Përsëri një letër të hapur Ambasadorit amerikan, Aleksandër Arvizu

Publikuar më: 04/07/2012 10:09

Djali i antifashistit të Çamërisë kërkon ndihmë për të shkuar në shtëpinë e tij, në Filat

I nderuar zoti Ambasador i SHBA-ve,

Me mirësjelljen qytetare si shqiptar i mirë, Ju përshëndes dhe Ju uroj mirësi në punën Tuaj fisnike. Para së gjithash, Ju them gëzuar festën Tuaj të madhe të 4 Korrikut për të gjithë Amerikën, por edhe për ne shqiptarët. Është hera e dytë që Ju shkruaj, me bindjen se në vëmendjen Tuaj do të bjerë edhe zëri im. Kam besim tek Ju.

Si djali i një ish të internuari në kampet e përqendrimit në Mat’hausen e Dakao të Gjermanisë gjatë Luftës II Botërore, që u kap si antifashist në Janinë, në mars 1944, e ndjej për detyrim t’Ju drejtohem Juve për t’Ju informuar dhe për t’Ju kërkuar ndihmë për një problem madhor për komunitetin çam, pjesë e të cilit jam edhe unë.

Ju keni kohë që jetoni mes shqiptarëve dhe mes halleve të tyre, duke dhënë mendime dhe duke bërë sugjerime, sepse Ju jeni një diplomat i madh i një shteti të madh, mik të shqiptarëve. Besoj se e keni përjetuar së fundi edhe manifestimin e madh të 23 qershorit në Manhatan të New York-ut, ku iu bë jehonë çështjes çame me pjesëmarrjen e rreth 10 mijë shqiptarëve dhe amerikanëve, ku ishte i pranishëm edhe Presidenti i PDIU-së, Tahir Muhedini. Po aq keni përjetuar manifestimin në varrezat e Kllogjerit dhe udhëtimin në Qafë-Botë, si një procesion proteste të drejtuar nga kryetari i PDIU-së, Shpëtim Idrizi, ndaj genocidit 68 vjet më parë, të realizuar nga bandat fashiste të Napoleon Zervës, të instrumentalizuara nga Athina zyrtare.

Pak histori

Kur im atë, Nuri Emin Zane, u kthye nga internimi nazist, (gusht 1945) në Greqi, bashkë me pesë shqiptarë nga Shqipëria, ai nuk u lejua në Janinë që të shkonte në vendbanimin e tij me pretekstin se “i kemi përzënë çamët në Shqipëri” se, sipas komandantit të korofillaqisë, ata u përzunë se ishin “bashkëpunëtorë me nazistët”. Im atë i përgjigjet se “unë jam antifashist dhe kam qenë i internuar në Gjermani”. Përgjigja që mori ishte: “Do të shkurtoj nga këmbët me këtë shpatë”, të cilën ai e mbante në brez. Im atë iu drejtua selisë së UNRRA-s, në Janinë, që e ndihmuan edhe me shoqërimin e kushëririt të tij, Haki Rushiti, (komandanti i Çetës Çamëria në Konispol, arratisur në SHBA, 1945) që të ndihmohej të shkonte në Shqipëri bashkë me vëllezërit e tij bashkëvuajtës.

Ju lutem i nderuar zotni Ambasador,

Ju e kuptoni se në çfarë situata u vu një antifashist nga një zyrtar grek që ishte gati të vriste edhe një antifashist për të zbatuar idenë e filozofisë greke për shfarosjen e shqiptarëve të Çamërisë. Kanë kaluar 68 vjet dhe që nga ajo kohë. Jo vetëm çamët e akuzuar pa të drejtë si “bashkëpunëtorë me nazistët”, por as im atë dhe familja e tij, as edhe ata ish të internuar të tjerë në kampet italiane dhe gjermane nga Çamëria, nuk lejohen më të shkelin tokën e Çamërisë, vetëm e vetëm se ka një politikë antishqiptare dhe veçanërisht antiçame nga strukturat zyrtare të shtetit grek.

