Konkursi i Arkitekturës, procedura e përzgjedhjes së studentëve

Publikuar më: 05/07/2012 6:53

Detaje për zhvillimin e konkursit të Arkitekturës, kur pritet të zhvillohet provimi. Shkolla e Doktoraturës, kuotat për çdo degë. Bashkëpunimi i Fakultetit të Inxhinierisë së Ndërtimit, me bashkinë e Tiranës, për Planin Rregullues të Tiranës

Në fillim të muajit shtator, pritet të zhvillohet konkursi për degën e Arkitekturës, pranë Fakultetit të Inxhinierisë së Ndërtimit. “Për sa i takon konkursit në degën e Arkitekturës, mund të them se kjo procedurë është një proces i konsoliduar për fakultetin tonë. Vitin e kaluar, ne patëm një ndryshim, për sa u takon kuotave dhe pranimeve. Kjo, pasi ne, për herë të parë, ndamë kuotat në Arkitekturë dhe Urbanistikë, që në momentin e konkursit, duke përcaktuar të saktë numrin e atyre studentëve që do të pranoheshin, të ndarë sipas këtyre profileve. Sa i takon këtij viti, ne do të qëndrojmë në të njëjtën mënyrë organizmi. Kërkesat e konkursit do të jenë po ato që kanë qenë dhe vitin e kaluar, në raport me përqindjen që ekziston midis vlerësimit në Maturën Shtetërore dhe pikëve të konkursit. Pra, në këtë rast, konkursi ka 60 për qind të vlerësimit dhe 40 për qind i kanë rezultatet në Maturën Shtetërore”. Kështu shprehet për “Republikën” Andrea Maliqari, Dekan i Fakultetit të Inxhinierisë së Ndërtimit. Ai bën me dije dhe detajet për shkollën e Doktoraturës, përkatësisht me kuotat për secilën degë.

- Cili ka qenë propozimi i fakultetit tuaj në lidhje me kuotat e studimit për çdo degë?

Propozimet tona kanë qenë gati-gati të njëjta me ato të vitit të kaluar. Sigurisht që përcaktimi i kuotave nuk është kompetencë e fakultetit, por ato përcaktohen nga Këshilli i Ministrave, në bazë të politikave që ka shteti në lidhje me hapësirat që ofrohen. Megjithatë, duhet thënë se kapacitetet tona do të qëndrojnë në ato që janë, por mund të pranojmë dhe shtesa të reja, në raport me kërkesat që do të ofrohen. Rritja e kuotave do të ndikojë dhe në marrjen e masave për kualitet, ndaj ne duhet të marrim masa për shtimin e pedagogëve. Por kjo është njëra anë që kërkohet të merret nga stafi ynë dhe ne u kemi kërkuar të gjitha departamenteve që drejtojnë programet e studimit, që të dorëzojnë të gjitha kërkesat në raport me stafet akademike efektive që do të marrin pjesë në vitin shkollor qënisnë shtator. Kjo bëhet për mos t’u ndodhur në situata të vështira në fillimin e këtij viti akademik. Sipas informacioneve që kam, kuotat për këtë vit do të shtohen në një masë mbi 10 për qind, megjithatë, u referohem propozimeve tona.

- Zoti Maliqari, cilat janë disa nga risitë që vijnë për këtë vit të ri akademik në fakultetin tuaj?

Për vitin e ri akademik që pritet të nisë në muajin tetor, studentët do të kenë mundësi të zhvillojnë mësim pranë godinës së re, të bashkangjitur asaj ekzistuese. Tashmë, ambientet e Fakultetit të Inxhinierisë së Ndërtimit përmirësohen ndjeshëm, në raport me kushtet në të cilat zhvillohet mësimi. Po e bëj këtë parantezë për vetë faktin se çdo vit fakulteti ynë ka pësuar një rritje shumë të madhe, ku në vitin 90-95 kapte shifrat e 800 studentëve, në 4123 aktualisht. Kjo do të thotë që kapacitetet janë rritur ndjeshëm, ndërkohë që ambientet kanë qenë po ato. Shtimi dyfish i kapaciteteve të ambienteve kanë krijuar mundësinë që të rritet ndjeshëm komoditeti në mësimdhënie dhe mbi këtë bazë të shikohen dhe mundësi, nëse ekzistojnë në lidhje me rritjen e numrit të studentëve.

-   Ç’mund të na thoni në lidhje me konkursin e degës së Arkitekturës, cila është procedura që do të ndiqet?

Për sa i takon konkursit në degën e Arkitekturës, mund të them se kjo procedurë është një proces i konsoliduar për fakultetin tonë. Vitin e kaluar ne patëm një ndryshim, për sa u takon kuotave dhe pranimeve. Kjo, pasi ne, për herë të parë, ndamë kuotat në Arkitekturë dhe Urbanistikë, që në momentin e konkursit, duke përcaktuar të saktë numrin e atyre studentëve që do të pranoheshin të ndarë, sipas këtyre profileve. Sa i takon këtij viti, ne do të qëndrojmë në të njëjtën mënyrë organizmi. Kërkesat e konkursit do të jenë po ato që kanë qenë dhe vitin e kaluar, në raport me përqindjen që ekziston midis vlerësimit në Maturën Shtetërore dhe pikëve të konkursit. Pra, në këtë rast, konkursi ka 60 për qind të vlerësimit dhe 40 për qind i kanë rezultatet në Maturën Shtetërore. Tematikat dhe problematikat janë shpërndarë tashmë pranë rektoratit dhe Ministrisë së Arsimit për ato çka konkurrentët do të përgatisin. Ndërsa për sa i takon formës së konkursit do të mbetet sekret deri në momentin hapjes së tezave. Ne do t’i qëndrojmë përsëri besnikë metodës së vjetër për zhvillimin e konkursit në tri seanca të organizuara. Sigurisht që ky ngelet një konkurs shumë i vështirë dhe i lodhshëm. Ne si staf kemi përcaktuar se në fillim të muajit shtator (kjo për vetë faktin se provimet me zgjedhje dhe e gjithë hallka për përfundimin e Maturës Shtetërore përfundojnë fund të korrikut) do të zhvillojmë konkursin e Arkitekturës.

