Në Patra, me rilindësit dhe mes rilindësve të kohës sonë…

Publikuar më: 12/07/2012 9:47

Meditime…

Keq, shumë keq, që në seminar nuk erdhi askush nga Tirana, as nga Ministria e Arsimit, as nga Instituti i diasporës.
Nuk erdhën fizikisht, por as dërguan me të paktën një e-mail përshëndetjeje nga ministri apo qoftë edhe një telefonatë

E pata jetuar paksa kalimthi këtë çast. E kisha ngurtësuar në faqet e gazetës “Emigranti” nën titullin “Tri ditë me mësuesit e shqipes në emigracion” dhe nëntitull “Meditime dhe mbresa të një gazetari emigrant”.
Asokohe shkruaja …
“E shtunë 21 korrik 2007. Pranë meje, në autobusin ndërkombëtar Athinë-Tiranë ulet një grua. Nuk e njihja dhe kuptohet nuk më njihte. Ndjeva lodhje në fytyrën e saj, lodhje nga puna, nga hallet e jetës, halle që i gjen dhe i ndjen vetëm tek emigrantët, veçanërisht tek gratë, nga ajo pjesë e shoqërisë që, siç thotë një fjalë e urtë, janë “shpinë këputura e punë pa dukura”.
Kur autobusi u nis dhe pa njerëzit në ndenjëset e para u çel në fytyrë, dhe si të kishte gjetur një gjë të çmueshme, tha me zë të lartë: “Sa e kisha ëndërruar këtë ditë.”
Atë ditë, bashkë me mua, në autobus bëheshim pesë mësues që udhëtonim drejt Durrësit për t’u bërë pjesë e armatës së madhe të mësuesve të mësimit plotësues të gjuhës shqipe në diasporë.
… Sot, drejt Patrës, për të marrë pjesë dhe për të thënë fjalën tonë ngjizur në mësimin e gjuhës shqipe në Greqi, në seminarin e Pestë me temë “Mësimdhënia e Gjuhës Shqipe në Greqi” jemi një autobus i tërë, mësuese të përkushtuara si askush për mësimin e gjuhës shqipe, mësues me të njëjtën dëshirë dhe mall. Tashmë, jemi një armatë e tërë qejflinjsh të pandreqshëm të gjuhës shqipe, njerëzish që po tu presësh damarët gjaku fjalë dhe germa shqipe rrjedh. Kanë ardhur nga skaji verior i shqipes- Selaniku, nga ujdhesat-Tinosi dhe Salamina, nga Athina, Korinthi. Shumica njihen me njeri tjetrin, i kanë bashkuar katër seminaret – Athinë-Selanik-Korint-Athinë, seminare në Greqi, por edhe në Shqipëri, Strugë e Kosovë. Paksa të ndrojtur, si ajo mësuesja e “21 korrikut 2007” janë dy mësuesit e Salaminës dhe mësuesja e Tinosit. Shpejt edhe ata i lënë karriget e fillimit për t’u bashkuar e kuvenduar me njeri tjetrin.
Afro tri orë udhëtimi nga Athina në Patra do të mjaftonin jo vetëm për t’u njohur, por edhe për të diskutuar për probleme të ndryshme, për pyetje e përgjigje, për këngë.
Në Patra na priti organizatori i seminarit zoti Iliaz Bobaj, mësues, poet, shkrimtar, përkthyes, publicist. Na pritën mësueset e Patrës, prindërit dhe fëmijët, autoritetet e vendit.
Nuk kam ndërmend të bëj kronikën e seminarit. Le ta bëjë zëdhënësi i Lidhjes së Mësuesve Shqiptarë në Greqi. Por, si pjesëmarrës në të pesë seminaret e organizuara për mësimin plotësues të gjuhës shqipe në Greqi dua të them se seminari i Patras ishte më i miri. Jo thjesht nga ana organizative, meritë e Iliaz Bobajt dhe e mësuesve të shkollës, tashmë me përvojë trevjeçare të këtij qyteti, i treti për nga popullsia në Greqi, por për cilësinë e tij.
Seminari i mësuesve shqiptarë në Patra organizuar nga Lidhja e Mësuesve Shqiptarë në Greqi me kryetar z. Lorenc Koka hapi një dritare të re ku hyri era e diskutimeve profesionale për orën e mësimit, të shkëmbimit të mendimeve drejtpërdrejt, pas çdo diskutimi, të shtrirjes së gjuhës shqipe, tashmë në rrugë e metoda shkencore.
Keq, shumë keq, që këto debate profesionale, nuk i dëgjoi e dërguara e ambasadorit, e cila u mjaftua vetëm me praninë e saj në hapje të seminarit, në përshëndetjet “nga jashtë”, përshëndeti edhe ajo. “Pse iku, tha një mësuese. Ajo duhet të qëndronte dhe të dëgjonte fjalën tonë, hallet tona.”
Keq, shumë, keq që në seminar nuk erdhi askush nga Tirana, as nga Ministria e Arsimit, as nga Instituti i diasporës. Nuk erdhën fizikisht por as dërguan më të paktën një e-mail përshëndetje nga ministri apo qoftë edhe një telefonatë.
Mësimi i gjuhës shqipe në Greqi edhe këtë vit mbeti jashtë vëmendjes së shtetit shqiptar, i harruar në mënyrën më monstruoze.
Po i lë mënjanë në vetminë e vet …
Po përcjell meditimin tim kur ata, mësuesit, rilindësit e rinj të kohës sonë, më krijuan mundësinë të flas për ta dhe për vete nëpërmjet pesë librave të mi, libra ku ata janë heronj të gjallë, njerëz që i dua.

