shtetit, të Gardës së Republikës, të Shërbimit Informativ të Shtetit, të Policisë së Burgjeve, të Policisë së Mbrojtjes nga Zjarri dhe të Shpëtimit e të punonjësve të Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar, kushtet për të përfituar pension të parakohshëm për vjetërsi shërbimi janë kur ushtarakët e punësuar në pozicionet e mësipërme, pavarësisht nga koha e daljes në rezervë/lirim, deri në plotësimin e moshës për pension të plotë pleqërie, sipas ligjit nr. 7703, datë 11.5.1993 “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, fiton të drejtën e pensionit të parakohshëm, kur:

- Plotëson vjetërsinë në shërbim, 12 vjet për femrat dhe 15 vjet për meshkujt;

- Ka mbushur moshën 42 vjeç femrat dhe 47 vjeç meshkujt.

Në rastet kur karriera është ndërprerë, për shkak se ushtaraku:

a) Ka kryer vepra penale ose shkelje, që dënohen me masën disiplinore përjashtim nga Forcat e Armatosura, nga Policia e Shtetit, Garda e Republikës, SHISH-i, Policia e Burgjeve;

b) Është larguar me kërkesën e vet për të filluar një veprimtari tjetër ekonomike ose për t’u punësuar në një sektor tjetër;

c) Është dërguar me një detyrë shtetërore më të lartë ose paralele, me pagë mujore jo më të vogël se paga që merrnin.

Më tej përfaqësuesit e ISSH-së konfirmojnë se drejta për pension të parakohshëm për vjetërsi shërbimi, (nëse plotësohen kushtet e përcaktuara për këtë përfitim), fillon pas 24 muajve.

Si llogaritet shuma e këtij pensioni

Pensioni i parakohshëm, për personat që plotësojnë  kushtet e përfitimit, është 1.5 për qind e pagës mesatare referuese mujore neto, për çdo vit shërbimi. Në çdo rast, masa pensionit të parakohshëm nuk mund të jetë më e ulët se pensioni bazë, i përcaktuar nga Këshilli i Ministrave, në përputhje me ligjin nr. 7703, datë 11.5.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar. Sipas nenit 23 të ligjit të sipërcituar, periudha e trajtimit me pension të parakohshëm për vjetërsi shërbimi njihet si periudhë sigurimi, për efekt përfitimi pensioni pleqërie, invaliditeti e familjar, sipas ligjit nr. 7703, datë 11.5.1993 “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar. Kontributi për këto periudha përballohet nga Buxheti i Shtetit dhe derdhet në bazë të pagës referuese, sipas së cilës është llogaritur përfitimi mujor, e indeksuar çdo vit me koeficientet e indeksimit të bazës së vlerësuar, por, në çdo rast, brenda kufijve të pagës minimale dhe maksimale, të caktuar nga Këshilli i Ministrave, për efekt të pagesës së kontributeve të detyrueshme. Në rastet kur përfituesi i pensionit të parakohshëm për vjetërsi shërbimi punësohet, kontributi nga Buxheti i Shtetit derdhet në nivelin minimal.

Kriteret për të përfituar pension suplementar

Ushtaraku i Forcave të Armatosura, punonjësi i Policisë së Shtetit, i Gardës së Republikës, të  SHISH-it, i Policisë së Burgjeve, i Policisë së  Mbrojtjes nga Zjarri dhe të Shpëtimit dhe punonjësi i Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm, që përfiton pension pleqërie, sipas ligjeve nr. 4171, datë 13.9.1966 “Për sigurimet shoqërore në Republikën Popullore të Shqipërisë” dhe nr. 7703, datë 11.5.1993 “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, gëzon të drejtën e një pensioni suplementar pleqërie, i cili llogaritet me 1 për qind të pagës mesatare referuese neto mujore për çdo vit shërbimi, por jo më shumë se 50 për qind e pensionit të pleqërisë, që përfituesi gëzon në çastin e lindjes së të drejtës për pensionin suplementar.

OSMAN DEDJA

 

Komentet janë të mbyllura

Foto Lajme

Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i përmbajtjes së këtij portali © 2013 Gazeta Republika | Designed by Keminet | Log in
Close
Ndiqni Gazeta Republika në Facebook
Informohuni mbi ngjarjet kryesore të ditës duke na ndjekur në Facebook.