- Ky vit akademik për fakultetin tuaj do nisë me Mastera të rinj?

Ne, që vitin e kaluar, kemi ofruar Master Profesional për disa degë – kjo ka qenë pjesë e risisë. Ajo çka ne kemi arritur të bëjmë sivjet dhe do të vazhdojë dhe për vitet e ardhshme është krijimi i marrëveshjeve që kemi krijuar me universitetet e huaja. Zhvillimi cilësor i fakultetit nuk mund të kuptohet pa një mbështetje dhe bashkëpunim me universitetet homologe. Aktualisht, ne kemi ndërtuar marrëdhënie shumë të mira me universitetet franceze dhe italiane dhe për këtë vit jemi lidhur dhe me një universitet zviceran, me të cilin do të konkretizojmë një marrëveshje bilaterale bashkëpunimi. Kemi nisur me një projekt të përbashkët me 60 student zviceran dhe 24 studentë shqiptarë për parkun e Orikumit, për vlerësimin nga pikëpamja ambientale dhe urbanistike, e cila u prezantua para një jave në Gjenevë. Tashmë, ne kemi konsoliduar një marrëveshje me Universitetin Francez, me të cilin kemi rreth 2 vjet që kemi ndërtuar plane reale.

- Po në lidhje me shkollën e Doktoraturës ç’mund të na thoni? Sa do të jenë kuotat e pranimit?

Një ndër ambiciet tona është dhe kualifikimi i stafit akademik me anë të ndërtimit të shkollës së Doktoraturës. Ne kemi filluar vitin e kaluar për herë të parë me shkollën e Doktoraturës, por me studimet e thelluara teorike dhe është risi që për herë të parë kemi ndërtuar një shkollë me pjesëmarrjen e profesorëve të huaj dhe vendas. Aktualisht, në shkollën e Doktoraturës për degën e Arkitekturës japin mësim rreth 12 profesorë francezë dhe italianë, të cilët drejtojnë këtë shkollë dhe në muajin tetor mbyllen Studimet e Thelluara Teorike. E njëjta gjë ndodh dhe për shkollën e Doktoraturës së Inxhinierisë së Ndërtimit, Hidroteknikës dhe Mjedisit, të cilat kanë nisur studimet dhe do të mbështeten nga profesor të huaj, por dhe vendas. Kuotat për shkollën e Doktoraturës janë të përcaktuara. Vendimi i Këshillit të Ministrave ka përcaktuar se në shkollën e Doktoraturës maksimumi mund të jenë 12 kuota për çdo degë për studentët vendas, 2 për kandidatët nga trojet. Ndaj ne kemi 3 shkolla Doktorature dhe për secilën nga këto degë kemi nga 12 kuota + 2. Sigurisht që zhvillimi për herë të parë i studimeve teorike na ka bërë që ne të rrisim numrin e kuotave, pasi ishte një rast i veçantë që të ftonim një grup profesorësh nga jashtë dhe muaji tetor do të jetë muaji i analizës të studimeve për ti dhënë një zgjidhje definitive dhe të mirorganizuar shkollën e Doktoraturës.

- Kohët e fundit, fakulteti juaj ka pasur takime me kreun e bashkisë së Tiranës, si i shihni këto bashkëpunime?

Një nga risitë e këtij viti është dhe bashkëpunimi me bashkinë e Tiranës pasi ne bëmë të mundur të integrojmë mjaft mirë dy komponentë. Së pari; Shkolla është një institucion i cili përgatit kuadro, por kur kjo mësimdhënie orientohet drejt problematikave konkrete dhe kur vihet në shërbim të komunitetit, shkalla e përfitimit është e dyfishtë. Mund të them që këtë vit kjo gjë është arritur më së miri. Në muajin tetor ne arritëm të fillojmë të marrim përsipër që të gjitha atelietë tona të arkitekturës drejt problematikave që kishte bashkia e Tiranës. Puna e studentëve dhe pedagogëve u bën imponuese dhe mjaft përfituese në raport me bashkinë. Ne kemi pasur disa nivele bashkëpunimi me bashkinë e Tiranës, siç ishte ai i pjesëmarrjes së pedagogëve në Grupin Strategjik dhe atë teknik për Planin Rregullues të Tiranës, por dhe në organizimin e atelieve që drejtoheshin në kuadrin e mësimdhëniesh. Rezultati që doli dhe nga një fotoekspozitë pak ditë më parë tregon se ne si fakultet kemi kapacitete dhe ky është ambienti më i mirë për këtë iniciativa.

 Edlira MEMA

 

 

 

Komentet janë të mbyllura

Foto Lajme

Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i përmbajtjes së këtij portali © 2013 Gazeta Republika | Designed by Keminet | Log in
Close
Ndiqni Gazeta Republika në Facebook
Informohuni mbi ngjarjet kryesore të ditës duke na ndjekur në Facebook.