Sa për informim

Në gusht 1944, pas atij 27 qershori 1944, Enver Hoxha, që ndodhej në Hotovë të Përmetit, në vend që të dërgonte një brigadë partizane për të mbrojtur vëllezërit e vet që po masakroheshin, ashtu siç bëri në Kosovë e Jugosllavi, urdhëroi mbylljen e kufirit, kohë në të cilën bandat e andartëve të Zervës vranë e therën gra e fëmijë, pleq e plaka, burra e gra, që ju i dini shumë mirë. Më pas, në vitin 1948, kur zhvillohej lufta civile në Greqi, Enver Hoxha urdhëroi që çamët t’i bashkoheshin PK Greke në malin Gramoz për të luftuar kundër Zervës. Por burrat e mençur çamë nuk pranuan se u thanë që nuk jemi grekë, por shqiptarë. Më 1949-ën, qindra çamë u internuan në kënetën në Maliq e Llozhan të Korçës, ku vdiqën me dhjetëra, si hakmarrje e filogrekëve brenda byrosë politike shqiptare. Më 1953, atë ditë kur shteti grek bëri amnistinë e luftës, në vend që qeveria shqiptare të organizonte kthimin e çamëve në shtëpitë e tyre, brenda natës u hoqi shtetësinë greke e u dha me dhunë shtetësinë shqiptare, që ata të mos kishin mundësinë që të ktheheshin. Deri në vitin 1961 e më pas, Enver Hoxha organizoi fushata antiçame, duke përndjekur, vrarë e burgosur, internuar dhe persekutuar mijëra çamë, vetëm e vetëm se ata nuk pranuan të ishin bashkëpunëtorë të ideve bastarde të antiamerikanit stalinist të Shqipërisë.

Edhe një fakt konkret

Më 11 shkurt 2005, Presidenti i Shqipërisë, Alfred Moisiu, e dekoron babanë tim me “Medaljen e Artë të Shqiponjës”, për kontributet si antifashist në Luftën II Botërore dhe për sakrificat e bëra në kampet e përqendrimit nazist. Ishte një çast solemn jo vetëm për mua si djali i një antifashisti shqiptar nga Filati i Çamërisë, por edhe për gjithë komunitetin çam, se ishte hera e parë që dekorohej një antifashist çam nga strukturat e shtetit shqiptar, që fliste hapur për një qëndrim realist ndaj atyre që ishin pjesëtarë të komunitetit çam dhe që u thuhej hapur qeveritarëve grekë se çamët nuk janë “bashkëpunëtorë me nazistët”. Më pas, ky President dekoroi edhe Hajri Fetahu në Vlorë, po si ish i internuar në Gjermani, ashtu siç presin nga Presidenti aktual të dekorohen edhe pjesëtarë të tjerë të komunitetit çam që kanë vuajtur në kampet e shfarosjes gjatë Luftës II Botërore.

Një lutje për Ju, i nderuar Ambasador,

Gjatë kësaj kohe që Ju jeni i atashuar si Ambasador i SHBA-ve, në Shqipëri, keni treguar aftësi diplomatike dhe shqiptarodashëse, po aq sa edhe një krenari amerikane për partneritetin që SHBA-të kanë me shtetin shqiptar që më bëjnë t’Ju them “Faleminderit vëlla!”.

Ndërkohë, do t’ju lutesha që të më ndihmonit në një vizitë që dëshiroj të bëj në shtëpinë e të parëve të mi, në Filat të Çamërisë, që të mund të kaloj në doganën e Qafë-Botës, si një shtetas shqiptar me pasaportë biometrike që kam shansin nga liberalizimi i vizave që të futem në vendet e BE-së, siç është edhe Greqia.

Këtë kërkesë e bëj për Ju, jo si një ftesë formale, por reale, se kam frikë që kur të shkoj në kufi, një korofillak grek më gris pasaportën, më fyen dhe detyrohem të bëj ndonjë veprim jashtë normave demokratike. Do të dëshiroja që këtë ftesë të sinqertë t’ia bëja përmes Jush edhe deputetëve të PDIU-së, Shpëtim Idrizi dhe Dashamir Tahiri, po aq sa edhe Presidentit të nderit të PDIU-së, Tahir Muhedini, që ashtu bashkë të vizitojmë Filatin, Pramithinë, Marglliçin, Gumenicën, Pargën e Prevezën. Është pak mundim, por do t’Ju lutesha dhe Jua kërkoj këtë në emër të dinjitetit njerëzor në një vend demokratik, në respekt të atij kontributi që shteti Juaj dhe miku ynë i madh ka dhënë për demokracinë edhe në Shqipëri, ashtu si edhe në Greqi, për respektimin e të drejtave njerëzore.