***

E ndjej veten të nderuar që mu dha mundësia të them dy fjalë për ju dhe për vete.
Në marrëdhëniet, tashmë katërmbëdhjetëvjeçare me gjuhën e bukur shqipe, ju kam incizuar, ju kam fotografuar, kam shkruar për ju, për nismën tuaj për tu mësuar fëmijëve të shkruajnë e lexojnë shqip. Kam qenë si të them pas okularit kur ju kam fotografuar, në fund të radhëve kur kam shkruar.
Më 4 gusht, jam i ftuar nga Ministria e Emigracionit e Kosovës për të paraqitur të pesë librat e mi të serisë “Njerëz që i dua” me mëse 2000 faqe ku në më se gjysmën e tyre jeni ju, është misioni juaj i madh për mësimin e Gjuhës Shqipe në emigracionin shqiptar në Greqi. Dy libra: “Rilindësit e kohës sonë” dhe “Shkolla shqiptare e Athinës – rilindësit e kohës sonë 2” përbëjnë historinë tuaj, përpjekjet Tuaja për mësimin e gjuhës shqipe në Greqi. Por jo vetëm ata, edhe shkrimet tuaja.
Në mars të vitit 1998, vit kur mërgata shqiptare u legalizua, pesë mësues trokitën në dyert e ambasadës sonë dhe i kërkuan Ambasadorit legalizimin e gjuhës shqipe në Greqi, të drejtën njerëzore që fëmijët e emigrantëve ta mësojnë me shkrim e me gojë gjuhën e nënës.
Më 7 mars 1998 këta, “të pestët” në një letër dërguar organeve më të larta të shtetit dhe pushtetit shqiptar shkruanin:
“Sot, më 7 mars 1998, në Athinë, në kuadrin e hapjes së shkollës së parë shqipe, një grup arsimtarësh me përvojë të gjatë në arsim, njerëz të dashuruar pas profesionit të mësuesit, emigrantë me banim në Athinë, formuan GRUPIN NISMËTAR TË MËSUESVE për t’u mësuar fëmijëve të emigrantëve të shkruajnë e lexojnë në gjuhën e bukur shqipe, në gjuhën e nënës”
Letra e tyre përfundonte …
“Ne besojmë se Kryeministri dhe Presidenti i Republikës së Shqipërisë, të cilët kanë qenë vetë pedagogë, do të ndihmojnë për këtë dhe do të përdorin autoritetin e tyre që fëmijët e emigrantëve të mësojnë gjuhën shqipe dhe të integrohen në jetën shqiptare si të barabartë me bashkëmoshatarët e tyre”
Nismëtar ishin Jovan Mëhilli, Evanthi Loli, Natasha Ashiku, Bukurie Kodra dhe Thanas Mica.
Më 7 mars të vitit 2001, Selaniku bën hapin e madh, i mblodhi fëmijët në klasë dhe nisi tu mësojë germën e parë të Gjuhës Shqipe. Mësuesja e parë, Mimoza Dako- Bejkollari, në një intervistë në seminarin mbarëkombëtar në Durrës më deklaronte: “Morëm shkas nga Festa e Mësuesit, festë në të cilën morën pjesë mbi 50 mësues që banonin në Selanik, por që nuk e ushtronin tashmë profesionin e tyre. Erdhën shumë të emocionuar, shprehën entuziazmin, kënaqësinë për të dhënë mësim, për të ndihmuar…”
Mësues të parë, në ditën e parë të shkollës shqipe, në Selanik ishin Mimoza Dako-Bejkollari dhe Dashmir Zaçe.
Në prill të vitit 2003, kam bërë një vizitë në shkollën e Gravas në Athinë, ku mori shkas reportazhi “Abetarja çel lule në Grava të Athinës – Mësuese Denada dhe të 65 nxënësit e saj”, botuar në gazetën “Rilindja XXI”, më 12 prill 2003. Shpresoj që mësuesit e kanë lexuar shkrimin tim “Gjyqi i Gjuhës Shqipe në Athinë” botuar në janar 2010 dhe ribotuar disa herë, gjyq përpara të cilit, më 22 janar 2010 u vunë drejtoresha e shkollës Stela Protonotario dhe mësuesja Denada Karkallo. I pranishëm në këmbë tetë orë pa ndërprerë në sallën e gjyqit pashë, ndjeva, u ngazëllova kur gjuha shqipe fitoi. Drejtoreshën greke dhe mësuesen shqiptare e mbrojti opinioni përparimtar grek dhe botëror, erdhi dhe e mbrojti vetë Avokati i Popullit grek. Ato u shpallën të pafajshme.
