Qytetet më të bukura në botë

Publikuar më: 28/07/2012 14:40

Pamjet janë vërtet mahnitëse në këto qendra globale. Rrugë të ngushta, një universitet i famshëm, parqe të kudondodhura, dhoma përfaqësimi parlamentar dhe gjykatat dominojnë në Kembrixh të Anglisë. Në veri të Londrës, ky qytet theksohet nga lumi Kem, si dhe nga ndërtesa të reja e të vjetra, të tilla si kisha historike “King’s College” dhe qendra moderne e Universitetit të Kembrixhit për Shkencat Matematikore.

Edhe qytete më të mëdha se ky janë, gjithashtu, mahnitëse. Tokio, vendi i ndërtesave 50-katëshe dhe vilave tradicionale është më i preferuari i Amanda Reynolds, anëtare e Grupit të Projektimit Urban të Mbretërisë së Bashkuar, një trupë bashkëpunëtorësh, arkitektësh dhe projektuesish urbanë. Por nuk është vetëm arkitektura që karakterizon bukurinë e Tokios. Ky qytet ofron një ndjesi strukture dhe rregulli ndërkohë që njerëzit i buzëqeshin dhe i përkulen njëri-tjetrit në shenjë nderimi.

Të dy këto qytete janë përfshirë në listën e Forbes të vendeve më të bukura në botë. Gjithashtu aty hyjnë dhe: Parisi, Vankuveri, Sidnej, Firence and Venecia.

Meqenëse bukuria është subjektive, Forbes intervistoi specialistë qytetesh nga një sërë fushash, përfshirë planifikues urbanë, arkitektë dhe ambientalistë. Të intervistuarit përfshijnë Reynolds dhe Michael Kaufman, arkitekt i një firme arkitekturale me bazë në çikago, të quajtur “Goettsch Partners”, si dhe Raymond Levitt, drejtor i programit të ndërtimit të inxhinierisë civile dhe ambientaliste në Universitetin Stanford, Tony McGuirk, një projektues urban, arkitekt dhe kryetar i BDP në Londër, J. Hugh O’Donnell e firmës së inxhinierisë urbane “MMM International” dhe Ken Drucker, drejtor i projektimit të firmës arkitekturale HOK në Nju Jork.

Qytetet e dritës

Parisi

Parisi ka fituar vazhdimisht admirim për bulevardet e tij të gjëra e të ravijëzuara me pemë, gjallërinë e rrugëve dhe strukturat ikonike si Grand Palais, si dhe kontrastin ndaj arkitekturës angleze që promovon ekscentrizëm dhe individualitet. (Cilësitë estetike të Parisit janë ndikuar gjerësisht nga plani Haussmann në shekullin 19, i cili stilizoi fasadën e ndërtesave).

“Forca e njëtrajtshmërisë së Parisit mundëson që ky qytet i bukur të absorbojë pjesë aq fantastike si Kulla Eifel, qendra supermoderne Pompidou (nga arkitektë anglezë dhe italianë) si dhe instituti shumë origjinal dhe novator “Institute du Monde Arab”, thotë Reynolds. Veç kësaj, frenimi historik ndaj godinave të larta e ka limituar dukshëm zhvillimin e kullave të mëdha. “Nuk ndjehesh sikur po ecën në hije përmes pjesës më të madhe të këtij qyteti”,- thotë Kaufman.

Por ndërkohë që Parisi brohoritet për strukturat e krijuara nga dora e njeriut, Vankuveri dallohet për bukurinë e tij natyrore. Në këtë qytet bregdetar, ajri i pastër gjendet me tepri — që nga këndi i gjelbëruar perëndimor i kampusit të Universitetit të “British Columbia” e deri te parku i pafund “Stanley” jashtë qendrës së qytetit. Përveç këtyre, si majat e mbuluara me borë të maleve “Coast”, ashtu edhe Oqeani Paqësor, ofrojnë një pamje mahnitëse, dhe kulturat dhe ushqimet e larmishme ofrojnë një kënaqësi më vete.

Hapësira në ajër të pastër e bëjnë një vend shumë të veçantë qytetin Kejp Taun, thotë Levitt. Lundërtari i mirënjohur anglez i deteve, Sir Francis Drake, njëherë iu referua qytetit Kejp Taun si kepi më i hapur dhe i kthjellët në botë. Këtu gjenden kopshti botanik “Kirstenbosch” dhe maja e malit “Table”, që ofrojnë një pamje marramendëse të qytetit nga një lartësi prej 900 metrash mbi nivelin e detit. Levitt, një inxhinier ambientalist, lavdëron ndikimin minimal ekologjik të këtij qyteti, një rezultat i “madhësisë së menaxhueshme” të tij.

Sidnei

Sidnei është, gjithashtu, një qytet që lavdërohet për bukurinë natyrore, kryesisht porti në ujërat e thella, që është i dukshëm nga shumica e vendeve të qytetit të brendshëm kodrinor. Dhe megjithëse Sidnei, rrallëherë ka klimë të ftohtë apo të vranët, bukuria e tij lulëzon ndërkohë që çelin lulet.

“Sidnei është më i bukur në tetor dhe nëntor kur miliona pemë ‘Jacaranda’ (që ravijëzojnë një numër të madh të rrugëve të qytetit), shpërthejnë në lule të bukura vjollcë dhe transformojnë edhe rrugët më të rëndomta periferike në diçka të bukur”, thotë Reynolds.