Greqia e bëri amnistinë, por shqiptarët e Çamërisë nuk u amnistuan. Greqia e bëri regjistrimin e pronave që përfshin edhe pronat e shqiptarëve pa dijeninë e tyre. Liberalizimi i vizave u krye, por çamët ndalohen në kufi, si qëndrime me dy standarde të një vendi europian, që aq shumë ka përfituar edhe nga SHBA-të, por që ka harruar çdo detyrim ndërkombëtar, sipas Konventave të miratuara edhe nga vetë Greqia.

Zoti Ambasador,

Ndjehem vërtet i trishtuar, sinqerisht, dhe ky është kulmi i kulmeve të padrejtësive që bën një shtet që vetëm emrin ka demokratik, se veprat e tij i ka antidemokratike dhe antinjerëzore. Ishte kjo arsyeja që vendosa që t’i shkruaj Juve përsëri, pasi nuk mora asnjë përgjigje nga letra e parë. Jam një qytetar që prejardhjen time e kam eskluzivisht nga Çamëria dhe që kam argumente për të shtruar para një diplomati që të shohë dhe të prononcohet në lidhje me një akt të paprecedentë të një shteti që në forma nga më absurdet është dhunues i të drejtave të njeriut.

Epilog

Më ndjeni për shqetësimin, por edhe Ju kërkoj të më tregoni rrugën që duhet të ndjek unë si qytetar shqiptar (si unë dhe mijëra qytetarë të tjerë shqiptarë të Çamërisë) që të gjej të drejtën dhe të më rikthehen të gjitha të drejtat njerëzore dhe shtetërore që më ka mohuar dhe vazhdon të më mohojë shteti grek, duke pasur parasysh që jam djali i një antifashisti (jo komunist), që padrejtësisht nuk u lejua të shkonte në shtëpinë e tij në Filat, jo se ishte bashkëpunëtor me nazifashizmin, por sepse ishte shqiptar dhe i padëshiruar.

Në praktikën e qëndrimeve që ka mbajtur shteti Juaj i respektuar ndaj padrejtësive, genocideve dhe terrorizmit, e gjej të udhës të di se cili do të jetë qëndrimi Juaj si përfaqësues i këtij shteti të se drejtës të gjej të vërtetën e moslejimit dhe mosrespektimit të lirive dhe të drejtave themelore të njeriut nga një shtet që më dhunon prej 68 vjetësh.

Ju jam mirënjohës për kohën që Ju vini në dispozicion për t’u informuar përmes kësaj letre për një çështje jetike dhe që i përket fokusit të qëndrimeve që shteti amerikan ka mbajtur në drejtim të qytetarëve dhe shteteve që aspirojnë për demokraci. Ndihma Juaj është një vlerë jo vetëm për mua personalisht dhe familjen time, por edhe për të gjithë komunitetin çam që ndodhet në Shqipëri, të cilëve u janë mohuar dhënia e të drejtave njerëzore, u janë mohuar rikthimi në vendlindjen dhe vendbanimin e tyre si dhe u janë mohuar të gjitha të drejtat shtetërore sipas kartave ndërkombëtare nga Greqia që gjithnjë pretendon për minoritetin e saj në Shqipëri. Ky minoritet as nuk është dhunuar (dhe jo më të bëhet fjalë për genocid), as nuk është dëbuar nga tokat që u kanë zaptuar vendasve shqiptarë dhe që u janë dhënë të gjitha të drejtat dhe liritë njerëzore në Shqipëri. Për këto fakte kam shkuar shumë, si gazetar, kam botuar edhe një libër “Kosovë dhe Çamëria, përmes dëshmive rrëqethëse” për genocidin greko-serb ndaj shqiptarëve në një shekull.

Me shpresën për mirëkuptimin dhe një përgjigje Tuaj, Ju shpreh mirënjohje të thellë.

Sinqerisht,

Hyqmet Zane

Elbasan, më 3 korrik 2012

 

Komentet janë të mbyllura

Foto Lajme

Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i përmbajtjes së këtij portali © 2013 Gazeta Republika | Designed by Keminet | Log in
Close
Ndiqni Gazeta Republika në Facebook
Informohuni mbi ngjarjet kryesore të ditës duke na ndjekur në Facebook.