“Duam që nisma jonë, më tha më 8 prill 2003, drejtoresha Protonotario, të mos ndalojë këtu por të shkojë edhe në shkollat tjera në Athinë dhe në të gjithë Greqinë. Fëmijët duhet të mësojnë të flasin, të shkruajnë dhe lexojnë në gjuhën e nënës.”
Ndjehem kokulur që kjo mësuese greke me zemër të madhe dhe mësuesja shqiptare nuk janë vlerësuar nga komuniteti shqiptar në Greqi, nga Ambasada Shqiptare në Athinë, nga Presidenti i Republikës. E çfarë duhet të bëjnë më shumë njerëzit që shteti dhe shoqëria tu lirojmë kryet e vendit, që të vlerësohen qoftë edhe me një dekoratë simbolike?
Këtë e them për këto dy gra me GERMA KAPITALE, siç i cilësoi ministrja greke e Arsimit dhe Besimeve zonja Dhiamantopulo, por këtë e them për të gjithë Ju, mësues në ditën e parë dhe në ditët e tjera, mësues që punoni pa pagesë, me shpirt rilindësi.
Dritëro Agolli, në një bisedë me të për mësuesit në Greqi më tha: “Këtë anë rilindëse të emigrantëve të hershëm e kanë shfrytëzuar apo e kanë përvetësuar emigrantët e sotshëm, duke vazhduar kohën e Rilindësve që të punojnë për mëmëdhenë.”
Pikërisht këtë “anë rilindëse” tuajën unë e kam shfrytëzuar në pesë librat e mi, këtë vlerë të madhe do ta mbledh e derdh me dashuri në libra të tjerë publicistikë.
Këtë vlerë tuajën do ta çoj në Kosovë me mesazhin se ju po bëni të pamundurën për gjuhën shqipe në Greqi. Rilindësit nuk e mendonin se vite e shekuj pas tyre njerëzit do t’u vinin këtë emër të madh. Ata punonin me shpirt, punonin larg mëmëdheut, punonin me dashuri dhe përkushtim. Vështruar në kohë e hapësirë unë nuk shoh ndonjë ndryshim.
Nuk e vazhdova vargun tuaj të gjatë dhe në zgjatim ditë për ditë (këtë e pashë dhe vazhdoj ta përcjell në shtyp dhe internet në Tinos dhe Siros në fund të majit 2012), vargun që hedh vallen e Gjuhës Shqipe në Emigracion do ta vazhdoj sa të jem në këmbë.
Shpresoj që më në fund, pas katërmbëdhjetë vjetësh, shteti dhe pushteti në Shqipëri do t’i hapë sytë, do t’i ngrejë veshët, do të bëj një ligj për Gjuhën Shqipe në Emigracion (i jam drejtuar për këtë, shoqëruar me dy librat e mi ku jeni ju me vlerat dhe përkushtimin tuaj edhe Avokatit të Popullit Shqiptar), ligj që rrjedh nga Kushtetuta. Mjaft më me “abetare” si të jemi lypës. Është koha e gjuhës shqipe në emigracion, o sot ose kurrë ndryshe shpejt do të bëhemi diasporë siç na quajnë.
U kam kërkuar organizatorëve të seminarit të Korçës që në program të fusë kumtimin tim me titull “Mjaft më me të shtuna komuniste”. Ju ftoj që edhe ju, pa lënë misionin tuaj të madh, të thoni me zë të lartë: “MJAFT MË ME TË SHTUNA KOMUNISTE”!
Nga kjo që jetova sot mes jush po mendoj që libri VI i serisë time “Njerëz që i dua” do të jetë përsëri për ju, përsëri për mësuesit, “Rilindësit e kohës sonë – 3.”
Unë jetova kënaqësinë të flas sot para jush. Shpresoj të më keni dëgjuar, shpresoj që të më lexoni. Adresa ime është kudo që mësohet shqip, me diktofon dhe fotoaparat në dorë.
Adresa e shkrimeve të mia është “PLUS GAZETA ATHINA”. Më gjeni në faqet e saj çdo numër. Ju ftoj të jeni të pranishëm në faqet e saj me përvojën tuaj pedagogjike, me veprimtaritë tuaja, me nxënësit tuaj. Është gazeta juaj, lexojeni dhe shkruani.

Abdurrahim Ashiku

 

 

 

Komentet janë të mbyllura

Foto Lajme

Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i përmbajtjes së këtij portali © 2013 Gazeta Republika | Designed by Keminet | Log in
Close
Ndiqni Gazeta Republika në Facebook
Informohuni mbi ngjarjet kryesore të ditës duke na ndjekur në Facebook.