Gurët e çmuar të Italisë

Lista përfshin edhe qytetet italiane, Firence dhe Venecia. Firence ofron një ndjesi historie arkitekturale me katedralen gotike “Santa Maria del Fiore” dhe galerinë “Uffizi”, si dhe është një qytet ku mund të shëtitet lehtësisht, që lejon turistët të shijojnë çdo bukuri ndërsa ecin në këmbë. Firence, gjithashtu, është vendi i shesheve plot hapësirë, të cilat janë të mbushura me kafene dhe lokale, që rrethohen nga godina shumë të bukura, si “Palazzo Veçhio”, që kufizon sheshin “Piazza della Signoria”. “Në asnjë vend tjetër në botë nuk mund të gjesh një vend me sheshe kaq të mrekullueshme”,- thotë McGuirk.

Venecia, një qytet në ujë, është e pasur me histori (dikur ka qenë republikë) dhe shpesh i referohen si “Disneyland”-i për të rritur. Ndërtesat antike dhe të ndërlikuara të Venecias duken të rehatuara në fazën aktuale të shkatërrimit – ngjyrat e venitura dhe puna komplekse e dorës nëpër dyer dhe dritare rreth e qark kanaleve dhe rrugicave mesjetare, i shtojnë një sasi të konsiderueshme misteri këtij vendi joshës, thotë Reynolds.

Vendet mahnitëse të SHBA-ve

Disa qytete amerikane, gjithashtu, kanë fituar admirim. San Françisko u brohorit për urat, kodrat, tramvajet dhe bukuritë natyrore të krijuara nga ujërat rrethuese, ndërsa Çikago fitoi pikë për gjelbërimin e hapësirave publike, si projekti i parkut “Millenium” dhe mbjellja e një pafundësie lulesh.

Bukuria arkitekturale e qytetit të Nju Jorkut — konturet në sfond të qiellit në lagjen “Manhattan”, ndërtesat historike në kontrast me struktura moderne, si Kulla e Bankës së Amerikës në mes të qytetit janë bukuri që nuk mund të injorohen. Disa, si p.sh. Levitt, admirojnë, gjithashtu, “Big Apple” për atmosferën e saj. Ndërsa ai e pranon se para 20-vjetësh nuk do ta kishte përfshirë këtë qytet në listë, Levitt thotë se rënia e nivelit të kriminalitetit ka mundësuar që njerëzit të dalin jashtë dhe të përjetojnë jetën e gjallëruar të rrugëve të këtij qyteti.

Londra

Më në fund, Londra është një qytet që nuk mund të anashkalohet. Nëse Parisi është një bukuri strukturore, Londra është komplet e kundërta – një “jorgan i bukur me qepje copërash në formë mozaiku”,- thotë McGuirk. Meqenëse ky qytet është zhvilluar gjatë qindra vjetëve, ai nuk ka një strukturë të përgjithshme dhe forma arkitekturale e tij rezulton të jetë “shumë e dhëmbëzuar dhe e larmishme”, një fenomen që McGuirk e konsideron shumë tërheqës.

Atribute të tilla, sigurisht që e veçojnë një qytet nga qytetet e tjera, por në një kohë krize këto atribute mund të mos jenë të mjaftueshme për të nxitur interesin e udhëtarëve që mundohen të kursejnë, sidomos mes një konkurrence të ashpër për paratë e turizmit. Një studim i kryer nga një firmë hulumtimi e tregut global, “Euromonitor”, botoi verën e kaluar parashikimin se këtë vit turizmi dhe udhëtimet globale në përgjithësi, (në 2008 ka qenë një industri prej 944 miliardë dollarësh), sipas Organizatës Botërore të Turizmit, do të rritet, por në nivele poshtë normales.

Qyteti: Paris

Vendi: Francë

Mirënjohur: Bulevardi ‘Champs-Élysées’, Kulla Eiffel, Grand Palais

Qyteti: Vankuver

Vendi: Kanada

Mirënjohur për: Malet ‘Coast’, Parku Stanley, vend i gjelbëruar dhe ambientalist

Qyteti: Sidnei

Vendi: Australi

Mirënjohur për: Urën e Portit të Sidneit dhe ujërat rrethuese, Pallatin e Operave, dhe plazhin ranor Bondi

Qyteti: Firence

Vendi: Itali

Mirënjohur për Katedralja “Santa Maria del Fiore”, Ponte Veçhio, Piazza della Signoria

Qyteti: Venecia

Vendi: Itali

Mirënjohur për: Kanalet dhe gondolat, Katedralja San Marco, mungesa e makinave

Qyteti: Kejp Taun

Vendi: Afrika e Jugut

Mirënjohur për: Malin ‘Table’, kopshti botanik “Kirstenbosch”, Skela V&A

Qyteti: San Francisko

Vendi: SHBA.

Mirënjohur për: Urën “Golden Gate”, tramvajet, Fisherman’s Ëharf

Qyteti: Çikago

Vendi: SHBA.

Mirënjohur për: Parku Millennium, Magnificent Mile, bregu i Liqenit të Miçiganit

Qyteti: Nju Jork

Vendi: SHBA.

Mirënjohur për: Central Park, Godina “Empire State”, qiellgërvishtëset e pafundme

Qyteti: Londra

Vendi: Angli

Mirënjohur për: Big Ben, ToëerBridge,Trafalgar Square

Qyteti: Kembrixh

Vendi: Angli

Mirënjohur për: Kisha “King’s College”, Lumi Kem, Qendra e Shkencave Matematikore

Qyteti: Tokio

Vendi: Japoni

Mirënjohur për:ImperialPalace, Kulla e Tokios, Lulëzimi i luleve të qershive në pranverë

 

 

Komentet janë të mbyllura

Foto Lajme

Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i përmbajtjes së këtij portali © 2013 Gazeta Republika | Designed by Keminet | Log in
Close
Ndiqni Gazeta Republika në Facebook
Informohuni mbi ngjarjet kryesore të ditës duke na ndjekur në Facebook.